Kryeimami Sahiti merr pjesë në Seminarin Ndërkombëtar mbi rëndësinë dhe sfidat e familjes në kohët postmoderne

 


Nën organizimin e Kryesisë së Çështjeve Fetare të Turqisë, në qytetin e Konyas u mbajt Seminari Ndërkombëtar mbi rëndësinë dhe sfidat e familjes në kohët postmoderne. Në këtë seminar morën pjesë studiues, përfaqësues dhe liderë fetarë nga më shumë se 40 shtete të ndryshme të botës. 
Gjatë tri seancave të punimeve, studiuesit dhe liderët fetarë shpalosën sfidat dhe rreziqet me të cilat po ballafaqohet familja në shoqëritë islame në kohët postmoderne, si dhe zgjidhjet alternative të mundshme.
Në kumtesën e tij gjatë seancës së dytë të punimeve, kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti, shpalosi para të pranishmëve rëndësinë dhe rolin historik të familjes shqiptare si në ruajtjen e identitetit, po ashtu edhe në kultivimin e vlerave kombëtare e fetare të shoqërisë shqiptare. Përkundër të gjitha vështirësive përgjatë historisë, fuqia e familjes shqiptare ishte dhe mbeti sekreti i qëndresës dhe mbijetesës së kombit shqiptar.
Ndërsa sa i përket sfidave dhe rreziqeve me të cilat po përballet familja shqiptare në kohët tona, kryeimami Sahiti u fokusua në sfidën e migrimit, si një nga sfidat më serioze, e cila në masë të madhe ka rrezikuar dhe rënduar familjen dhe shoqërinë shqiptare.
Plaga e migrimit është një sfidë e kahmotshme që ka shoqëruar familjen shqiptare. Megjithatë, për të gjitha sfidat duhet të jemi të gatshëm të ballafaqohemi me to, duke pasur një qasje gjithpërfshirëse dhe shumëdimensionale, ku do të përfshihen studiues e hulumtues të profileve të ndryshme, për një adresim të drejtë e të saktë të problemeve dhe për ofrimin e zgjidhjeve alternative, theksoi ndër të tjera z. Sahiti.
Dijaneti i Turqisë, gjatë këtij viti, do të mbajë e organizojë edhe konferenca, simpoziume dhe aktivitete të ndryshme kushtuar familjes.