Fejesa në konceptin islam dhe atë tradicional (1)

 


Nga natyra e akteve dhe kontratave të rëndësishme që kanë rëndësi vitale për jetën e njeriut, është se ato rëndom paraprihen nga disa procedura e dispozita të cilat, mbi të gjitha, synojnë që t'u sigurojnë jetëgjatësi sa më të madhe atyre akteve-kontratave.
Edhe kontrata martesore në konceptin islam konsiderohet padyshim si një prej akteve më të shenjta ndërmjet njerëzve, jetëgjatësinë e të cilit e synon Ligjvënësi. Allahu këtë kontratë në Kuranin fisnik e ka quajtur "lidhje dhe besatim të fuqishëm", për çka thotë: "Në qoftë se dëshironi të ndërroni (të merrni) një grua në vend të një gruaje (të lëshuar), dhe asaj (të lëshuarës) t'i keni dhënë shumë të madhe, mos merrni prej saj asnjë send. A do të merrni atë pa të drejtë e në mënyrë mizore? Dhe si mund të merrni atë kur jeni bashkuar me njëri-tjetrin dhe kur ato kanë marrë prej jush një besë të fortë?" (En-Nisaë, 21-22). Nga procedurat që i paraprijnë këtij akti kaq të shenjtë, është edhe fejesa, e ashtuquajtur në jurisprudencën islame edhe "El-hitbeh".


Nocioni i fejesës "El-hitbeh", sipas Islamit dhe sipas ligjit


Fejesa në konceptin juridik islam është përkufizuar si: "Kërkesë për martesë ose paraqitje e ofertës për martesë, nga cilado palë qoftë ajo, nga mashkullit ose femra.."(1) Ose, siç e përkufizon në formë edhe më të detajuar njëri prej juristëve bashkëkohorë: "Fejesa është kërkesa e mashkullit për martesë me një femër të caktuar, ose paraqitja e ofertës, e bërë një femre ose kujdestarëve të saj, duke e sqaruar gjendjen e tij, dhe negocimi i kërkesës së tillë".(2) Rreth esencës së një përkufizimi të tillë pothuaj nuk gjejmë të ketë divergjenca nga juristët-fukahatë e shkollave juridike islame. Madje, sa për kureshtje, është e udhës të theksojmë se fejesa është përkufizuar përafërsisht njësoj edhe në "Ligjin për Familjen", të Kosovës, në të cilin, në nenin e nëntë të pjesës së dytë, thuhet: "Fejesa është premtim reciprok i dy personave me gjini të kundërt për t'u martuar në të ardhmen"(3), Nga këto përkufizime mund të konstatojmë se fejesa në konceptin juridik islam është vetëm paraqitje e ofertës dhe kërkesës për martesë, dhe ajo nuk përmban asnjë tipar të ndonjë akti ose marrëveshjeje kurorëzimi në këtë fazë. Këtë karakter pothuajse e ka edhe Ligji i Kosovës. Ajo në një formë mund të konsiderohet edhe premtim për martesë, porse nuk mund të konsiderohet absolutisht si akt kurorëzimi, madje as në rast se përgjigjja nga pala tjetër është pozitive, ngase kushtet e ligjshmërisë (si dëshmitarët, publikimi i lajmit etj.), të aktit të kurorëzimit, nuk janë ende të gjitha evidente, e pa ato akti i kurorëzimit do të konsiderohej i paligjshëm.


Oferta për fejesë mund të bëhet nga të dy palët


Për të thjeshtëzuar edhe më tej këtë koncept, duhet theksuar se Islami ka lënë mundësinë që kjo ofertë të paraqitet në mënyrë të drejtpërdrejtë duke e shprehur këtë pala ofertuese me fjalët, p.sh. "Unë dëshiroj të martohem me ty", e të ngjashme. Mirëpo, oferta mund të paraqitet edhe në formë alegorike-indirekte duke u shprehur me fjalët: "Një femër të tillë sikur ti nuk do ta refuzoja", "Qenke femër fisnike e me moral të lartë", e shprehje të ngjashme të cilat në bërthamën e tyre fshehin interesimin e palës për martesë me atë femër. Mirëpo oferta për martesë-fejesa, ashtu siç është e ligjshme të paraqitet nga ana e mashkullit, është e ligjshme të paraqitet edhe nga ana e femrës. Qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë, qoftë duke e autorizuar dikë që t'ia paraqesë kërkesën palës. Që të dy mënyrat janë evidencuar nga koha e Muhamedit s.a.v.s. Dihet mirë filli se Muhamedi s.a.v.s. ka kërkuar dorën e Aishes r.a. (kërkoi martesën me të) nga vetë babai i saj Ebu Bekri r.a.,(4) ndërsa ka dërguar Hatib ibn Ebi Belteanë që të kërkonte dorën e Ummi Selemes, pasi i kishte vdekur burri.(5) Ndërsa argument se lejohet që ofertën ta paraqesë femra ose kujdestari i saj, kemi paraqitjen e ofertës-kërkesën nga ana e Hatixhe bint Huvejlidit për martesë me Muhamedin s.a.v.s., ofertë të cilën e pranoi Muhamedi s.a.v.s., ani pse kishte diferencë moshe 15 vjet. Pastaj Umeri r.a. ua kishte paraqitur ofertën Uthmanit dhe Aliut r.a. për martesën e vajzës së tij Hafsës, e cila më pas do të martohej me vetë të Dërguarin e Allahut, Muhamedin s.a.v.s.(6) Porse rasti më ilustrativ është ai që transmeton Thabit el-Benani, i cili thotë: "Një herë isha tek Enesi r.a., dhe aty prezente ishte e pranishme edhe njëra vajzë e tij, e Enesi tha: "Një ditë erdhi një grua tek i Dërguari i Allahut s.a.v.s., dhe iu paraqit atij (ia shfaqi dëshirën për martesë me të) e i tha: "O i Dërguar i Allahut, a ke nevojë për mua?" Aty reagoi bija e Enesit e tha: "Sa e paturp paska qenë ajo, marre i qoftë!" Enesi iu kthye bijës së vet, duke i thënë: "Ajo është më e mirë se ti, sepse ajo ka lakmuar që të jetë grua e Pejgamberit s.a.v.s., dhe i është paraqitur vetë".(7)
Meqë saktësia dhe autenticiteti i hadithit nuk vihet në dilemë fare, nga rasti i transmetuar del në pah se Muhamedi s.a.v.s., nuk e kishte qortuar gruan për ofertën që i kishte paraqitur atij në mënyrë të drejtpërdrejtë, por kishte shprehur mosinteresimin e tij për shkaqe krejt personale, ndërsa për të njëjtin rast reagoi me fjalë mjaft qortuese edhe Enesi r.a., (që rrëfente ngjarjen) ndaj vajzës së tij, e cila e pa me sy kritik ofertën nga vetë ajo grua për Muhamedin s.a.v.s. Mirëpo, paraqitja e ofertës për fejesë nga vetë vajza do të duhej të bëhej për shkak të lakmisë për devotshmërinë dhe moralin e burrit me të cilin dëshiron të martohet, e jo për arsye të tjera, siç janë: pasuria, nami, bukuria e të tjera si këto.


Norma dhe urtësia e ligjësimit të fejesës


Pa dyshim që fejesa është bërë e ligjshme-e lejuar madje tek disa dijetarë edhe e parapëlqyer për qëllime tejet fisnike. Secili njeri që dëshiron të martohet, qoftë mashkull ose femër, në të vërtetë ka dëshirë që të ketë kohë të mjaftueshme që të sigurojë informacione të domosdoshme rreth palës tjetër. Mashkulli të pyesë për moralin e femrës, për familjen e saj, për vyeshmërinë dhe tiparet e saj. Mirëpo edhe vajza ka nevojë që, pas pranimit të ofertës, të interesohet për atë që kërkon martesën me të, për tiparet e tij, karakterin e për gjëra të tjera, që çifti do të mund të merr vesh për njëri-tjetrin vetëm me anë të këshillave familjare e interesimeve të tjera më të gjera. Këtij synimi të fejesës do t'i shërbente në masë tejet të madhe edhe mundësia që kandidatët për martesë në të ardhmen të shohin njëri-tjetrin, gjatë periudhës së paraqitjes së ofertës. Dhe një gjë e tillë është e porositur nga vetë Muhamedi s.a.v.s. Pastaj është e udhës që të falë dy rekate namaz të istihares (kërkimit të zgjidhjes nga Allahu) dhe t'i lutet Allahut secili që gjendet para një dileme të tillë, e kjo pa dyshim orienton nga e drejta dhe qetëson zemrën e atij-asaj që është në një situatë të tillë. Vetëm pas atyre konfirmi meve e këshillimeve, ata të dy do të vazhdonin më pastaj procedurat e aktit të kurorëzimit, i cili për ta më vonë ka konsekuenca dhe efekte të tjera ligjore.(8)


Çfarë lejohet e çfarë ndalohet të bëhet gjatë periudhës së fejesës në konceptin islam?


Meqë u qartësua fakti se fejesa në konceptin islam është vetëm paraqitje e kërkesës për martesë, ose një lloj premtimi për të, atëherë rrjedhimisht duhet vënë në pah një gjë tejet me rëndësi-se gjatë kësaj periudhe lejohet vetëm të shohin njëri-tjetrin të interesuarit për fejesë, madje vetëm në kushte të së lejuarës. Gjatë takimit me qëllim të parjes së njëri-tjetrit, nëse ndodh kjo, duhet të jetë doemos i pranishëm dikush tjetër përveç tyre, sepse vetmimi fizik i tyre është rreptësisht i ndaluar në mënyrë të drejtpërdrejtë nga vetë Muhamedi s.a.v.s., në hadithin që e transmeton Abdullah ibn Abasi, ku thuhet: "Të mos vetmohet askush prej jush me ndonjë femër (që i lejohet martesa me të), sepse i treti i tyre do të jetë djalli i mallkuar"(9). Me rëndësi është të theksohet se në fazën e shqyrtimit të kërkesës -ofertës është e rrugës që çdo bisedë, qoftë edhe në distancë (përmes mjeteve të komunikimit të drejtpër- drejtë në internet e të ngjashme) të bëhet në prani të një personi të tretë, qoftë tek vajza (është e udhës që të jetë kujdestari i saj) ose tek djali, për të larguar çdo mundësi të shfrytëzimit për keq, ose keqpërdorimit të këtij vetmimi nga cilado palë. Këtë mendim e kanë pohuar pothuajse të gjithë dijetarët bashkëkohorë, fjala dhe mendimi i të cilëve mund të merren në konsideratë, prandaj shprehia e krijuar së fundi që të vetmohet një mashkull me një femër vetëm për faktin se ata i kanë dhënë premtim njëri-tjetrit për martesë, ose sepse për një premtim të tillë janë në dijeni familjarët e të dy palëve, nuk e bën të ligjshëm veprimin e tyre, por ai mbetet i ndaluar pa kurrfarë dileme, për shkak të pasojave të këqija që janë shumë të mundshme në një rast të tillë.


Fejesa në konceptin islam s'ka karakter obligues për palët


Fillimisht është shumë me rëndësi të vihet në pah fakti se fejesa që realizohet, në traditën tonë vendore nuk është e plotpërputhshme me fejesën në konceptin islam. Ajo që është e plotpërputhshme me fejesën islame në traditën tonë, është dërgimi i shkuesit (mësitit) për të kërkuar dorën e një vajze, d.m.th., vetëm shfaqja e interesimit, qoftë drejtpërdrejt dhe qoftë me anën e një njeriu të autorizuar, që bëhet sipas traditës tonë, dhe kjo e merr karakterin e fejesës edhe sipas Sheriatit islam. E nëse pala që ka pranuar ofertën, përgjigjet pozitivisht, kjo do të thotë se është hapur rruga për kurorëzim të këtij pëlqimi, e jo që është kryer në të vërtetë. Rrjedhimisht, duhet theksuar fakti se pas paraqitjes së ofertës-fejesës, edhe nëse ka përgjigje pozitive ndaj ofertës, të dy palët kanë të drejtë të tërheqin pëlqimin e tyre, ani pse është e papëlqyer thyerja e një premtimi të tillë. Arsyeja e lejimit të tërheqjes së pëlqimit është e thjeshtë, ngase, deri në këtë fazë, nuk është lidhur kurrfarë marrëveshje, por kishte vetëm paraqitje të ofertës e interesimit, dhe kjo është fazë e mendimit dhe e këshillimit para një vendimi (kurorëzimit), i cili do të kishte karakter obligues. Kjo madje është krahasuar me gjendjen kur njeriu është në fazën e negocimit të çmimit të një malli dhe më pas tërhiqet në tërësi nga shitblerja.


Pasojat e prishjes së premtimit për martesë -fejesës islame


E nëse gjatë kësaj faze kanë shkëmbyer njëri me tjetrin dhurata të caktuara (d.m.th. para kurorëzimit), atëherë kanë të drejtë të kërkojnë kthimin e tyre, e nëse ato nuk janë më, atëherë shpaguhet kundërvlera e atyre dhuratave, nga cilado palë qoftë ajo. Ky është mendimi në shkollën juridike hanefite.(10) Ndërsa tre imamët e tjerë të shkollave juridike mendojnë se nuk i lejohet asnjërës palë që të kërkojë kthimin e dhuratave që kanë dhuruar, në rast se thyhet premtimi për martesë-fejesë, ngase ato mbesin tek pala së cilës i janë dhuruar.(11)
Në këtë rast duhet theksuar edhe fakti se fejesa në konceptin juridik islam nuk është më shumë se sa një ofertë për martesë, dhe nuk e merr vlerën e aktit të kurorëzimit, prandaj, rrjedhimisht duhet theksuar se nuk ka të drejtë asnjëra palë të kërkojë dëmshpërblim material për dëmtimin e mundshëm moral nga prishja e fejesës së tillë. Kjo, sepse pala që është tërhequr nga kërkesa për martesë, ka përdorur të drejtën e drejtë eksluzive në këtë fazë, të cilën ia ka dhuruar Ligjvënësi i Gjithëdijshëm, për të vazhduar ose për të mos vazhdu ar procedurat e aktit të kurorëzimit.(12)
Në fund, po ritheksojmë faktin se fejesa jonë tradicionale (tek shqiptarët) është më shumë se thjesht një fejesë në aspektin islam, prandaj për përshkrimin e domethënies së fejesës tradicionale dhe për pasojat e prishjes së saj në peshoren sheriatike, do të diskutohet në numrin në vijim, ngase këto që theksuam më sipër, nuk vlejnë edhe për të.


_______________________________________
1) Dr.Muhamed Revas Kal'ah Xhij, Mu'xhemu lugatil-Fu kaha (f. 75). Bot. i parë. Darun-nefais.Bejrut.1996.
2) Muhamed Ebu Zehre, El-Ahvalush-shah'sijje.(f.28). Bot.I darul-Fikril Arabijj.Kairo. 2005.
3) Shih: Ligji Nr. 2004/32, Ligji për Familjen i Kosovës.
4) Transmeton Imam Buhariu në Sahihun e tij (nr.i hadithit: 5081), ndërsa në disa transmetime tjera thuhet se Muhamedi a.s. e ka dërguar gruan e Uthman ibn Medh'unit, Havlen bint Hakim, për të kërkuar dorën e Aishes r.a.
5) Sahih Muslim (nr. I hadithit 918, f. 356), bot. Bejtul-Efkar Ed-deulijje. Rrijad.1998.
6) 7) Transmeton Buhariu në Sahihun e tij (nr. i hadithit 5141 - 373\13).
8) Abdul-Kerim Zejdan, El-Mufes-sal f i Ahkamil-Mer'eti (59\6), bot. i parë. Er-risaletu, Bejrut. 1993.
9) Mut-tefak aleji.( Transmeton Buhariu, Muslimi e të tjerë).
10) Abdul-Kerim Zejdan, El-mefes-sal fi Ahkamil-Mer'eti (76\6 ), bot. i parë. Er-risaletu .Bejrut. 1993.
11) Ibnu Kudame, El-Mug nij (621\5 ). bot. i pestë. Daru Alemil-Kutub. Rrijad.2007.
12) Muhamed Eshih't. Fikhun-nisa fi Dau'il-Medhahibil-Erbeah (f.. 230), bot. i parë. Darul-Kitab El-arabij.Damask.1994., pastaj shih: Abdul-Kerim Zejdan, El-mefes-sal fi Ahkamil-Mer'eti (76\6 ), bot.i parë. Er-risaletu .Bejrut. 1993.


 


Dituria Islame  293


Artikulli i kaluar
Abdullah ibn Zubejri r.a.
Artikulli radhës
Deri ku ngrihen duart? (1)

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Rikthimi te rrënjët, vakëfi dhe historia që u ringjall në konferencë