Kujdesi i Krijuesit ndaj krijesave të Tij është një kujdes i mahnitshëm. Ai është i tillë në veçanti ndaj njeriut si qenie, e cila ka përgjegjësi për veprimet e veta dhe se veprimet e tij nuk janë thjesht për veten e tij, por kanë efekt domino, ku ndikimi i këtyre veprimeve bartet edhe te të tjerët, të mira qofshin ato, apo të këqija.
Nëse ky fakt është i pamohueshëm, atëherë është e kuptueshme kujdesi i Krijuesit që ta rregullojë besimtarin në atë mënyrë që kur ai të dalë në fushëveprim me të tjerët, të jetë ai më i miri, ndërsa veprimet e tij të jenë të pranueshme, të lavdërueshme dhe të dobishme, e si rrjedhojë e kësaj, ai të jetë edhe i shpëtuar në botën tjetër.
Thënë më qartë, ky është edhe objektivi madhor i Islamit, që në secilin prej ajeteve kuranore dhe në secilin prej haditheve të Pejgamberit a.s., do të gjejmë të skalitur nga një fanar ndriçues, nga i cili do të marrë dritë secili besimtar, e me këtë dritë do të shndrisë në jetën e tij.
Por, si duket një besimtar i tillë, me një besim të pastër e të përkthyer në vepra të dobishme dhe moral të lartë, cili është ai mekanizmi fetar, i cili i instalohet këtij besimtari për të funksionuar si i tillë për të mbetur i njëjtë në secilën gjendje, edhe me Zotin, edhe me të tjerët, edhe në vetmi, edhe në publik, dhe i cili nuk ndryshon me ndryshimet e mundshme, por mbetet i njëjtë gjithnjë.
Nëse kërkojmë të bëjmë një definicion për këtë besimtar, do ta përkufizojmë me emrin "njeri i devotshëm", e nuk do shumë mund për ta kuptuar se në fillim të Kuranit, madje që në ajetet e para të sures El Bekare, Allahu na njofton se ky Kuran është udhëzues për ata që janë të tillë: "Ky është Libri që nuk ka dyshim në te (sepse është prej Allahut) është udhëzues për ata që janë të devotshëm." (El Bekare, 2).
Kjo fjalë, me të gjitha shprehjet që aludojnë në këtë kuptim, është përmendur hiç më pak se në mbi 258 vende, që është një argument i fuqishëm për domosdoshmërinë e posedimit të kësaj cilësie, apo pajisjes me këtë formulë kuranore.
Në definicionet e shumta, të cilat e kalojnë numrin e më shumë se dhjetë të tillave, baza e të gjithave kthehet në atë se si njeriu duhet të jetojë siç do Krijuesi i tij, si dhe të jetë tek ai e përafërt nëse jo e njëjtë gjendja e brendshme e tij me atë të jashtme.
Nëse ky është kuptimi i devotshmërisë (takvallakut), atëherë për këtë gjë do të dalim në rezultatin e asaj që, nevoja e besimtarit për devotshmëri është domosdoshmëri jetike, e me këtë gjithashtu e kuptojmë se rezultatet e pajisjes me devotshmëri janë të mëdha.
Dobitë e devotshmërisë
Nëse ndalemi dhe bëjmë një përzgjedhje të dobive të devotshmërisë sipas Kuranit, do të jetë shumë e vështirë një gjë e tillë, pasi që nga mbi 250 ajete që flasin për këtë virtyt, vështirë është të përzgjidhet diçka e të lihet diçka tjetër, por do të mundohemi që thjesht, sa për ilustrim të paraqesim një tablo të tyre:
Pajisja me qartësi në kuptime dhe veprime: "O ju që keni besuar, nëse bëheni të devotshëm, Allahu do t'ju japë kthjelltësinë në ndarjen e gjërave dhe kuptimin real të tyre." (El Enfal, 29);
Rrugëdalje dhe rrugëzgjidhje: "Kush bëhet i devotshëm, do t'i bëjmë rrugëzgjidhje edhe atëherë kur njeriu do të mendojë se i janë mbyllur të gjitha dyert, e s'ka rrugëdalje." (Et Talak, 2);
Furnizim me rrësk: "I jep rrësk atij, madje edhe nga se kujton fare." (Et Talak, 3). Ky është një shpërblim dhe një përkrahje hyjnore për ata që i frikësohen harameve dhe kërkojnë rrëskun në gjërat hallall. Të tillëve do t'ju vije rrësku nga Pronari i depove të qiejve dhe të Tokës.
Falja e gjynaheve është një brengë, e cila në vazhdimësi e përcjellë besimtarin. E për këtë kategori ka ardhur edhe përgëzimi: "E ata që kanë devotshmëri, do t'ju falen gjynahet e tyre." (Et Talak, 5);
Në vargun e gjatë të fryteve të devotshmërisë, mjafton të përmendet edhe dashuria e Krijuesit: "Me të vërtetë, Allahu i do të devotshmit." (Et Tevbe, 4).
Në pikën e pestë të dobive të devotshmërisë e përmendëm se Allahu i do ata që janë të devotshëm, kjo ngase ata janë pasqyrimi më i mirë i robërve që Allahu i do, sepse të tillët janë shëmbëlltyra e mësimeve të Allahut.
Ata nuk janë njerëz të izoluar dhe të vetmuar, nuk janë të tillë që rrinë duke vajtuar apo duke veshur rroba të vjetruara e që ecin rrugëve si të mjerë. Jo, jo, ata janë njerëz të zakonshëm si të gjithë njerëzit e tjerë, janë prindër, familjarë, mësues, nxënës, mjekë, policë, udhëheqës etj., pra janë vetë shoqëria, por ajo që i dallon, e që është më kryesorja e të gjitha obligimeve jetësore, me përkushtim, përgjegjësi dhe profesionalizëm, është se janë të ndihmuar nga Allahu xh.sh., dhe se para së gjithash, ata e dinë se përgjegjësi për veprime e tyre do t'i japin vetëm Atij.
Se sa e nevojshme është devotshmëria në shoqëri dhe se sa të dobishëm do të ishin njerëzit që jetojnë me këto kuptime, Sujutiu në "Durer Menthur", na tregon se kur është pyetur Ebu Hurejra r.a., për devotshmërinë, ai ka thënë: "A ke ecur në rrugë me gjemba?" "Po" - thanë. "Si ke vepruar?" T ha: "Kam pasur kujdes që të mos i prek e të mos therem." "Kështu tha është devotshmëria, të ecësh në dynja e të kesh kujdes të mos prekësh aty ku nuk duhet."(1)
"Të mos prekësh aty ku nuk duhet" - do të thotë të mos prekësh nderin e tjetrit, të mos prekësh në pasurinë e ndaluar, të mos fyesh e të mos lëndosh ndjenjat e tjetrit, të mos bësh padrejtësi, të mos e lësh pa e kryer punën që ke marrë në përgjegjësi, apo të mos marrësh përgjegjësi që nuk i kryen dot, të mos shkelësh kufijtë, të mos e teprosh etj., pra me një f jalë, të ecësh në këtë botë me përgjegjësi, si dhe të bësh dobi kudo që të jesh.
E brendshmja dhe e jashtmja jote duhet të jenë njësoj, i thjeshtë, pa mendjemadhësi, pa mendim të keq për tjetrin, i çliruar nga egoja, lakmia, zilia. Kur të gjitha këto i ka parasysh besimtari, nuk është e çuditshme përse kaq shumë qenka përmendur devotshmëria në Kuran. Madje, Allahu i Madhëruar edhe Pejgamberit Muhamed a.s., i ka thënë: "O ti Pejgamber, qëndro i fortë në besnikëri ndaj Allahut..." (El Ahzab, 1). Nëse njeriut me zemrën më të mirë që ka shkelur në këtë tokë, Muhamedit a.s., i është thënë kështu, na bëhet edhe më e qartë grada e devotshmërisë dhe domosdoshmëria e pajisjes me këtë virtyt.
"Ne i patëm këshilluar edhe pasuesit e librave më herët, por edhe juve, pajisuni me devotshmëri..." (En Nisa, 131), pra njeriu gjithmonë ka qenë i nevojshëm të jetë i mirë, e objektiva e të gjitha librave të shpallura te të gjithë pejgamberët a.s., ka qenë rregullimi dhe përmirësimi i njeriut, e mekanizmi më i saktë dhe më efektiv për këtë ka qenë dhe mbete devotshmëria.
Shkalla jonë e të qenit të mirë, produktiv, të frytshëm, por edhe të shpëtuar, varet nga shkalla e devotshmërisë, andaj të investojmë në veten tonë dhe në shoqëri përmes kësaj dere!
_________________________
1 Tefsir el Methur", Dar Ihaja et Turath el Arabi, Bejrut, vëllimi I, fq. 61.
Dituria Islame 411