"... por Allahu e ka lejuar tregtinë dhe e ka ndaluar kamatën..". (El Bekare, 275)
Për të trajtuar këtë temë, fillimisht duhet ta kuptojmë lidhshmërinë në mes të tregtisë, kamatës dhe parasë, duke iu referuar disa ajeteve kuranore. Është e rëndësishme që të kuptohet se cili është dallimi në mes të kamatës mbi kapitalin dhe tregtisë që është e përmendur edhe në Kur'anin e madhërishëm. "... dhe ata thonë: tregtia është e njëjtë sikurse kamata, por Allahu e ka lejuar tregtinë dhe e ka ndaluar kamatën". Kamata ka kaluar në një proces të ndalimit gradual, pasi në kohën e atëhershme njerëzit ishin të zhytur thellë në transaksione kamatore, saqë edhe thoshin se kamata është model i pranueshëm për tregti. Edhe në kohën tonë, tregjet financiare përdorin të njëjtin arsyetim - se norma e ngarkuar e kamatës është çmimi i shitjes së parasë.
Mbështetje tregtisë si një burim kryesor për zhvillim ekonomik, i është dhënë edhe në një thënie të Pejgamberit a.s.: 'Zoti i ka vendosur nëntë të dhjetat e furnizimit (rrëskut) në tregti. Saktësia e kësaj thënieje të Pejgamberit a.s. po vërtetohet për çdo ditë, sepse pasuria që fitohet nga tregtia e kapitalit, është e krahasueshme me atë që fitohet nga puna. Tregtia është shumë e rekomanduar jo vetëm për shkak të fitimeve që sjell, po edhe për sferën e varësive ekonomike që shtrinë në mes të popujve dhe shteteve. Gjatë historisë, shumë të mira ekonomike të ndërsjella ka pasur në shoqëri dhe shtete të ndryshme për shkak të rritjes së marrëdhënieve tregtare bilaterale në mes të shteteve të ndryshme. Verseti kuranor dhe thëniet e të Dërguarit të Zotit kanë vënë në pah rëndësinë e tregtisë dhe mënyrën se si duhet të bëhet ajo, për të qenë legjitime.
Në anën tjetër, paraja është mjeti më i fuqishëm, është mjet i ndërrimit të mallrave që mundëson tregtimin nga e tërë bota. Kjo tregon pse mungesa e parasë në ekonominë bartare (ekonomi e ndërrimit të mallit me mall) i privon njerëzit nga të mirat e tregtisë, kjo më së shumti e ka privuar nga këto të mira ekonomike shtresën shumë të varfër të popullsisë. Nga perspektiva islame, funksioni kryesor i parasë është "mjet i ndërrimit', por ka edhe funksione të tjera të rëndësishme: standard i vlerësimit, njësi për llogaritje dhe vlerë për kursime, të gjitha këto kanë evoluuar nga koncepti primar i funksionimit të parasë si mjet i ndërrimit të mallrave.(1)
Paraja është kapital potencial, nuk është kapital i vërtetë në vetvete, po është një mjet për të gjeneruar pasuri përmes ndërmjetësimit të ndërrimit të mallrave, prodhimeve dhe shërbimeve, që të gjitha mund të konsiderohen si prodhime tregtie. Prandaj, paraja abuzohet në transaksionet kamatore, ku devijon nga funksionimi normal i saj, kështu që në vend që të ndihmojë tregtimin e prodhimeve të ndryshme, është bërë objekt i shitjes dhe duke u vënë çmim për të. Norma e kamatës si një çmim i blerjes/ shitjes së parasë, ka bërë që në tregun e parasë të gjenerojë më shumë para përmes kredive që është kundër tregut real të prodhimeve dhe shërbimeve që gjeneron më shumë pasuri përmes transaksioneve reale. me përqendrimin në transaksione të bazuara mbi kamatën, tregtuesit e parasë e dëmtojnë funksionimin e tregtisë në dy mënyra:
1) Tërheqja e parasë nga tregtia e prodhimeve dhe shërbimeve
2)Largimi nga pasuria reale që krijohet nga tregtia
Në rastin e parë, një pjesë e madhe e furnizimit të parasë bëhet e pashfrytëzuar si një mjet i ndërrimit të mallrave në funksionimin e tregtisë. Në rastin e dytë, pjesë e madhe e pasurisë kalon te tregtuesit e parasë, edhe pse ata janë agjentët kryesorë të pengimit për krijimin e pasurisë reale, dhe ata shpërblehen mirë në sistemin e bazuar mbi kamatën në vend që të dënohen. Arsye kryesore pse ekziston kamata, është për shkak se kamatë-dhënësit e kanë më të lehtë të kontrollojnë burimet kryesore ekonomike duke kapitalizuar fuqinë e parasë sesa të marrin pjesë në aktivitete prodhimi, duke bartur edhe përgjegjësi dhe rrezik të humbjes. Prandaj, ndalimi i kamatës është shërimi kryesor i rrjedhës së tregut për kthimin e parasë në treg duke u bërë pjesë e procesit për gjenerim të pasurisë. Dhënia e huave, sipas parimeve islame, nuk bëhet për qëllime fitimi, veçse është një punë bamirësie në konceptin e quajtur Kard al-hasen (borxh për mirësi), ku huadhënësi nga kthimi nuk merr më shumë sesa shuma që ka dhënë.(2)
Ndalimi i kamatës është bërë jo vetëm për arsye se paraja duhet të mbetet mjet i ndërrimit të mallrave për të ndihmuar tregtinë, por edhe për arsye se paraja nuk është pasuri që mund të jepet me qira. Për të pasur të drejtë që diçka të jepet me qira, ajo duhet të mbetet edhe pasi të jetë përdorur, si për shembull: toka, vetura, rrobat, librat etj.. Nëse ndonjë pasuri mbijeton përdorimin e parë, ajo pasuri konsiderohet pasuri me përdorim afatgjatë. Përkundrazi, pasuria harxhuese nuk mbijeton përdorimin e parë dhe më nuk ekziston pas atij përdorimi. Për shembull, ushqimi, uji, karburantet e ndryshme, paraja, etj. konsiderohen pasuri harxhuese. Paraja konsiderohet pasuri harxhuese, edhe pse ajo nuk shkatërrohet kur të blihet diçka me të. Nëse një person blen një kompjuter, nuk mund të përdorë të njëjtat para për të blerë një kompjuter tjetër ose diçka tjetër.
Pasuritë harxhuese janë në të shumtën pasuri homogjene, kur të tregtohet me këtë kategori të pasurisë, duhen mbajtur parasysh rregullat që kanë të bëjnë me pasuritë homogjene, për t'i ikur ndonjë transaksioni që bart kamatë. Pasuritë harxhuese nuk mund të ofrojnë ndonjë përdorim të vazhdueshëm, sepse ato përdoren vetëm një herë. Si rezultat, disa transaksione nuk aplikohen për pasuritë harxhuese, për shembull, ushqimi dhe paraja nuk mund të jepen me qira, sepse ato janë pasuri harxhuese dhe kështu veprohet edhe me prodhimet e kategorisë së njëjtë. Këto prodhime mund të jepen hua pa u lidhur me ndonjë kusht, i cili kërkon shtim, sepse bien në kategorinë e kamatës.(3) Nga rregullat dhe konceptet e përmendura, huadhënia duhet të jetë vetëm për shkaqe humanitare, dhe dhënia e parasë me qira - nuk është e lejuar.
Konsekuencat e shpërndarjes në eliminimin e kamatës
Kjo ka të bëjë më shumë me efektet që sjell ndalimi i kamatës në fuqizimin e tregtisë dhe arritjen e barazisë shoqërore. Vëmendje në këtë rast u kushtohet dy ajeteve kuranore, të cilat, në mënyrë shumë të prerë, tregojnë për ndalimin e kamatës: "... por Allahu e ka lejuar tregtinë dhe e ka ndaluar kamatën..". (El Bekare, 275), dhe: "... Allahu do ta privojë kamatën nga çdo bekim, dhe do të shtojë punët e bamirësisë..". (El Bekare, 276).
Ajeti i parë përcakton ndikimin e ndalimit të kamatës në institucionet e tregut, kurse i dyti ka të bëjë me institucione jotregtare, për të kompletuar paketën e rregullave të nevojshme rreth temës. urtësia e ndalimit të kamatës studiohet nga shumë këndvështrime dhe shumë arsye, njëra prej të cilave është edhe arritja e drejtësisë shoqërore ekonomike. Lejimi i tregtisë që është përmendur në fillim, para se të përmendej ndalimi i kamatës, është shpjeguar si vlerësim që i është bërë ndërvarësisë ekonomike të vendeve dhe popujve si një mjet legjitim për të arritur mirëqenie dhe prosperitet. Pastaj, vëmendje u është kushtuar dëmeve që shkakton kamata në rrjedhën e tregtisë në mënyrë normale, duke u dhënë të drejtë huadhënësve që të vjelin fitim pa marrë pjesë në aktivitete ekonomike të prodhimit dhe pa bartur asnjë rrezik.
Paraja patjetër që ka forcën e vet ekonomike për prodhim, nëse rreziku ndahet me pronarin e kapitalit (financuesin e kapitalit) dhe në të njëjtën kohë edhe fitimi është për t'u ndarë në mes të anëtarëve në ndërmarrësi. Në veçanti kjo bëhet në mes të rabul mal dhe mudarib në konceptin e Mudaraba dhe në mes të partnerëve sipas konceptit të Musharaka, ku financuesit e kapitalit kanë statusin e aksionarëve në një projekt industrial. Ky financim, sipas rregullave ekonomike, quhet financimi në ekuitet, ku ndarja e humbjes dhe fitimit bëhet në fund të projektit dhe në këtë rast janë të paracaktuara vetëm përqindjet, po jo shuma fikse. Kjo formë e financimit tregon drejtësi, sepse asnjëra palë nuk ngarkohet me diçka që nuk është realizuar. Ndërmarrësi nuk ngarkohet për ta kthyer kapitalin duke i shtuar edhe normën e kamatës mbi shumën bazë në mënyrë të padrejtë, po është vetëm ndërmarrës dhe ndan fatin me financuesin në projekt, duke ndarë dhe humbjen edhe fitimin, sipas marrëveshjes që bëhet në fillim të projektit.
_____________________________________________
(1) ISRA (International Shari'ah Research Academy for Islamic Finance) Islamic Financial System: Principles and Operations, (Kuala Lumpur: ISRA, 2012), 55-57.
(2)Razali Hj Nawawi, Islamic Law on Commercial Transactions, Kuala Lumpur: CT Publications, 1999, f.21.
(3)Muhammad Yusuf Salim, A handbook on Fiqh for Economist, Kuala Lumpur: IIUM, 2005, f. 23
Dituria Islame 270