Më 13 qershor, drejtori për Diasporë pranë Bashkësisë Islame të Kosovës, Ekrem ef. Simnica, mori pjesë në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit të Xhamisë dhe Qendrës së Kulturës Islame në Piza të Italisë, si dhe më pas në tribunën e organizuar për mbledhjen e fondeve në mbështetje të këtij projekti madhështor.
Në këtë ngjarje të rëndësishme morën pjesë figura të shumta fetare, institucionale dhe shoqërore, ndër ta kryetari i Komunës, prifti i Kishës Katolike, përfaqësuesja e Forumit për Dialog Ndërfetar, kryetari i Unionit të Xhamive Shqiptare në Gjermani, Mensur ef. Halili, kryetari i ALKIG-ut, mr. Vahidin ef. Beluli, si dhe nikoqiri i kësaj ngjarjeje, kryetari i BFI-së në Itali, dr. Reshat ef. Ibishi.
Në fjalën e tij përshëndetëse, drejtori Ekrem ef. Simnica, fillimisht përcolli përshëndetjet dhe urimet e Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, të kryetarit të saj, Naim ef. Ternavës, institucioneve udhëheqëse të saj, si dhe të besimtarëve nga vendlindja. Më pas ai foli për vlerën e xhamisë si fortesë e ruajtjes së fesë, identitetit dhe kulturës kombëtare në diasporë.
Ai theksoi se ndërtimi i një xhamie nuk është vetëm një projekt ndërtimi material, por është një vepër madhështore shpirtërore, edukative dhe kombëtare, e cila mbetet sadaka rrjedhëse dhe burim shpërblimi edhe pas vdekjes së njeriut.
Me këtë rast, ai shprehu falënderim të veçantë për organizatorët e këtij eventi dhe për të gjithë ata që morën këtë iniciativë fisnike për ndërtimin e kësaj xhamie, në veçanti për Sabri Kelmendin nga Sibovci i Obiliqit, dhe të gjithë kontribuesit e tjerë.
Allahu i shpërbleftë të gjithë bamirësit, kontribuesit dhe përkrahësit e këtij projekti të bekuar, dhe apelojmë dhe i lusim të gjithë afaristët dhe bamirësit që kanë mundësi, le të ndihmojnë këtë projekt për arsye të vendit strategjik dhe se në atë pjesë nuk kishte xhami në afërsi të Pizas.




