Ky shkrim i shkurtër ka për qëllim të diskutojë në mënyrë shumë të shkurtër kontributin e dijetarit të famshëm në ekonomi, duke përmendur disa koncepte ekonomike të diskutuara nga ai, pa pretenduar se kjo temë e rëndësishme mund të përfshihet në këta pak rreshta.
Ibn Halduni (1332-1406 )
Historiku i shkurtër i jetës se Ibn Haldunit Abdurrahman Ibn Haldun kishte lindur në Tunizi më 1 maj 1332. Ai kishte marrë një edukim të shëndoshë në shkencat islame, në logjikë, filozofi dhe poezi, të cilat përbënin bazë të mirë për formimin e një personaliteti me aftësi të madhe, siç ishte ai. Prandaj, nuk është e habitshme kur lexojmë për rolin e tij kryesor në politikën e Afrikës së Veriut dhe Spanjës, ku ai ndodhej në rrethana mundësish shumë të veçanta. Libri i tij Kitab el-Ibar (Libri i këshillave) është me vlerë të pakrahasueshme, si një burim apo referencë kryesore për analizën e historisë së kohës së tij. Një punim tjetër i tij, Historia e Berberëve, qëndron si një udhëzues shumë me vlerë për fushën e llogaritjes në fiset arabe dhe berbere në Marok dhe në historinë mesjetare të tij. Në të vërtetë, libri i tij Mukaddimah edhe sot mbetet një burim referimi, me vlerë të pakapërcyeshme dhe të pakrahasueshme me asnjë punim tjetër të dijetarëve myslimanë dhe atyre jomyslimanë në historinë e atij rajoni. Ibn Halduni vdiq në Kajro më 19 mars 1406, në muajin Ramazan, në të njëjtin muaj të shenjtë në të cilën edhe kishte lindur.
Analizat e Ibn Haldunit rreth çështjeve ekonomike
Ibn Halduni ishte dijetari më i njohur nga radhët e dijetarëve myslimanë deri në kohën e tij për kontributin e dhënë në fusha të ndryshme po edhe në fushën e ekonomisë. Sipas disa shkrimeve dhe konferencave të mbajtura në lidhje me Ibn Haldunin, ai konsiderohet baba I ekonomisë moderne. Ibn Halduni ka dhënë një kontribut shumë të madh në teorinë e ekonomisë politike, duke diskutuar teori të ndryshme në librin shumë të famshëm të quajtur Mukaddimeh (Parathënie) në diskutimin rreth historisë së botës. Ai në librin e tij shkruante se rritja dhe zhvillimi stimulojnë pozitivisht furnizimin dhe kërkesën, dhe se forca e kërkesës e furnizimit janë ato që përcaktojnë çmimin e prodhimeve. Ai gjithashtu shprehet se forca makroekonomike e rritjes së popullsisë, zhvillimit të kapitalit njerëzor dhe zhvillimit teknologjik kontribuojnë në zhvillimin e përgjithshëm. Sipas tij, shtimi i popullsisë është drejtpërdrejt funksionim i pasurisë.
Puna dhe vlera ...
Zoti krijoi për njeriun gjithçka që është në botë. .. Dhe njerëzit posedojnë, në partneritet, çdo gjë në botë. Pasi një individ posedon gjithçka, asnjë person tjetër nuk mund të përshtatet me të, përveç nëse ai jep një vlerë të barabartë, në këmbim. Për këtë arsye, përderisa njeriu ka siguruar forcë të mjaftueshme, ai përpiqet të fitojë të ardhura, në mënyrë që t'i shkëmbejë ato me gjërat që janë të nevojshme për jetë. Dhe ky fitim mund të vijë edhe pa përpjekje, sikur shiu që përmirëson të mbjellat, e kështu me radhë, mirëpo edhe atëherë natyra aktron si një ndihmë, e cila nuk mund të veprojë, vetëm nëse njeriu bashkëvepron me të. Prandaj, fitimi mund të vijë vetëm nga përpjekjet dhe puna. Kjo shihet qartë në vepra artizanati, ku puna është e dukshme, është gjithashtu e vërtetë për të ardhurat që rrjedhin nga mineralet, bujqësia, blegtoria etj., pa punë nuk do të kishte as prodhim he as fitim. Të ardhurat që merr një njeri nga puna në artizanat, është vlera e punës së tij, në zanate të caktuara, por duhet të merret parasysh edhe kosto e lëndëve të para, për shembull, druri për zdrukthëtari dhe fijet (e pambukut etj.) për thurje (endje), po megjithatë, vlera e punës është më e madhe, sepse puna luan rolin kryesore në artizanat. Në profesione të tjera përveç veprave artizanale, gjithashtu vlera e punës futet në koston e prodhimit; pa punë nuk do të kishte prodhim. Në shumë profesione të tilla roli që luan puna, është i dukshëm dhe një pjese e madhe apo e vogël e vlerës është e rezervuar për të. Në raste të tjera, siç janë çmimi i prodhimeve ushqimore, pjesët e punës nuk mund të jenë të dukshme. Megjithëse kostoja e punës ndikon në çmimin e grurit, kjo nuk është e dukshme, përveç tek një numri i vogël i kultivuesve, në vendet ku kostot bujqësore janë të ulëta. Prandaj është e qartë që të gjitha ose shumica e të ardhurave dhe fitimeve, përfaqësojnë vlerën e punës së njeriut.
Kërkesa
Artizanatet përmirësohen dhe rriten kur rritet kërkesa për prodhimet e tyre. Arsyeja për këtë është se njeriu nuk do të japë mundin e tij falas, sepse ai është burim i tij i jetesës dhe fitim e burimi i tij i vetëm i fitimit gjatë gjithë jetës së tij. Për pasojë, ai do të orientojë atë tek gjërat që kanë vlerë në qytetin e tij, në mënyrë që të marrë një fitim prej tyre. Dhe, kur një zeje është objekt i kërkesës, duke tërhequr shumë shpenzime (d.m.th. nga ana e konsumatorëve), ai bëhet si një mall, i cili, duke qenë i kërkuar, del në shitje në sasi më të madhe. Rrjedhimisht, njerëzit e atij vendi do të përpiqen të mësojnë (aftësitë e nevojshme për të), në mënyrë që të kenë të ardhura të mjaftueshme.
Mirëpo, nëse për zejen nuk ka kërkesë, shitja e atij prodhimi do të bjerë dhe nuk do të ketë përpjekje për ta nxënë atë zeje. Kjo pastaj do të lihet pas dore dhe e harruar. ky është kuptimi i thënies së Aliut r.a.: "Vlera e çdo njeriu qëndron në aftësitë e tij". Kjo do të thotë se zeja apo zanati që zotëron njeriu, është masa e vlerës së tij, ose me saktësisht, vlera e punës së tij, e cila është burim i jetesës së tij. Është një tjetër faktor që përcakton gjendjen e artizanateve, që është shkalla apo niveli që kërkohet nga shteti. Ajo është për mallrat e kërkuara nga shteti, të cilat gëzojnë shitje më të lartë. Mallrat e tjera, jo të kërkuara nga shteti, po vetëm nga individë privatë, nuk mund të krahasohen ndërmjet veti me ato me interes për shtetin, sepse shteti është treg më i madh.
Furnizimi
Kostoja e prodhimit bujqësor ndikon gjithashtu në vlerën e prodhimeve ushqimore dhe përcakton çmimin e tyre. Sepse, kur bujqit u detyruan të shpërnguleshin në krahinat kodrinore, ku toka ishte e papërshtatshme për bujqësi, këta të fundit ishin të detyruar për përmirësimin e kushteve të këtyre fushave dhe plantacioneve. Ata e bënë këtë duke ushtruar punë të vlefshme, me plehun organik dhe materiale të tjera të kushtueshme. E gjithë kjo ka ngritur koston e prodhimit bujqësor dhe shpenzimet që ata i morën në konsideratë kur i caktonin çmimet e tyre të shitjes, dhe prodhimet u nxorën në shitje me një çmim më të lart. Ibn Halduni mori si rast studimi atë që kishte ndodhur në Spanjë në kohën e tij, kur myslimanët ishin detyruar të shpërnguleshin në vende të largëta e të papërshtatshme për bujqësi dhe, për pasojë, çmimet e prodhimeve bujqësore u ngritën si rezultat i rritjes së kostos së prodhimit.
Çmimi
Detyrimet doganore rritin çmimin e mallrave. Të gjithë ndërmjetësuesit dhe tregtarët i shtojnë çmimit të mallrave të tyre të gjitha ato që kanë shpenzuar për to, duke përfshirë edhe shpenzimet e tyre. Si rrjedhojë, detyrimet doganore përfshihen gjithashtu edhe në vlerën dhe çmimin e mallrave të shitura. Në qoftë se rrethi është i begatë, me popullsi të dendur dhe plot luks, do të jetë e madhe kërkesa për mallra të tilla (p.sh. përveç atyre të domosdoshmeve), secili në përpjekje për të rritur konsumin e mallrave të tilla në përputhje me gjendjen e tij. Furnizimi ka zvogëlim të kërkesave; blerësit rriten pavarësisht nga kualiteti i ulët që është në dispozicion, ndërsa të pasurit paguajnë çmime të larta për këto mallra, për shkak të nevojave të tyre relativisht të mëdha. Dhe kjo çon në një rritje të çmimeve. Mallrat industriale dhe shërbimet janë të mirëseardhura në mjedis për tri arsye. Së pari, për shkak të nevojës së madhe, që rrjedh nga luksi i përhapur në rrethe të tilla dhe të përmasave të mëdha të popullimit në ato vende. Së dyti, për shkak të lehtësisë së fitimit të të ardhurave për jetesë, dhe sasia me bollëk e prodhimeve ushqimore në qytete, bëri që mjeshtrit të mos ishin të gatshëm të pranonin kushte të dobëta të punësimit dhe shërbimit. Së treti, për shkak të pranisë së një numri të madh të njerëzve të pasur, të cilët kishin nevojë të madhe për punësimin e nëpunësve dhe zejtarëve, kishin konkurrencë për klasën punëtore dhe i paguanin ata më shumë sesa duhej. Kjo përforcoi pozitën e mjeshtërve, punëtorëve, dhe profesionistëve, dhe çoi në një rritje të vlerave e të shërbimeve të tyre.
Ndërvarësia e çmimeve
Nëse çmimi i çdo malli mbetet i ulët, qoftë ai ushqimor, artikull veshjeje ose ndonjë prej mallrave të tjera në përgjithësi, dhe nuk ka rritje kompensimi në shitje (ose ndërkohë që tregu nuk tregon shenja të përmirësimit), shkaktohen humbje dhe tregu për këto mallra është në recesion. Tregtarët, pra, nuk do të kërkojnë të punojnë në këtë linjë, dhe kapitali i tyre dot të zvogëlohet. E konsiderojnë këtë, së pari, në rastin e prodhimit bujqësor. Një kualitet i dobët i vazhdueshëm i mallrave të tilla, do të çojë në përkeqësimin e gjendjes së të gjithë atyre që janë të angazhuar në operacionet e bujqësisë, f itimet e tyre do të shkurtohen ose të zhduken, dhe kapitali i tyre do të ndërpres rritjen ose do të rritet shumë ngadalë. Në të vërtetë, ata duhet të shpenzojnë nga kapitali i tyre, dhe kjo ata do t'i çojë së shpejti drejt varfërisë. Tërë kjo do të pasohet nga përkeqësimi i gjendjes së atyre që angazhohen në veprime të lidhura me bujqësinë, si, p.sh. mulliri, bukëpjekja dhe industri të tjera të përpunimit të prodhimeve bujqësore në artikuj ushqimorë. Në mënyrë të ngjashme do të përkeqësohet edhe pozita e zyrtarëve shtetërorë, në rastet kur të ardhurat e tyre varen nga taksat mbi popullsinë bujqësore. Taksat e paguara nga bujqit do të bien, dhe kjo do të bëhet e vështirë për të mbështetur njerëzit që sigurojnë një pagesë në nivelin e qarkut, dhe për këtë arsye pozita e tyre do të përkeqësohet. E njëjta gjë do të ndodhë, nëse do të kenë çmime të ulëta artikujt, si sheqeri ose mjalti apo veshjet, një rrethanë kjo që shkakton një ngecje biznesi me këto mallra. Një çmim tepër i ulët është i dëmshëm për ata që kanë të bëjnë me mallrat, çmimi i të cilave ka rënë. Një rritje e tepërt e çmimeve është gjithashtu e dëmshme për shkak të mosshitjes së mjaftueshme si pasojë e çmimit të lartë. Prosperitet është siguria sa më e mirë, çmime të moderuara dhe qarkullim i shpejtë. Dhe, si përfundim mund të themi se Ibn Halduni ishte një dijetar që ka dhënë një kontribut shumë të madh në këtë lëmë shumë të rëndësishme. Vazhdon në numrin e ardhshëm.
Dituria Islame 254