Promovohet monografia Myderriz Haki efendiu, kushtuar jetës dhe veprës së myderriz Haki ef. Sermaxhajt

 


Është promovuar monografia "Myderriz Haki efendiu", kushtuar jetës dhe veprës së myderriz Haki ef. Sermaxhajt, me autorë Aliriza Selmani dhe hfz. Avni Aliu. Ky ribotim vjen duke rikthyer në vëmendje një nga figurat më të rëndësishme të dijes dhe çështjes kombëtare.
Në promovimin e kësaj monografie, personalitete të jetës fetare, akademike dhe publike, e vlerësuan lart figurën dhe kontributin e tij. Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan, Naim Aliu, tha se Haki efendiu zë një vend të veçantë në histori, duke e cilësuar atë si shembull të besimit dhe sakrificës.
Kryetari i Gjilanit, z. Alban Hyseni, tha se trajtimi i figurave të tilla është më se i nevojshëm, pasi ato përfaqësojnë sakrificën e një njeriu që jetën e tij ia kushtoi besimit dhe atdheut.
Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, e cilësoi Haki efendiun si një personalitet të rrallë, që mishëronte intelektin, besimin dhe dashurinë për atdheun. Ai tha se figura e Haki efendi Sermaxhës mishëron në mënyrë të plotë dhe domethënëse trinomin themelor të ndërtimit të identitetit tonë kolektiv: arsimimin, besimin dhe atdhedashurinë. "Ai përfaqëson tipologjinë e dijetarit erudit që lindi dhe u formësua në gjirin e popullit, duke ia kushtuar tërë jetën e tij edukimit të brezave, konsolidimit të identitetit fetar dhe ruajtjes së vetëdijes kombëtare" - tha ndër të tjera Myftiu Tërnava.
Panelistja Sabile Keqmezi-Basha, në fjalën e saj, u ndal te dimensioni historik i figurës së Haki efendiut, duke theksuar se historia e Haki Sermaxhajt nuk është vetëm individuale, por dëshmi e qëndresës kolektive, si dhe se ribotimi i kësaj monografie është i domosdoshëm për të mos u harruar e kaluara.
Ndërsa Ramadan Shkodra foli për rolin e tij në arsim, duke theksuar se nga puna e tij dolën nxënës të shumtë që kontribuuan në shoqëri, si në aspektin fetar, ashtu edhe në atë kombëtar.
Bashkautori Aliriza Selmani tha se nuk është e lehtë të përshkruhet jeta dhe vepra e një figure të tillë, ndërsa Irfan Sermaxhaj, djali i tij, u shpreh se është kënaqësi e madhe që figura e prindit të tij po vlerësohet nga personalitete të ndryshme në vazhdimësi.
Myderriz Haki ef. Sermaxhaj nga Hogoshti ishte dijetar, edukator dhe veprimtar i çështjes kombëtare. Pas Luftës së Dytë Botërore, ai u përfshi në përpjekjet për liri dhe bashkim kombëtar, duke u dalluar si organizator dhe udhëheqës. U arrestua në vitin 1946 dhe u dënua me 20 vjet burg. Vdiq në burgun e Mitrovicës së Sremit në vitin 1948.
Figura dhe kontributi i tij kujtohen sot përmes promovimit të një monografie kushtuar jetës dhe veprës së tij.



Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Promovohen “Akaidi islam: Parimet, zhvillimi dhe shkollat” dhe “Ixhazetnamet e Sherif ef.Ahmetit”