Kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti, po qëndron për vizitë zyrtare në Ankara të Turqisë.
Gjatë kësaj vizite, kryeimami Sahiti u prit në takim nga drejtori për Marrëdhënie me Jashtë i Drejtorisë së Përgjithshme të Vakëfeve të Turqisë, z. Kadir Aytekin, i cili i uroi mirëseardhje, si dhe më pas e falënderoi kryeimamin për vizitën, duke vlerësuar lart bashkëpunimin ndërinstitucional ndërmjet Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Vakëfeve të Turqisë.
Kryeimami Sahiti e falënderoi drejtorin Aytekin për mikpritjen, për bashkëpunimin dhe për ndihmën e dhënë Bashkësisë Islame të Kosovës, sidomos në fushën e trashëgimisë kulturore, ku si Drejtori kanë restauruar një sërë monumentesh të rëndësishme islame, si dhe kanë ndihmuar në fushën humanitare e sociale.
Gjatë takimit u bisedua edhe për realizimin e projekteve të radhës në fushën e trashëgimisë, ku u theksua zotimi për fillimin e punimeve gjatë këtij viti për restaurimin e Xhamisë "Atik" në Gjilan, Xhamisë "Buzagiu" në Prishtinë dhe Xhamisë së Rogovës së Hasit, krahas projekteve të tjera humanitare e sociale që do të realizohen në bashkëpunim me Shoqatën "Bereqeti".