Hyrje
Përderisa jam duke e shtjelluar tematikën e rukusë, është e udhës që të përmendën edhe disa tematika që kanë të bëjnë me të. Për të mos e stërzgjatur shumë, do të flas për tematikën e arritjes së namazfalësit gjersa imami është në ruku. Pra, ka të bëjë me vonesën e tij në namaz dhe deri kur mund ta arrijë rekatin i vonuari në namaz. A arrihet rekati kur i vonuari lidhet në namaz, gjersa imami është në ruku? Për këtë tematikë do të flas në vijim, me emrin e Allahut.
Arritja në namaz kur imami është në ruku
Ndodh që dikush të vonohet për namaz, dhe kur ai hyn në xhami e sheh se imami veç ia ka filluar namazit. Ai i bashkëngjitet namazit të imamit, pa marrë para sysh a është imami në këmbë (kijam), ruku, sexhde apo edhe në ulje. Nuk është fare problematike bashkëngjitja në namazin me imam, mirëpo kjo çështje fillon të bëhet problematike atëherë kur në shesh na dalin dy gjëra, e para kur i vonuari lidhet në namaz, pasi imami është ngrit nga rukuja, dhe e dyta kur i vonuari është lidh në namaz pas imamit, pasi ka kaluar rekati i parë. Sa i përket çështjes së parë kur namazfalësi i është bashkëngjitur namazit me imam kur ky i fundit është ngritur nga rukuja, atëherë për të faktikisht është humbur rekati i parë, ndonëse ai ka zënë pjesë të rekatit të parë. Ajo që është e njohur tek juristët myslimanë është fakti se arritja e rekatit mund të jetë e vlefshme deri sa imami ndodhet në ruku, në momentin kur imami ngritët nga rukuja, faktikisht më nuk llogaritet se ai ka zënë atë rekat. Autori i"Binajes" koment librit të "Hidajes", në lidhje me këtë çështje, thotë: "Ai që e arrin imamin në ruku, e arrin rekatin, për dallim nga ngritja e tij (imamit) prej rukusë". Sepse në rast të ngritjes së imamit nga rukuja, atëherë ai që bashkëngjitet në namaz, nuk e ka arritur rekatin. Që në momentin kur imami fillon të ngritët nga rukuja dhe i vonuari është lidhur në namaz, faktikisht ai nuk e ka arritur këtë rekat. Kështu raportohet edhe nga Ibën Omeri dhe Zejd ibën Thabiti.(1)
Në "Mevsuatu-l fikhijeh el-kuvejtije" në lidhje me këtë çështje në formë të konkluzës së përgjithshme mes shkollave juridike, thuhet: "Dijetarët kanë rënë dakord,(2) se ai i cili e arrin imamin në ruku, llogaritet se e ka arritur rekatin. Ngase atij nuk i ka humbur diç tjetër, pos kijamit (qëndrimit në këmbë), e atë e arrin apo e plotëson me tekbirin fillestar. Ai duhet ta shpreh (shqipton) tekbirin gjersa është plotësisht në këmbë, e jo duke u përulur në ruku, ngase nëse e shpreh tekbirin në ruku, atëherë llogaritet se e ka shprehur atë jo në vendin adekuat (të kërkuar)."(3)
Tekbiri fillestar (tekbiretul iftitah) paraqet hyrjen direkte në namaz dhe përcakton se pa të namazi juridikisht është i pavlefshëm.(4) Ngase rekatet e humbura, mund të kompensohen, por jo edhe tekbiri. Andaj, kudo që namazfalësi ta arrijë imamin në namaz, ai së pari shqipton tekbirin fillestar për të hyrë në namaz, sepse me të fillon namazi.(5) Juristi i mirënjohur Ibrahim Nehaiu qartë ishte shprehur: "Kushdo që nuk shqipton tekbirin kur fillon namazin, ai nuk është në namaz."(6)
Sa i përket çështjes së dytë kur i vonuari është lidh në namaz pas imamit, pasi ka kaluar rekati i parë, atëherë ai në fund të namazit duhet ta plotësojë pjesën e humbur, gjegjësisht ta fal rekatin të cilin nuk e ka arritur. Realiteti dhe praktika në lidhje me këtë çështje janë indikacionet më të qarta se një pjesë e namaz falësve nuk e arrijnë fare rekatin e parë, mirëpo në fund namazin e mbarojnë me dhënien selam, bashkërisht me imamin, pa plotësuar fare rekatin që nuk e kanë arritur. Po flasim për një grup, jo për të gjithë namazfalësit, e ky grup mosplotësimin e rekatit të humbur ose e lë nga padituria që nuk kanë informata se duhet të plotësohet dhe mënyra e plotësimit, ose e lë nga turpi që të tjerët të mos e kuptojnë se ai është vonuar dhe nuk e ka zënë rekatin. Fatkeqësisht të dy grupet janë evidente nëpër xhamitë tona, ndonëse jo në masë të madhe.
Në rast të arritjes së imamit në ruku, atëherë për të bie leximi i obliguar i një pjese të Kuranit,(7) për shkak se ajo veç ka kaluar. Ata që tentojnë të bëjnë paralele mes shqiptimit të tekbirit dhe leximit të Kuranit, duke pandehur se nëse bie leximi i Kuranit, përse të mos bie edhe shqiptimi i tekbirit, ngase arritja e rekatit është diçka emergjente. Faktikisht një paralele e tillë është një premisë e gabuar dhe bëhet në rrafshin jo të qëlluar, sepse dihet fare mirë opinioni i hanefitëve rreth leximit të imamit, që leximi i imamit mjafton për xhematin, gjegjësisht për ata që falen pas tij. E këtu duhet shtruar pyetjen: "Çfarë të themi për ata që mendojnë se nuk mjafton leximi i imamit për ata që falen pas tij?" Nëse nuk mjafton leximi i imamit, atëherë është e domosdoshme që individualisht të lexon një pjesë të caktuar.
E nëse kundërshtarët thonë se nëse bie leximi i Kuranit, për shkak se leximi i imamit mjafton për të tjerët, çfarë të themi për qëndrimin në këmbë (kijamin) që është humbur, po ashtu? Në shikim të parë, çështja mund të duket e tillë, por nëse analizohen gjërat pak më në detaje, atëherë çështja del pak më ndryshe. Me shqiptimin e tekbirit, për të cilin, një pjesë e juristëve të njohur e shohin si të nevojshëm, praktikisht arrihet edhe kijami, sepse tekbiri bëhet në pozitën e kijamit, gjersa leximi i Kuranit është i domosdoshëm nga ima mi. Gjithashtu edhe nga ngritja prej rukusë ka gjasa që të arrihet edhe kijami.
Argumentet për arritjen e rekatit në ruku
Në këtë çështje zakonisht ka ethere nga sahabët, të cilët me opinionet e tyre tregojnë se ai që e zë imamin në ruku, veç e ka zënë rekatin. Ndërsa sa i përket haditheve që flasin për këtë tematikë, mendoj që ato janë të dobëta, por që ekziston mundësia që hadithet e tilla të forcohen në bazë të veprimeve të sahabëve, e që janë të shumta në këtë çështje, ku disa prej tyre do t'i sjell këtu:
Hadithi për të cilin sinjalizuam sipër përcillet nga Ebu Hurejre: "Na ka informuar Isa ibën Ibrahim el Gafikij, na ka treguar Ibën Vehbi nga Jahja ibën Humejdi, ky nga Kurrete ibën Abdurrahman, ky nga Ibën Shihabi i cili ka thënë: "Më ka informuar Ebu Selemeh ibën Abdurrahmani nga Ebu Hurejre se i Dërguari i Allahut ka thënë: "Kush e arrin një rekat nga namazi, veç e ka arritur atë (namazin) para se imami ta ngritë shpinën (nga rukuja)."(8)
Ndonëse hadithi ka gjasa të jetë i dobët për shkak të transmetuesit Kurrete ibën Abdurrahmanit, i cili është i dobët. Albani thotë se hadithi është i dobët, por ka rrugë tjera transmetimi që mund të përforcohet,(9) sikurse që ky hadith dhe hadithet e kësaj natyre të përforcohen me transmetimet e ndryshme të sahabëve, të cilat i sjellim në vijim:
Transmetimi nga Abdullah ibën Mesudi
"Na ka treguar Ebu Zekerija ibën ebi Is'hak el Muzekki nga Ahmed ibën Sulejman el Fekih, ky nga El Hasen ibën Mukrim, ky nga Ali ibën Asum, ky nga Halid el Hadhdha, ky nga Ali ibën el Akmer, ky nga Ebul Ahves, e ky nga Abdullah ibën Mesudi, i cili ka thënë: "Ai i cili nuk e arrin imamin gjersa është në ruku, ai nuk e ka arritur atë rekat."(10)
"Na ka treguar Ebu Nasër ibën Katadeh, na ka lajmëruar Ebul Fadl ibën Hamirevejhi, nga Ahmed ibën Nexhdeh, ky nga Seid ibën Mensuri, ky nga Ebul Ahvesi, ky nga Mensuri, e ky nga Zejd ibën Vehbi, i cili thotë: "Dola me Abdullah ibën Mesudin nga shtëpia e tij për në xhami. Kur hymë në xhami, imami shkoi në ruku, e Abdullahu shqiptoi tekbirin dhe shkoi në ruku, gjithashtu edhe unë shkova në ruku. Ecëm gjersa ishim në ruku për ta arritur safin gjersa namazfalësit ngritën kokat e tyre. Kur imami mbaroi namazin e tij, unë u ngrita sepse mendova që nuk e kam zënë rekatin, por Abdullahu më kapi për dore dhe më uli, e më pas më tha: "Ti e ke zënë rekatin."(11)
Ky tregim hadith është indikacioni më i qartë se tekbiri fillestar shqiptohet edhe gjatë arritjes në namaz kur imami është në ruku. Gjithashtu tregon se ecja në saf për ta plotësuar atë është e lejuar, mirëpo jo më tepër se tre hapa.
Transmetimi i radhës është i Abdullah ibën Omerit: "Na ka treguar Ebu Bekri i cili ka thënë: "Na ka treguar Hafsa nga Ibën Xhurejxhi, ky nga Nafiu, e ky nga Ibën Omeri, i cili thotë: "Po arrite (në namaz), e ima mi është në ruku, e ti vendose duart në gjunjët tu para se imami ta ngrit kokën e tij, veç e ke arritur rekatin."(12)
Gjithashtu nga Abdullah ibën Omeri kemi një transmetim tjetër që vjen i shoqëruar me Zejd ibën Thabitin: "Na ka treguar Maliku se Abdullah ibën Omeri dhe Zejd ibën Thabiti kanë thënë: "Ai i cili e arrin rekatin para se imami ta ngrit kokën (nga rukuja), veç e ka arritur sexhden (rekatin)."(13)
Këtë hadith e transmeton edhe Bejhekiu në kolek sionin e tij dhe kjo është forma e ardhur:
"Na ka treguar Ebu Bekër ibën el Harith el Fekihu nga Ebu Muhamed ibën Hajjani, ky nga Ibrahim ibën Muhamed ibën el Haseni, ky nga Ebu Amir Musa ibën Amir, ky nga Velid ibën Muslimi, të cilin e kishte informuar Maliku, nga Ibën Xhurejxhi, ky nga Nafiu, e ky nga Ibën Omeri, i cili ka thënë: "Kush e arrin imamin në ruku, e bën ruku para se imami ta ngrit kokën e tij, atëherë veç e ka arritur atë rekat."(14)
Gjithashtu ka transmetime tjera të kësaj natyre, si nga sahabiu Zejd ibën Thabiti, Abdullah ibën Zubejri dhe të tjerët, që me fjalë tjera këto transmetime e (për)forcojnë hadithin e parë dhe lirisht mund të themi se mund të përdoren si argument.
Përfundim
Në vend të përfundimit mund të themi se ai që e arrin imamin në ruku, faktikisht e ka arritur edhe atë rekat, përkundër disa dijetarëve që e mendojnë të kundërtën, ndonëse numri i tyre është simbolik dhe nuk shquhen si juristë me nam.
_________________________________________
(1) Bedrudin el Ajni, El Binajetu Sherhil Hidajeh, v.II, f.226.
(2) Ka disa dijetarë që mendojnë se arritja në namaz gjatë kohës kur imami ndodhet në ruku nuk konsiderohet arritje e rekatit, ngase është humbur kijami dhe leximi i Kuranit që është pjesë përbërëse (rukn) e namazit. Të këtij mendimi janë Buhariu, Ibën Huzejme, disa nga dhahiritë, Subkiu, Irakiu, Sanani dhe Shevkani. Bazohen në hadithet në vijim: 1) Hadithi i transmet uar nga Ebu Hurejre i cili është në koleksionin e Buhariut: "Na ka treguar Ademi dhe ka thënë: "Na ka treguar Ibën ebi Dhibi nga Zuhriu, ky nga Seid ibën Musejjebi e ky nga Ebu Hurejre se i Dërguari i Allahut ka thënë: "Kur ta dëgjoni ikametin, atëherë shkoni në namaz të qetë e dinjitetshëm (të heshtur, të përulur dhe pa kthyer kokën anash) e mos nxitoni. Atë që e arrini faleni, e ajo që iu kalon, plotësojeni." Buhariu në Sahih, nr. 636. Sipas tyre, hadithi tregon për obligueshmërinë e plotësimit të asaj që ka kaluar (humbur) nga namazi, e praktikisht ai që e ka arritur imamin në ruku, i ka kaluar qëndrimi në këmbë (kijami), andaj obligohet të plotësojë atë që nuk e ka arritur. 2) Hadithi i trans metuar nga Imran ibën Husajni është po ashtu në koleksionin e Buhariut: "Na ka treguar Abdani nga Abdullahi, ky nga Ibrahim ibën Tahman, ky nga El Husejn el Muktib, ky nga Ibën Burejdeh, e ky nga Imran ibën Husajni i cili thotë: "Vuaja nga hemorroi det, ndaj e pyeta të Dërguarin e Allahut për (faljen) namazin, e ai më tha: "Falu në këmbë, e nëse nuk mundesh ashtu atëherë falu ulur. Nëse s'mundesh ulur, atëherë falu në krah." Buhar iu në Sahih, nr. 1117. Qëndrimi në këmbë i njohur si El kijam është prej rukneve të namazit, e atij që i kalon kijami, obligo het ta përsërisë atë.
3) Hadithi vijues është ai që transmetohet nga Ubadeh ibën Samiti: "Na ka treguar Alij ibën Abdullah që thotë: "Na ka treguar Sufjani dhe thotë: "Na ka treguar Zuhriu nga Mahmud ibën Rrebi', e ky nga Ubadeh ibën Samit se i Dër guari i Allahut kishte thënë: "Nuk ka namaz për atë që nuk e lexon fatihanë." Buhariu në Sahih, nr.756; Muslim në Sahih, nr. 34 (394); Ebu Davudi në Sunen, nr. 822; Tirmidhiu në Sunen, nr. 247 dhe të tjerët. Hadithi sinjalizon për obligueshmërinë e lexim it të "Fatihasë" dhe ai që e ka zënë imamin gjersa ishte në ruku, praktikisht nuk e ka lexuar fatihanë, ndaj obligohet ta plotësojë atë. Sidoqoftë, këto dhe argumentet tjera që mbështetën këta pak dijetarë që më tepër i përkasin sferës së hadithit, mund të ko mentohen edhe ndryshe dhe praktikisht mendimi tjetër, për të cilin fukahatë thonë se është çështje e dakorduar, është mendim i përzgjedhur, më i argumentuar dhe më bindës. (3) Vizaretul Evkaf vesh shuun el-Islamijetu, El-Mevsuatu-l Fikhijetu el-Ku vejtijetu, v.XXIII, f.133.
(4) Kasani, Bedaiu-s Sanaiu, v.I, f. 592; Serhasij, El-Mebsut, v.I, f.15.
(5) Ahmed ibën Ismail Et-Tahtavi, Hashijetu ale-l Meraki-l Felah, f. 145.
(6) Muhamed ibën el Hasen esh Shejbani, Kitabu-l Athar, f.98. Ebu Jusuf, Kitabu-lAthar, f.21. Me përjashtim të atij që shqipton tekbirin gjatë rukusë për shkak të vonimit të namazit, për të nxënë rekatin kur imami veç ka shkuar në ruku.
(7) Ebu Bekër err Rrazi el Xhessas, Sherh Muht esar et-Tahavij, v.I, f.669.
(8) Ibën Huzejme në Sahih, nr.1595; Be jhekiu në Sunen el Kubra, nr.2575; Darekutni në Sunen, nr.1313.
(9) Shih Irvau-l Galil, v.II, f.262. Po ashtu shih njërin prej trans metimeve që mund të përforcohet ky hadith: "Kush e arrin një rekat nga namazi, veç e ka arritur namazin." Ebu Davudi në Sunen, nr. 1121. Albani në Irvau-l Galil (II/262-264) thotë: "Ajo që mund ta përforcojë hadithin është praktika e vazhdueshme e një grupi të madh të sahabëve, si nga Ibën Mesudi, Abdullah ibën Omeri, Zejd ibën Thabiti, Abdullah ibën Zubejri, Othman ibën Esvedi, Ebu Bekër Sidiku."
(10) Bejhekiu në Sunen el Kubra, nr.2578. Hadithi transmetohet përmes dy rrugëve, që të dyja nga Ebul Ahvesi. Albani thotë se senedi i hadithit është autentik. Al bani, Irvau-l Galil, v.II, f.262.
(11) Bejhekiu në Sunen el Kubra, nr.2587; Bejhekiu në Ma'rifetus Sunen vel Athar, nr.3458. Albani në Irvau-l Galil (v.II, f.263) thotë: "Senedi i hadithit është auten tik dhe në koleksionin e Taberanit transmetohet përmes rrugëve tjera."
(12) Ibën ebi Shejbe në Musannef, nr. 2520. Albani thotë se senedi i hadithit është autentik. Shih Irvau-l Galil, v.II, f.263.
(13) Bejhekiu në Sunen el Kubra, nr.2582.
(14) Bejhekiu në Sunen el Kubra, nr.2580. Senedi i hadithit është autentik.
Dituria Islame 315