Dogmatizmi s’mund të gjejë strehë tek Islami

 


Polarizimet ideologjike, skizmat që lanë gjurmë në rrjedhat historike, si dhe akuzat e ndërsjella për irracionalitet, kanë qenë gjithnjë prezente te pasuesit e feve dhe ideologjive të ndryshme njerëzore. Në këtë kontekst, edhe nocioni dogmatizmit, që moti, është shndërruar në një etiketë diskredituese, e përdorur shpesh nga ithtarët e ideologjive dhe rrymave të ndryshme për t'ua mveshur kundërshtarëve të tyre, me synimin për t'i delegjitimuar dhe për të krijuar epërsi për bindjet e veta. Edhe Islami, në kontekste të shpeshta historike, ka qenë objekt i këtyre etiketimeve, ndonjëherë nën pretekstin e debatit kritik, e shumë më shpesh si strategji diskredituese. 
Në hulumtimin për domethënien eksplicite të nocionit dogmatizëm, te fjalori i Oxfordit e gjejmë se ai përvijohet si "bindje që besimet tua janë të sakta dhe se të tjerët duhet t'i pranojnë ato, pa u kushtuar vëmendje provave ose mendimeve të tjera." Thënë ndryshe, dogma është: "Një bindje ose tërësi bindjesh të një grupi apo organizate, që kërkohet të pranohen pa debat." (Oxford Learner's Dictionaries."Dogmatic"). Pra, kërkesa e një pasuesi të një feje a filozofie për përqafim të një koncepti a ideologjie të caktuar, nuk e bën atë dogmatik, por insistimi me ngulm se të njëjtat ide duhen pranuar pa debat dhe shoshitje të provave është vetë dogmatizmi. Nisur nga ky përkufizim, t'ia atribuosh Islamit dogmatizmin është shmangie e objektivizmit hulumtues dhe korrektësisë shkencore. Është kështu, ngase Vetë Allahu i Plotfuqishëm, në shpalljen e Tij të fundit-Kuran, në ajete të panumërta, nuk ndaloi së kërkuari nga besimtarët, madje edhe nga femohuesit, që ata të meditojnë në faktet vizuale në horizont e në vetveten e tyre, e të cilat shpijnë natyrshëm në besimin e çiltër në njëshmërinë e Tij. Ai xh.sh., në njërin prej tyre thotë: "Ai që e filloi krijimin (e njeriut) e pastaj e përsëriti atë (e ringjall pas vdekjes) dhe Ai që ju furnizon nga qielli e toka. A mos ka zot tjetër pos Allahut? Thuaj: "Sillni argumentet tuaja, nëse jeni të sinqertë!" (En Neml, 64). Ftesa hyjnore për të shpalosur e sjellë argumentet, nga pala femohuese që mohon krijim e universit nga Zoti, apo mundësinë e ringjalljes, nuk tregon për prirjen e Islamit që të dogmatizojë parimet e veta. Ajo më tepër tregon se cilado nga ato parime mund t'i nënshtrohen debatit të mirëfilltë racional e polemikës shkencore, nga i cili po të frikësohej Islami, kurrë nuk do të ftonte me kaq insistim në të. Kjo është metodologjia kuranore e konstatimit të të vërtetave e të aksiomave të veta, e bazuar në meditim të thellë e analizë të gjatë racionale, e distancuar krejtësisht nga dogmatizmi autoritar.
E spikatur ishte pikëpamja e juristit e filozofit të mirënjohur islam, Ibën. Rushdit, kur thoshte: "Nëse Sheriati është i vërtetë dhe na fton të mendojmë thellë për të arritur njohjen e së vërtetës, atëherë është e sigurt se arsyetimi racional i drejtë dhe i bazuar në argumente nuk mund të bie kurrë në kundërshtim me atë që ka shpallur Zoti". (Ibën Rushd, Fasl el mekal ve takrir ma bejne esh sheriati ve-l hikmeti min el it-tisal, 35). Islami nuk e legjitimon besimin e verbër, as pasimin pa dije-argument, por nxit vështrimin kritik dhe ndërlidh besimin me arsyeshmëri racionale. Prandaj, ai është më afër një racionaliteti të udhëzuar e të ndihmuar nga shpallja hyjnore, sesa që mund t'i atribuohet atij ndonjë dogmatizëm i mbyllur e rixhid.
Shikuar realisht, ideologjitë moderne shpesh ftojnë më me ngulm sesa vetë feja, për përqafimin të teorive të tyre relative, të cilat edhe i kanë shndërruar në dogma. Shumë filozofe, si K. Popper dhe Th. Kuhn e të tjerë, kanë paralajmëruar se shkenca, kur refuzon kritikën dhe mbyllet ndaj alternativave, mund të marrë tipare dogmatike, duke e larguar atë nga natyra e saj kërkimore dhe kritike. Andaj, dogmatizimi i shkencës ndodh, jo kur ajo praktikohet si metodë kërkimi, por kur shndërrohet në ideologji që pretendon monopolin e së vërtetës. Historia e shkencës tregon se edhe teoritë më të pranuara në ndonjë kohë, janë rrëzuar pas shoshitjes në dritën e provave e argumenteve të patundshme, çka dëshmon se absolutizimi i tyre, edhe atëherë edhe sot mbetet i pajustifikuar.


 


Editorial
Dituria Islame 426


Artikulli i kaluar
Kurbani dhe rregullat e tij
Nuk ka artikull pas ketij.

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjakovë bën thirrje për ndihmë në ndërtimin e xhamisë