"Për shkak të veprave (të këqija) të njerëzve, janë shfaqur në tokë e në det të zeza (bela, skamje, katastrofa, humbje e bereqetit etj.), e për të përjetuar ata një pjesë të asaj të keqeje që bënë, ashtu që të tërhiqen (nga të këqijat)". (Err-Rrum, 41.)
Historia që nga kohët e lashta ka për mbështetje binomin natyrore, kurse fundi i shekullit njëzet dhe fillimi i atij njëzet e një ka vënë në qendër të studimit dhe vëmendjes çështjen e femrës. Janë bërë hulumtime në rrafshe të ndryshme kushtuar rolit të femrës, si në familje ashtu edhe në shoqëri, nga të cilat rezultatet bëjnë me dije se ajo historikisht në shumë shoqëri ka status inferior, diskriminues, nënvlerësues, e privuar nga shumë të drejta themelore, madje dhe e trajtuar si subjekt i paaftë për punë. Në anën tjetër, hasim shumë organizata, shoqata, asociacione, rrjete grash me renome botërore, të cilat trumbetojnë rreth barazisë gjinore duke e konsideruar këtë si prioritet për integrimin e femrës në shoqëri, megjithëse nga këto shoqëri, të vet emërtuara si shoqëri moderne-demokratike, është punuar fare pak në këtë drejtim.(1) Allahu Fuqiplotë krijoi botën dhe gjithë ç'ka në të. Ai vendosi drejtësi absolute dhe barazi në mes njerëzve, pa marrë parasysh gjininë e tyre-burra apo gra. Allahu u dëshiron barazi të gjithë njerëzve, ndonëse ata mund t'u përkasin kombeve të ndryshme, mund të jenë nga vende të ndryshme, mund të kenë ngjyra dhe gjuhë të ndryshme.(2)
Ndonëse zakonet e hershme bënin diskriminim gjinor që nga e kaluara, me theks të veçantë tek gjinia femërore, madje që nga periudha e paslindjes, duke e trajtuar si krijesë të padëshiruar në familje dhe shoqëri, duke e konsideruar si plaçkë të pavlerë që shitet dhe blihet në treg pa çmim.
Femra në histografinë e hershme ishte e privuar nga të gjitha të drejtat e saj private, nisur nga të drejtat elementare jetësore, vendimmarrja, trashëgimi, shkollimi, e drejta e punës, e drejta e zgjedhjes së fatit të saj-bashkëshortit, etj..(3)
Për të kuptuar më drejt pozitën e femrës në Islam, praktikisht statutin e saj në shoqërinë islame, konstatoj se është e rrugës t'i hedhim një vështrim studimi qëndrimit të shoqërive të hershme si dhe atyre moderne, lidhur me pozitën e femrës, më konkretisht trajtimin e barazisë gjinore.
Përkufizimi i barazisë gjinore në aspektin shkencor
Studiues të huaj të çështjeve gjinore barazinë gjinore e përkufizojnë si: 'barazi e plotë midis grave dhe burrave', duke pranuar dhe vlerësuar në mënyrë të barabartë diferencat ndërmjet burrave e grave dhe rolet e ndryshme që ata luajnë në shoqëri. Po ashtu barazia gjinore përfshin të drejtën për të qenë i ndryshëm. Nga kjo konkludojmë se në këtë fushë duhet të merren parasysh ndryshimet ndërmjet dy gjinive, të lidhura me klasën, bindjen politike, fenë, etninë racën dhe orientimin seksual.(4)
Qëndrimet e popujve të hershëm mbi barazinë gjinore
Burimet historike të shoqërive të hershme bëjnë të ditur se shumë prej tyre, me gjithë realitetin që predispozonin kulturë dhe traditë të lashtë, shoqëritë ishin të ndara në kategori dhe shtresa.
Zakonisht më të privilegjuarit prej tyre ishin klerikët, aparati shtetëror, të pasurit, njerëzit me influencë etj.. Kishte nga ata që adhuroheshin dhe konsideroheshin të shenjtë nga masa e gjerë, kurse shtresa e ulët e shoqërisë, përfshirë punëtorët fizikë, skllevërit, trajtoheshin nën nivel të kafshëve, si dhe ishin pa farë të drejtash elementare. duke mos anashkaluar këtu edhe femrën në të gjitha shoqëritë e hershme, si ajo: hinduse, persiane, greke, përfshirë edhe mendimet e filozofëve të vjetër, etj.(5)
Kishte nga shtetet e lashta që, pos diskriminimeve të lartpërmendura, kishin formuluar edhe ligje që bënin diferencime në mes shtresave shoqërore, e prej tyre ishin romakët, të cilët përpiluan dy lloje të ligjeve:
-E drejta civile, përfshinte vetëm shoqërinë romake.
-Ligji i popujve, përfshinte shoqëritë e pushtuara nga romakët.
Disa të tjerë, si çifutët (të cilët shtrembëruan dhe ndryshuan atë që i zbriti Allahu i Lartëmadhërishëm Musait (a.s) në Tevrat dhiatën e vjetër, ky veprim i shtyri të ndiheshin të privilegjuar nga njerëzit e tjerë botërorë, po ashtu ishin të krijuar nga komponentë që i bënin të ndryshonin nga të tjerët, si dhe të tjerët ishin krijuar në shërbim të tyre), pretendonin se ishin populli i përzgjedhur nga Allahu, ndërsa njerëzit e tjerë i konsideronin si kafshë dhe shpirtrat e tyre ishin të ngjashëm me shpirtin e kafshëve apo të djallit, pohonin se Allahu i kishte krijuar të huajt për t'u shërbyer çifutëve. Kështu deklaron edhe protokolli i pesëmbëdhjetë. Në këtë kontekst ata diskriminuan edhe femrën, duke e etiketuar si mollë sherri, mëkatare e prirë për të keqen, shkaktare e nxjerrjes së Ademit (a.s.) dhe Havës nga Xheneti, etj.
Kishte edhe nga ata që, përveç të tjerash, kontestuan qenien njerëzore të femrës; të tillë ishin të krishterët, të cilët e diskriminuan femrën aq shumë, saqë diskutuan rreth një realiteti të pamohueshëm: nëse, vallë, femra posedon shpirt apo jo? E përjashtuan nga pjesëmarrja në rituale fetare, i mohuan të drejtën në vendimmarrje etj..(6)
Të tillë ishin edhe arabët gjatë periudhës së injorancës, edhe ata e kishin ndarë shoqërinë në shtresa. Ata që me origjinë ishin arabë, përbënin shtresën e lartë -udhëheqësit shtetërorë dhe të ndershmit nga masa e gjerë. Për ata kishte privilegje ekskluzive, ndër të cilat: kur bënin vjedhje të ndershmit, -i lironin, ndërsa i dobëti prej tyre dënohej, e po ashtu dhe kompensimet për ndëshkim për të ndershmit ishin sa dyfishi i të dobëtve.(7)
Nga tërë kjo që u theksua, mund të përfundojmë që edhe gjatë periudhave të hershme historike kishte diskriminim në të gjitha rrafshet dhe poret e jetës, sidomos diskriminim gjinor ndaj femrës që la pasoja trashëguese.
Studiues të shumtë evropianë e konsiderojnë shekullin e tetëmbëdhjetë si shekull i respektimit të të drejtave të njeriut dhe të mbrojtjes së tyre.
Për herë të parë barazia gjinore është diskutuar me rastin e pavarësisë së shteteve të Bashkuara të Amerikës, në vitin 1776, kurse me shpalljen e Kushtetutës së ShBA-së më 1787 është përfshirë në të edhe kodi mbi të drejtat e njeriut, përfshirë edhe barazinë gjinore. Të parët që nxorën barazinë gjinore si një proces të domosdoshëm, kanë qenë iniciatorët e Revolucionit Frëng në muajin gusht të vitit 1789, dhe, pas asaj date, për herë të parë në historinë evropiane u miratua dokumenti i parë mbi të drejtat e njeriut dhe të qytetarëve. Ky dokument fillonte me këtë hyrje:'' Njerëzit lindin të lirë dhe me të drejta të barabarta'', e cila u inkuadrua edhe në Kushtetutën shtetërore franceze, që u miratua në vitin 1791.
Nga ai proces i miratuar rezultoi që francezët të amendamentonin në kushtetutën shtetërore edhe Ligjin mbi të drejtat e njeriut dhe, në kuadër të tij, kodin mbi barazinë gjinore, për faktin se femra evropiane ishte e diskriminuar, e dhunuar, e persekutuar dhe e përbuzur.(8)
Më pas çështja e barazisë gjinore është inkorporuar edhe në shumë konventa ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, si ato të viteve 1952, 1967, 1979, etj.. Dokumente të tilla ishin dhe janë edhe: Deklarata e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (1948), Deklarata e Përgjithshme Islame e të Drejtave të Njeriut (1981), Deklarata e Kajros mbi të Drejtat e Njeriut në Islam (1990), Deklarata e Islamabadit për Rolin e Gruas, Samiti Ndërkombëtar i Gruas mbajtur këtë vit (2012) në Prishtinë etj..(9)
Studiues në fushën e barazisë gjinore në Evropë pohojnë se thirrja për barazi gjinore dhe për çlirimin e femrës, nuk ka ardhur si rezultat për reforma të arsyeshme, të administrimit të drejtësisë apo implementimit të barazisë për të shtypurit, po ka ardhur si rrjedhojë e kërkesave gjatë protestave me motive të ndryshme, si pasojë e shkeljes së të drejtave të femrës në Evropë, e fyerjes së ndërgjegjes së saj, si dhe e përçmimit të dinjitetit të saj. Ky veprim na shtyn të meditojmë më thellë se në ligjet evropiane dhe në vende të tjera, me gjithë ekzistimin e ligjeve mbi të drejtat e njeriut, parimin për barazi gjinore si ide dhe veprim, hasim në një realitet të kundërt, sepse diskriminimi racor dhe diskriminimi gjinor janë dukuri në shkallë të lartë.
Sociologia e njohur evropiane Margarit pohon se diskriminimi gjinor në rrafshe të shumta në Evropë është ende evident në një masë të madhe, si në sferën e punësimit, specializimit, etj., sepse puna me orar të shkurtuar, e veçantë vetëm për femra - përfshin 25% prej tyre, kurse paga mujore e meshkujve është më e lartë 34% sesa e femrave. Këtë e vërtetoi, gjatë Samitit Ndërkombëtar të Gruas, që u mbajt në Prishtinë muajin e kaluar, edhe Ministrja e Kroacisë - Vesna Pusic -eksperte për çështje të edukimit.(10)
Nuk duhet harruar që në shumë vende të botës, gruaja edhe më tej nuk gëzon shumë të drejta elementare jetësore, si: ajo nuk ka të drejtë të ketë llogari rrjedhëse personale, nuk mund të firmosë marrëveshje krediti pa praninë e burrit të saj, si dhe nuk posedon të drejta të barabarta në shumë sfera sociale, etj.. Ky diskriminim ka ndikuar që në Britaninë e madhe të ndërpresin punën më shumë se 50 mijë gra, për shkak se nuk ndiheshin të barabarta, si në punët me profesione të njëjta me mashkullin, ashtu edhe me të ardhura mujore.
Është shumë e nevojshme që të shohim disa nga opinionet e femrave evropiane e më gjerë lidhur me barazinë gjinore, në mënyrë që të vlerësojmë realisht këtë çështje.
Një eksperte për përkujdesje të familjes amerikane pohon se, ideja për barazi në mes të meshkujve dhe femrave është një absurditet; ky fenomen i ka shkaktuar femrës dëme të paparashikuara, dëme personale, familjare po edhe shoqërore. Po ashtu edhe në Gjyqin Ndërkombëtar të Brukselit është diskutuar lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me krimet e burrit ndaj gruas. Në një seancë kushtuar barazisë gjinore në Evropë, u paraqitën të dhëna se rreth 48% të të anketuarave nuk pranuan të bëheshin ndryshime lidhur me gjendjen e femrës apo të ketë benificione shtesë, 18% e tyre kërkuan ndryshime formale të kushteve, kurse 24% deklaruan se kjo temë nuk është në interes të tyre. Lidhur me këtë ekspertja amerikane pohon se gratë amerikane kanë filluar të mplaken parakohe, në moshë të re, si rezultat i shpenzimit të energjisë së tyre në kërkim të barazisë gjinore.
Kurse një gjinekologe, po ashtu amerikane, pohon se nga pasojat e plakjes së parakohshme të femrave, është ndryshimi i hormoneve të tyre si rezultat i presionit jo të natyrshëm të femrave për t'ua kaluar meshkujve. Ky fenomen pastaj shkakton ndërprerjen e parakohshme të ciklit menstrual, tharjen e lëkurës, dobësimin e flokëve, dhimbje të gjymtyrëve, djersitje gjatë natës dhe sterilitet, duke u shtuar edhe shumë defekte në zemër, etj..(11)
Disa studiuese të barazisë gjinore mendojnë se barazia gjinore në mes meshkujve dhe femrave shkakton reaksione negative për të dyja palët, dhe se një çështje e tillë mund t'i vërë të dyja palët para procesit të falimentimit, kështu të paktën mendon Kryesuesja e Shoqatës së Grave Franceze. Edhe pse çështja e barazisë gjinore, në njërën anë, është në fokus, në anën tjetër, të shumtë janë ekspertët e kësaj fushe, që mendojnë se hyrja e femrës në këtë garë është e dëmshme, kjo dhe i ka inkurajuar këta studiues që të nxjerrin deklarata dhe rezultate rreth vlerësimit të barazisë gjinore, praktikisht konkluza mbi dallimet esenciale të natyrshme në mes të dyja gjinive mashkull - femër, që e bëjnë të pamundur barazinë në mes tyre. Nga ky këndvështrim dua të cek disa nga këto dallime natyrore në mes të dy gjinive, për të ardhur në përfundimin e vlerësimit mbi barazinë gjinore.(12)
___________________________________________
(1) Sqarim Yni, nxjerrë nga Samiti i fundit mbajtur në Prishtinë këtë vit.
(2) Të drejtat e Gruas në Islam, Muhamed Rashid Rida, Nektari, Tiranë 2006, f.11-12.
(3) El-Meretu bejne elislami velkavanin elalemije, Salim el Behnesavi, b.1 2003, f. 141, Darul vefa'ë, Egjipt-Mensura
(4) Hyrje në studime gjinore, Dr. Bahtije Gërbeshi Zylfiu, Prishtinë 2008, f.19.
(5) Kadaja elmeretu fi elmutemerat ed-devlije, Dr.Fuad Abdulkerim elabdulkerim, bot 1, 2009, B.C.W.S, v.. 1, f.207, 213.
(6) Kadaja elmeretu fi elmutemerat ed-devlije, , f.301.Dhe Mekanetul mereti fil Kur'ani elkerim ve es-suneti es-sahiha, elhukuk es sijasije velixhtimaije ve esh-shahsije limer'eti fil muxhtemea elIslami, Dr.Muhamed Beltaxhi, bot.1, Darus-selam, 2000, f.75.
(7) Kadaja elmeretu fi elmutemerat ed-devlije, , f.306.
(8) Kadaja elmeretu fi elmutemerat ed-devlije, , f.207.
(9) Po aty, f.214 dhe Gruaja ndër shekuj, -Arsimimi dhe emancipimi i saj-Hajrullah Koliqi, ''Libri shkollor'' Prishtinë, 2009, f.393.
(10) Samiti Ndërkombëtar i Gruas, Dokument për diskutim në panel.
(11) El-Meretu elgarbije erkam natika ve hakaik shahide, Abdulmelik Husejn Et-Tagj, f.98, pa vit botimi dhe shtëpi botuese.
(12) Sqarim Yni.
Dituria Islame 270