Në një periudhë të venitjes së udhëzimit hyjnor mbi faqen e dheut, si dhe në një kohë të braktisjes së rrugës së drejtë, dhe mu në atë trevë që injoranca ishte kryefjala e njerëzve të saj, Allahu i Gjithmëshirshëm përzgjodhi ta dërgonte një njeri që do ta rigjallëronte misionin e profetësisë që andejpari, kishte kohë që ishte harruar edhe aroma e tij. Makthi i injorancës i cili kishte lëshuar shtrat krejt në fqinjësi të Shtëpisë së Shenjtë-Qabesë, kishte stisur idhujtarinë si besim, kaosin si rend, padrejtësinë si autoritet, ndërsa dijen dhe urtësinë si luks që se vrite mendjen askush për to. Gjendja e njerëzimit ishte parandjellëse për të keq, dhe klithte me rënkim për nevojën e lindjes së dikujt, që njeriun do t'i tregonte përsëri se çfarë do të thotë të jesh njeri. Mu atëherë, dhe për një synim aq të delirë lind i më i miri njeri - Muhamedi, paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të.
Muhamedi a.s. është vula e profetësisë, lindi dhe u dërgua në atë nënqiell të vrenjtur, por të shenjtë e sigurisht të paharruar nga Zoti i tij. Në sytë e shumë vrojtuesve, dërgimi i tij në cilindo vis tjetër do të denjonte më shumë, ngase ai në atë kohë nuk ngjasonte me një truall të pëlleshëm për risaletin e tij. Kurrsesi, vendimet e Krijuesit, s'lejnë vend për rastësi. Lindja, dërgesa, jeta e vuajtjet e tij, mu në atë vend, që të gjitha ishin brenda "hartës së qëndisur" të kaderit të Zotit. Ai e bëri të qartë këtë gjë kur në Kuran tha: "Është e vërtetë se Allahu u dha dhuratë të madhe besimtarëve, kur ndër ta, nga mesi i tyre dërgoi të dërguar që atyre t'ua lexojë shpalljen e Tij, t'i pastrojë ata, t'ua mësojë Librin dhe urtësinë, edhe pse, më parë ata ishin krejtësisht të humbur." (Ali Imran, 164). Përshkrimi hyjnor nga Zoti ynë për gjendjen e lajthitjes së skajshme të atyre njerëzve ishte i spikatur. Andaj, nga mesi i tyre lindi i Dërguari, i cili ndryshe nga çmenduria që t'i mësoi filloi misionin e tij me ftesën kumbues për përndritje të mendjes, ngritjen e diturisë. Përzgjedhja e tij si i dërguar vërtet ishte begati, e asaj kryebegatie pa asnjë mëdyshje i parapriu vetë mirësia e lindjes së tij.
Çdo njëri që dijen e merr si busull të jetës, e urtësinë si art të të gjallëruarit me të lartët të rrugëtimit të tij, lindjen e Muhammedin a.s. e sheh si dritë shprese në një botë të zhytur në injorancë e mizori. Një bote të dehur në sorollatje e amulli, iu dërgua ai që kumbueshëm do ta ftonte për këndellje, besim në një Zot e fiksnikëri. Ai, ballëhapur do të përkufizonte misionin e tij si një mësues, që po ua mësonte njerëzve të mirën, e po ua lehtësonte vështirësitë e tyre në jetë, siç dëshmohet Xhabiri se ka dëgjuar atë duke thënë: "Allahu nuk më ka dërguar që t'ua vështirësoj (jetën njerëzve), as që të sillem ashpër, por më ka dërguar si mësues dhe lehtësues." (Muslimi, 1478). Andaj sot, nesër e kurdoherë gjer në kataklizëm, secili mësues ka të drejtë të krenohet me këtë epitet të dëlirë, dikur u cilësua edhe më i miri njeri. Mësues, në parim ishte pra edhe vetë ai.
Premisat për suksesin e tij, për shumkënd ngjasojnë me një mirazh: sa më afër që dukej, aq më shumë shuhej shpresa tek i eturi për ujë e freski. A. Lamartine (filozofi e poeti francez) kishte të drejtë kur shprehej: "Jam pyetur: A ishte Muhamedi profet? Dhe unë përgjigjem: Shikoni jetën e tij!...Nëse madhështia e qëllimit, vogëlsia e mjeteve dhe madhështia e rezultateve janë tri kriteret e gjeniut njerëzor, atëherë kush ka guximin ta krahasojë ndonjë burrë të madh të historisë me Muhamedin?" (Histoire de la Turquie, 276/1).
Andaj, në vend të marrjes së ngjarjes sihariquese të lindjes së tij si pikënisje për polemika ngatërruese e irriti, të cilat jo rrallë përfundojnë me akuza të ndërsjella pa shije e me gjasë dhe pa dituri, do të duhej që në çdo kohë t'i kthehemi me zell studimit të lindjes, jetës dhe veprimtarisë së tij! E, përtej debateve shterpe të mbushura me pezëm, e ndiejmë thellë në shpirt se sevdaja e rikujtimit të lindjes së Muhamedit a.s., është krejt e natyrshme, hiq e shtirur, dhe si e tillë nuk mund të shuhet nga frika tashmë e tretur e shenjtërimit të tepruar të figurës së tij.
Editoriali
Dituria Islame 418