Sistemi monetar dhe karakteristikat e monedhave në Botën Islame

 


Ky shkrim diskuton aspektin historik të shtypjes së monedhave dhe karakteristikat e monedhave në Botën Islame.
Ekonomia si një shkencë e cila është e lidhur ngushtë me jetën e njeriut, është diskutuar nga dijetarët më të njohur të Botës Myslimane. Ata kanë folur për parime dhe koncepte të ekonomisë. Njëra nga konceptet ekonomike që është diskutuar prej tyre, është edhe largimi nga ekonomia bartare dhe rëndësia e monetarizimit të ekonomisë si një prej elementeve të drejtësisë në ekonomi. Përveçse është diskutuar për monetarizimin e ekonomisë, vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe llojit të kaligrafisë për nga aspekti artistik dhe mbishkrimeve se çfarë përmbajtjeje do të kishin, para se të shfaqeshin, në monedhat e shtypura nga udhëheqësit e shtetit mysliman. ky shkrim diskuton aspektin historik të shtypjes së monedhave dhe karakteristikat e monedhave në Botën islame.


Karakteristikat e monedhave në Botën Islame


Ndryshimet e para në sistemin monetar ishin ndërmarrë në kohën e hilafetit gjatë shekullit të 7. Në atë kohë ekzistonin tri sisteme të ndryshme monedhash të argjendit, Baxhli - dërhem në Persi, Rumi - dërhem për këmbim me arin bizantin dhe Tabari - dërhem në Azinë Qendrore. Pesha e dërhemit ishte vendosur në një mesatare të 14 karatëve. Halifi Omer r.a. (634 - 644) ishte i pari që autorizoi standardizimin e peshës së monedhave të argjendit, edhe pse dinari i arit i Bizantinëve dhe dërhemi i argjendit i Sasanidëve vazhdoi të tregtohej në rajonin e tyre të origjinës. Aliu r.a. (656-661) provoi një reformim shumë të madh në Basra në vitin 660, duke futur në përdorim dërhemin e shtetit mysliman me mbishkrime islame.(1)


Monedhat e Emevinjve


Sundimtari i Emevinjve, Abdul Meliku, ishte i pari që prezantoi dhe na njohu me monedhën islamike si pjesë të politikës së tij, për t'i identifikuar rajonet që kishte nën sundimin e tij. monedha e parë ishte shtypur në mes të viteve 691-692 të erës sonë. Kjo arritje shkaktoi konflikte me bizantinët, të cilët refuzuan ta pranonin monedhën arabe të arit, e cila ishte e njëjtë në pamje dhe në peshë me monedhën bizantine, por përmbante mbishkrimin arab në vend të atij bizantin, si dhe quhej dinar. Në ballinë ishin të vendosura tri figura, identiteti i të cilave nuk dihej, ashtu siç ishte dhe në monedhën bizantine, kurse në faqen tjetër kryqi bizantin ishte zëvendësuar me tri shkallë në krye me një rreth. Në margjinat përreth disenjit ishte shkruar, Në emër të Zotit, nuk ka zot tjetër përveç Allahut, Ai është Një, Muhamedi është i dërguari i Tij. Monedha e re arabe theksonte Njëshmërinë e Zotit, që të ballafaqohej me doktrinën e trinitetit të krishterë, dhe emri i halifit nuk ishte i përmendur. Perandori bizantin, Justiniani II, u përgjigj duke shtypur një monedhë të re me figurën e Krishtit, dhe veten e tij, duke mbajtur një kryq.(2)
Abd al-Malik nga ana tjetër u përgjigj duke shtypur një dinar të ri në vitin 693. Në njërën anë të monedhës ishte kalifi me kapelën tradicionale arabe, duke mbajtur një shpatë, dhe në margjinat e tij ishte vendosur dëshmia e Islamit (Shehadeti) e në anën tjetër ishte ruajtur i njëjti rresht me tri shkallët dhe rrethin, nëpër margjina ishte shkruar Në Emër të Zotit. Perandori bizantin reagoi përsëri duke paraqitur një monedhë të re të njëjtë me atë arabe, e cila me sukses rriti inatin e Abd ul Malikut. Në vitin 697 halifi paraqiti monedhën e parë islame, duke hequr prezantimin e figurave (pa ikonografi) , në të dy anët kishte të shkruar ajete nga Kur'ani. Halifi lëshoi një dekret që dinari i ri duhej të ishte monedha e vetme në shtetin e Emevinjve dhe bëri thirrje për tërheqjen e të gjitha monedhave të mëhershme. këto ishin të destinuara për thesarin shtetëror, që të shkriheshin dhe të shtypeshin sërish.
Dinarët e rinj të arit ishin më të lehtë se monedha e bizantinëve. Ata ishin gjysmë- dhe një e treta e dinarit, për nga madhësia ishin më të vegjël dhe më të shkurtër dhe përmbanin mbishkrim më të shkurtër. Dinarët emevitë të Afrikës Veriore dhe të Spanjës ishin të ngjashëm dhe mbanin emrin e qytetit dhe datën e shtypjes.
Halifët ishin përgjegjës për sigurimin dhe standardizimin e pastërtisë dhe peshën e monedhës. Në përgjithësi monedhat islame tregonin vendin dhe datën ku ishin shtypur, emrin e sunduesit dhe të babait të tij. Sa herë që në pushtet vinte një sundues i ri, ai nxirrte monedha të reja me emrin e tij, për të ndryshuar rregullat zyrtare.


Monedhat Abasite


Damasku ishte qendra e parë e shtypjes së monedhave në Perandorinë Abasite, më vonë Bagdadi mori pushtetin dhe u bë qendër e perandorisë dhe në të njëjtën kohë u bë qendër edhe për aktivitete ekonomike. standardi për peshën dhe pastërtinë e monedhës së arit, u përdor ashtu siç përdorej në kohën Emevinjve pa ndonjë ndryshim, deri në përdorimin e dërhemit të argjendit.
Halifi Me'mun bëri eksperiment me lloje të ndryshme monedhash, me shijen e tij artistike të lartë, ai e përmirësoi edhe më shumë pamjen me shkrimin kufik. Dinari i ri u punua me rrathë më të gjerë, kështu që mund të përfshinte dy legjenda margjinale. Stili i monedhave filloi në këtë periudhë dhe vazhdoi për shekuj në këtë mënyrë gjatë sundimit abasit si dhe për dinastitë e tjera në vazhdim.(3)
Dinastitë gjysmë të pavarura shtypnin monedhat e tyre në qendrat e tyre, duke shtuar emrat e udhëheqësve dhe komanduesve të ushtrisë, duke njohur udhëheqësin e Hilafetit Abasit dhe duke ndjekur modelin e njëjtë. Këto dinasti gjysmë të pavarura ishin në Egjipt, Iran dhe Palestinë. Kur këto dinasti u bënë të pavarura, vazhduan me stilin e Me'munit të tekstit në monedha.


Monedhat e Memlukëve


Stili i monedhave të Memlukëve filloi në rajonin e al-Zahir Bejbers. Monedha më e hershme e asaj periudhe mbante titullin e sundimtarit si 'melik' mbreti, siç e kishin paraardhësit e tij. Gradualisht, nën sundimtarët pasues, legjenda margjinale u zhduk, emri dhe data e prodhimit u transferuan në hapësirën kryesore. Kaligrafia në monedhat e hershme, shpesh herë shquhej për stilin e saj, duke pasqyruar cilësi të shkëlqyer të Kur'anit të famshëm të Memlukëve, të gjetura në të njëjtën periudhë. Megjithatë, që nga viti 1350 e tutje, ato u bënë bazë zbatuese e zhvillimit në përputhje me rënien e përgjithshme në standardin artistik në fund të mesjetës egjiptase.
Në vitin 1402, standardi i dinarit tradicional me peshën monetare 4. 25 gramë, ishte ringjallur. Këta dinarë ishin të disenjuar në një mënyrë që i dalloi ata menjëherë nga monedha konvencionale. Pjesa e përparme kishte Shehadetin (dëshmia se nuk ka zot tjetër përveç Allahut), ndërkohë që emri i sundimtarit ishte vënë i vetëm brenda një rrethi në pjesën e prapme. Legjenda margjinale e pjesës së prapme përmbante që të dyja, protokollin mbretëror dhe formulën me datën e shtypjes. Këto monedha erdhën disi befasisht në disa vlera të dinarit: gjysmë, të vetme, dyshe dhe të trefishta.
Reforma e dytë e kësaj periudhe nën sundimin e tyre ishte kthimi tek monedhat e dalluara 'shufra të metalta' (të cilat u prodhuan në formë të gjysmëproceduara) të cilat vazhduan deri në vitet 1407-1408, kur u vendos pesha për dinarin e ri të arit 3. 40 gramë, standardi i arit u bë monedhë e njohur tregtare e pranuar ndërkombëtarisht. U deshën pothuaj njëzet vjet para se pasardhësi i tij ta pranonte përgjithësisht atë standard, por në fund qe miratuar dhe u bë model për sistemin e monedhave të arit për Osmanet dhe Safavidet.


Monedha osmane


sundimtarët osmanë nuk patën shtypur monedha ari në emrin e tyre deri në vitin 1478. Para kësaj kohe ata kishin përdorur monedhat që ishin në përdorim deri në atë kohë.
Monedha e re prej ari e osmanëve ishte prerë në standardin e monedhës që peshonte përafërsisht 3. 50 gramë prej ari të pastër. Kjo siguroi pranimin e saj të menjëhershëm në zonat mediterane dhe në lindje, në drejtim të Indisë. Disenji i kësaj monedhe ishte ndryshe nga çdo monedhë tjetër e deriatëhershme, qoftë të ishin myslimane ose jomyslimane, dhe kishte një respekt të jashtëzakonshëm, sepse ishte me natyrë laike. Në faqen ku zakonisht ndodhej Shehadeti, u shfaq një formulë e cila lavdëronte sundimtarin. Në përgjithësi, kjo ishte njëra prej dy formave:
Sulltani i dy tokave (kontinenteve) - Evropës e Azisë dhe sundimtar i dy deteve, Detit të Zi dhe detit Mesdhe, sulltan dhe bir i sulltanit. Në faqen tjetër u shfaq protokolli mbretëror si dhe vendi dhe data e shtypjes. Kjo mori formën e zakonshme " sulltani …. biri i …. Khanit. Ndihma e Zotit mund të sjellë madhështi në të! shtypur në vendin .... dhe në vitin ..."
Monedhave të reja iu dha emri eshrefi, "më i ndershmi", në vend të të vjetrave "sherefi" i nderuar ose "sulltani", një term që u përdor në katalog. Eshrefi peshonte njësoj sa monedha e deriatëhershme.
Edhe tek udhëheqësit e tjerë gjatë dinastive të ndryshme, që ekzistonin në kohën kur osmanët sundonin shumicën e vendeve myslimane, monedhat e shtypura në vendet përkatëse kishin karakteristikat e veta identifikuese.


Përfundim


Dijetarët e hershëm kanë diskutuar edhe për monetarizimin e ekonomisë dhe nevojën e largimit nga ekonomia bartare (ekonomi e ndërrimit të mallrave) duke e shpjeguar këtë në mënyrë shumë të thjeshtë me një arsyetim ekonomik. Njëri prej më të dalluarve që i takon kohës së vjetër, ishte Ebu Hamid Gazali, dhe ai konsiderohet me të drejtë edhe njëri nga ekonomistët e parë që kishte diskutuar këtë problematikë dhe mendimet e të cilit më vonë qenë pasuar nga ekonomistë të tjerë. Njëri prej ekonomistëve të mëdhenj, i cili konsiderohet si baba i ekonomisë moderne, ka huazuar mendimet e Gazalit për të shpjeguar nevojën e monetarizimit të ekonomisë 6 shekuj më vonë se Gazali. Gazali dhe dijetarë të tjerë pas tij kanë diskutuar për organizimin e këmbimeve, tregjeve dhe tregtisë si dhe për funksionin e parasë si mjet i ndërrimit të mallit. Ai gjithashtu ka shpjeguar edhe nevojën dhe organizimin e tregtisë së brendshme dhe ndërkombëtare.(4)
Ky shkrim i shkurtër synon të japë vetëm një pasqyrë të shkurtër rreth kësaj teme, e cila meriton më shumë vëmendje dhe studim më të gjithanshëm.


____________________________________
(1)The Islamic World to 1600, www. britanica. Com
(2) Justin McCarthy, The Ottoman Turks - An introductory History to 1923, London & New York, Longman, 1997, p. 8
(3) www. encyclopedia. wikipedia. Org
(4) Sabri Orman, 'Abu Hamid al-Ghazali on the Formation and Development of Economic, Social and Political Life' , Al-Shajarah, Vol. 10, No. 1, 2005. F. 15.


 


Dituria Islame 258


Nuk ka artikull pas ketij.

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Atmosferë madhështore e Festës së Bajramit në Prishtinë