Pejgamberi i udhëzimit dhe i dritës për të gjithë njerëzimin


Ditën që lindi Muhamedi a.s., e gjithë bota u mbush me dritë, udhëzim dhe dituri, sepse atë ditë lindi Pejgamberi i udhëzimit dhe i dritës për të gjithë njerëzimin. Melaqet nxituan në turmë për ta përshëndetur dhe horizonti u mbush me shenja gëzimi për ardhjen e tij.
Lindja e tij u bekua me Nderimin Hyjnor dhe u mbikëqyr nga Profania e Shenjtë. Pas lindjes së tij a.s., Allahu xh.sh. shfaqi shumë çudira dhe mrekulli, si paralajmërim për pejgamberinë e tij, si një shenjë për rangun e tij të jashtëzakonshëm dhe si një tregues se ai a.s., mbante një status të lartësuar.
Një manifestim i kësaj ishte drita që shkëlqeu në momentin e lindjes së tij a.s., një dritë që ndriçoi pallatet e Lindjes së Afërme. Shfaqja e kësaj drite në momentin e lindjes së tij a.s. ishte një shenjë e asaj që do të vinte më vonë; drita që do të udhëhiqte botën dhe do t'i jepte fund errësirës së mosbesimit, drita e madhështisë së tij që do të ndriçonte hori zontin e jetës njerëzore.
Allahu e zgjodhi Muhamedin a.s. prej fiseve më të ndershme dhe familjeve më të mira. I Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: "Xhibrili më tha: "E kontrollova tokën nga Lindja në Perëndim dhe nuk gjeta njeri më të mirë sesa Muhamedi a.s.; dhe e kontrollova tokën nga Lindja në Perëndim dhe nuk gjeta farefis më të mirë sesa bijtë e Hashimit."(1)
Po ashtu ai a.s. ka thënë: "Unë jam Mu hamedi, i biri i Abdullahut, i biri i Abdul Mutta libit. Allahu i krijoi të gjitha krijesat dhe më nxori nga krijesat më të mira të Tij; Ai i bëri ato në dy degë dhe më bëri mua nga dega më e mirë; Ai i krijoi fiset dhe më nxori mua nga fisi më i mirë. Unë kam dalë nga lidhjet e martesës dhe jo nga lidhjet e jashtëligjshme, që nga Ademi e deri te babai dhe nëna ime. Unë jam më i miri nga ju si person dhe më i miri nga ju për nga prejardhja."(2)
Kjo krijesë, më e pastra dhe më fisnikja e qenieve njerëzore, shpalosi cilësi të veçanta qysh në fëmijërinë e njomë. Ai ishte një krijesë, substanca e të cilit ishte e pastër dhe i lirë prej të gjitha të metave, i panjollosur prej të gjitha mospërkryerjeve.
Jeta e tij para pranimit të Shpalljes ishte pjesë integrale e këtij shembulli apo modeli. Ajo zë një vend të rëndësishëm në biografinë e Muhamedit a.s., ngase ishte fazë e përgatitjes dhe e ushtrimit për pranimin e Mesazhit Hyjnor. Ai a.s. u rrit në strehën, mbrojtjen dhe kujdesin e Allahut xh.sh., i cili i dha atij edukimin më të mirë, kjo sepse një ditë do ta nderonte dhe do ta lartësonte rangun e tij në atë të një Pejgamberi.
Formimin dhe edukimin e Muhamedit a.s. e kishte marrë përsipër Allahu i Lart madhëruar. Jeta e tij ishte vazhdimisht nën mbikëqyrjen hyjnore.
Po të hedhim vështrimin mbi karakterin e Pejgamberit të zgjedhur a.s., do të shohim bukurinë e shkëlqyer; po ta hapim zemrën për të fshehtat e atributeve të tij, do të shohim pranverën e jetës në lulëzim; po ta zhytim shpirtin në dritën e përkujtimit të tij, ai a.s., do të bëhet për ne një i dashur dhe ndërmjetësues; po t'ia kushtojmë atij gjithçka tonën, gjoksi ynë do mbushet me besim dhe cilësi fisnike, zemra jonë do të fitojë jetë nëpërmjet tij, shpirti ynë do të gjejë paqe nëpërmjet tij dhe zemra jonë do të gjejë qetësi nëpërmjet tij.


Muhamedi a.s. ishte mishërim i bukurisë dhe i madhështisë


Allahu xh.sh. e krijoi zotërinë tonë Muha medin a.s. në më të bukurën prej shëmbëlltyrave njerëzore dhe në më të përsosurën prej formave ademike. Muhamedi a.s. ishte mishërim i bukurisë, i madhështisë, i mirësisë dhe i përsosmërisë fizike dhe morale. Ai kishte pamjen më të bukur dhe më të ndritshme njerëzore, në saje të hirit hyjnor dhe dhuntisë qiellore. Bukuria e tij i frymëzoi objektet e pajeta të flasin dhe trungu i palmës qau për shkak të dashurisë ndaj tij.
Të gjithë që e kanë parë atë janë pajtuar se nuk kanë parë kurrë ndokënd si ai. Ata që e kanë përshkruar të Dërguarin e Allahut a.s. pajtohen se fytyra e tij ishte e ndritshme dhe rrëzëlluese dhe ndriçonte me dritë të shkëlqyeshme. Disa prej tyre e krahasonin shndritjen e dritës së tij me Diellin, të tjerët me Hënën. E gjithë kjo na konfirmon rrë zëllimin e qartë të fytyrës së tij dhe shkëlqimin e tij verbues..
Një tjetër prej cilësive të tij, ishte se ai kishte aromë të këndshme, madje edhe pa përdorur parfum, megjithatë ai e përdorte shpesh parfumin. Një nga dëshmitë për aromën e këndshme të tij, është hadithi që transmetohet nga Muslimi sipas Enesit r.a., i cili ka thënë: "I Dërguari i Allahut a.s. ishte rrezatues në fytyrë dhe sumbullat e djersës së tij ishin si perla. Unë kurrë nuk kam prekur ndonjë brokadë apo mëndafsh më të butë se pëllëmba e të Dërguarit të Allahut a.s., as nuk kam ndier erë misku ose erë tjetër më të këndshme se aroma e të Dërguarit të Allahut a.s.."(3)


Shembull i përkryer i qenies njerëzore


Zhvillimet në jetën e tij ishin të programuara nga Krijuesi i botëve. Përkrahja hyjnore i kishte dhuruar aftësinë për t'i duruar vësh tirësitë, pasi ai ishte caktuar që të bëhej pejgamberi i mbarë njerëzimit. Ato ishin sprova për kalitjen e tij, në mënyrë që ai të zotëronte një vullnet të çeliktë që të mund të barte mbi supet e tij barrën e rëndë të Mesazhit Hyjnor.
Kur ishte i ri, gjoksi i tij fisnik u hap dhe zemra e tij a.s. u pastrua dhe u shenjtërua, kështu që ai nuk do të joshej kurrë nga ndonjë prej gjërave që i njollosin njerëzit. Për këtë arsye, zemra e tij a.s. ishte më e mrekullueshmja e zemrave, më e pastra, më e devotshmja, më e virtytshmja, më e dhembshura, më fisnikja dhe më e fuqishmja e zemrave. Urtësia e kësaj hapjeje ishte përgatitja për momentin kur ai do të qëndronte përpara Allahut xh.sh. dhe do të bënte një bisedë të afërt me Të dhe do të ishte dëshmitar i dritave të shkëlqyeshme, i sekreteve të privilegjuara dhe i teofanisë së bukurisë dhe të madhështisë.
Hapja e gjoksit dhe nxjerrja e zemrës dhe të gjitha ngjarjet e tjera të jashtëzakonshme duhen të pranohen pa asnjë përpjekje për t'i larguar ato nga realiteti i mirëfilltë, sepse pushteti i gjithëfuqishëm i Allahut është në gjendje që t'i kryejë të gjitha këto.
Kështu ai a.s. u bë njeri madhështor dhe i virtytshëm, më fisniku i popullit të tij, më i edukuari, më i respektuari, më i dashuri, më i duruari, më i sinqerti, më i besueshmi, më dashamirësi dhe më dinjitozi. Gjatë gjithë kësaj periudhe, ai shpalosi pastërti karakteri, ndjenjë ndershmërie dhe besueshmërie. Populli i tij e quante atë a.s.: "Më i ndershmi dhe më i besueshmi" (El Sadik el Emin).
Populli e njihte prejardhjen e tij fisnike, prejardhje e cila sugjeronte drejtësi, nder shmëri dhe besim qysh shumë kohë para se t'i vinte detyra profetike, prandaj edhe e vlerësonte atë. Ai fitoi prestigj si anëtar i shquar i shoqërisë mekase, që respektohej si për aftësinë, ashtu edhe për ndjenjën e ndershmërisë dhe të drejtësisë.
Martesa me Hatixhen ishte e një rëndësie të madhe për të, sepse ajo i siguroi atij shoqëruesen tek e cila do të mbështetej plotësisht në periudhën më të vështirë të jetës së tij dhe e cila ishte pajisur me dhuntitë dhe virtytet e nevojshme morale e shpirtërore për të luajtur rolin e gruas së përsosur të krijesës më të përkryer të Zotit.
Allahu e ka lavdëruar të dashurin e Tij, Zotërinë tonë Muhamed a.s., për shkak të shkallës së lartë të moralit të tij, të sjelljes së tij të përsosur dhe të mirësisë së tij në të gjitha shkrimet e tjera hyjnore, në Tevrat, në Ungjill dhe në Kuranin fisnik. "Vërtet ti je në një shkallë të lartë morali!" (El Kalem, 4). Ai ishte shembulli i përkryer i qenies njerëzore, që gjeneroi energji të re dhe një forcë jetësore të pashtershme për njerëzimin. Rrezet e dritave të tij shkëlqyese ndriçuan në zemrat e pasuesve të tij. Shembulli i tij është një burim diturie dhe një thesar pastërtie, një dritë udhëzuese për të gjithë ata që banojnë në tokë dhe në qiej.
Çdokush prej nesh duhet ta marrë si model përsosmërinë e karakteristikave të tij në mënyrë që shpirti ynë të kënaqet dhe t'i kërkojë Allahut ndriçim dhe udhëzim.
I lutemi Allahut të jemi prej atyre që qëndrojnë në hijen e freskët të pemës pejgamberike, që ndriçohen nga dritat e së vërtetës pejgamberike, që zhyten në oqeanin e dashurisë pejgamberike dhe që shijojnë frutat e pemës pejgamberike, në mënyrë që shpirtrat tanë të mbarten në banesën e gëzimit, të ngazëllehen në bukurinë e përsosur dhe të thithin aromën e xheneteve të Zotit Bujar.



___________________________
1 Është transmetuar nga El Bejhekiu, El Hakimi, El Taberaniu dhe Ibën Asakiri. Shami ka thënë: "Hafidhi ka deklaruar në Emali-n e tij se ky tekst mbart të gjitha veçoritë e autenticitetit." (Sireh, vëll. 1, f. 276) 2 Është transmetuar nga Imam Ahmedi. 3 Për më gjerësisht shih librin "Our Master Muhammad - The Messenger of Allah & His Sublime Character & Exalted Attributes" të autorit Abdullah Siraxhuddin el Husejni


 


 


Mimoza Sinani
Dituria Islame 419


Artikulli i kaluar
Burimet e miratuara (3)
Nuk ka artikull pas ketij.