Haxhi - udhëtimi i unitetit dhe njohjes ndër vete

 


Historikisht, haxhi dhe ritet e tij janë urdhëruar për herë të parë nga Allahu xh.sh. në kohën e Ibrahimit a.s.. Ai, së bashku me të birin, Ismailin ngritën themelet e Qabesë dhe thirrën njerëzit për ta kryer haxhin. Ky akt përfaqësonte një formë adhurimi të pastër dhe monoteist ndaj Allahut xh.sh..
Megjithatë, gradualisht, me kalimin e kohës, forma dhe qëllimi i haxhit pësoi devijime. Me përhapjen e idhujtarisë në gadishullin arabik, Qabeja humbi pastërtinë dhe brenda saj u vendosën idhuj dhe u bë qendër e adhurimit politeist. Ritet u shtrembëruan, burra dhe gra rrotulloheshin të zhveshur rreth Qabesë, me argumentin se duhet të dilnin përpara Allahut xh.sh., ashtu siç kishin lindur.
Në këtë gjendje, kur njerëzit i kishin braktisur mësimet e prijësit dhe stërgjyshit të tyre, Ibrahimit a.s., shtëpia që ai kishte ndërtuar për adhurimin e Allahut, ishte përdhosur nga paganët dhe ritet që ai kishte vendosur ishin shtrembëruar, lutja e Ibrahimit a.s. mori përgjigje: "Zoti ynë, dërgo ndër ta, nga gjiri i tyre të dërguar që t'u lexojë atyre ajetet Tua, t'u mësojë atyre librin dhe urtësinë, e t'i pastrojë (prej ndyrësisë së idhujtarisë) ata. S'ka dyshim se Ti je ngadhënjyesi, i dijshmi." (El Bekare, 129).
Një njeri me emrin Muhamed lindi pikërisht në vendin ku Ibrahimi a.s. ishte lutur shekuj më parë. Për 23 vjet, Muhamedi a.s., përhapi mesazhin e njëshmërisë, të njëjtin mesazh për të cilin u dërguan Ibrahimi a.s. dhe pejgamberët e tjerë, si dhe arriti të vendosë ligjin e Allahut në tokë. Ai kreu çdo përpjekje për ta lartësuar fjalën e Allahut xh.sh., dhe fitorja e tij ndaj idhujtarisë kulmoi në shkatërrimin e idhujve brenda Qabesë, çka e ktheu atë sërish në epiqendrën e adhuruesve të Zotit të vërtetë.
Ai a.s., rivendosi të gjitha ritet e haxhit që ishin urdhëruar nga Allahu në kohën e Ibrahimit a.s.. Urdhëresa të posaçme kuranore zbritën për të shfuqizuar ritet e rreme që ishin shpikur gjatë periudhës paraislame.
Haxhi është udhëtim i jashtëzakonshëm jetësor, është thirrje që Allahu ua bëri njerëzve që nga koha e Ibrahimit a.s., për të ardhur në Shtëpinë e Shenjtë me zemra të përulura dhe shpirtra të bashkuar në adhurim. Është një thirrje për t'u bërë pjesë e një bashkësie që frymon njësoj, që lutet njësoj, që shpreson njësoj.
Kur Allahu xh.sh. i ftoi njerëzit për haxh, Ai nuk i ftoi për një udhëtim thjesht fizik drejt një vendi të shenjtë, por për një për jetim që shkund shpirtin dhe ngrit ndërgjegjen, ngase Ibrahimi a.s., nuk i thi rri njerëzit që mund ta dëgjonin zërin e tij me veshët e tyre, por ata që do ta dëgjojnë dhe do t'i përgjigjen nga thellësia e zemrës, në thellësitë kohore që çojnë deri te njeriu i fundit që do të jetojë në këtë botë. Ai tha: "Dhe thirr ndër njerëz për haxh, ata do të vijnë në këmbë e mbi deve, që vijnë prej të gjitha viseve të largëta." (Haxh, 27).
Ky udhëtim nuk është një shëtitje turi stike, por një thirrje që e zhvesh njeriun nga e përkohshmja dhe preokupimi ditor, duke e sjellë përballë të përjetshmes-shpirtërores. Është shkollë për shpirtin, ku njeriu mëson se si të jetë rob i vërtetë dhe vëlla i të gjithë njerëzve që ndajnë me të këtë rrugë drejt Zotit.
Është një udhëtim i shpirtit, një thirrje hyjnore për bashkim, përulje dhe vëllazëri. Çdo hap që haxhiu bën drejt Qabesë, çdo rrotullim rreth saj, çdo grimcë lodhjeje, është një gurë i vendosur në ndërtimin e një shpirti më të pastër dhe të një shoqërie më të bashkuar.
Në mesin e miliona haxhilerëve, zhduken titujt dhe pozitat, ngjyrat dhe pasuritë; nuk ka mbret e nuk ka shërbëtor, nuk ka të pasur e nuk ka të varfër. Të gjithë qëndrojnë njësoj, të mbështjellë me dy copa të bardha, që simbolizojnë jo vetëm ihramin e ritualit, por edhe qefinin. Duket sikur Allahu xh.sh. na thotë: "Kështu do të qëndroni para Meje në Ditën e Gjykimit - të zhveshur nga dynjaja, por të mbështjellë me përulësi."
Në këtë pelegrinazh të shenjtë, miliona zemra rrahin njësoj, duke shpalosur para syve të botës mozaikun e unitetit islam. Shpirtrat mësojnë barazinë e vërtetë dhe ndërtojnë ura njohjeje dhe dashurie, me përjetimin e fjalës së Allahut: "Vërtet, më i nderuari ndër ju tek Allahu është ai që ka më shumë devotshmëri." (El Huxhurat, 13).
Ndërsa, Pejgamberi a.s., në hytben e lamtumirës drejtuar sahabëve, e theksoi thelbin e këtij adhurimi: " O njerëz, Zoti juaj është Një, babai juaj është një. Nuk ka asnjë epërsi arabi ndaj jo arabit, as i bardhi ndaj të ziut, përveçse me devotshmëri."(1)
Ky mesazh nuk është vetëm një deklaratë morale, por është thelbi i haxhit. Sepse aty ku ka barazi para Zotit, nuk ka vend për krenari ndaj njëri-tjetrit.
Në çdo hap të këtij pelegrinazhi, besimtarët thonë me një zë të bashkuar: "Lebbejke Allahumme lebbejke!" - "Të përgjigjemi o Allah, të përgjigjemi!" Kjo është një shprehje e nënshtrimit dhe përuljes totale ndaj Krijuesit, një thirrje që vjen nga zemra e secilit besimtar, pa dallim race, gjuhe apo kombësie. Ajo simbolizon një bashkim të thellë shpirtëror mes miliona njerëzve, që vijnë për të përmbushur një nga detyrat më të shenjta të Islamit.
Në këtë thirrje, besimtarët jo vetëm që përgjigjen me fjalë, por gjithashtu me zemra të hapura dhe shpirtra të përkushtuar, duke i dhënë përgjigje thirrjes hyjnore. Çdo "Leb bejke" është një dëshmi e përkushtimit të paepur ndaj Allahut, një angazhim për t'u pastruar dhe përsosur, një ndjenjë falënderimi dhe një lutje që shprehet me lot në sy.
Ky bashkim nuk është vetëm simbolik. Haxhi është mësim i njohjes. Një njeri nga Kosova, një tjetër nga Shqipëria, një tjetër nga Indonezia, nga Palestina, nga Turqia, nga Egjipti, nga Pakistani, nga Nigeria, nga Bosnja, nga Arabia Saudite, nga Maroku, nga Malajzia, nga Sudani, nga Shtetet e Bash kuara të Amerikës, nga Franca, nga Gjermania, nga Australia, nga Japonia apo nga Kina, të gjithë përqafohen, ndajnë një gotë ujë, presin në radhë, falen krah për krah. Për këtë, Pejgamberi a.s., ka thënë: "Do t'i shohësh besimtarët në mëshirën, dashurinë dhe bashkimin e tyre, si një trup të vetëm. Kur një pjesë e trupit ndjen dhimbje, e gjithë trupi reagon me ethe dhe pagjumësi."(2)
Pra, në haxh, haxhilerët mësojnë ta shohin njëri-tjetrin jo vetëm përmes syve të racës, kombësisë apo pasurisë, por edhe përmes syve të dashurisë për Allahun xh.sh..
Malcom X, është njëri nga liderët më të mëdhenj të afro amerikanëve, i cili pasi pranoi Islamin, u angazhua shumë në përhapjen e tij në Amerikë. Duke parë numrin e madh të njerëzve që shkonin pas tij, ku me mijëra njerëz kishin filluar ta përqafonin Islamin si rezultat i ligjëratave të tij të mrekullueshme, ai vritet. Për përvojën e tij gjatë haxhit, pati thënë: "Atje, në Qabe, kishin ardhur qindra mijëra myslimanë, nga të gjitha anët e botës. Ata i përkisnin të gjitha racave dhe ngjyrave, duke filluar nga flokëverdhët me sy të kaltër, e deri tek afrikanët, me lëkurë të zezë. Por, që të gjithë, morën pjesë në të njëjtat dispozita, duke shprehur një frymë bashkimi, gjë që përvoja ime në Amerikë, më kishte bërë të besoj se një gjë e tillë, në mes të bardhëve e zezakëve, s'mund të ndodhte kurrë. Ndoshta njerëzit do të çuditen nga këto fjalë. Por, atë që pashë dhe përjetova gjatë haxhit, më bënë t'i ndryshoj mendimet e mia të mëparshme dhe të braktisja disa nga qëndrimet, në të cilat këmbëngulja në të kaluarën, gjë, e cila, s'qe shumë e vështirë për mua. Me gjithë bindjet e mia të paluhatshme, unë, gjithmonë, kam qenë i gatshëm të ballafaqohem me faktet dhe të pranoj të vërtetën e zbuluar përmes dijes dhe përvojave të reja. Gjatë njëmbëdhjetë ditëve të fundit, që kalova në botën myslimane, i jam lutur të njëjtit Zot, kam ngrënë nga e njëjta pjatë, kam pirë ujë prej të njëjtës gotë dhe jam shtrirë në të njëjtin shtrat, apo qilim, me myslimanët me sy nga më të kaltrit, me flokë ndër më të verdhat dhe me lëkurë ndër më të bardhat. Në fjalët, sjelljet dhe veprat e myslimanëve të bardhë, unë pashë e ndjeva të njëjtën përzemërsi, që e ndjeva në mes të zinjve afrikanë të Nigerisë, Sudanit ose Ganës. Ne ishim, vërtet, të gjithë njësoj, vëllezër!"(3)
Gjithashtu, janë disa obligime apo rituale të haxhit, të cilat na mësojnë se ç'është uniteti dhe njohja. Është kodra e Arafatit, vendi ku në ditën kulmore të haxhit mblidhen mijëra besimtarë nga të gjitha anët e botës, duke krijuar një pamje madhështore të njohjes, bashkimit dhe përuljes para Allahut xh.sh.. Ky vend i shenjtë quhet Arafat, pikërisht sepse aty njerëzit takohen, njihen me njëri-tjetrin dhe me veten, duke përjetuar një nga momentet më të fuqishme të unitetit dhe vëllazërisë islame.(4)
Pastaj, është tavafi, i cili si një nga ritet themelore të haxhit dhe umres, paraqet një unitet të dukshëm ndërmjet myslimanëve. Kryerja e këtij riti nga miliona pelegrinë nga mbarë bota, që rrotullohen rreth Qabesë në të njëjtin drejtim, në të njëjtin mënyrë dhe pa dallim statusi apo kombësie, shpreh unitetin e umetit islam në adhurimin e një Zoti të Vetëm. Pra, në bin djen ndaj rendit hyjnor: "...dhe le të kryejnë tavafin rreth shtëpisë së lashtë (Qabesë)." (El Haxh, 29).
Më pas edhe saji në mes kod rave Safa dhe Merva rikujton përpjekjen e sinqertë të Haxheres, nënës së Ismailit a.s.. Kjo ecje është kthyer në një rit të përbashkët për të gjithë myslimanët, duke vendosur një figurë femërore besimtare si simbol të përkushtimit dhe sakrificës njerëzore. Në këtë rit, përjetimi i së njëjtës përpjekje, pavarësisht gjinisë, racës apo gjuhës, përforcon ndjenjën e bashkimit shpirtëror dhe se ndihma hyjnore vjen përmes përpjekjes. Allahu xh.sh. thotë: "Safa dhe Merva janë nga shenjat (argumentet) e Allahut..." (El Bekare, 158).
Nëpërmjet këtyre riteve, Islami edukon besimtarin në një unitet të plotë; në adhurim, në histori, në vlerë dhe qëllim. Myslimanët bashkohen jo vetëm rreth një shtëpie të shenjtë, por edhe rreth një përvoje dhe kujtese të përbashkët.
Pra, ky udhëtim i shenjtë nuk është vetëm një akt adhurimi personal, por edhe një shkollë njohjeje dhe vëllazërimi ndër mjet myslimanëve, një dëshmi e gjallë e fjalëve të Allahut: "Ne ju kemi krijuar prej një mashkulli dhe një femre dhe ju kemi bërë popuj e fise që të njiheni me njëri-tjetrin." (El Huxhurat, 13).
Në këtë tubim madhështor, besimtari kujton se jeta është një udhëtim i përbashkët drejt Allahut. Ne të gjithë jemi udhëtarë, të gjithë të varur nga mëshira e Tij dhe të ndihmuar nga njëri-tjetri.
Aty besimtarët mësojnë durimin, faljen, mëshirën dhe përkujdesjen ndaj njëri-tjetrit, duke e parë veten si pjesë e një trupi të vetëm që pulson me dashuri për Allahun xh.sh. dhe për krijesat e Tij, e që quhet ymet. Në mesin e miliona njerëzve, një buzëqeshje, një dorë ndihme, një fjalë e mirë, bëhen adhurime të vlefshme, siç na porositi Pejgamberi a.s., kur tha: "Allahu është në ndihmën e robit derisa robi të jetë në ndihmën e vëllait të tij."(5)
Haxhi nuk është thjesht ritual, por veprim konkret që mishëron vlera të mëdha njerëzore, si: ndihmën, durimin, faljen, unitetin dhe njohjen. Është një betim i heshtur për vëllazëri, për paqe dhe përulje. Nëse e kupton këtë, atëherë kur kthehesh nga haxhi, nuk je thjesht një njeri që ke vizituar një vend të shenjtë, por je një njeri i ri që ke përjetuar dhe reflekton ndaj një "shpallje të gjallë".
Të reflektosh pas haxhit, do të thotë që çdo vepër jotja të bëhet sinonim i dashurisë për Allahun xh.sh. dhe shërbimit ndaj krijesave të Tij, sepse Allahu nuk të ftoi në haxh që të lodhesh, por që të mësohesh. Nuk të thirri që të tregohesh, por që të ndryshohesh. Dhe nëse ai ndryshim ndodh, atëherë haxhi yt ka qenë i pranuar, dhe shpërblimi yt është Xheneti, ashtu siç thotë Pejgamberi a.s: "Haxhi i pranuar nuk ka shpërblim tjetër përveç Xhenetit."(6)
Nga ky këndvështrim, haxhi është një mësim i madh i jetës; një thirrje për të ndërtuar një shoqëri mbi dashurinë, barazinë dhe mëshirën. Një stërvitje vjetore që ia kujton ymetit se forca e tij qëndron në unitet dhe në mbështetjen ndaj njëri tjetrit.
Kur haxhiu kthehet në vendin e tij, ai nuk duhet të jetë më i njëjti njeri. Ai tani duhet të ndërgjegjësohet si një njeri që ka parë botën në një tjetër dritë: si një udhëtim i përbashkët me besimtarët e tjerë drejt Zotit, ku vetëm besimi, dashuria dhe vepra e mirë kanë vlera të përjetshme.



_______________________________
1. Ahmed ibën Hanbel esh Shejbanij, Musned Imam Ahmed, (Mue seseh er Risaleh, Lubnan, 2001), v. 38, hadithi nr. 23489, f. 474.
2. Muhamed ibën Ismail el Buharij, Sahihul Buharij, (Dar es Selam Riad, 2000), v. 8, hadithi nr. 6011, f.01. Muslim el Haxhaxh en Nisaburij, Sahihu Muslim, (Bejrut, Lubnan), v.4, hadithi nr. 2586, f. 1999.
3. Malcom X dhe Alex Haley, The Autobiografy of Malcolm X, (Ballantine Books, 1992) f. 346-347.
4. Imam Er Razij, Fahrudin er Razij, Mefatihul Gajb, (Dar Ihjau Turath, Bejrut, 1420h), v. 5, f. 325.
5. Muslim, Sahihu Muslim, v. 4, hadithi nr. 2699, f. 4702.
6. Muslim, Sahihu Muslim, v. 2, hadithi nr. 1349, f. 983.


 


Dr. Zenel Hajdini
Dituria Islame 415


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjakovë bën thirrje për ndihmë në ndërtimin e xhamisë