Revista "Dituria Islame" kronikë e qëndresës shpirtërore, kombëtare dhe historike të shqiptarëve në katër dekadat e fundit

 


Shkrimi dhe dija zënë një vend qendror në qytetërimin islam, duke u konsideruar jo vetëm mjete komunikimi, por edhe amanete hyjnore, intelektuale dhe civilizuese. Që nga shpallja e parë kuranore; me urdhrin "Lexo!" dhe përmendjen e "penës", Islami e ka ngritur dijen dhe dokumentimin e saj në një rang të vlerave themelore të zhvillimit njerëzor. 
Në fillim të sures El Kalem, Allahu i Madhëruar shpall: "Nun. Betohem për penën dhe për atë që shkruajnë." (El Kalem, 1).
Ky betim hyjnor përbën një nga afirmimet më madhështore të vlerës së dijes në Islam. Fakti që Krijuesi i gjithësisë betohet në penën dhe në atë që shkruhet me të, dëshmon pozitën e jashtëzakonshme që feja islame i kushton diturisë, mendimit, kulturës dhe fjalës së shkruar. Në traditën kuranore, betimi hyjnor lidhet vetëm me realitete dhe shenja që bartin urtësi të thella dhe ndikim vendimtar në jetën njerëzore. Prandaj pena shfaqet si simbol i qytetërimit, i vetëdijes dhe përparimit njerëzor.
Në konceptimin islam, pena nuk është thjesht një mjet fizik shkrimi, por një simbol i ruajtjes së dijes, i transmetimit të së vërtetës dhe i ndërtimit të civilizimeve. Përmes saj janë ruajtur shpalljet hyjnore, janë transmetuar mësimet pejgamberike, janë dokumentuar historitë e popujve dhe është trashëguar përvoja intelektuale e njerëzimit.
Shkrimi ka bërë të mundur që mendimi njerëzor të kapërcejë kufijtë e kohës dhe të mbetet i gjallë ndër breza.
Pjesa e ajetit: "dhe për atë që shkruajnë", e zgjeron domethënien e betimit përtej instrumentit të shkrimit, duke e përqendruar vëmendjen edhe te përmbajtja dhe përgjegjësia morale e fjalës së shkruar. Islami nuk e vlerëson vetëm mjetin, por edhe mesazhin që përcillet përmes tij. Pena mund të jetë mjet udhëzimi ose devijimi, ndërtimi ose shkatërrimi, drejtësie ose mashtrimi. Për këtë arsye, fjala e shkruar bart një përgjegjësi të jashtëzakonshme etike dhe shoqërore.
Ky ajet përfaqëson gjithashtu një nderim të lartë për dijetarët, mendimtarët, shkrimtarët dhe të gjithë ata që kontribuojnë në përhapjen e dijes dhe të vërtetës. Njerëzit e penës formësojnë vetëdijen kolektive, edukojnë brezat dhe ndikojnë në orientimin moral e kulturor të shoqërive. Historia dëshmon se një ide e shkruar ka fuqinë të ndryshojë rrjedhën e epokave, të ngrejë kombe dhe të ruajë identitetin e tyre.
Nuk është rastësi që Kurani, mrekullia e fundit hyjnore, u ruajt përmes memorizimit dhe shkrimit. Pikërisht përmes penës u zhvilluan shkencat islame, teologjia, jurisprudenca, filozofia, mjekësia, astronomia dhe fusha të tjera që kontribuuan në ndriçimin e njerëzimit për shekuj me radhë.
Në kohën bashkëkohore, kur fjala e shkruar përhapet me shpejtësi të paprecedentë përmes teknologjisë dhe mediave, ky betim kuranor fiton një aktualitet edhe më të madh. Ai na kujton se pena dhe fjala posedojnë fuqi të jashtëzakonshme për të ndërtuar ose shkatërruar, për të edukuar ose manipuluar, për të përhapur të vërtetën ose gënjeshtrën. Prandaj, Islami e konsideron penën një amanet të shenjtë moral, i cili duhet të vihet gjithmonë në shërbim të së vërtetës, drejtësisë, dijes dhe dinjitetit njerëzor.


"DITURIA ISLAME" - INSTITUCION I MENDIMIT ISLAM, FORMIMIT KULTUROR DHE RUAJTJES SË IDENTITETIT KOMBËTAR SHQIPTAR


Mund të pohohet me bindje se revista tremujore "Edukata Islame" dhe "Takvimi-Kalendari vjetor" përbënin bazën e parë institucionale dhe intelektuale mbi të cilën u ndërtua projekti i mëvonshëm botues i revistës "Dituria Islame".
Përvoja e fituar nëpërmjet këtyre botimeve, si në aspektin organizativ ashtu edhe në atë përmbajtjesor, krijoi parakushtet e nevojshme për themelimin dhe konsolidimin e një reviste më të avancuar e më gjithëpërfshirëse, duke e shndërruar kështu "Diturinë Islame" në vazhdimësi natyrore të një tradite tashmë të krijuar publicistike dhe kulturore.
Pas botimit të përkthimit të parë të Kuranit në gjuhën shqipe më 1985, një ngjarje që shënoi kthesë të madhe në jetën shpirtërore të shqiptarëve, ishte themelimi i revistës "Dituria Islame", e cila përfaqësoi hapin e dytë madhor në procesin e afirmimit të dijes islame në gjuhën amtare. Themelimi i revistës "Dituria Islame"në vitin 1986 nga ana e Bashkësisë Islame përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë moderne të mendimit fetar, kulturor dhe intelektual të shqiptarëve myslimanë në Kosovë dhe më gjerë. Ajo lindi në një periudhë të ndërlikuar historike, kur shqiptarët ishin privuar nga çdo e drejtë elementare e tyre nga okupimi klasik i Serbisë; kur përballeshim me mungesë të literaturës islame në gjuhën shqipe, me kufizime ideologjike ndaj fesë dhe sfida serioze në ruajtjen e identitetit tonë fetar e kombëtar. Në rrethanat e një sistemi që synonte margjinalizimin e religjionit nga jeta publike, nevoja për një platformë të organizuar të edukimit dhe komunikimit islam ishte bërë domosdoshmëri historike për shqiptarët.
Në një kohë kur ideologjitë materialiste dhe ateiste ushtronin ndikim të konsiderueshëm në jetën shoqërore, "Dituria Islame" ofroi një alternativë intelektuale dhe shpirtërore të bazuar në argumentim, dije dhe moral. Ajo promovoi dialogun, mendimin kritik, harmoninë ndërmjet fesë dhe shkencës, si dhe vlerat universale të drejtësisë, solidaritetit dhe dinjitetit njerëzor.
Në këtë frymë, revista "Dituria Islame", përgjatë katër dekadave të veprimtarisë së saj; është shndërruar në një institucion të rëndësishëm të mendimit, kulturës dhe edukimit islam në hapësirën shqiptare. Përmes trajtimit të temave teologjike, juridike, historike, filozofike, etike, kulturore dhe shkencore, revista ka kontribuuar në formimin intelektual të lexuesit, promovimin e mendimit kritik dhe ruajtjen e identitetit fetar, kulturor e kombëtar. Ajo ka shërbyer si platformë akademike për studiues, imamë dhe intelektualë, duke ndërtuar një traditë të qëndrueshme të dijes, debatit dhe vetëdijes shkencore.
Rëndësia e saj lidhet ngushtë me traditën islame të ruajtjes dhe transmetimit të dijes, e cila buron nga vetë praktika pejgamberike e dokumentimit të shpalljes hyjnore. I Dërguari i fundit prej Zotit xh.sh., Muhamedi a.s., urdhëroi shkrimin e menjëhershëm të ajeteve kuranore, duke siguruar autenticitetin dhe transmetimin e saktë të Fjalës së Zotit brez pas brezi. Në këtë kuptim, kontributi shumëvjeçar i revistës "Dituria Islame", përfaqëson jo vetëm një vlerë kulturore dhe akademike, por edhe një mision edukativ dhe shpirtëror, i cili vazhdon të shërbejë si formë e sadakasë rrjedhëse përmes dijes së dobishme që u transmetohet brezave.
Revista u shndërrua në tribunën kryesore të mendimit islam shqiptar, duke ofruar edukim fetar sistematik, njohuri kulturore, historike dhe morale, si dhe duke krijuar një urë të qëndrueshme komunikimi ndërmjet institucioneve fetare, dijetarëve dhe besimtarëve. Njëkohësisht, revista "Dituria Islame", luajti rol të pazëvendësueshëm në ruajtjen dhe dokumentimin e trashëgimisë islame shqiptare, në afirmimin e kontributit të dijetarëve shqiptarë ndër shekuj dhe në lidhjen e myslimanëve shqiptarë me zhvillimet intelektuale e kulturore të botës islame. Përmes përkthimeve, studimeve dhe analizave bashkëkohore, ajo e integroi lexuesin shqiptar në rrjedhat më të gjera të mendimit islam ndërkombëtar.
E lindur në një periudhë të ndjeshme historike, të karakterizuar nga mungesa e literaturës islame në gjuhën shqipe, kufizimet ideologjike dhe sfidat e ruajtjes së identitetit, ajo mori përsipër një mision të shumëfishtë: përhapjen e dijes islame, edukimin moral e shpirtëror të besimtarëve dhe forcimin e vetëdijes kombëtare shqiptare.
Përmes trajtimit të temave nga teologjia, etika, historia, qytetërimi islam, arsimi, kultura dhe çështjet shoqërore, revista kontribuoi në ngritjen intelektuale dhe fetare të lexuesve shqiptarë. Në një kohë kur botimet islame në gjuhën shqipe ishin të rralla, ajo u bë një burim i besueshëm orientimi, edukimi dhe formimi kulturor, duke ndikuar drejtpërdrejt në ruajtjen e identitetit fetar, gjuhësor dhe kombëtar të shqiptarëve.
Me kalimin e viteve, "Dituria Islame" u afirmua si një zë autoriteti që ndriçoi mendjet dhe preku zemrat e mijëra lexuesve në Kosovë, në të gjitha trojet shqiptare dhe në mërgatë. Ajo krijoi një lidhje të qëndrueshme ndërmjet dijes fetare dhe nevojave konkrete të shoqërisë, duke promovuar një kuptim autentik, racional dhe të balancuar të Islamit. Përmes qasjes së saj argumentuese dhe edukative, revista luajti rol të rëndësishëm në formimin e vetëdijes kritike, në mbrojtjen e rinisë nga ndikimet ideologjike dhe në afirmimin e vlerave universale të moralit, dijes dhe përgjegjësisë shoqërore.
Një dimension i veçantë i veprimtarisë së saj ishte trajtimi i historisë kombëtare dhe i rolit të institucioneve fetare në ruajtjen e identitetit shqiptar. Përmes studimeve dhe analizave historike, revista argumentoi se imamët, xhamitë, mejtepet dhe medresetë, nuk ishin vetëm qendra të edukimit fetar, por edhe institucione që kontribuuan në ruajtjen e gjuhës shqipe, të traditës kombëtare dhe të vetëdijes kulturore gjatë periudhave të ndryshme historike. Në këtë kontekst, ajo vlerësoi kontributin e figurave fetare shqiptare në proceset e emancipimit kulturor dhe të rilindjes kombëtare.
Rëndësia e revistës u bë edhe më e dukshme gjatë periudhës së represionit serb në Kosovë (1989-1999). Në një kohë kur institucionet shqiptare përballeshin me mbyllje, censurë dhe diskriminim sistematik, "Dituria Islame" mori përsipër një rol të gjerë shoqëror e kombëtar. Ajo dokumentoi shkeljet e të drejtave të njeriut, represionin institucional, mbylljen e shkollave dhe universiteteve shqiptare, si dhe vuajtjet e popullsisë shqiptare nën regjimin serb. Në këtë mënyrë, revista u shndërrua në një dëshmi të rëndësishme historike dhe në një mbrojtëse të së vërtetës kolektive të kohës.
Njëkohësisht, ajo promovoi vlerat e rezistencës paqësore, solidaritetit shoqëror dhe unitetit kombëtar. Vëmendje të veçantë i kushtoi lëvizjes së pajtimit të gjaqeve, duke e konsideruar atë si një nga proceset më të rëndësishme morale e kombëtare në historinë moderne të shqiptarëve. Përmes artikujve, analizave dhe kronikave të saj, revista kontribuoi në forcimin e kohezionit shoqëror dhe në ruajtjen e stabilitetit moral të popullit shqiptar në periudha të vështira historike.
Ajo luajti rol të pazëvendësueshëm në edukimin fetar islam, ngritjen intelektuale, ruajtjen e identitetit islam te shqiptarët, dokumentimin e proceseve historike dhe mbrojtjen e vlerave shpirtërore e kombëtare. Për këtë arsye, "Dituria Islame" mbetet një nga monumentet më të rëndësishme të mendimit, kulturës dhe trashëgimisë intelektuale të shqiptarëve.


REVISTA "DITURIA ISLAME" GJATË LUFTËS SË KOSOVËS - DOKUMENTIM, . DËSHMI DHE QËNDRESË


Gjatë periudhës së luftës në Kosovë (1998-1999), revista "Dituria Islame", tejkaloi rolin e një botimi të zakonshëm fetar dhe u shndërrua në një tribunë të rëndësishme të dokumentimit historik, të mbrojtjes së të vërtetës dhe të afirmimit të dinjitetit kombëtar të shqiptarëve. Në një kohë kur popullsia shqiptare përballej me represion sistematik, spastrime etnike, dëbime masive, vrasje, masakra dhe shkatërrime të organizuara nga regjimi serb, revista mori përsipër misionin e dëshmimit të realitetit dhe të sensibilizimit të opinionit vendor e ndërkombëtar për tragjedinë që po përjetonte Kosova. Përmes kronikave, analizave, reportazheve dhe dëshmive autentike, revista "Dituria Islame" dokumentoi me përgjegjësi intelektuale dhe morale format më të rënda të dhunës shtetërore serbe, duke evidentuar shkeljet sistematike të të drejtave themelore të njeriut, terrorin policor e ushtarak, burgosjet arbitrare, masakrat ndaj civilëve dhe politikën e dëbimit masiv të shqiptarëve nga trojet e tyre. Në këtë aspekt, revista u shndërrua në një arkiv të rëndësishëm të kujtesës kolektive dhe në një dëshmi të çmuar historike të vuajtjeve dhe rezistencës së popullit shqiptar.
Njëkohësisht, revista promovoi vlerat e solidaritetit, humanizmit dhe qëndresës morale, duke theksuar se feja islame nuk përfaqëson vetëm dimensionin shpirtëror të jetës, por edhe një burim force etike, përgjegjësie shoqërore dhe mbrojtjeje të dinjitetit njerëzor. Përmes faqeve të saj u afirmua rëndësia e ndihmës reciproke, unitetit kombëtar dhe ruajtjes së identitetit kulturor e fetar në kushtet e luftës dhe të krizës humanitare.
Një dimension i veçantë i veprimtarisë së saj ishte ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës. Duke publikuar informacione, analiza dhe dëshmi mbi krimet e kryera ndaj shqiptarëve, revista synonte të zgjonte ndërgjegjen e botës demokratike dhe të vendeve islame përballë katastrofës që ndodhte në Kosovë. Në këtë mënyrë, revista "Dituria Islame" u bë një urë komunikimi ndërmjet Kosovës dhe opinionit ndërkombëtar, duke mbrojtur të drejtën e popullit shqiptar për liri, dinjitet dhe vetëvendosje. Revista dëshmon se Bashkësia Islame nuk mbeti e kufizuar vetëm në misionin e saj fetar, por u shndërrua në një institucion me rol të gjerë humanitar, kombëtar dhe shoqëror. Kjo ngase xhamitë, Këshillat e Bashkësisë Islame dhe strukturat e saj lokale u kthyen në qendra të organizimit humanitar, të solidaritetit qytetar dhe të mbështetjes së popullatës civile dhe të UÇK-së, duke ofruar strehim për të zhvendosurit, shpërndarë ndihma humanitare, mbështetur familjet e viktimave dhe kontribuuar në ruajtjen e kohezionit shoqëror në kohët më të vështira të historisë moderne të Kosovës.
Në këtë kuptim, revista "Dituria Islame" bashkoi dijen, fenë, humanizmin dhe patriotizmin në shërbim të së vërtetës historike, duke ruajtur kujtesën e një periudhe tragjike dhe duke dëshmuar për qëndresën, vuajtjet dhe aspiratat e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi. Prandaj, kontributi i saj gjatë luftës mbetet një kapitull i veçantë në historinë e gazetarisë, kulturës dhe mendimit kombëtar shqiptar, si një shembull i përgjegjësisë intelektuale dhe morale në mbrojtje të së vërtetës, drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor.


REVISTA "DITURIA ISLAME" - QENDËR E VETËDIJES KOMBËTARE DHE ZË I KOSOVËS NË BOTË


Gjatë viteve të okupimit serb dhe luftës në Kosovë, revista "Dituria Islame" dokumentoi me përkushtim rolin e Bashkësisë Islame dhe Medresesë, në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe në mbrojtjen e interesave të popullit shqiptar. Medreseja paraqitej si një qendër e rëndësishme e mendimit intelektual, e edukimit dhe e vetëdijes kombëtare, ku zhvilloheshin takime dhe diskutime për sfidat shoqërore dhe kombëtare të kohës.
Revista pasqyroi gjithashtu kontributin e diasporës shqiptare dhe të Bashkësisë Islame të Kosovës në organizimin e ndihmës humanitare, forcimin e solidaritetit kombëtar dhe mbështetjen e çështjes së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Përmes raportimeve mbi takimet, konferencat dhe aktivitetet ndërkombëtare të përfaqësuesve të Bashkësisë Islame, ajo kontribuoi në sensibilizimin e opinionit botëror, veçanërisht të vendeve islame, për represionin, spastrimin etnik dhe vuajtjet e popullit shqiptar.
Në këtë mënyrë, "Dituria Islame" tejkaloi rolin e një reviste fetare dhe u shndërrua në një platformë të rëndësishme të vetëdijes kombëtare, të dokumentimit historik dhe të ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës, duke mbrojtur me argumente, dinjitet dhe përgjegjësi të vërtetën, drejtësinë dhe të drejtën e popullit shqiptar për liri e pavarësi.
Gjatë luftës së Kosovës, revista "Dituria islame" dokumentoi me përgjegjësi historike sakrificën e popullit shqiptar dhe heroizmin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e paraqitur atë si shprehjen më të lartë të përpjekjes për liri, dinjitet dhe mbrojtje të atdheut. Në faqet e saj pasqyroheshin trimëria dhe flijimi i luftëtarëve të UÇK-së, si dhe mbështetja morale e shpirtërore që institucionet fetare i jepnin qëndresës kombëtare. Revista evidentoi gjithashtu krimet e kryera gjatë luftës, duke dokumentuar masakrat ndaj civilëve, dëbimet masive, shkatërrimin e vendbanimeve shqiptare dhe vuajtjet e popullsisë, me synimin që këto ngjarje të ruheshin në kujtesën historike si dëshmi e një periudhe tragjike për Kosovën. Revista dokumentoi gjithashtu dramën e eksodit të shqiptarëve gjatë luftës, duke evidentuar vuajtjet e popullsisë së dëbuar me dhunë, por njëkohësisht edhe solidaritetin e jashtëzakonshëm të shqiptarëve në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, për pritjen dhe strehimin e vëllezërve të tyre të dëbuar, por edhe pritjen dhe strehimin e tyre nëpër shumë shtete të Evropës, Amerikës, Kanadasë, e vendeve të tjera të botës.
Një vend të rëndësishëm zinte edhe pasqyrimi i mbështetjes ndërkombëtare për Kosovën, veçanërisht ndërhyrja e NATO-s, e cila paraqitej si moment vendimtar për ndalimin e dhunës dhe çlirimin e vendit. Revista shprehte mirënjohjen e popullit shqiptar ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendeve të Bashkimit Evropian dhe Aleancës së NATO-s, për rolin e tyre në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve dhe për hapjen e rrugës drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.


REVISTA "DITURIA ISLAME" NË KOSOVËN E PASLUFTËS DHE TË PAVARËSISË - ARKIV I KUJTESËS KOMBËTARE DHE PASQYRË E MISIONIT FETAR, KULTUROR E KOMBËTAR


Edhe pas përfundimit të luftës së viteve 1998-1999, revista "Dituria Islame" vazhdoi të luajë një rol të rëndësishëm në jetën fetare, kulturore dhe intelektuale të Kosovës, duke u shndërruar në një kronikë të besueshme të proceseve historike, shoqërore dhe shtet formuese të periudhës së pasluftës. Në faqet e saj u pasqyruan me seriozitet akademik zhvillimet kryesore që lidhen me rindërtimin e vendit, konsolidimin e institucioneve demokratike dhe forcimin e identitetit shtetëror e kombëtar të Kosovës.
Një vend të veçantë zuri trajtimi i Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe heroizmit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila paraqitej si simbol i sakrificës, lirisë dhe dinjitetit kombëtar. Revista i kushtoi vëmendje të veçantë dëshmorëve të kombit, duke ruajtur kujtimin dhe veprën e tyre si themele morale e historike të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Po ashtu, "Dituria Islame" dokumentoi me mirënjohje mbështetjen vendimtare të aleatëve ndërkombëtarë, veçanërisht të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendeve perëndimore dhe NATO-s, duke e konsideruar ndërhyrjen e tyre faktor kyç në ndalimin e spastrimit etnik dhe në çlirimin e Kosovës. Në këtë kuadër, revista e paraqiste lirinë dhe pavarësinë e Kosovës si rezultat të ndërthurjes së sakrificës së popullit shqiptar, luftës së UÇK-së dhe mbështetjes së fuqishme ndërkombëtare.
Një nga momentet më të rëndësishme të pasqyruara në faqet e saj ishte shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, e trajtuar si realizim i aspiratave shekullore të popullit shqiptar dhe si kurorëzim i një rruge të gjatë sakrifice, rezistence dhe përkushtimi kombëtar. Në vazhdimësi, revista pasqyroi edhe përpjekjet e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe në Luginën e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit dokumentuar sakrificat, qëndresën dhe aspiratat e tyre për realizimin e të drejtave të tyre kombëtare, duke liri, barazi dhe dinjitet.
Revista "Dituria islame" mbetet një burim me vlerë të veçantë për studimin e periudhës së luftës, të shtet ndërtimit të Kosovës dhe të rolit që feja, kultura dhe identiteti kombëtar kanë luajtur në historinë bashkëkohore shqiptare. Gjatë pothuajse katër dekadave të veprimtarisë së saj, revista "Dituria Islame" ka tejkaluar kufijtë e një organi të zakonshëm fetar, duke u shndërruar në një institucion të rëndësishëm të kujtesës historike, të mendimit intelektual dhe të vetëdijes kombëtare shqiptare. Përmes faqeve të saj, ajo ka dokumentuar me përkushtim zhvillimet më të rëndësishme fetare, kulturore, shoqërore, kombëtare dhe politike që kanë shënuar historinë moderne të Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi.
Në periudhat më të vështira të ekzistencës sonë kombëtare, kur Kosova përballej me represion, dhunë sistematike, luftë dhe përpjekje për shuarjen e identitetit të saj, "Dituria Islame" mbeti një zë i palëkundur i së vërtetës, i dinjitetit njerëzor dhe i ndërgjegjes kombëtare. Ajo regjistroi me përgjegjësi historike vuajtjet, sakrificat, qëndresën dhe idealet e popullit shqiptar, duke ruajtur për brezat e ardhshëm një pasuri të jashtëzakonshme dokumentare mbi një nga periudhat më vendimtare të historisë sonë.
Vlera e saj nuk qëndron vetëm në pasqyrimin e ngjarjeve, por edhe në dokumentimin e rolit të fesë, të institucioneve islame, të solidaritetit shoqëror dhe të forcës morale që ndihmuan popullin shqiptar të përballonte sfidat më të mëdha të kohës. Në këtë aspekt, revista paraqet një burim të pazëvendësueshëm për studimin e historisë fetare, kulturore dhe kombëtare të shqiptarëve.
Me plot të drejtë mund të thuhet se "Dituria Islame" përfaqëson një mini-enciklopedi të historisë bashkëkohore shqiptare dhe një arkiv të gjallë të memories kolektive të Kosovës. Në faqet e saj u ndërthuren harmonishëm besimi, kultura, patriotizmi, sakrifica dhe aspirata për liri, duke e bërë atë një thesar të çmuar intelektual e kombëtar. Si e tillë, ajo mbetet një trashëgimi me vlerë të jashtëzakonshme shkencore, historike dhe kulturore, e destinuar të shërbejë si referencë e rëndësishme për studiuesit, historianët dhe brezat që do të vijnë.


 


Fjala e Myftiut të Kosovës Naim ef. Tërnava në Akademinë solemne me rastin e shënimit të 40-vjetorit të revistës "Dituria Islame"