Dita e Gjykimit dhe ndëshkimi i kriminelëve
"(Kur të vijë caktimi i Zotit, ose kur të dalin Jexhuxh-Mexhuxhët) Ne bëjmë atë ditë që ata të përzihen si valët njëra me tjetrën. Dhe i fryhet Surit (për herën e dytë), e të gjithë ata i tubojmë. Atë ditë jobesimtarëve ua prezantojmë Xhehenemin me një prezantim të hapët (trishtues). Atyre që sytë i kishin të mbuluara ndaj argumenteve të Mia, dhe që nuk mund të dëgjonin (fjalët e Allahut). A mos menduan, ata që nuk besuan, se përkundër Meje mund të marrin zota (mbrojtës) robtë e Mi? Ne, për jobesimtarët, e kemi përgatitur Xhehenemin vendpritje. Thuaj: "A t'ju tregojmë për më të dëshpëruarit në veprat e tyre?" Ata janë aso që veprimi i tyre u asgjësua në jetën e kësaj bote, e megjithatë ata mendojnë se janë duke bërë mirë. Të tillët janë ata që nuk besuan argumentet e Zotit të tyre, as takimin (ringjalljen) e Tij, andaj veprat e tyre shkuan huq, dhe, në Ditën e Gjykimit atyre nuk do t'u japim kurrfarë vlere. Këtë, ngase shpërblimi i tyre është Xhehenemi, për shkak se nuk besuan, dhe argumentet e Mia e të Dërguarit e Mi i morën për tallje." - (El-Kehf, 99-106)
Lidhshmëria e këtyre ajeteve me ata paraprakë
Në ajetet e kaluara Allahu i Lartmadhërishëm na rrëfeu tregimin për mbretin e drejtë e të devotshëm-Dhulkarnejnin, për udhëtimet e tij në Lindje e në Perëndim të Tokës, duke mbjellë drejtësi e barazi në mes popujve te të cilët përcillte mësimet e pastra të të Dërguarve të Allahut, e ajetet e fundit të rrëfimit të tij flasin për fiset barbare të Jexhux hëve dhe Mexhuxhëve, të cilët Dhulkarnejni i bllokoi me ndërtimin e një pende gjigante nga hekuri. Këta dy f ise nuk do të arrijnë ta kapërcejnë apo ta shpojnë këtë pendë deri pak para Kiametit, pas së cilës dalje në tokë do të bëjnë shkatërrime të papara.
Dalja e tyre, në njëfarë mënyre, është një para lajmërim dhe shenjë e afrimit të Ditës së Fundit, prandaj edhe ajetet në vazhdim fillojnë pikërisht me përshkrimin e këtyre çasteve të fundit të kësaj jete dhe fillimin e Ditës së Gjykimit. Në këtë ditë jobesimtarët do të ballafaqohen me veprat dhe amelet e tyre të shëmtuara.
Koment
99. "(Kur të vijë caktimi i Zotit, ose kur të dalin Jex huxh-Mexhuxhët) Ne bëjmë atë ditë që ata të përzihen si valët njëra me tjetrën. Dhe i fryhet Surit (për herën e dytë), e të gjithë ata i tubojmë."
Ky ajet, është ajeti ndërlidhës në mes ngjarjes së Dhulkarnejnit dhe dhjetë ajeteve të fundit të sures "El-Kehf", për leximin e të cilëve jemi të porositur nga i Dërguari i Allahut s.a.v.s. Arsyeja e leximit të këtyre ajeteve, që transmetohet në disa rivajete, është ndikimi që ka për t'u mbrojtur nga fitnet e Dexhallit, në prag të Kiametit.
Në lidhje me këtë ajet ekzistojnë dy-tre mendime se kush janë ata që do të përzihen në mes vete, sikurse valët. Mendimi i parë është se këtu nënkuptohen Jex huxhët dhe Mexhuxhët, të cilët në momentin e çarjes së pendës do të përzihen në mes vete, në përpjekje për të dalë sa më shpejt për të bërë çrregullime e gjakderdhje në tokë. Mendimi i dytë nënkupton përzierjen e tyre me njerëzit, në momentet e daljes së tyre nga penda. Kurse mendimi i tretë nënkupton njerëzit, të cilët në momentet e llahtarshme të Kiametit do të hutohen e do të çorientohen, duke u përzier mes vete sikurse të verbrit që nuk shohin. Allahu e di më së miri, por men dimi i tretë është mendim më i përafërt me të vërtetën, dhe të fle më shumë në zemër, e që nënkupton hutinë e njerëzve në momentet e Kiametit. Kjo sepse edhe vazhdimi i këtij ajeti sqaron se kjo ndodh pikërisht në momentet e ndodhisë së Kiametit, pas së cilës do të pasojë fryrja e dytë në "Sur", dhe njerëzit do të dalin nga varrezat e tyre për në vendin e Llogarisë.
Fryrja e Surit, e përmendur në pjesën e dytë të këtij ajeti, është fryrja e dytë nga meleku Israfil, dhe nënkupton momentin e fillimit të Ringjalljes dhe tubimin e njerëzve në "Mahsher", në pritje për t'u marrë në llogari nga Krijuesi.
Në lidhje me këtë fryrje të dytë jep shenjë edhe ajeti 68-të, i sures "Ez-Zumer": "Dhe i fryhet Surit, dhe bie i vdekur çka ka në qiej dhe në tokë, përveç atyre që do Allahu (të mos vdesin), pastaj i fryhet atij herën tjetër, kur ja, të gjithë ata të ngritur e duke pritur (urdhrin e Zotit)", si dhe shumë hadithe të Resulullahit s.a.v.s., sikurse ky që e transmeton Ebu Hurejra, se i Dërguari i Allahut ka thënë: "Nga qielli do të bjerë një shi dhe do të mbijnë (njerëzit) nga toka ashtu siç mbijnë bimët (perimet), ndërsa te njeriu çdo gjë do të zhduket përveç një ashti që quhet kocka bishtore (pjesa e fundit e bosh tit kurrizor). Në Ditën e Kiametit prej tij do të fillojë krijimi."(1)
Nga ky hadith, kuptojmë se ringjallja jonë në shumë aspekte i ngjason rigjallërimit të tokës pas shiut, kur mbijnë e rriten bimët dhe barishtet e tjera. I Dërguari ynë na e konfirmoi një të vërtetë të madhe, të cilën vetëm në shekullin XX-të shkenca na e përafroi në formën e deshifrimit të pjesshëm të ADN-së. Dhe, pikërisht kjo ADN, e cila përmban shënimet e çdo nje riu, që prej Ademit a.s. e deri tek i fundit që do jetojë në këtë tokë, ruhet e paprekur nga shkatërrimi i dhëmbit të kohës, në vendin e njohur si ashti i fundit i boshtit kurrizor-kërbishti. Pra, çdo asht i trupi tonë do të tretet e kalbet, përveç kësaj kocke të vogël bishtore të quajtur "axhbu dheneb", e cila në terminologjinë shkencore të anatomisë quhet "oss caudalis". Nga kjo pjesë kockore, me lejen dhe urdhrin e Allahut, do të rikrijohet njeriu dhe do rindërtohet trupi i tij, për të dhënë llogarinë në Ditën e Gjykimit.
100. "Atë ditë jobesimtarëve ua prezantojmë Xhehenemin me një prezantim të hapët (trishtues)."
Dita kur xhehenemlinjtë do të përballen me tr ishtimin më të madh të tyre është dita kur atyre u paraqiten pamjet e llahtarshme të Xhehenemit. Atë që e kishin mohuar me ngulm në këtë Dynja, duke qenë të "verbër" dhe duke e injoruar, tash do ta shohin para syve të tyre. Flakët e tij të zjarrta e gllabëruese do të djegin e përpijnë çdo gjë para vetes, pa kurrfarë mëshire. Abdullah Ibn Mes'udi përcjell një transmetim nga i Dërguari i Allahut, që ka thënë: "Do të sillet Xhe henemi atë ditë, dhe do të frenohet nga 70 mijë frerë, ndërsa në secilin fre do të jenë nga 70 mijë engjëj, duke e drejtuar atë."(2)
101. "Atyre që sytë i kishin të mbuluara ndaj argumenteve të Mia, dhe që nuk mund të dëgjonin (fjalët e Allahut)."
Tmerrin e Xhehenemit do ta përjetojnë ata që gjatë jetës së kësaj bote i mbulonin sytë ndaj të vërtetës. Ata nuk dëshiruan të kuptojnë se kjo jetë është shumë e shkurtër, por vrapuan pas mirësive të kësaj jete, lukseve e dëfrimeve të shfrenuara. Kur të Dërguarit e Allahut ua përcollën fjalët dhe porositë nga I Lart madhërishmi, këta i mbyllnin veshët, dhe, madje edhe ngriheshin kundër tyre, herë duke i fyer e keqtrajtuar, e madje disa prej tyre edhe duke i vrarë.
Në lidhje me këtë injorim të tyre mjafton ta sjellim vetëm ajetin e 7-të të sures "Nuh", për të parë arrogancën e jobesimtarëve ndaj të vërtetës hyjnore në të cilën po i thërriste i Dërguari i Allahut-Nuhu a.s.: "Dhe sa herë që unë i thërrisja ata për t'ua falur Ti atyre mëka tet, ata i vendosnin gishtat e tyre në veshë dhe i mbulonin kokat me teshat e tyre, dhe vazhdonin në atë të tyren me një mendjemadhësi të fortë."
102. "A mos menduan, ata që nuk besuan, se përkundër Meje mund të marrin zota (mbrojtës) robtë e Mi? Ne, për jobesimtarët, e kemi përgatitur Xhehenemin vendpritje."
Jobesimtarët, ata që shtrembëruan besimin e pastër, po edhe ata që mohuan Ringjalljen dhe Ditën e Gjykimit, duke parë gjendjen e mjerueshme në të cilën tani gjenden, përballë Xhehenemit, do të përpiqen të kërkojnë ndihmë nga ata 'zota' të rremë e iluzore, të cilëve ua kishin falur e kushtuar jetët e tyre, kot së koti. Të gjithë ata që kishin besuar se Uzejri a.s. është "djalë i Zotit", ata që kishin besuar se Mesihu-Isai a.s. është "djalë i Zotit", apo "vetë Zoti", por i personifikuar në trup njeriu që të sakrifikohej për mëkatet e njerëzimit, ata që besuan idhujt e gdhendur, statujat dhe totemët e ndryshëm nëpër shekuj, tash do të kërkojnë ndihmë nga ata që i besuan, por nuk do të marrin dot asnjë përgjigje. Si Uzejri, si Isai a.s., si engjëjt e Allahut, janë robër të Allahut. Janë krijesa të Tij që iu bindën të Lartmadhërishmit, dhe me besnikërinë e dashurinë më të madhe i përfunduan misionet e tyre me të cilët ishin ngarkuar nga i Madhi Zot xh.sh.
Dëshpërimi do të kaplojë fytyrat e këtyre krim inelëve, të cilët pastërtinë dhe kthjelltësinë e besimit e ndërruan me ndyrësinë e kufrit, duke pasuar edhe intrigat e Iblisit-shejtanit të mallkuar. Ajetet në vazh dim pasqyrojnë më së mirë realitetin e këtyre turmave të dëshpëruara në Ditën e Llogarisë së Madhe
103. "Thuaj: A t'ju tregojmë për më të dëshpëruarit në veprat e tyre?"
104. "Ata janë aso që veprimi i tyre u asgjësua në jetën e kësaj bote, e megjithatë ata mendojnë se janë duke bërë mirë."
Prej fitneve më të rënda, të cilat edhe lënë gjurmë të thella për keq, është fitneja e epsheve dhe e pasioneve të ulëta, pra kur njerëzit e ligj e të këqij janë të kënaqur me veprat e tyre të mbrapshta. Madje, ata shumëherë për të arritur qëllimet e tyre të ndyra i shtrembërojnë edhe të vërteta fetare, duke plasuar shpifje e të pavërteta.
Sipas Ibn Arebiut, nën termin "më të dëshpëruarit në veprat e tyre" përfshihen tri kategori njerëzish:
1. Jobesimtarët - që mohojnë Allahun, Ditën e Gjykimit, të Dërguarit e Allahut dhe ngarkesën me obligime;
2. Ata që përpiqen t'i komentojnë gjërat me argumente të paqëndrueshme e të çoroditura. Për këtë grup Allahu xh.sh. flet në ajetin 7 të kaptinës "Ali Imran": "E ata, që në zemrat e tyre kanë anim nga e shtrembëta, ata gjurmojnë atë që nuk është krejt e qartë për të shkaktuar huti, e kinse kërkojnë komentin e tyre." Në këtë grup hyjnë edhe të gjithë ata njerëz të ditëve të sotme, që fenë e komentojnë sipas qejfeve dhe tekeve të tyre, pa kurrfarë argumenti, dhe;
3. Ata njerëz që i kanë shkatërruar veprat e tyre me syefaqësi dhe mendjemadhësi, duke u pëlqyer vetëm veprat e tyre. Në këtë grup hyjnë të gjithë ata mjeranë që kohën e gjatë të kësaj bote e kaluan në kërkim të kotësive(3)
Nga tërë kjo mund të konstatojmë se ajeti në fjalë është shumë më gjithëpërfshirës sesa këto tri kategori, dhe përfshin të gjithë ata që e besojnë Zotin në mënyrë jo të drejtë, por duke llogaritur se e kanë mirë, por që në fakt janë në lajthitje. Prandaj edhe çdo punë e tyre është e pa vlerë.
105. "Të tillët janë ata që nuk besuan argumentet e Zotit të tyre, as takimin (ringjalljen) e Tij, andaj veprat e tyre shkuan huq, dhe, në Ditën e Gjykimit atyre nuk do t'u japim kurrfarë vlere."
Këta njerëz të humbur, të cilët përshkruhen në ajetet paraprake, nuk do të kenë kurrfarë vlere e as pozite tek Allahu xh.sh. Këta, dëlirësinë e besimit e ngatërruan dhe e përlyen me ndyrësitë e kufrit, prandaj edhe e meritojnë dënimin dhe përbuzjen në Ditën kur do të vlerësohen veprat e secilit, pra në Ditën e Gjykimit.
Në të dy Sahihët është transmetuar nga Ebu Hurejre r.a., e ky nga i Dërguari i Allahut, se ky i fundit ka thënë: "Në Ditën e Gjykimit, do të vijë njeriu, i gjatë nga trupi dhe i rëndë në peshë, por tek Allahu nuk do të peshojë as sa një krah i mushkonjës, dhe lexoi ajetin: "...dhe në Ditën e Gjykimit atyre nuk do t'u japim kurrfarë vlere."(4)
Veprat e këtyre të devijuarve do të jenë të pavlera, sepse nuk i kishin bërë për të arritur kënaqësinë e Alla hut por për të shuar e kënaqur egot dhe pasionet e tyre të sëmura. Për të tillët Allahu xh.sh. në suren "El-Fur kan", ajeti i 23-të thotë: "E Ne i kthehemi ndonjë vepre që e bënë ata, dhe atë e bëjmë hi e pluhur."
106. "Këtë, ngase shpërblimi i tyre është Xhehenemi, për shkak se nuk besuan, dhe argumentet e Mia e të Dërguarit e Mi i morën për tallje."
Ata që argumentet hyjnore i morën me tallje, ironi e përbuzje, në Ditën e Gjykimit vetë do të jenë objekt talljeje e nënçmimi. Ky është vetëm fillimi i nënçmimit, sepse pas pak për ta do të pasojë ndëshkimi i përjet shëm në skëterrat e Xhehenemit, duke u përpëlitur në zjarrin që përcëllon e djeg. Shkak i këtij ndëshkimi kaq të tmerrshëm është fakti se në jetën e kësaj bote këta njerëz nuk pranuan dritën e udhëzimit, por pasuan epshet e veta e u bënë pre e djallit të mallkuar, me të cilin bashkërisht dhe përjetësisht do të ndëshkohen në Xhehenem.
Porosia e këtyre ajeteve
- Edhe njëherë vërtetohet e dëshmohet Ringjallja pas vdekjes së gjithë krijesave, kohë kur të gjithë njerëzit dhe xhindët do të dalin para Madhërisë së Allahut Fuqiplotë për të dhënë llogarinë e veprave të kësaj bote.
- Në këtë ditë të tmerrshme e të frikshme për jobesimtarët, Xhehenemi do të shfaqet shumë qartë dhe haptazi para mohuesve të Allahut të Gjithëpushtetshëm. Ata në këtë ditë do të jenë të "privuar" të dëgjojnë edhe fjalët e Allahut xh.sh. Ky privim në një mënyrë nënkupton një ndëshkim të dhimbshëm shpirtëror dhe fizik, sepse janë të vetëdijshëm se çfarë tmerri do t'i presë në zjarrin e Xhehenemit.
- Jobesimtarët i kanë bërë gabim llogaritë e tyre kur kanë menduar se do të gjejnë ndihmën dhe përkrahjen e atyre që i kanë adhuruar në vend të Allahut, siç janë Isai a.s., Uzejri a.s. apo engjëjt (melekët) e pastër.
- Ndëshkimi i këtyre të humburve nesër në Ahiret është tre llojesh: Veprat e tyre konsiderohen të asgjësuara e të pavlera; nderi dhe fisnikëria e tyre është e përdhosur, dhe; i pret përbuzja e përbotshme që kulmon me ndëshkimin në Zjarr.
- Ata që tallen me dispozitat dhe fenë e Allahut në këtë botë, do të jenë në vuajtje e mjerim të përjetshëm nesër në Ahiret.
(Vijon)
___________________
(1) Transmetojnë Buhariu, hadithi nr. (4536); dhe Muslimi, hadithi, nr. 141-(2955).
(2) Sahihu Muslim, hadithi nr. 29 - (2842).
(3) Ahkamul Kuran nga Ibn Arabiu, v.5 f. 358.
(4) Sahi hul Buhari, hadithi nr. (9274); Sahhu Muslim, hadithi nr. (2227).
Sabri Bajgora