30-vjet nga gjenocidi serb në Srebrenicë

 


Srebrenica - plagë që ende lëngon 

Tridhjetë vjet më parë, në korrik të vitit 1995, në zemër të Evropës ndodhi një nga krimet më të errëta të historisë moderne: gjenocidi në Srebrenicë. Më shumë se tetë mijë burra dhe djem myslimanë boshnjakë u ndanë me dhunë nga nënat, gratë dhe motrat e tyre, për t'u ekzekutuar mizorisht vetëm pse ishin myslimanë, vetëm pse ishin boshnjakë. Gratë u dhunuan, fëmijët u lanë jetimë, të moshuarit u dëbuan, dhe e gjithë struktura shoqërore e qytetit u shkatërrua. Dhe, kjo masakër ndodhi në një vend që kishte statusin e "zonës së mbrojtur" nga Kombet e Bashkuara. Ishte një siguri e tradhtuar, një besim i shkelur, një përgjegjësi ndërkombëtare e lënë në baltë. Ky akt gjenocidal u krye me një qëllim të qartë: shfaros jen e një populli për shkak të përkatësisë së tij etnike dhe fetare. Ideologjia që e ushqeu këtë krim nuk lindi rastësisht, por u ndërtua për vite të tëra në akademi, në kisha dhe në qarqe të caktuara intelektuale e artistike, të cilat e bekuan dhunën si projekt kombëtar. Srebrenica ishte kulmi i kë saj ideologjie shfarosëse, por jo fundi i saj, sepse e njëjta makineri do të përsëritej edhe në Kosovë, pak vite më vonë, me masakra, spastrim etnik, djegie, shkatërrim, dëbim masiv të shqiptarëve...
Tridhjetë vjet pas kësaj tragjedie në Srebrenicë, miratimi i Rezolutës së Kombeve të Bashkuara, e cila e njeh zyrtarisht gjenocidin serb mbi popullatën boshnjake, ka një domethënie historike. Nuk është vetëm një akt juridik, por, mbi të gjitha, moral. Është një fitore e së vërtetës mbi mohimin, një hap i vonuar, por i domosdoshëm në betejën kundër relativizimit dhe heshtjes. Serbia zyrtare, ajo që e shkaktoi këtë tragjedi, fatkeqësisht, ende nuk ka marrë përgjegjësinë për këtë krim. Në vend të pendesës kemi parë mohimin, në vend të ndjesës relativizimin, në vend të drejtësisë heshtjen. Ky qëndrim nuk i shërben paqes, nuk i shërben as së ardhmes, por e ushqen kulturën e pandëshkueshmërisë dhe e mban gjallë ideologjinë e gjenocidit. Për këtë arsye, Rezoluta e OKB-së nuk është vetëm një dokument ndërkombëtar, por një akt kujtese kolektive dhe një thirrje për të mos lejuar që mohimi të bëhet pjesë e narratives historike. Ajo është një kujtesë se e vërteta është parakusht për drejtësi, dhe se pa drejtësi nuk mund të ketë as paqe të qëndrueshme.
Ndërgjegje që nuk hesht
Në këtë frymë, edhe Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës ka marrë mbi vete obligimin moral dhe fetar që mos të lejojë që Srebrenica të harrohet. Këtë vit në Prishtinë, më 8 korrik, u organizua promovimi i librit të imam Mevludin Hrnjiq, "Dëshmitari i Srebrenicës". Ky libër nuk është thjesht një botim, por një dëshmi jetësore, një rrëfim i një të mbijetuarit që flet jo vetëm për tmerret e përjetuara, por edhe për forcën e njeriut përballë errësirës absolute. Rrëfimi i tij është i dhimbshëm, por i domosdoshëm, sepse është një zë që e thyen heshtjen, që e mposht mohimin dhe që na detyron të ballafaqohemi me realitetin e hidhur. Botimi i këtij libri në gjuhën shqipe është një homazh për viktimat, por edhe një mësim për ne shqiptarët, të cilët kemi kaluar tragjedi të ngjashme nga e njëjta makineri shtetërore gjenocidale. Është një kujtesë se kujtimi nuk është luks, por domosdoshmëri, se drejtësia nuk është kërkesë e viktima ve, por parakusht i njerëzimit.
Më 11 korrik 2025, në Potoçari të Srebrenicës, në përvjetorin e 30-të të gjenocidit dhe njëkohësisht në përvjetorin e parë të miratimit të Rezolutës së OKB-së, u mblodhën qindra personalitete nga bota demokratike, për t'i nderuar viktimat dhe për t'u solidarizuar me të mbijetuarit. Në mesin e tyre ishte edhe një delegacion i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, i kryesuar prej Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, i cili ishte i shoqëruar prej kryeimamit Vedat ef. Sahiti dhe drejtorit për Kulturë e Botime pranë BIK-ut, z. Ramadan Shkodrës. Pjesëmarrja jonë, me ftesë të Reisul-Ulemasë së Bosnjës, Husein ef. Kavazoviq, ishte shprehje e qartë e përkushtimit tonë për të qëndruar në krah të popullit boshnjak, jo vetëm në fjalë, por edhe në vepra.
Srebrenica është më shumë se një ngjarje tragjike e së kaluarës. Ajo është plagë që ende lëngon, amaneti i nënave që ende presin drejtësi, zëri i të mbijetuarve që na kujton se nuk ka paqe pa të vërtetë dhe as pajtim pa drejtësi. Tridhjetë vjet më pas, shteti serb, sikurse u tha, ende nuk ka kërkuar falje, por, përkundrazi, gjenocidi shpesh relativizohet, madje edhe glorifikohet nga qarqe politike e kulturore. Ky qëndrim është fyese për viktimat dhe rrezik për të ardhmen, sepse mohimi nuk është thjesht mungesë ndjeshmërie, por vazhdim i krimit me mjete të tjera. Përballë kësaj, detyra jonë është që mos të lejojmë që harresa ta mbulojë të vërtetën. Kujtesa nuk është akt hakmarrjeje, por akt drejtësie dhe ndërgjegjeje, është mësim për brezat e ardhshëm dhe garanci që tragjeditë e tilla mos të përsëriten.
Duke e kujtuar Srebrenicën, ne si besimtarë nuk kërkojmë hakmarrje. Islami nuk na thërret në urrejtje, por në drejtësi, mëshirë dhe pajtim mbi bazën e së vërtetës. Ky kujtim është një detyrim moral e shpirtëror, një mësim se paqja ndërtohet mbi pranimin e së vërtetës dhe mbi ndëshkimin e së keqes. Kurani Famëlartë na kujton: "O ju njerëz! Ne ju kemi krijuar prej një mashkulli dhe një femre dhe ju kemi bërë popuj e fise që të njiheni mes vete. Më i nderuari tek Allahu është ai që është më i devotshëm." (Huxhurat, 13). Ky është thelbi i besimit tonë: njohja, respekti dhe devotshmëria, jo urrejtja dhe përjashtimi. Dhe, kjo është rruga që duhet të na udhëheqë, që kujtesa e Srebrenicës mos të shndërrohet në burim hakmarrjeje, por në udhërrëfyes për drejtësi e paqe.
Srebrenica është edhe kujtesa jonë
Srebrenica është një mesazh për mbarë njerëzimin, sepse na mëson se urrejtja ideologjike dhe mohimi i së vërtetës janë pararendës të tragjedive. Për ne shqiptarët ky mesazh është edhe më i dhimbshëm, sepse pak vite pas Srebrenicës, vetë Kosova u bë skenë e krimeve të ngjashme të ushtruara nga e njëjta makineri shtetërore. Prandaj, kujtesa e Srebrenicës është edhe kujtesa jonë, një thirrje që mos të lejojmë që e kaluara të fshihet, që drejtësia të vonohet pa fund, që mohimi të triumfojë mbi të vërtetën.
Tridhjetë vjet nga gjenocidi, Srebrenica ende mbetet plagë e hapur, ndërgjegje që nuk hesht dhe thirrje që nuk shuhet. Ajo na mëson se harre sa është hapi i parë drejt përsëritjes, se drejtësia është kusht për paqe, se kujtesa është amanet për brezat. Prandaj, sot më shumë se kurrë, duhet të kujtojmë, të flasim dhe të dëshmojmë. Sepse vetëm duke e kujtuar me ndershmëri dhe duke e kërkuar drejtësinë me këmbëngulje, mund të shpresojmë se bota do të jetë vend më i drejtë dhe më i sigurt për të gjithë.
Përmes këtij përkujtimi, ne kontribuojmë në misionin tonë si njerëz dhe si besimtarë - në misionin me të cilin na ka ngarkuar Krijuesi i gjithësisë: që të jemi dëshmitarë të së vërtetës, bartës të drejtësisë dhe për hapës të paqes. Besimi nuk duhet të na ndajë, por të na afrojë. Ai nuk duhet të na çojë drejt Srebrenicës së vitit 1995, por drejt fisnikërisë, urtësisë dhe njohjes së ndërsjellë.
Ky është thelbi i besimit tonë: njohja, respekti dhe devotshmëria, jo urrejtja dhe përjashtimi. Duke e kujtuar Srebrenicën, ne forcojmë paqen, ndërtojmë ura mirë besimi dhe themelojmë bashkëjetesë të qëndrueshme dhe respekt të ndërsjellë - por kjo është e mundur vetëm kur përgjegjësia morale pranohet me sinqeritet. Vetëm atëherë kujtesa bëhet udhëzim për të ardhmen, dhimbja kthehet në forcë, dhe drejtësia bëhet realitet.
Në kuadër të përpjekjeve për të kontribuuar në ruajtjen e kujtesës kolektive mbi gjenocidin e kryer në Srebrenicë, revista Edukata Islame këtij numri ia ka kushtuar një rubrikë të posaçme përvjetorit të 30-të të këtij krimi. Në këtë rubrikë përfshihen kumtesat dhe kontributet e paraqitura në aktivitetin e mbajtur në Prishtinë, të organizuar nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, me rastin e këtij përvjetori. Ky aktivitet, i cili në përmbajtje kishte karakter promovues dhe përkujtimor, bashkoi përfaqësues të lartë të institucioneve shtetërore, udhëheqës të Bashkësisë Islame të Kosovës, si dhe personalitete nga fusha akademike, kulturore e fetare të vendit. Botimi i këtyre kontributeve nga revista Edukata Islame synon të shërbejë si dëshmi historike dhe si mjet i ndërgjegjësimit shoqëror, duke theksuar rëndësinë e kujtesës për të parandaluar përsëritjen e akteve të ngjashme në të ardhmen.
E lusim Allahun e Gjithëmëshirshëm t'i mëshirojë viktimat e Srebrenicës, t'u japë forcë të mbijetuarve dhe ta udhëzojë mbarë njerëzimin drejt paqes, drejtësisë dhe së vërtetës!


Editoriali, "Edukata Islame" nr. 138/2025