Departamenti i Gruas i KBIGJ-së, organizoi seminar kushtuar muajit të bekuar të Ramazanit

 


Sot, Departamenti i Gruas pranë Këshillit të Bashkësisë Islame të Gjakovës organizoi një seminar të veçantë kushtuar muajit të bekuar të Ramazanit, duke sjellë në vëmendje dy dimensione thelbësore të këtij muaji: atë shpirtëror dhe atë praktik-juridik.
Në pjesën e parë të seminarit, e ftuara e nderuar, dr. Valmire Batatina, mbajti ligjërimin me temë "Ramazani - drita që zgjon ndërgjegjen". Ajo trajtoi rolin e Ramazanit në formimin shpirtëror të besimtarit, duke theksuar se ky muaj përfaqëson një mundësi të veçantë për reflektim, vetëpërmbajtje dhe përmirësim të brendshëm. Ligjërimi u karakterizua nga një qasje e thellë reflektuese dhe një mesazh frymëzues për rritje personale dhe forcim të ndërgjegjes.
Në vijim, udhëheqësja e Departamentit të Gruas pranë KBI të Gjakovës, dr. Violeta Smajlaj, trajtoi temën "Dispozitat bashkëkohore në lidhje me agjërimin". Ajo u ndal në udhëzimet praktike dhe në çështjet bashkëkohore që lidhen me agjërimin, duke ofruar sqarime të dobishme për zbatimin korrekt të dispozitave fetare. Theksi u vendos në rëndësinë e përjetimit të Ramazanit në mënyrë të drejtë, të ekuilibruar dhe në harmoni me rrethanat e kohës.
Seminari u vlerësua si një aktivitet me vlerë të veçantë edukative dhe shpirtërore, duke kontribuar në thellimin e njohurive dhe në forcimin e vetëdijes për rëndësinë e këtij muaji të shenjtë.






Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Atmosferë madhështore e Festës së Bajramit në Prishtinë