Lidhjet vëllazërore ndërmjet shqiptarëve dhe boshnjakëve!

-I-


Lidhjet ndërmjet shqiptarëve dhe boshnjakëve përfaqësojnë një nga marrëdhëniet më të rëndësishme ndëretnike në Ballkan, të ndërtuara mbi historinë e përbashkët, përkatësinë fetare dhe përvojat e ngjashme historike. Këto lidhje nuk janë vetëm historike apo politike, por kanë një bazë të thellë edhe në fenë tonë, sepse Allahu i Lartësuar në Kuran thotë: "Vërtet, besimtarët janë vëllezër…" (El-Huxhurat, 10).


Para shpërbërjes së Jugosllavisë, shqiptarët dhe boshnjakët jetonin brenda të njëjtit sistem shtetëror, duke ndarë të njëjtin realitet politik dhe shoqëror. Edhe pse shpesh ishin të distancuar gjeografikisht, ata i lidhte identiteti i rëndësishëm fetar si myslimanë, gjë që krijonte ndjenjën e afërsisë dhe mirëkuptimit të ndërsjellë.


Gjatë kësaj periudhe, lidhjet ndërmjet tyre u shfaqën përmes formave të ndryshme të bashkëpunimit kulturor, arsimor dhe fetar. Studentë shqiptarë studionin në universitetet e Bosnjë e Hercegovinës, veçanërisht në Sarajevë, ndërsa studentë boshnjakë studionin në Universitetin e Prishtinës. Në këtë mënyrë, intelektualët e të dyja palëve patën ndikim të madh si në Bosnjë e Hercegovinë, ashtu edhe në Kosovë. Institucionet islame, medresetë dhe fakultetet, luajtën një rol të rëndësishëm në ruajtjen e kontakteve ndërmjet këtyre dy popujve vëllazërorë.


Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se në kuadër të sistemit jugosllav, identitetet fetare shpesh shtypeshin ose margjinalizoheshin në favor të identitetit socialist. Përkundër kësaj, ndjenja e përkatësisë islame mbeti një faktor i rëndësishëm që i bashkonte shqiptarët dhe boshnjakët, duke krijuar një bazë të fuqishme për solidaritetin e ndërsjellë në periudhat e mëvonshme.


-II-


Lufta në Bosnjë e Hercegovinë (1992-1995) dhe lufta në Kosovë (1998-1999) përfaqësojnë periudhat më të vështira, por njëkohësisht edhe më të rëndësishme për forcimin e lidhjeve ndërmjet shqiptarëve dhe boshnjakëve.


Gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë, shumë shqiptarë shprehën solidaritet me popullin boshnjak. Kjo u shfaq në forma të ndryshme mbështetjeje, duke filluar nga angazhimi në vijat e frontit, pastaj përmes ndihmës humanitare, angazhimit të individëve në ndihmë të refugjatëve dhe ngritjes së vetëdijes ndërkombëtare për situatën në Bosnjë e Hercegovinë. Nga ana tjetër, përvoja e boshnjakëve gjatë kësaj lufte shërbeu si një paralajmërim për shqiptarët në Kosovë lidhur me rreziqet e mundshme.


Kur shpërtheu lufta në Kosovë, edhe boshnjakët treguan solidaritet të thellë me shqiptarët. Shumë qytetarë të Bosnjë e Hercegovinës, pavarësisht traumave të freskëta të luftës, ofruan mbështetje morale dhe humanitare për refugjatët kosovarë. Përvoja e përbashkët e vuajtjes, spastrimit etnik dhe luftës për mbijetesë krijoi një ndjenjë të fuqishme empatie dhe lidhjeje ndërmjet këtyre dy popujve.


Një rol të rëndësishëm gjatë kësaj periudhe patën edhe organizatat humanitare dhe institucionet islame, të cilat ishin thelbësore në ofrimin e ndihmës dhe ruajtjen e moralit të popullsisë.


Në përputhje me këtë janë edhe fjalët e Muhamedit a.s, i cili ka thënë: "Shembulli i besimtarit në dashurinë, mëshirën dhe dhembshurinë e ndërsjellë është si shembulli i një trupi të vetëm: kur një pjesë e tij sëmuret, i gjithë trupi i përgjigjet me pagjumësi dhe ethe." (Buhariu dhe Muslimi)


-III-


Pas përfundimit të luftërave, lidhjet ndërmjet myslimanëve shqiptarë dhe boshnjakë jo vetëm që vazhduan, por edhe u institucionalizuan dhe u forcuan më tej përmes formave të reja të bashkëpunimit, në përputhje me ajetin kuranor, në të cilin Zoti i Lartësuar na obligon dhe thotë: "Dhe të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut dhe mos u përçani!" (Ali Imran, 103).


Litari i Allahut, të cilit i referohet ky ajet, është feja jonë e bukur - Islami, Kur'ani dhe Szneti i Pejgamberit tonë të dashur, Muhamedit a.s.


Bashkëpunimi është zgjeruar në fusha të ndryshme, si: arsimi, kultura, feja dhe politika. Mbi të gjitha, këto marrëdhënie të mira janë fryt i bashkëpunimit të shkëlqyer dhe i Memorandumit të nënshkruar për bashkëpunim ndërmjet bashkësive islame të të dyja shteteve. Rijaseti i Bashkësisë Islame në Bosnjë e Hercegovinë dhe Bashkësia Islame e Kosovës mbajnë rregullisht kontakte përmes projekteve të përbashkëta, seminareve vjetore për imamë, shkëmbimit të përvojave në fushën e arsimit fetar, dërgimit të seir-vaizëve nga ana e Rijasetit të Bashkësisë Islame në Bosnjë e Hercegovinë në vendbanimet ku jetojnë boshnjakë në Kosovë, si dhe përmes promovimit të librave të botuar dhe të përkthyer në gjuhën shqipe. Ndër këta libra është edhe libri i imamit dhe autorit Mevludin Hrnjiq, "Dëshmitari i gjenocidit të Srebrenicës", të cilin personalisht e kam përkthyer. Gjithashtu, në gjuhën shqipe është përkthyer dhe botuar edhe libri i autorit mr. Asmir-ef. Salihoviq, "Statusi i tjetrit në Islam", si dhe përkthimi i romanit "Njeriu i njëjti", të akademikut prof. emeritus Enes Kariq. Për dy tituj të fundit, planifikohet të organizohen edhe promovime në Prishtinë. E gjithë kjo është rezultat i bashkëpunimit të mirë ndërmjet Bashkësive Islame, përkatësisht Rijasetit të Bashkësisë Islame në Bosnjë e Hercegovinë dhe Bashkësisë Islame të Kosovës.


Gjithashtu, me rëndësi të veçantë kanë qenë vizitat e ndërsjella të krerëve të bashkësive islame, përkatësisht vizita e Reis-ul-ulemës së Rijasetit të Bashkësisë Islame të Bosnjë e Hercegovinës, dr. Husein-ef. Kavazoviqit, në Republikën e Kosovës, si dhe vizita e Myftiut të Republikës së Kosovës, mr. Naim-ef. Tërnavës, në Sarajevë dhe Potoçari.


Një rol të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve institucionale ka Fakulteti i Shkencave Islame në Sarajevë, i cili prej dekadash edukon dhe arsimon studentë nga pjesë të ndryshme të Ballkanit, përfshirë edhe studentë nga Kosova, ndër të cilët kam qenë edhe unë, duke përfunduar studimet themelore, masterin dhe studimet e doktoratës. Ky institucion kontribuon në krijimin e një hapësire të përbashkët intelektuale dhe në forcimin e lidhjeve fetare dhe kulturore.


Në këtë drejtim, fryt kanë dhënë edhe vizitat e delegacioneve të Fakultetit të Shkencave Islame në Sarajevë, të kryesuar nga dekani prof. dr. Mustafa Hasani, në Bashkësinë Islame të Kosovës dhe Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë, si dhe vizita e delegacionit të Bashkësisë Islame të Kosovës në Fakultetin e Shkencave Islame në Sarajevë.


Në planin politik, bashkëpunimi ndërmjet përfaqësuesve të shqiptarëve dhe boshnjakëve është zhvilluar përmes kontakteve bilaterale dhe iniciativave rajonale. Në këtë kontekst, është e rëndësishme të theksohet edhe vizita e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurtit, në Sarajevë, si dhe heqja e regjimit të vizave për qytetarët e Bosnjë e Hercegovinës.


Përvojat e përbashkëta të luftës dhe rindërtimit kanë kontribuar në krijimin e një ndjenje të fuqishme solidariteti dhe mirëkuptimi të ndërsjellë. Kujtesa kolektive për vuajtjet dhe sfidat e së kaluarës vazhdon të jetë një faktor i rëndësishëm që i lidh këta dy popuj.


Në këtë kontekst, në Kosovë - në Prizren dhe Prishtinë - qytetarë të përkatësisë boshnjake dhe shqiptare tash e disa vite mblidhen më 11 korrik, në shenjë kujtimi për shehidët e Srebrenicës.


Gjithashtu, si shenjë e kujtesës kolektive, më 7 maj të këtij viti në Sarajevë u hap një ekspozitë me fotografi të xhamive të shkatërruara gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë, si rezultat i bashkëpunimit të shkëlqyeshëm të një ekipi të përbashkët dhe të përkushtuar të Rijasetit të Bashkësisë Islame në Bosnjë e Hercegovinë dhe Bashkësisë Islame të Kosovës. Kjo ekspozitë fillimisht u organizua në Prishtinë dhe më pas u ekspozua në të gjitha qytetet më të mëdha të Kosovës.


-IV-


Lidhjet ndërmjet myslimanëve shqiptarë dhe boshnjakë janë rezultat i një historie të gjatë të përbashkët, e cila është forcuar veçanërisht gjatë periudhave të vështira. Nga jeta e përbashkët në kuadër të Jugosllavisë, përmes solidaritetit gjatë luftërave, e deri te bashkëpunimi në periudhën e pasluftës, këto lidhje kanë dëshmuar qëndrueshmërinë dhe vlerën e tyre të veçantë.


Sot, ato përfaqësojnë një bazë të fortë për bashkëpunim të mëtejshëm dhe ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme në rajon, duke shërbyer si shembull i solidaritetit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë ndërmjet popujve që ndajnë vlera dhe histori të përbashkëta.


Pavarësisht gjuhëve të ndryshme dhe veçorive kombëtare, shqiptarët dhe boshnjakët kanë dëshmuar shumë herë se mund të jetojnë në miqësi, të ndihmojnë njëri-tjetrin dhe të ndërtojnë një të ardhme të përbashkët. Marrëdhëniet e tyre të mira janë shembull se dallimet nuk mund dhe nuk duhet të jenë pengesë, por mund të jenë një urë që i lidh ata edhe më fuqishëm.


Prandaj, është e rëndësishme ta ruajmë dhe ta kultivojmë miqësinë ndërmjet shqiptarëve dhe boshnjakëve, t'ua përcjellim atë gjeneratave të reja dhe të ndërtojmë marrëdhënie të bazuara në respekt, besim, bashkëpunim dhe mirëkuptim të ndërsjellë.


Në asnjë mënyrë nuk duhet të lejojmë që dikush t'i prishë këto marrëdhënie tona të mira. Të mos i lejojmë dhe japim hapësirë askujt që të manipulojë me ne, sepse pasojat do të jenë jo të mira për të dyja palët!


Ta respektojmë njëri-tjetrin, ta respektojmë hierarkinë politiko-shoqërore dhe institucionale fetare dhe ta forcojmë veten në këto kohë të trazuara.