Departamenti i Gruas i KBIGJ-së organizoi tribunë dhe darkë të përbashkët për gratë mërgimtare

 


Departamenti i Gruas pranë Këshillit të Bashkësisë Islame të Gjakovës, organizoi një tribunë tematike dhe darkë të përbashkët në nderim të grave mërgimtare, duke ofruar një hapësirë të veçantë për dialog, shkëmbim përvojash dhe forcim të lidhjeve ndërmjet grave nga vendlindja dhe diaspora.
Gjatë këtij aktiviteti u trajtuan tema me rëndësi që lidhen me pozitën dhe rolin e gruas në shoqërinë bashkëkohore. Dr. Violeta Smajlaj ligjëroi në temën "Gratë në Kur'an - reflektime dhe mësime", duke trajtuar figurat e grave të përmendura në Kur'an dhe mësimet që burojnë nga jeta, roli dhe shembulli i tyre.
Ndërkaq, Edita Dobruna, aktiviste nga Belgjika, prezantoi temën "Gruaja në diasporë - sfidat, përvojat dhe ruajtja e identitetit", duke ndarë përvoja nga jeta dhe angazhimi i grave shqiptare në mërgatë, si dhe duke vënë në pah rëndësinë e ruajtjes së identitetit kombëtar, kulturor dhe fetar.
Po ashtu, psikologia Vlera Bokshi trajtoi temën "Shëndeti mendor i gruas në kohën moderne", duke theksuar rëndësinë e mirëqenies psikologjike dhe nevojën për kujdes të vazhdueshëm ndaj shëndetit mendor përballë sfidave të jetës së përditshme.
Aktiviteti shërbeu si një mundësi e vlefshme për reflektim, bashkëbisedim dhe shkëmbim përvojash, duke kontribuar në forcimin e lidhjeve ndërmjet grave nga vendi dhe diaspora.
Në përfundim, organizatorët shprehën mirënjohjen e tyre për ligjërueset për kontributin e dhënë, si dhe për të gjitha pjesëmarrëset që me praninë dhe angazhimin e tyre i dhanë vlerë kësaj veprimtarie.




Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Përurohet projekti i mobilimit të bibliotekës së Xhamisë “Sylejman Hadum Aga” në Gjakovë