Ruajini (falini) rregullisht namazet, e gjithashtu edhe namazin e mesëm, dhe qëndroni para Allahut me devotshmëri. (El-Bekare, 238)
Thotë Allahu xh.sh: "Ruajini (falini) rregullisht namazet" - e ky është Urdhër nga Allahu xh.sh. drejtuar të gjithë besimtarëve për ruajtjen e kohëve të namazit dhe faljen e tyre duke iu përmbajtur të gjitha rregullave të parapara për plotësimin e tij.
Siç transmetohet, Abdullah ibn Mesudu r.a. ka thënë: "e kam pyetur resulullahin a.s. - Cila vepër është më e mira"? Tha: "Namazi në kohën e vet"; thashë: "Pastaj cila"? Tha: "Përkujdesja ndaj prindërve". Thashë: "Pastaj cila"? Tha: "Lufta në rrugën e Allahut". Pastaj heshta nga pyetjet drejtuar Resulullahit a.s. dhe, sikur të pyesja më tepër do të më përgjigjej (Buhariu 3/1025, nr. 2630; Muslimi 1/89, nr.85) Ndërsa në hadithin Kudsij, që transmetohet nga Ebu Katadete ibn Rub'ij r.a., ai ka thënë: "Ka thënë resulullahi a.s. së allahu i madhëruar ka thënë: "Unë i kam bërë obligim për ymetin tënd pesë kohë të namazit, dhe kam dhënë një premtim nga Unë, se atë që kujdeset dhe i fal namazet në kohën e tyre, do ta vendos në Xhenet në bazë të premtimit Tim, po, nëse nuk është i kujdesshëm ndaj tyre, ai nuk ka tek Unë kurrfarë premtimi". (Sunen,Ibnu Maxheh 1/450, nr. 1403) Falja e namazeve në kohën e tyre llogaritet nga veprat më të mira dhe më të pëlqyera tek Allahu xh.sh.. Transmetohet nga Umu Fervete r.a., e cila ka qenë nga ato që patën dhënë betimin para Resulullahit a.s., thotë se e ka dëgjuar Resulullahin a.s duke i përmendur veprat dhe tha: "vepra më e mirë tek allahu xh.sh. është nxitimi i faljes së namazit në fillim të kohës të tij". (Musned, Imam Ahmed 6/375, nr. 27149.) Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi nga Talha ibn Ubejdullah r.a. të ketë thënë: "Erdhi tek Resulullahi a.s. një person nga banorët e Nexhdit, me flokë të çrregulluar; dëgjonim zërin e tij dhe nuk e kuptonim se ç'po thoshte derisa u afrua te Resulullahi a.s. dhe e pyeti për islamin. resulullahi a.s. tha: "Pesë kohë të namazit brenda ditës dhe natës". Ai tha: "A ngarkohem me (namaze) të tjera"? Resulullahi a.s. tha: "Jo, vetëm vullnetarisht, dhe agjërimi i muajit të Ramazanit"; ai tha: "A obligohem me (agjërim) tjetër"? Tha: "Jo, vetëm vullnetarisht". Dhe kështu Resulullahi e përmendi zekatin e ai pyeti: "A obligohem më tepër"? Tha: "Jo, vetëm vullnetarisht". Ai u largua dhe tha: "Pasha Allahun, nuk do të shtoj as nuk do të mungoj asgjë nga kjo". Pejgamebri a.s. tha: "Ka shpëtuar nëse e thotë të vërtetën". (Buhariu 1/25, nr. 46; dhe Muslimi 1/40, nr. 11).
Ndërsa në hadithin e transmetuar nga enesi r.a. thuhet: "na është ndaluar ta pyesim Resulullahin a.s., për ndonjë gjë, kështu që na pëlqente kur prezantonte ndonjëherë ndonjë beduin i mençur dhe e pyeste, e ne dëgjonim. Kështu erdhi një beduin dhe tha: "O Muhamed, na erdhi i dërguari juaj dhe pretendonte se ju thoni se Allahu të ka dërguar! Tha : "E ka thënë të vërtetën". Tha: "Kush e ka krijuar qiellin? Tha .: "Allahu"! Tha: Kush e ka krijuar Tokën? Tha : "Allahu"! Tha: Kush i ka ngritur kodrat dhe ç'ka në to? Tha : "Allahu"! Tha: "Pash Atë Që ka krijuar qiellin dhe ka krijuar Tokën dhe ka ngritur kodrat, a të ka dërguar ty Allahu? Tha : "Po"! Tha: I dërguari juaj pretendon se ne kemi obligim pesë kohë të namazit gjatë ditës dhe natës sonë? Tha a.s.,: "E ka thënë të vërtetën"! Tha: Pash Atë Që të ka dërguar, a të ka urdhëruar Allahu për këtë? Tha a.s.,: "Po". Tha: I dërguari juaj pretendon se ne kemi obligim dhënien e zekatit nga pasuria jonë? Tha a.s.: "E ka thënë të vërtetën"! Tha: Pash Atë Që të ka dërguar a të ka urdhëruar Allahu për këtë? Tha a.s.,: "Po". Tha: I dërguari juaj pretendon se ne kemi obligim agjërimin e muajit Ramazan në vitin tonë? Tha a.s.: "E ka thënë të vërtetën"! Tha: Pash Atë Që të ka dërguar a të ka urdhëruar Allahu për këtë? Tha a.s.,: "Po". Tha: I dërguari juaj pretendon se ne kemi obligim vizitën e Qabesë për atë që ka mundësi? Tha a.s.,: "E ka thënë të vërtetën"! Tha: Pasha Atë Që të ka dërguar me të vërtetën, as nuk do të shtoj as nuk do të mungoj asgjë nga kjo. Pejgamberi a.s. tha: "Nëse është i sinqertë në atë që thotë, do të hyjë patjetër në Xhenet". (Muslimi 1/41, nr.12.) Transmetohet nga Ebu Ejubi r.a.: "Erdhi një person tek i Dërguari i Allahut a.s. dhe tha: Më udhëzo për një vepër, e cila, nëse i përmbahem, më afron afër xhenetit dhe më largon nga zjarri! Tha a.s.: "Ta adhurosh Allahun dhe të mos I bësh rival askënd, ta falësh namazin, ta japësh zekatin dhe të ruash lidhjet familjare". Kur u largua, Pejgamberi a.s. tha: "Nëse u përmbahet atyre që u urdhërua, do të hyjë në Xhenet"(Muslimi 1/43, nr:13. Në hadithin tjetër transmetohet nga Ebu Hurejrete r.a.: "Erdhi një beduin tek Resulullahi a.s. ,dhe tha: "O i Dërguar i Allahut, më udhëzo për një vepër, së cilës, nëse i përmbahem - do të hyj në Xhenet? Tha: "Adhuro Allahun dhe mos I bëj Atij rival asgjë, fale namazin e obliguar, jepe zekatin e caktuar dhe agjëro ramazanin". tha: Pasha atë në dorë të të cilit është shpirti im, nuk do të shtoj dhe as do të mungoj asgjë nga kjo. Kur u largua, Pejgamberi a.s. tha: "Ai që është i kënaqur të shohë një njeri nga banorët e Xhenetit, le ta shikojë këtë". ( Buhariu 2/506, nr.1333; Muslimi 1/44, nr. 14) Transmetohet nga Xhabiri r.a. se një njeri e kishte pyetur Resulullahin a.s.: "Nëse i fal namazet e obliguara dhe agjëroj ramazanin, punoj gjëra të lejuara dhe largohem prej të ndaluarave e nuk shtoj asgjë prej këtyre, a do të hyj në Xhenet? Tha a.s: "Po", e ai tha: "Pasha Allahun. nuk do të shtoj asgjë nga kjo". (Muslimi 1/44, nr.15)
Pesë kohët e namazit
Fjala e Allahut "namazet", pesë kohët e namazit gjatë ditës dhe natës, - namazi i sabahut, i drekës, i ikindis, i akshamit dhe i jacisë. Të gjitha këto namaze janë përmendur në ajetet kuranore. Thotë Allahu xh.sh.:(Shih:Err-Rrum, 17-18 dhe En-Nur, 357).Pesë kohët e namazit të përmendura në këto dy ajete, e argumentojnë këtë me fjalën e Ibn Abasit r.a., që transmetohet nga Ebu Rezin r.a.: Ka ardhur Nafi ibn El-Ezrek tek Abdullah ibn Abazi r.a. dhe e ka pyetur: "A i gjen pesë kohët e namazit të përmendura në Kur'an? Tha: Po, pastaj i lexoi atij:"Lartësojeni Allahun kur të vij mbrëmja" (namazi i akshamit) "dhe kur të agojë mëngjesi" (namazi i sabahut), "dhe pasdite" (namazi i ikindisë), "dhe ditën" (namazi i drekës), dhe pastaj lexoi Ibn Abasi ajetin tjetër "dhe pas namazit të jacisë. (Bejhekiu në Muxhem El-Kebir, 10/247, nr. 10596; Ibn El Mundhir në El-Evsat, 2/321, nr. 932) Ka thënë Allahu xh.sh. Shih: El-Isra,78)
Fjala e Allahut "animi i Diellit që fillon nga zeniti derisa të perëndojë, ndërsa "rënia e territ", kjo është koha pas zhdukjes së dritës nga horizonit, është ky urdhër nga Allahu xh.sh. për faljen e namazeve në mes të këtyre dy kohëve të përmendura në këtë ajet, e këto janë: dreka, ikindia, akshami, jacia, dhe fjala e Allahut: "Kur'ani i agimit", që do të thotë koha e sabahut. Është quajtur kështu për shkak se ky namaz është dalluar me lexim të gjatë të Kur'anit, ka vetëm dy reqate, namaz i shkurtë në reqate, po leximi duhet të jetë më i gjatë se në të gjitha namazet e tjera. Mbetet kështu gjithmonë në këtë formë, pra, as nuk shkurtohet në udhëtim dhe as nuk bashkohet me namaze të tjera në raste kur lejohet bashkimi i dy namazeve. (El-Fetava, 21/435) Ky ajet komentohet nga vetë veprimet e Resulullahit a.s. gjatë jetës së tij, i cili falte pesë kohë të namazit, por edhe nga hadithet e shumta të transmetuara, siç ka ardhur në Sahihun e Muslimit nga Abdullah ibn Amri r.a. se Pejgamberi a.s. i përcaktoi kohët e namazit:
"Koha e drekës, kur Dielli të kalojë zenitin dhe derisa hija e njeriut të jetë sa gjatësia e tij, derisa të mos hyjë ikindia; koha e ikindisë është derisa të mos zverdhet Dielli; koha e akshamit derisa të humbë drita nga horizonti; koha e jacisë është deri në gjysmë të natës; koha e namazit të sabahut është nga agimi derisa të lindë dielli, nëse lind dielli, mos fal namaz se ai lind ndërmjet dy brirëve të shejtanit". (Muslimi 1/426, nr. 612).
(Vijon)
Mr. sci. Imer Hajdini
Dituria Islame 257