Historia e Ulumu’l-Kur’anit

Muhammed Ez-Zerkani

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, dhe as’habët (shokët) e tij, radiall-llahu anhum, kishin njohuri për Ulumu’l- Kur’anin (Shkencat e Kur’anit), bile më shumë se sa arritën njohuri dijetarët më vonë. Mirëpo, njohuritë e tyre nuk u zhvilluan në formë të shkencave të veçanta, as janë përgatitur punime e libra në këtë drejtim, pasi ata nuk kishin nevojë për vepra të shkruara dhe libra.
Kështu, sa i takon Pejgamberit, sal- lall-llahu alejhi ve sel-lem, ai pranonte shpalljen nga Allahu I Madhërishëm, nga mëshira e Tij, të cilën ia ka obliguar vetes së Tij dhe Ai i ka garantuar që atë, Librin, do t’ia ruajë në zemër dhe se gjuha e tij do ta lexojë atë rrjedhshëm dhe se çdo fshehtësi e fjalëve të tij do t‘I shpalohej. Ja, ta lexojmë këtë ajet së bashku: “Ti (Muhammed) mos e shqipto atë (Kur’anin) me gjuhën tënde për ta nxënë atë me të shpejtë! Sepse, Ne e kemi për detyrë tubimin dhe leximin e tij!” (El-Kijame: 16-17)
Pastaj, tërë këtë Pejgamberi, sal- lall-llahu alejhi ve sel-lem, ua kumtoi shokëve të tij dhe ua lexoi dalëngadalë, që sa më mirë të mund ta marrin kumtin e shpalljes, ta mësojnë përmendsh e ta kuptojnë fshehtësitë e saj (të shpalljes, Kur’anit). Përveç që Pejgamberi, sal-all-llahu alejhi ve sel-lem, që kumtoi shpalljen, ai e kishte për detyrë t’ua sqaronte atë shokëve të vet me fjalë, me vepër, me pëlqime dhe me moral; thënë ndryshe, me sunnet, ashtu siç thotë Allahu xh.sh.: “Ty ta zbritëm Kur’anin, që t’ua shpjegosh njerëzve atë që u është shpallur atyre, me shpresë se do ta studiojnë (Kur’anin).” (En-Nahl: 44)


Kuptimi dhe metafora papërsëritshme e gjuhës

Ndërsa as’habët, radiall-llahu anhum, në atë kohë ishin shumë të zhvilluar në aspektin e kuptimit të gjuhës së tyre të pastër arabe dhe krahas talentit dhe mprehtësisë së logjikës së tyre e të natyrshmërisë së njohjes së kuptimeve gjuhësore dhe metaforike të fjalëve, ata kuptuan nga Kur’ani domethënie të cilat ne sot nuk mund t’i kuptojmë, përkundër njohurive të llojllojshme që e karakterizojnë kohën tonë.
Përveç kësaj, në kohën e as’habëve mjetet e shkrimit ishin shumë pak të zhvilluara. Po kështu edhe Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ua ndaloi që të shkruajnë nga ai ndonjë send tjetër përpos tekstit të Kur’anit, nga frika që të mos përzihet Kur’ani me tekste të tjera. Ashtu siç transmeton Imam Muslimi në Sahihun e tij nga Ebu Seid El-Hudri: “Mos shkruani prej meje”. Po ashtu ka thënë: “Ai që ka shkruar diç përveç Kur’anit, le ta fshijë atë”. Gjithashtu, ka thënë pas një periudhe: “Shkruani (transmetoni) hadithet prej meje, se nuk ka të keqe”. Po ashtu ka thënë: “Kush gënjen mbi mua, le të përgatit vendin e tij në xhehenem.” Për këto shkaqe nuk u shkrua Ulumul-Kur’ani (Shkencat e Kur’anit), ashtu siç nuk u shkrua hadithi. Kështu vazhdoi të jetë gjendja e shkencave islame në kohën e dy kalifëve të parë, Ebu Bekrit dhe Omerit, radiall-llahu anhum, edhe pse as’habët nuk pushuan duke përhapur Islamin dhe mësimet e tij, Kur’anin dhe shkencat e tij, sunnetin dhe kuptimet e tij përmes përcjelljeve dhe shpjegimeve gojore, e jo me shkrim.


Periudha paraprirëse e themelimit të Ulumu’l-Kur’anit

Në kohën e Othmanit, radiall-llahu anhu, shteti islam u zgjerua shumë dhe në të u futën shumë popuj që nuk e njihnin gjuhën arabe, kështu që
Kur’ani filloi të lexohet gabimisht, saqë lindi frika se gjuha arabe në ndikimin e këtyre popujve do të dobësohet dhe do të rrezikohet leximi i drejtë i Kur’anit, gjë që do të nxiste trazira (fitne) dhe mosmarrëveshje në radhët e muslimanëve. Për këtë Othmani, radiall-llahu anhu, urdhëroi që të shkruhen dhe të bëhen kopje të Kur’anit bazuar në Kur’anin bazë, që u mblodh në kohën e Ebu Bekrit, radiall-llahu anhu, të dërgohen këto kopje në qendrat e mëdha dhe të digjen shkrimet tjera të Kur’anit.
Përmes një veprimi të këtillë Othmani, radiall-llahu anhu, i vë bazat e asaj që ne e njohim sot si shkencë të veçantë: “llmu Resmil-Kur’an” ose “lmu Resmi’l-Uthman”. Në kohën e Aliut, radiall-llahuanhu, gjuha arabe përzihet edhe më shumë me gjuhët e të huajve, kështu që vëreheshin keqpërdorime të fjalëve dhe të kuptimeve gjuhësore. Për këtë ai urdhëron Ebu’l-Esved Ed-Dueliun që të vërë disa rregulla për mbrojtjen e gjuhës së Kur’anit nga këto keqpërdorime dhe ia përpunoi atij projektin e ia caktoi metodën. Për këtë, Aliun, radiall-llahu anhu, mund ta quajmë themelvënës të parë të shkencës së gramatikës të cilën ne sot e quajmë sintaksë, llmu’l-I’rab. Pas kohës së Aliut, radiall-llahu anhu, vijnë emevitët dhe në kohën e tyre as’habët i përhapin Shkencat e Kur’anit përmes shpjegimeve gojore, por ende jo në formë të shkruar. Këto përpjekje të dijetarëve të as’habëve mund t’i quajmë si fazë paraprirëse të shkrimit dhe konstituimit të kësaj shkence. Duhet të cekim se në krye të këtyre as’habëve qëndronin: Ebu Bekri, Omeri, Othmani, Aliu, Ibn Abbasi, Ibn Mes’udi, Zejd ibn Thabiti, Ebu Musa EI-Eshari, si dhe Abdullah ibn Ez-Zubejr- i, ridvanull-llahu teala alejhim. Ndërkaq, në krye të tabi’inëve qëndronte: Muxhahidi, Atau, Ikrimeja, Katadeja, Hasan el-Basriu, Seid ibn Xhubejri dhe Zejd ibn Eslem, në Medine, nga i cili mori shkencat e Kur’anit i biri i tij Abdurrahmani dhe Malik ibn Enesi nga tabiinët. Këta dijetarë llogariten si themelues të bazave të shkencave që njihen si “Ilmut-Tefsir”, “llmu Esbabi’n- Nuzul”, “llmu Nasih ve’l- Mensuh”, “llmu Garibi’l-Kur’ani”, etj. (Fragment nga libri “Menahilu’l-‘Urfan fi ‘Ulumi’l-Kur’an).



Përktheu nga arabishtja:
Muin Sulejmani,
Hëna e Re


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Në Gjakovë u bë përurimi i dorëshkrimit “Sahihu i Buhariut” – kopja e Juninit (Video)