Çlirimi i njeriut është më i rëndësishëm sesa çlirimi i trojeve.
Kur i erdhi Shpallja të Dërguarit të Allahut xh.sh., shqetësimi i tij kryesor ishte çlirimi i njeriut nga ndikimet-adhurimet e tagutëve, përkulja ndaj putave dhe domosdoja e orientimit të njerëzve për adhurimin e Zotit Një të Vetëm. Pejgamberi a.s. qëndroi në Mekë dhjetë vjet duke i thirrur njerëzit për preambulën (La ilahe ila-llah-Nuk ka zot tjetër përveç Allahut), një moto që bën thirrje për çlirimin e njeriut. Ai nuk u orvat që së pari të çlironte Mekën, po e la në atë gjendje, për t'u rikthyer pas dhjetë vjetësh me një ushtri të fuqishme, si çlirimtar dhe triumfues. I Dërguari a.s., përmes Shpalljes që i vinte, luftonte që ta çlironte njeriun nga nënshtrimi-adhurimi ndaj njerëzve ose çfarëdo krijese tjetër, për t'u nënshtruar ai vetëm ndaj Krijuesit Fuqiplotë, i cili e ka krijuar, e ka furnizuar me të gjitha të mirat dhe përkujdeset për të. Kështu, përmes kësaj thirrjeje, Pejgamberi a.s. shpëtoi Bilal Habeshiun, Suhejb Rumiun dhe Selman Farisiun nga torturat, tirania dhe skllavëria që ushtronin ndaj tyre tiranët mekas. Ai bënte thirrje që nuk ka dallim në mes arabit e joarabit, në mes të bardhit e të ziut, përveçse nga devotshmëria dhe përkushtimi; gjithashtu ai tregonte se krijesa më e përsosur është ajo që është më e përkushtuara-e devotshmja dhe se njerëzit janë të barabartë sikur dhëmbët e krehrit. Këto parime u aplikuan gjatë jetës së Pejgamberit a.s. si dhe gjatë periudhës së udhëheqësve të drejtë (Hulefai-rrashidinëve). Kjo ndodhi edhe në praktikë, kur Pejgamberi a.s. ia besoi udhëheqjen e ushtrisë së tij Zejd ibn Harithes dhe djalit të tij, Usames, të cilët para ardhjes së Islamit ishin skllevër. Gjithashtu Omer ibn el-Hattabi, në kohën sa ishte udhëheqës i myslimanëve, kishte goditur me shkop, para masës, Muhamed ibn Amr ibn El-As, të birin e guvernatorit të Egjiptit asokohe, për shkak se ai kishte goditur një të krishterë pa të drejtë, dhe i kishte thënë: "Kur ju është lejuar juve që t'i skllavëroni-robëroni njerëzit përderisa nënat e tyre i kanë lindur ata të lirë"? Realisht, feja Islame bazat i ka të ngritura mbi lirinë, prandaj një prej klauzolave të saj thotë: "Në fe nuk ka dhunë", "Ti ndaj tyre nuk je mbizotërues", për këtë shkak njeriu lind i lirë, dhe asnjë njeri nuk ka obligim që ta adhuroj apo t'i nënshtrohet ndonjë njeriu, adhurimi dhe nënshtrimi i njeriut duhet të jetë vetëm ndaj Krijuesit. Sepse është e drejtë elementare e njeriut që të jetë i lirë, një liri e cila nuk i cenon liritë e të tjerëve: i lirë në veten e tij, i lirë në punën e tij dhe i lirë në lapsin e tij. Aristoteli thotë: "Liria absolute nuk ekziston përveçse në mendje". Qëllimi im lidhur me këtë është se feja Islame e ka çliruar njeriun para se ta çlironte vendin-tokën. Ajo i dha atij vlerën që ka, e bëri atë të ndihet si njeri me plot kuptimin e fjalës dhe ia hapi horizontet e perspektivës, krijimtarisë dhe talentit. A nuk kishte ardhur Hasan ibn Thabiti, i cili ishte poet i madh para ardhjes së Islamit, tek Pejgamberi a.s. dhe ai i kishte ofruar foltoren e tij, e përshëndeti dhe e uroi për talentin e tij. Gjithashtu Pejgamberi a.s. përgëzoi Halid ibn Velidin për guximin dhe trimërinë e tij, duke i besuar atij udhëheqjen e ushtrisë. Po ashtu përgëzoi për talentin e tij në oratori edhe Thabit ibn Kajsin, duke e bërë atë zëdhënës të Ymetit. Pejgamberi a.s. e futi në funksion gjithashtu çështjen e konsultimit, ai konsultohej me njerëz, edhe pse ishte i mbrojtur nga gabimet. Allahu xh.sh. i tha atij: "E konsultohu me ta në të gjitha çështjet". Pejgamberi a.s. konsultohej edhe me gratë e tij, siç ndodhi rasti në Hudejbije, kur Pejgamberi a.s. u këshillua me bashkëshorten e tij Umu Seleme dhe veproi sipas mendimit të saj. Edhe Omer ibn el-Hattabi kishte vepruar sipas mendimit të një gruaje në çështjen e mehrit duke thënë: Omeri gaboi, kurse ajo gruaja e qëlloi! Çfarë dobie do të kishte sikur ta çlironte Mekën si vend, e njerëzit në të të jetonin të robëruar e të shtypur? Mund të ndodhë të çlirohen toka e të zgjerohen territore, mirëpo ata që jetojnë në atë tokë të jenë robër të nënshtruar ndaj putave të krijuar nga guri ose edhe ndaj njerëzve. Prandaj projekti madhor i fesë islame ishte që njeriun ta çlironte dhe ta bënte të lirë në bindjen e tij, në mendimin e tij, në fjalën e tij, në lapsin e tij, në talentin e tij, në furnizimin e tij dhe në krenarinë e tij. Nuk lejohet që ndaj njeriut të ushtrohet robëri, mirëpo mund të ketë ndonjë mbikëqyrje për të mirën e vetë njeriut, me qëllim që jeta e tij të jetë e sistemuar, kjo mbikëqyrje ekziston tek të gjithë popujt dhe është një marrëveshje në mes dy palëve.
Të barabartë para drejtësisë
Platoni në librin e tij "Shteti", këtë mbikëqyrje e ka bërë një strukturë për organizimin e jetës. Gjithashtu edhe Farabiu në librin e tij "Qyteti Cilësor" si dhe Teynbee, historiani anglez, në historinë e tij, dhe kanë thënë se kjo nuk është adhurim-nënshtrim, po thjesht një bashkëpunim për organizimin e jetës. Siç është çështja e një organizate, e cila ka hierarkinë e saj duke nisur nga drejtori, sekretari, arkëtari e kështu me radhë, kjo nuk do të thotë që ndonjëri prej tyre është krijues e tjetri krijesë - kurrsesi, ata që të gjithë janë njerëz të nënshtruar ndaj ligjit të Zotit. Të barabartë para drejtësisë, përfitimeve dhe humbjeve, të drejtave dhe obligimeve. Ndërkaq, tiranët, të cilët kanë rënë të nënçmuar dhe i ka shkelur masa me këmbët e tyre, ky nënçmim ka ardhur si rezultat i kundërshtimit të tyre ndaj ligjit të Zotit karshi lirisë së njeriut dhe të drejtës së tij - për të jetuar një jetë të ndershme e krenare dhe për të qenë i pavarur në formimin e personalitetit të tij, avancimin e talentit të tij dhe vazhdimin e krijimtarisë së tij. Ata ngushtuan çështjen e popullit të tyre vetëm në veten e tyre, anuluan të gjithë zërat përveç zërave të tyre, nuk pranuan ide as mendime përveç ideve dhe mendimeve të tyre e kështu me radhë. Për këtë arsye, Allahu xh.sh. e qortoi pa masë faraonin tiran dhe përmendi fjalën e tij qesharake që i kishte thënë popullit të tij: "Unë ju tregoj vetëm atë që shoh..." (Gafir, 29) domethënia e kësaj fjale është: të gjithë ju mendoni sipas mendjes sime, folni me gjuhën time, jetoni për mua dhe vdisni në mënyrë që unë të mbetem. Për këtë arsye El-Kevakibiu, në librin e tij "Tabaiul Istibdad-Natyra e despotizmit" thotë: "Me të vërtetë, talenti, zgjuarsia dhe kapaciteti mendor janë vrasëse në epokën e sundimit të tiranisë". Zbuluesi i bombës atomike, në Amerikë qe nderuar nga Presidenti i Amerikës me shpërblimin më të madh dhe më të vlefshëm dhe ai qe bërë një personalitet i shquar në historinë e Amerikës. Ndërkaq, një zbulues në shtetet e Botës së Tretë detyrohet të japë llogari dhe merret në pyetje për shkak se ka përdorur mendjen e tij dhe ka shfaqur zgjuarsinë e tij. Galileu ishte gjykuar për shkak të teorisë së tij rreth rrotullimit të Tokës, nën sistemin tiranik të kishës. E në epokën e lirisë njerëzit e dijes shpërblehen me çmime të ndryshme për kontributin e tyre. Nëse vëren një popull i cili vlerëson dijetarët dhe i respekton talentet, atëherë, ta dish, ai popull është duke u ngritur lart në civilizim dhe përparim. Ndërsa, nëse vëren se një popull kufizon kapacitetet mendore, refuzon talentet dhe kufizon zgjuarsinë, atëherë dije se ajo shoqëri do të shkojë në humnerë, sepse ajo shoqëri ka kundërshtuar urtësinë e Zotit dhe ligjin e Tij në këtë jetë. Dallimi në mes popujve të civilizuar e të përparuar dhe popujve të prapambetur e injorantë, është niveli i lirisë së njeriut.
Përktheu e përshtati nga gjuha arabe Vedat I. Shabani
www. aawsat.com, 6.9.2010 nr.11970
Dituria Islame 261