Të kujt janë këta fëmijë? A është e pranueshme sjellja që po manifestojnë? A e dinë prindërit se ku i kanë fëmijët në këtë kohë? A ka bashkëpunim prind-fëmijë për çështje të caktuara? Sa herë gjatë vitit shkollor prindërit i vizitojnë fëmijët e tyre në shkollë?
Dikur gruaja punonte krahas me meshkujt, e nganjëherë ishte e detyruar të punonte edhe më shumë, sidomos në rastet kur në familje kishte mungesë meshkujsh të moshës madhore. Barra e madhe binte mbi të, gruaja në punë të fushës, gruaja për të bartur dru nga mali, e megjithatë, përgjegjësia më e madhe për të ishte kur kthehej në shtëpi - përgatiste ushqimin për anëtarë të shumtë që jetonin në një familje, lante e arnonte në kushte aspak të lehta krahasuar me sot. Përpos detyrimeve të caktuara që kishte, roli i saj ishte mjaft i madh në lindjen, rritjen dhe edukimin e fëmijëve, një punë aspak më e lehtë në mungesë të gjërave elementare dhe sidomos respektit dhe përkrahjes që i mungonte aq shumë brenda në familjen ku jetonte.
Sot, gruaja është më e favorizuar dhe nuk përballet me vështirësitë e mëparshme, por koha moderne bën që asaj t'i jetë lehtësuar roli i saj edukues, por, krahas kësaj, ajo është e stërngarkuar dhe e ka më të ndërlikuar jetën e saj të përditshme. Dikur ajo kishte vetëm një frikë - si t'i vishte e ushqente fëmijët e saj, e sot frika i është shtuar dukshëm. Bashkëshorti, të shumtën e rasteve është një dorë e djathtë e saj për përkrahjen që i jep në tejkalimin e vështirësive. Respekti i ndërsjellë edhe ndihma e kohëpaskohshme financiare, kur ndonjëri prej tyre është në marrëdhënie pune, e ndihmojnë atë që t'i thyejë barrikadat e ta gjejë veten në një shoqëri më të mirë. Sikur të gjitha të mirat të kombinoheshin e të ndërvepronin në mes tyre, prapëseprapë vetëm roli i gruas në lindjen, rritjen dhe edukimin e fëmijëve është një përgjegjësi dhe përkushtim që do punë dhe angazhim maksimal. Duket sikur, derisa fëmijët rriten, gruaja lirohet pak prej përgjegjësive, që ka, por ndodh e kundërta.
Sot është shumë e vështirë të edukosh një fëmijë në rrethana e në shoqërinë bashkëkohore. Dita-ditës shkenca po përparon, krahas teknologjisë moderne duke hapur rrugën që të rinjtë të jenë kureshtarë dhe të hulumtojnë në çdo fushë dhe sidomos në përparësitë që ofron bota dixhitale-kompjuterike. Çdo njësi mësimore hap rrugën që fëmijët, nxënësit të hulumtojnë në kompjuter rreth një njësie mësimore a aktiviteti shtesë shkollor, por qasja dhe jocensurimi i skenave e artikujve të ekspozuar, të bëjnë të rrëqethesh e të pyesësh: Ç'do të bëhet me fëmijët e prindërve të papërgjegjshëm - të pakujdesshëm, në shumë raste të nënave që më nuk janë shumë të pranishme e afër fëmijëve? Sa hap derën e del në rrugë, të bien në sy sjellje jo të mira nga të rriturit, që ndikojnë drejtpërdrejt në shoqërinë e tyre dhe veçanërisht tek fëmijët. Në anën tjetër, emisionet joarsimore, që janë të shumta dhe ndjekja e tyre nga të rriturit në prani të fëmijëve, janë edhe një arsye më shumë për sjellje të çekuilibruar të gjeneratave të reja. E këto sjellje menjëherë fillojnë të pëlqehen dhe manifestohen nga fëmijët pa ditur rolin dhe efektin e tyre të dëmshëm e të pavlerë.
Të kujt janë këta fëmijë? A është e pranueshme sjellja që po manifestojnë? A e dinë prindërit se ku i kanë fëmijët në këtë kohë? A ka bashkëpunim prind-fëmijë për çështje të caktuara? Sa herë gjatë vitit shkollor prindërit i vizitojnë fëmijët e tyre në shkollë?
Këto janë disa nga pyetjet që duhet shtrojë vetes secili prind. Vetëm atëherë kur ata të jenë të vetëdijshëm për sjelljen e fëmijëve të tyre dhe për rrugën që ata po ndjekin, me komunikimin dhe afërsinë me fëmijët, vetëm atëherë do të ndodhë hapja e një problemi me të cilin ballafaqohen të dyja palët dhe zhvillimi i ngjarjeve do të vazhdojë më pastaj, kur puna e përbashkët të bëhet përditshmëri në mes fëmijëve dhe prindërve. Nuk është e drejtë të sjellësh një fëmijë në jetë e ta lësh pas dore, si të ishte i huaji. Kjo lënie pas dore nënkuptohet si e llojllojshme, por efektin më të madh e më të rëndë e ka atëherë kur mendohet se fëmija po fillon të bëhet i zoti i vetes e prindërit nuk i kushtojnë vëmendje çdo veprimi të tij. Të jemi më vigjilentë e të mendojmë për një të ardhme tonë më të ndritur duke i kushtuar kujdes çdo lëvizjeje që bën fëmija ynë, por pa ngulfatur të drejtat e tyre. Çdo prind -nënë të këshillohet dhe të kuptojë realitetin e botës moderne, që duket i lehtë, por në fakt është i rëndë e me përplot pasoja për ata që nuk dinë të vlerësojnë ç'është e mirë e ç'është e dëmshme në këtë jetë me përplot kurthe të kapërcyeshme për ata që janë të vetëdijshëm.
Sadbere Beqolli Biçku
Dituria Islame 260