Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, priti sot në takim kryetarin e Komunitetit Mysliman Shqiptar të Zvicrës, Fehim ef. Abazin.
Me këtë rast, Myftiu Tërnava e uroi z. Abazi për marrjen e detyrës së re në krye të Komunitetit Mysliman Shqiptar të Zvicrës, duke i dëshiruar suksese dhe mbarësi në ushtrimin e përgjegjësive të tij në shërbim të besimtarëve dhe të komunitetit shqiptar në Zvicër.
Gjatë takimit, Myftiu Tërnava shprehu gatishmërinë e Bashkësisë Islame të Kosovës për të thelluar dhe zgjeruar bashkëpunimin me Komunitetin Mysliman Shqiptar të Zvicrës në fusha të ndryshme me interes të përbashkët, duke theksuar rëndësinë e forcimit të lidhjeve ndërmjet institucioneve islame shqiptare dhe koordinimit të aktiviteteve fetare, arsimore e kulturore.
Nga ana e tij, kryetari Fehim ef. Abazi falënderoi Myftiun Tërnava për pritjen dhe për urimet, duke vlerësuar rolin dhe kontributin e Bashkësisë Islame të Kosovës në ruajtjen dhe kultivimin e vlerave islame e kombëtare.