U mbajt ceremonia e përmbylljes së garës “Emrat e Bukur të Allahut” dhe certifikimit për bukurlexim të Kuranit

 


Departamenti i Gruas, pranë Këshillit të Bashksësisë Islame të Gjakovës, organizoi ceremoninë e përmbylljes së garës "Emrat e Bukur të Allahut", të udhëhequr nga mësuesja Aldonisa Gashi, si dhe ceremoninë e certifikimit të pjesëmarrëseve të kurseve "Bukurlexim i avancuar i Kuranit", të mbajtur nga dr. Violeta Smajlaj, dhe "Lexim fillestar i Kuranit", të zhvilluar nga mr. Mexhide Haxhiu dhe Aldonisa Gashi.
Programi filloi me leximin e ajeteve kuranore, ndërsa fjalën hyrëse e mbajti dr. Violeta Smajlaj. Në fjalën e saj, ajo vlerësoi përkushtimin e pjesëmarrëseve në garë dhe në procesin mësimor, duke theksuar rëndësinë e mësimit të Kuranit dhe rolin e tij në formimin shpirtëror dhe moral.
Më pas, të pranishmeve iu drejtua me një fjalë rasti mr. Mexhide Haxhiu, ndërsa mësuesja Aldonisa Gashi foli për zhvillimin e garës, procesin e mësimit dhe kriteret e përzgjedhjes së fitueseve. Në emër të pjesëmarrëseve, të pranishmet i përshëndeti fituesja e vendit të parë, Egzona Kadriu, e cila shprehu mirënjohjen për organizimin dhe mundësinë e përfitimit nga këto aktivitete edukative.
Ceremoninë e nderuan me pjesëmarrjen e tyre edhe zonjat e sapokthyera nga Haxhi, të ftuara nderi në këtë aktivitet. Me këtë rast, atyre iu përcollën urimet për një Haxh të pranuar.
Në përmbyllje të aktivitetit u bë ndarja e certifikatave, çmimeve dhe dhuratave për pjesëmarrëset, ndërsa ceremonia përfundoi me një koktej rasti të përgatitur nga mësimdhënëset dhe pjesëmarrëset e Departamentit të Gruas.






Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Atmosferë Barjami në Prishtinë - Intervistë me qytetarët