Hanefitë pasurinë e përkufizojnë si diçka që mund të posedohet dhe që përdoret tradicionalisht nga njerëzit dhe është e dëshiruar nga natyra njerëzore e ka mundësi të depozitohet dhe mund të përdoret kur të jetë nevoja.
Pasuria luan një rol të rëndësishëm në jetën njerëzore. Gjithashtu është e renditur në mesin e pesë gjërave parësore që janë edhe objektiv i Sheriatit për t'i mbrojtur. Prandaj nuk është e mundur të determinohen përjetësisht kufijtë e pasurisë. Koncepti i pasurisë është në zgjerim të vazhdueshëm, në mënyrë që të përfshijë të gjitha format e pasurisë. në kohën moderne koncepti i pasurisë është i zgjeruar edhe në pasurinë intelektuale, patente, të drejtën e autorit, informacione konfidenciale dhe sekrete të tregtisë. Ekzistojnë mendime të ndryshme në mes të dijetarëve dhe shkollave juridike rreth çështjes se cili është përkufizimi më i saktë se ç'është pasuria.(1)
Përkufizimi i pasurisë
Fjala mal (pasuri) dhe të tjera me këtë kuptim, janë përmendur shumë herë në Kur'an dhe në fjalët e Pejgamberit a.s., por ato nuk përcaktojnë në mënyrë specifike se ç'është kuptimi i saj. Çështja se në se konstituon fjala mal, është lënë në traditën dhe përdorimin e zakonshëm të popullit. në aspektin gjuhësor, fjala mal përfshin të gjitha gjërat që mund të fitohen, posedohen dhe pronësohen. Pronësia mbi disa gjëra mund të bëhet vetëm atëherë kur ato janë fituar dhe poseduar. Gjuhësisht, gjërat që nuk janë në posedim ose që mund të mbahen, nuk duhet të konsiderohen pasuri, për shembull, ajri, nxehtësia e diellit, drita e diellit a e hënës. njësoj me këto: dituria, shëndeti, nderi, inteligjenca etj., sipas kësaj rregulle, nuk duhet të konsiderohen pasuri, sepse nuk mund të posedohen dhe janë abstrakte. Shpezët në qiell, peshku në det, ose mineralet e pazbuluara në thellësi të tokës, - nuk konsiderohen pasuri, derisa të posedohen dhe të mbahen në pronësi.
Edhe më tutje,- që të konsiderohet diçka pasuri, duhet të ketë mundësi shfrytëzimi të saj për të mirë në pajtueshmëri me rregullin e përgjithshëm të pranuar në traditë. Gjerat, siç janë, ngordhësirat, të kalburat dhe ushqimi i helmuar, prej të cilave nuk ka dobi, nuk janë pasuri. njësoj me këto, kur diçka nuk arrin një vlerë të konsiderueshme, si p.sh. një pikë ujë, një kokërr grurë a oriz nuk konsiderohet pasuri, sepse prej tyre (nga ajo sasi) nuk mund të ketë ndonjë dobi. nëse diçka është braktisur nga të gjithë, nuk mund të konsiderohet pasuri, mirëpo ndodh që diçka të braktiset nga dikush po jo nga të gjithë e ajo ende mund të konsiderohet pasuri përderisa të ketë një vlerë për atë që nuk e ka braktisur.
Për shembull, gazetat e përdorura, shishet e ndryshme, hekurinat etj. mund të braktisen nga disa, sepse atyre nuk u duhen më, por dikujt tjetër i duhen për riciklim apo ndonjë përdorim tjetër dhe ato gjëra mund të konsiderohen pasuri për ata njerëz që i posedojnë dhe i marrin në pronësi.(2)
Disa gjëra konsiderohen pasuri për jomyslimanët, por jo edhe për myslimanët, p.sh., alkooli dhe mishi i derrit. Përderisa nuk u lejohet myslimanëve t'i përdorin ato dhe nuk mund të nxjerrin ndonjë dobi prej tyre, ato nuk konsiderohen pasuri për ta. Duhet të jetë patjetër diçka dobia e së cilës është e lejuar në Islam. Me fjalë të tjera, duhet të jetë e dobishme sipas rregullave të Sheriatit.
Dallimet e shkollave juridike në lidhje me përkufizimin e pasurisë
Hanefitë pasurinë e përkufizojnë si diçka që mund të posedohet dhe që përdoret tradicionalisht nga njerëzit dhe është e dëshiruar nga natyra njerëzore e ka mundësi të depozitohet dhe mund të përdoret kur të jetë nevoja.
Sipas shkollave juridike Shafii, Maliki dhe Hanbeli, të cilat përbëjnë shumicën e shkollave juridike, pasuria përfshin çdo gjë që është e lejuar dhe ka një vlerë financiare, për shkatërrimin e së cilës personi bart përgjegjësi. Sipas tyre, vlera financiare përcakton nëse diçka është pasuri ose jo. Ata argumentojnë se, nëse një diçka e caktuar, një shërbim apo e drejta pronësore ka një vlerë financiare, duhet të konsiderohet pasuri. Ata pajtohen se njerëzit, nga natyra, anojnë që të kërkojnë t'i shkëmbejnë shërbimet me pasuri.
Përkufizimi që është bërë nga hanefitë, është marrë si përkufizimi më i pranuar: "pasuri është një gjë që në mënyrë të natyrshme është e dëshiruar nga njerëzit dhe mund të depozitohet për kohën kur të jetë e nevojshme, duke përfshirë pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme".
Klasifikimi i pasurisë
Diskutimi rreth pasurisë dhe klasifikimit të saj është i lidhur ngushtë me konceptin e kamatës. Për shembull, është e mundur që palët në ndonjë kontratë të përfshihen në kamatë kur të merren me mallra homogjene, nëse nuk u përmbahen rregullave të veçanta. Prandaj është shumë e nevojshme të studiohen klasifikimi i pasurisë dhe konsekuencat që ndërlidhen me kontrata të ndryshme.(3)
I. Pasuri me vlerë dhe pa vlerë
Pasuria me vlerë përfshin çdo gjë përdorimi i së cilës është i lejuar sipas Sheriatit, dhe gjërat që mund të posedohen e të ruhen. Pasuri pa vlerë është çdo gjë përdorimi i së cilës nuk është i lejuar dhe gjërat që nuk mund apo nuk lejohet të pronësohen. këtu mund të radhiten, për shembull, mishi i derrit, alkooli, shpezët në qiell, peshku në det dhe mineralet derisa të jenë nën tokë.
Validiteti i kontratës varet nga fakti nëse lënda e kontratës është pasuri me vlerë apo pa vlerë. Çdo kontratë e përfunduar,që ka të bëjë me pasurinë që hyn në grupin e pasurisë pa vlerë, konsiderohet e pavlefshme edhe nëse kontrata si kontratë përmban të gjitha kushtet. Kjo është për arsye se, nëse përdorimi i diçkaje është i ndaluar, edhe shitja edhe blerja e saj është e ndaluar. Shitja e shpendëve në qiell apo e peshkut në det nuk mund të bëhet për shkak të pasigurisë në kontratë rreth dorëzimit të mallit të shitur, prandaj çdo kontratë për këtë lloj pasurie është e pavlefshme.
një arsye pse është i rëndësishëm
Nuk ka kompensim për shkatërrimin e pasurisë që konsiderohet e pavlerë, nëse ajo është në posedim të myslimanëve. Sipas Ebu Hanifes, derri dhe alkooli konsiderohen pasuri për jomyslimanët, sepse ata janë të lirë të praktikojnë fenë e tyre dhe, nëse këto lejohen sipas fesë së tyre, atëherë kjo u lejohet, dhe nëse kjo lloj pasurie u dëmtohet nga dikush, ajo duhet t'u kompensohet.
II. Pasuri e luajtshme dhe e paluajtshme
Pasuria e paluajtshme përfshin tokën dhe çdo gjë që është e ndërtuar përgjithmonë në të, siç janë ndërtesat, shtëpitë etj., kurse pasuri e luajtshme është ajo pasuri e cila mund të lëvizë prej një vendi në një tjetër, që mund të jenë - para, shtazë, libra, vetura, etj.. Ka opinione të ndryshme rreth disa llojeve të pasurisë, nëse ato duhen konsideruar pasuri të luajtshme apo të paluajtshme. Sipas Ebu Hanifes, pasuri e paluajtshme konsiderohen vetëm toka, kurse ndërtesat, drunjtë dhe çdo e mbjellë në tokë nuk është pasuri e paluajtshme po ato shkojnë së bashku me tokën. Pasuri të paluajtshme janë ato që mund të kalojnë prej një vendi në një tjetër pa marrë parasysh nëse ato ndërrojnë formën origjinale apo jo. Sipas Malikut, pasuri e paluajtshme nuk është vetëm toka por edhe ato që nuk mund të transferohen prej një vendi në një tjetër pa iu ndërruar forma e tyre origjinale, si për shembull, ndërtesat dhe drunjtë, nëse u ndërrohet vendi, mund të dëmtohen. Bazuar në këtë mendim, pasuritë e luajtshme mund të shndërrohen në pasuri të paluajtshme dhe anasjelltas. Për shembull, dyert, dritaret, gypat e ndryshëm apo kabllot bëhen pasuri të paluajtshme nëse janë të f iksuara në ndërtesa permanente. në anën tjetër, nëse ndërtesa shkatërrohet, ato bëhen pasuri të luajtshme dhe njësoj me këtë janë edhe mineralet që, kur të nxirren nga toka apo bjeshkët, bëhen pasuri të luajtshme.
Një arsye pse është i rëndësishëm ky klasifikim, është situata në rast bankrotimi të kompanive apo personave të ndryshëm; në raste të tilla borxhet e personit të bankrotuar paguhen duke shitur së pari pasurinë e luajtshme dhe, nëse kjo nuk mjafton, atëherë gjykata urdhëron të shitet pasuria e paluajtshme për shlyerjen e borxheve. një arsye tjetër për këtë klasifikim ka të bëjë me kujdestarinë për jetimet. Kujdestarit nuk i lejohet të shesë pasurinë e paluajtshme të të miturit që ka nën përkujdesjen e tij, përveç nëse ajo bëhet për t'i paguar borxhet e të miturit ose për gjëra esenciale të tij apo për ndonjë interes më të madh. Dhe për të gjitha këto, personi duhet të marrë leje nga gjykata për të shitur pasurinë e paluajtshme të jetimit.
III. Të njëjtat e të ndryshmet apo homogjene dhe johomogjene
Pasuri të ngjashme apo homogjene u referohet gjërave të cilat, nëse shkatërrohen apo shfrytëzohen, mund të zëvendësohen nga një sasi e barabartë e të njëjtit lloj. njësitë përbërëse të pasurisë homogjene kanë veti dhe dukje të njëjtë. Shembuj të kësaj kategorie janë: paratë, orizi, vaji, mielli, gruri, misri, etj.. nëse pasuritë homogjene shiten me peshë duhet të paguhen me të njëjtën peshë a njësi matëse. Këto pasuri mund të shiten edhe me shkallën e kapacitetit - siç është litri, me njësi matëse - siç është metri, ose edhe nga numri - si p.sh. dhjetëra.
Pasuri të ndryshme a johomogjene janë ato pasuri me të cilat nuk gjenden në treg pasuri të ngjashme ose, edhe kur gjenden, ka dallime ndërmjet tyre. Këtu përfshihen të gjitha pasuritë që nuk mund të shiten a të këmbehen me peshë apo gjatësi, siç janë: toka, shtëpia, shtazët, veturat e përdorura etj..
IV. Pasuri e përdorur dhe harxhuese
Pasuri e përdorur është pasuria që mbetet edhe pasi të jetë përdorur (për një kohë ose për një destinim), si për shembull: toka, vetura, rrobat, librat etj.. nëse ndonjë pasuri mbijeton përdorimin e parë, ajo pasuri konsiderohet pasuri e përdorur. Përkundrazi, pasuria harxhuese nuk mbijeton përdorimin e parë dhe nuk mbetet (as vlen) më pas atij përdorimi. Për shembull, ushqimi, uji, karburantet e ndryshme, paraja, etj., konsiderohen pasuri harxhuese. Paraja konsiderohet pasuri harxhuese edhe pse nuk shkatërrohet kur të blihet diçka me të. nëse një person blen një kompjuter, të njëjtat para nuk mund t'i përdorë për të blerë një kompjuter tjetër ose diçka tjetër. Pasuritë harxhuese janë të shumtën e rasteve pasuri homogjene dhe, kur të tregtohet me pasurisë të kësaj kategorie, duhen pasur parasysh rregullat që kanë të bëjnë me pasuritë homogjene, për të shmangur ndonjë transaksion, i cili bart kamatë.
Pasuritë harxhuese nuk mund të ofrojnë ndonjë përdorim të vazhdueshëm pasi që ato përdoren vetëm njëherë. Si rezultat, disa transaksione nuk aplikohen në pasuritë harxhuese, për shembull ushqimi dhe paraja, nuk mund të jepen me qira, sepse ato janë pasuri harxhuese, dhe po kështu veprohet edhe me prodhimet e kategorisë se njëjtë. Këto prodhime mund të jepen hua pa u kushtëzuar me ndonjë kusht, i cili kërkon shtim, sepse kjo bie në kategorinë e kamatës.
______________________
(1) Muhammad Yusuf Salim, A handbook on Fiqh for Economist, Kuala Lumpur: IIUM, 2005, f.23.
(2) Ibid.
(3) Razali Hj nawawi, Islamic Law on Commercial Transactions, Kuala Lumpur: CT Publications, 1999, f. 21.
Dituria Islame 256