Transmeton Ibn Berri nga Jahja ibn Seidi: "Dhënësit e fetvave gjithmonë japin fetva, njëri lejon, tjetri ndalon. Ndaluesi nuk e sheh se lejuesi shkatërrohet nga lejuesi i tij, e as lejuesi nuk e sheh se ndaluesi shkatërrohet nga ndalimi i tij"
Në çdo disiplinë jetësore dhe fetare ekzistojnë mendime të ndryshme për një çështje, kulturë, vendim apo pikëpamje. Siç dallohet çdo njeri nga fytyra, zëri, shenja të veçanta gishtërinjsh, gjithashtu dallohet edhe për mendimet, parimet, shijet dhe qëndrimin ndaj gjërave, njerëzve, veprave e vështrimeve. Po ashtu, edhe çdo dijetar a studiues ka personalitetin e tij të pavarur, memorien dhe intelektin e veçantë. Kjo llojshmëri e dijetarëve prodhon dallime ndërmjet tyre në mendim, gjykim dhe qëndrim ndaj çështjeve në përgjithësi. Kjo është evidente edhe në sferën e hadithit, tefsirit, fikhut etj.. Llojshmëria e mendimeve fetare gjithmonë është e begatshme dhe frytdhënëse si dhe është një nga simbolet e Allahut, që vërteton Madhërinë, Fuqinë dhe Urtësinë e Tij."Nga argumentet e Tij është krijimi i qiejve e i Tokës, ndryshimi i gjuhëve tuaja dhe ngjyrave tuaja. Edhe në këto ka argumente për të diturit". (Er Rrum, 22)
Ata që dëshirojnë t`i bashkojnë dijetarët, studiuesit në një mendim për çështje të jurisprudencës islame, për kuptimin e ajeteve dhe haditheve dhe çështjeve të tjera dytësore në fe, duhet të dinë se po kërkojnë të pamundshmen, atë që nuk mund të ndodhë dhe se një tendencë e tillë edhe më shumë do ta zgjeronte rrethin e polemikave dhe kundërthënieve në mesin e dijetarëve. Sikur të kishte dashur, Allahu xh.sh. do ta kishte bërë fenë në atë formë që të mos ishte nevoja për studim dhe hulumtim (ixhtihad), po nuk ka bërë një gjë të tillë me qëllim që ta harmonizojë natyrën e njeriut, natyrën e gjuhës dhe universit në natyrën fetare. Feja islame është e përshtatshme për të gjitha kohët dhe, për këtë shkak, ajo është fleksibile dhe e butë, nuk është statike e as e vrazhdë. Nuk mund t`i bashkojmë idetë e mendimet e ndryshme në çështjet dytësore të fesë, për shkak se ekzistojnë dallime midis intelekteve gjatë procesit të induksionit në kuptimin e koncepteve, në lidhshmërinë e të vërtetave dhe në komentimin e ajeteve e haditheve brenda përkufizimeve gjuhësore e normative.
Transmeton Ibn Berri nga Jahja ibn Seidi: "Dhënësit e fetvave gjithmonë japin fetva, njëri lejon, tjetri ndalon. Ndaluesi nuk e sheh se lejuesi shkatërrohet nga lejuesi i tij, e as lejuesi nuk e sheh se ndaluesi shkatërrohet nga ndalimi i tij".(1)
Ixhtihadi është i lejuar, kurse ekzistimi i mendimeve të ndryshme është çështje e nevojshme. Sheriati nuk e privon nga shpërblimi atë që gabon, dhe kjo nënkupton mëshirën dhe lehtësimin. Kjo nuk do të thotë se të gjitha mendimet janë të sakta, sepse vetëm njëri prej tyre është i saktë, mirëpo të gjithë kanë mirënjohje dhe shpërblim. Pra, ekzistimi i mendimeve të ndryshme konsiderohet lehtësim dhe mëshirë. Burimi i mendimeve të ndryshme për një vendim a një çështje është prej kohës së ashabëve. Këtë mund të shohim edhe në dallimet ndërmjet Ebu Bekrit r.a. dhe Omerit r.a., të cilët kishin qëndrime të ndryshme lidhur me çështjen e robërve të Bedrit.
"Për asnjë Pejgamber nuk qe me vend të ketë robër derisa të ketë dërmuar me luftë (armikun) në tokë". (El Enfal, 67-69)
Në komentimin e këtij ajeti, Ibni Kethiri thekson të dy qëndrimet e tyre ndaj robërve të luftës. Omeri r.a. mbronte mendimin se ata duhej të vriteshin, kurse Ebu Bekri kishte mendim tjetër dhe propozonte të liroheshin me një kompensim. E Pejgamberi a.s. pranon propozimin e Ebu Bekrit. Një dallim i tillë në çështje të fikhut, mund të vërehet edhe në mes Abdull-llah ibn Omerit dhe Ibn Abbasit r.a.. Sipas Ibn Omerit, prekja e gruas e prish abdestin, kurse sipas Ibn Abbasit jo. Sipas Ibn Omerit, nga dispozitat e haxhit qëndrimi në Muhsab (vendi ku gjuhen gurët) konsiderohet sunet, kurse sipas Ibn Abbasit jo. Gjithashtu kishte dallime midis tyre edhe për Gurin e Zi, sepse Ibn Omeri shtyhej derisa ta prekte, kurse Ibn Abbasi e urrente shtyrjen duke thënë: "As nuk dëmton e as nuk dëmtohet".
Ibn Omeri i largonte fëmijët nga frika se mos ndotin, ndërsa Ibn Abbasi i afronte pranë vetes. Pastaj aty ndikon horizonti i gjerë i diturisë, ngase dikush arrin atë që s'e ka arritur tjetri. Maliku i tha Ebu Xhaferit: "Ashabët e Pejgamberit a.s. janë shpërndarë në vende (të ndryshme) dhe në çdo popull ka dituri, e në qoftë se i obligon me një vendim, lindin kundërthëniet (fitnet)". Gjithashtu, ndikon edhe fakti se mjediset janë të ndryshme. Këtu si shembull konkret kemi Imam Shafiun, i cili në Egjipt kishte mendime dhe fetva të tjera, që nuk u ngjasonin fetvave të tij të dhëna kohë më herët në Irak. Më pastaj ndikon edhe qetësia shpirtërore e pranimit të transmetimit, si p.sh. ai që pranon me bindje të plotë transmetimin nga ndonjë transmetues, nuk është i qetë për transmetimin e ndonjë transmetuesi tjetër. Po ashtu, ndikon edhe llojshmëria e qëndrimeve, si p.sh., dikush preferon veprat e njerëzve (ashabëve) më shumë se hadithet në rrugë të vetmuar (ahad), e dikush tjetër jo. Në mendimet kundërthënëse të fukahenjve ndikim të veçantë kishin edhe hadithet e Pejgamberit a.s., por vështruar nga kënde të ndryshme. Fukahenjtë nuk ishin unikë në kriteret e tyre rreth gjendjes se kur meriton të veprohet me hadithin. ata kishin dallime në të kuptuarit e hadithit. Po ashtu, kishin dallime në metodën e tyre rreth interpretimit të teksteve kundërshtuese të haditheve me njëri-tjetrin
Kur meriton hadithi të veprohet me të
Çdo hadith duhet të studiohet nga shumë kënde, në veçanti studiuesi duhet t'i bëjë një vështrim të qartë senedit të hadithit (zinxhirit të transmetuesve) dhe tekstit të tij. Është e domosdoshme për këdo që përcjell diçka nga Pejgamberi a.s., që ta tregojë burimin dhe nga kush i ka marrë ato informacione. Pastaj edhe burimi i dytë e ka për obligim të tregojë burimin e tij, domethënë se prej kujt e ka marrë informacionin. Në këtë mënyrë zinxhirohet studimi, kurse studiuesi në fund arrin në marrjen e informacionit në mënyrën më besnike nga Pejgamberi a.s..
Pavarësisht nga kushtet që kanë vendosur dijetarët dhe metodologjia që kanë ndjekur në verifikimin e haditheve, kundërthëniet në mes tyre nuk mungonin. Hadithologët, po dhe fukahenjtë, kishin kundërthënie për sa u përket kushteve për verifikimin e hadithit.
A kushtëzohet që hadithi të jetë i vërtetë (autentik) për të vepruar sipas tij
Si duhet të vërtetohet teksti i hadithit? Si duhet të konfirmohet drejtshkrimi i tekstit të hadithit në aspektin gjuhësor?
Bazuar në këto pika, shihet qartë se disa prej tyre ndërlidhen me senedin e disa me tekstin e hadithit.
Për sa u përket kundërthënieve për verifikimin e hadithit, shkurtimisht mund të themi se pjesa dërrmuese e dijetarëve kanë rënë në ujdi që kushtet e hadithit autentik janë pesë: senedi i ngjitur; vërtetimi i kriterit fetar të transmetuesit; vërtetimi i përpikërisë së tij; senedi dhe teksti të jenë të pastër nga mangësitë; senedi dhe teksti të mos kenë ndonjë akuzë që u humb imazhin.
Kur përmendim ngjitjen e senedit, duhet të themi se hadithologët midis tyre kanë pasur mospajtime në verifikimin e këtij kushti, dhe sidomos janë përqendruar në çështjen e takimit në mes transmetuesit dhe dijetarit të tij. Imam Buhariu kushtëzonte që takimi në mes tyre të ishte i verifikuar, qotë edhe vetëm një herë. Imam Muslimi dhe shumica e dijetarëve(2) pajtohen që takimi në mes tyre të ishte i mundshëm dhe jo i verifikuar.
Një karakteristikë tjetër është se polemikat dhe kundërthëniet lidhur me ngjitjen e senedit, kanë marrë përmasa edhe më të gjera, dhe janë përqendruar veçanërisht në hadithin mursel, që nënkupton transmetimin e Tabiiut nga Pejgamberi a.s. d.m.th. një transmetim jo i ngjitur. Mirëpo këtu shtrohet çështja nëse e dëmton ose jo ky transmetim jo i ngjitur hadithin dhe a ekziston mundësia që hadithi të nxirret jashtë kornizave të argumentimit.
Pjesa dërrmuese e hadithologëve mendojnë se HADITHI MURSEL është i dobët dhe me të nuk argumentohet. Në anën tjetër, pjesa dërrmuese e fukahenjve, në mesin e të cilëve Imamët Ebu Hanife, Maliku dhe Ahmedi, në një transmetim mendojnë se hadithi mursel nuk dëmton asgjë dhe tek ata është argument e me të meriton të (veprohet) dhe punohet.
Si ndërmjetësues në qëndrimin në mes dy mendimeve (palëve), është Imam Shafiu, i cili hadithin MURSEL e ka konsideruar të dobët me dobësi të lehtë. Prandaj mund të jetë argument nëse hadithi gëzon një nga këto katër përkrahje: (është) transmetim të ngjitur, transmetim mursel në një rrugë tjetër, përdorim nga disa ashabë në fetvatë e tyre, ose përdorim nga shumica e dijetarëve dhe marrja parasysh në mendimet e tyre.(3)
Bazuar në këto dilema, hadithi mursel është argument tek tre Imamët e fikhut. Gjithashtu është argument edhe te Shafiu, por me kusht që: të gëzojë një prej katër përkrahjeve. E nëse hadithi mursel nuk gëzon një prej katër përkrahjeve, ai është i kundërshtuar tek Shafiu ashtu siç kundërshtohej edhe nga hadithologët.
duhet të kihet parasysh se numri i haditheve mursel nuk është i paktë. Në një përmbledhje të koleksionit "Sherh ala usuli el bezdevij", Imam Ala`u, duke kundërshtuar ata që kundërshtojnë hadithin mursel, theksonte: "kundërshtimi i hadithit mursel nënkupton humbjen e një numri të shumtë sunetesh, ngase hadithet e tilla janë tubuar, janë koleksionuar dhe kanë arritur në pesëdhjetë vëllime". Dijetari El Kevtherij thotë: "Ai që e dobëson hadithin mursel, ka refuzuar gjysmën e syneteve që veprohen sipas tyre.(4)
Numri i haditheve mursel do të ishte dukshëm më i vogël nëse kemi parasysh grupin që kishte përkrahur Imam Shafiu, bazuar në kushtet e parashtruar nga vetë ai.
Për sa i përket kundërthënies së fukahenjve në lidhje me vërtetimin e kriterit të lartë fetar të transmetuesit, kjo është një fushë shumë e gjerë. Ata nuk u pajtuan se ç'lloj kriteri fetar kërkohet për t'u konfirmuar:
A mjafton që transmetuesi të jetë mysliman që nuk ka asnjë akuzë, për t'u gjykuar si kriter i lartë fetar?
A kushtëzohet që personalitetit të tij t`i bashkëngjitet konfirmimi i kriterit të lartë fetar nga dukja e jashtme dhe të mjaftohemi me kaq? Atëherë ky quhet "i panjohur për nga gjendja e tij e brendshme".
A kushtëzohet që domosdo të njihet gjendja e tij e jashtme dhe e brendshme? Gjithashtu, fukahenjtë nuk u pajtuan nëse mjafton ose jo për transmetuesin vlerësimi i një dijetari apo duhet të jetë nga dy dijetarë?
Vlen të ceket se, në kuadër të këtyre mospajtimeve, bëjnë pjesë kundërthëniet në çështjen se kush meriton të konsiderohet dijetar (kritik) me të drejtë akuzimi të kriterit fetar të transmetuesit. Sa e sa prej transmetuesve ishin akuzuar vetëm sepse ishin irakenë, sepse i takonin drejtimit logjik, sepse ishin përgjigjur që Kur`ani është krijuar në kohën kur situata politike ishte shumë e tendosur… Këto janë çështje të ndërlikuara dhe të rënda. Nuk mund t'i njohë e t'i arrijë kushdo. Lidhur me këto çështje mund të japë mendim, mund t'i vështrojë ose t`i sqarojë ato vetëm ai që i ka studiuar për një kohë të gjatë dhe është specializuar në atë drejtim.
Një transmetues të tillë një haditholog ose fekih e ka vlerësuar, e në anën tjetër, ka mundësi që një tjetër prej hadithologëve ose fukahenjve ta kishte akuzuar. Transmetuesit, për të cilët dijetarët janë në ujdi, qoftë për vlerësimin ose akuzën (dobësinë) e tyre, janë shumë më të paktë sesa transmetuesit rreth të cilëve dijetarët kanë kundërthënie.
Në kuadër të këtyre formave të kundërthënieve, ndikimi i të cilave lë gjurmë më të mëdha, mund të ceket edhe fakti që te një transmetues i kontestuar ka qindra hadithe. Kush anon nga vlerësimi i tij, ai njëherazi argumenton me ato hadithe në të gjitha dispozitat fetare dhe jetësore, e kush anon nga akuzimi i tij, ai njëherazi nuk argumenton me asnjë hadith të tij.
Kështu, pra, lindin kundërthëniet. dhe çdonjëri prej dijetarëve pretendon se ai argumenton me synet, pretendon se ai praktikon hadithet e Pejgamberit a.s. dhe në angazhimet e tij të fikhut dhe hadithit pretendon për metodologjinë e hadithologëve dhe rregullave të tyre. Është e pamundshme që ndonjëri prej nesh t'i hedhë poshtë këto fjalë.
Pra, në kushtet e hadithit autentik, ka kundërthënie. në këtë kontekst vlen të tërhiqet vëmendja rreth një kushtëzimi nga Imam Ebu Hanifja, që ndërlidhet me konfirmimin e përpikmërisë së transmetuesit:"transmetuesi hadithin e tij duhet ta mbaj në mend (ta dij përmendsh, ta memorizojë) që prej momentit të pranimit e deri në momentin e përcjelljes (dhënies) së tij, pa shkaktuar harresa ose ndonjë mangësi në të".5 ky kusht është i vështirë. këtë e kanë dëshmuar vetë transmetuesit me shpërqendrimin e tyre në memorizimin e haditheve. Ky kusht do të ndikonte që Ebu Hanifja të kishte kundërthënie me dijetarët e tjerë në dobësimin dhe verifikimin e disa haditheve.
A kushtëzohet që hadithi të jetë i vërtetë (autentik) për të vepruar me të?
Për t'iu përgjigjur kësaj pyetjeje, duhet të bëjnë një vështrim serioz rreth hadithit që për nga shkalla e tij nuk është autentik dhe as i mesëm (hasen).
Dijetarët janë unikë që hadithi që arrin gradën autentike ose të mesme-hasen, meriton të punohet dhe të argumentohet me të në dispozitat fetare.
Për sa i përket hadithit të dobët, pjesa dërrmuese e dijetarëve janë të mendimit se mund të veprohet me të në preferime dhe pëlqime, por në kuadër të kushteve të caktuara për të. Në përgjithësi, kjo është e qartë.
Por, disa dijetarë-fukahenj mendojnë se me hadithin dobët mund të veprohet edhe në dispozita të sheriatit- në lejime dhe ndalime - ku disa prej tyre i kanë dhënë përparësi ndaj analogjisë, e cila është një prej burimeve legjislative, të cilën pjesa dërrmuese e djetarëve kanë rënë në ujdi për ta mbështetur.
Veprimi me hadith të dobët është mendim i tre Imamëve të dalluar: Ebu Hanifes, Malikut dhe Ahmedit. Gjithashtu, ky është mendimi i një grupi hadithologësh, si: Ebu Davudi, Nesaiu, Ibn Ebi Hatimi. Mirëpo, në qoftëse plotëson dy kushte: të mos jetë shumë i dobët dhe për atë çështje të mos ketë hadith tjetër përveç tij. Ibn Herem el Hanefij thotë: "Veprat e pëlqyera mund të argumentohen me hadith të dobët, por jo me hadith të shpifur".(6)
Imam Neveviu (esh-shafiaij) thotë: "Disa dijetarë hadithologë dhe fukahenj kanë thënë:
"Lejohet dhe është e pëlqyeshme që në preferime, inkurajime (nxitje) kërcënime të veprohet me hadith të dobët, por që nuk është i shpifur. Ndërsa, për sa u përket dispozitave të lejimit, ndalimit, marrëveshjeve në shitblerje, kurorës, shkurorëzimit dhe disa të tjerave, nuk lejohet të veprohet përveçse me hadith autentik ose të mesëm -hasen".(7)
Edhe imam maliku ka vepruar me hadith të dobët. Këtë e kanë cekur shtyllat kryesore të dijetarëve të mëvonshëm të drejtimit maliki. Ata thonë: "Është bërë e ditur që Imam Maliku dhe ata që kanë ndjekur drejtimin e tij, kanë argumentuar me hadith mursel dhe çdo hadith mun'kati dhe mu`dal (hadithe të dobëta) ka qenë argument tek ata duke u mbështetur në besueshmërinë e murselit për nga domethënia e tij, që në bazë është e njëjtë me ata të dy (mun'kati dhe mu`dal)".(8)
Ibn En-Nexhar el Hanbelij thotë: "Ka thënë Imam Ahmedi: "Drejtimi im është të mos e kundërshtoj hadithin e dobët nëse në atë kapitull nuk ka (hadith) që e shtyn atë".(9)
Përkrahës i mendimit të imam ahmedit është edhe Ibn Hazmi, i cili cek thënien e Ahmedit: "Hadithi i dobët është më i dashur tek ne sesa mendimi (i njeriut)". Aliu tha: "(e ky është Ibn Hazmi) Edhe ne themi kështu".(10)
Vetë Imam Shafiu ka vepruar me hadith mursel kur nuk ka pasur tjetër në atë çështje, edhe pse ai është i mendimit se hadithi mursel është i dobët.(11)
Është edhe një mundësi tjetër për të vepruar me hadith të dobët. Kur vjen një hadith i cili ka dy kuptime të mundshme, kur nuk mund të avancohet njëri ndaj tjetrit, atëherë vjen hadithi i dobët dhe avancon njërin ndaj tjetrit".
Imam En-Neveviu thotë: "Avancimi me hadith mursel është i lejuar".(12) Megjithëkëtë, Neveviu është i mendimit se hadithi mursel është i dobët.
Bazuar në këto thënie, si dhe në polemikat e lartpërmendura, mund të konstatojmë se hadithi i dobët ka një pozicion, vlerë dhe konsideratë në mendimet e dijetarëve tanë eminentë të hershëm dhe të tanishëm, në kundërshtim me disa njerëz që sot hadithin e dobët e kanë mohuar krejtësisht dhe e kanë radhitur ndër hadithet e refuzuara a të shpifura (el mevdu`u).
- vijon -
___________________________
(1) Xhamiul bejanil-ilmi, v.2 f. 80.
(2) El mukaddime sahihu Muslim, v.1, f. 130.
(3) Er-risale li Shafiij, f. 462.
(4) Takdimetu nasbu rraje, v.1 f. 27.
(5) Sherh musned Ebi Hanife lil Karij, f. 3.
(6) Fe`hul kadir, v.1 f.417.
(7) El edhkar, f: 7-8.
(8) Neshrul Bunud ala Merakij es-su`ad, v. 2, f. 63.
(9) Sherh kevkebil munir, v.2, f. 573.
(10) El Mehala li ibn Hazmi, v. 4, f. 148.
(11) Fet`hul mugith li sehavij, v. 1, f. 80, 142.
(12) El mexhm`u, v. 1, f.100.
Dituria Islame 272