Një vështrim filleve të literaturës islame në gjuhën shqipe në Kosovë (2)

 


"Buletini informativ" dhe "Takvimi" - periodikët e parë islamë në gjuhën shqipe


Fillimi i botimeve nga ana e Bashkësisë Islame të Kosovës, në vitin 1962, me revistën e saj "Buletini Informativ" (1962), "Takvimi" (1970), dhe "Edukata Islame" (1971), hyn në një fazë të re.
Nisjen e botimit të "Buletinit Informativ", e bëri Shoqata e Ylemave. Publikimi i tij bëhej çdo tre muaj, që dilte në dy gjuhë, shqip dhe serbokroatisht, e i cili tregonte aktivitetet e Kryesisë së BI-së dhe të organeve të saj. Si për nga emri, ashtu edhe për nga përmbajtja, "Buletini", sipas studiuesve H. Hoxha dhe R. Shkodra, më tepër kishte karakter informativ për punën organizative dhe veprimtarinë administrative të Shoqatës dhe të Bashkësisë Islame në Prishtinë. Mirëpo, nga viti 1969, e deri në vitin 1970, "Buletini" u botua për herë të fundit, ndërsa më pas merr një dimension tjetër, dhe përveç të dhënave zyrtare, tani filloi të botonte edhe tema me karakter fetar. Kështu që, "Buletini" nga një organ informativ, shndërrohet në një hapësirë ku fillojnë ta sprovojnë veten nismëtarët e publicistikës islame shqipe në Kosovë, si: HaxhiSherif Ahmeti, H. Hajrullah Hoxha, H. Muha bajramimet Islami, Feti Mehdiu, H. Ismailhaki Ustaibo, H. Jetish Bajrami, H. Rashid Osmani etj.,(1) disa prej të cilëve do të mbesin për dekada të tëra bartës të penës kryesore të publicistikës islame shqipe në trojet tona.



Ballina: "Buletini informativ" (1-2, 1964)


Në "Buletin" botoheshin edhe disa tema fetare, kryesisht të përkthyera nga revista "Glasnik", që botohej në Sarajevë. "Buletini" viteve të fundit të daljes së tij u botua vetëm në gjuhën shqipe, dhe u redaktua prej myderrizit të njohur, H. Sherif ef. Ahmetit. Duhet ritheksuar se atëbotë redaksia e "Buletinit" u ballafaqua me mungesë të madhe të bashkëpunëtorëve. Në lidhje me këtë, në raportin e punës së shoqatës së Ylemave, në vitin 1970, përveç tjerash, thuhet: "Nga ana tjetër, gati të gjithë numrat e shtypur deri tani të "Buletinit" kemi lutur që të lajmërohen korrespondentë, dhe të na dërgojnë materiale që do të mundemi t'i botojmë, natyrisht nëse na përgjigjen me përmbajtjen e tyre, mirëpo deri më sot kemi vetëm dy korrespondentë, dhe ata janë: H. Jetish ef. Bajrami, imamkryesor nga Gjilani, dhe Hajrullah ef. Hoxha, imam nga Mitrovica".(2)



Ballina: "Takvimi për vitin" (1970)


Në vazhdën e aktivitetit të vet, Shoqata e Ylemave, po ashtu duke pasur parasysh rëndësinë e fjalës së shkruar, nuk u ndal vetëm me botimin e "Buletinit", por në vitin 1970 e botoi edhe "Takvimin" e parë në gjuhën shqipe. Shoqata e Ylemave, në krye me H. Sherif Ahmetin, në vitin 1969, e botoi "Takvimin - Kalendarin" për vitin 1970, të përgatitur në mënyrë profesionale prej H. Hajrullah Hoxhës, dhe është koordinuar për trevën e Kosovës, sipas orës allafranga.(3) Mirëpo në kalendar, përveç pjesëve të tjera, janë botuar tema të ndryshme, kryesisht nga etika islame, jurisprudenca, tradita e Pejgamberit, a.s., komentimi i Kuranit, besimi islam, shkrime prej autorëve të ndryshëm.
"Takvimi" i parë u botua në formë të vogël, libër xhepit, në tirazh 10.000 ekzemplarë, me 36 faqe, me këtë përmbajtje: Parathënia e autorit, tabelat kalendarike për 12 muaj me të dhënat për kohën e imsakut dhe për pesë kohët e namazit, dhe në fund një artikull me titull "Ahmarrja", shkruar prej H. Sherif Ahmetit.(4)
Në ballinën e kij botimi të parë të "Takvimit", është paraqitur xhamia e Sinan Pashës, të cilin veprim e quajmë shumë me rëndësi dhe me peshë të veçantë.
Mirëpo, vlen të theksohet se nga viti 2002 "Takvimi" botohet në format të librit, dhe me treqind e më shumë faqe, kurse pjesa e kalendarit botohet edhe në broshurë të veçantë. Punimi me titullin "Namazi në teori dhe praktikë me fotografi", i cili u botua në "Takvim" në vitin 1979, pati shumë kërkesa për ribotim, prandaj u ribotua dy herë. "Takvimi" gjatë viteve 1986 dhe 1994, e sidomos në këtë të fundit, tirazhin e botimit e arriti në një numër rekord, diku 36.000 ekzemplarë.
Kjo revistë ka qenë një dritare e rëndësishme e përhapjes së mësimeve fetare te ne. "Takvimi" po e vazhdon misionin për të cilin është nisur që nga themelimi, duke dhënë kështu një kontribut te besimtarë, pa marrë parasysh vështirësive nëpër të cilat ka kaluar kohë pas kohe dhe që i janë paraqitur në rrugëtimin gjatë viteve. Dihet mirë se botimi i "Takvimit" e ka bërë emrin dhe historinë e vet, duke depërtuar në çdo familje myslimane, duke e marrë parasysh faktin se kjo është një nga revistat e para islame në gjuhën shqipe.


Revista "Edukata Islame" (1971)


"Edukata Islame" është revista e parë islame në gjuhën shqipe, e cila filloi të dalë qysh në vitin 1971, kur Kosova ishte në Federatën jugosllave, e që në atë kohë iu njohën disa të drejta dhe e fitoi autonominë e saj. Bashkësia Islame e Kosovës e ndjeu përgjegjësi që për nevojat e besimtarëve ta botonte revistën fetare islame "Edukata Islame", e cila doli çdo tre muaj. "Edukata Islame" ishte e vetmja revistë fetare islame që ishte në gjuhën shqipe, ndërsa një punë kolosale po bënin ulemaja e vendit, për nxjerrjen e kësaj reviste në dritë. Në fillim ishte kryekëput me karakter fetar, siç na tregon edhe titulli i revistës"Edukata Islame", revistë fetare. Numri i parë i revistës iu besua H. Sherif ef. Ahmetit, i cili ishte edhe nismëtar i kësaj reviste islame, në të cilën kontribuoi për një kohë të gjatë me shumë shkrime të tijat.
H. Sherif ef. Ahmeti ishte një intelektual i përkushtuar, dhe, edhe me atë pak kuadër që ishte në kohën e tij, dinte si ta vendoste "Edukatën Islame" në binarë të sigurtë, ashti që kjo revistë u njoh jo vetëm në Kosovë, por edhe në të gjitha trojet shqiptare të ish Jugosllavisë, sikurse në: Maqedoni, Mal të Zi, Serbi, po edhe në vende të tjera. Mirëpo, krahas temave fetare islame, në këtë revistë mësohen edhe njohuri të tjera shkencore me vlera universale, e sidomos me përmbajtje edukative e arsimore, ide të ndryshme me synime dhe tema të reja, më pak të njohura dhe të studiuara, e që kanë vlera morale, filozofike, historike, gjuhësore, etike, kulturore, artistike etj.(5)



Ballina: "Edukata Islame" (1971)


H. Sherif ef. Ahmeti i afroi rreth "Edukatës..." ato pak kuadro që ishin në Kosovë, e që e njihnin mjaftueshëm kulturën e shkrimit në gjuhën shqipe, sikurse ishin: Hajrullah Hoxha, Avni Aliu, Jetish Bajrami, Bajrush Ahmeti, Jashar Jashari, Ibrahim Spahiu, Rashit Osmani, Resul Rexhepi, Nexhat Ibrahimi, Miftar Ajdini, Mujdin Ahmeti, Ferid Berisha, Qazim Qazimi, Emin Behrami, e ndonjë tjetër.(6) Jo që nuk kishte hoxhallarë të tjerë të dijes, mirëpo nuk e kishin traditën e shkrimit në gjuhën shqipe, meqë ishin shkolluar jashtë vendit ose e kishin kultivuar shkrimin e gjuhës shqipe me grafikë arbe-osmane, dhe kjo e bënte të veten. Megjithatë, H. Sherif Ahmeti arriti të kishte një numër të vogël rreth vete. Në revistën "Edukata Islame", deri në fillim të viteve të '90-ta, më së shumti kishte tematikë fetare, sikurse, p.sh.: tefsir, akaid, thuajse gjithmonë ishin këto rubrika që i mbante H. Sherif ef. Ahmeti, e pastaj kishte edhe kontribute të tjera nga ahlaku, hadithi, fikhu, historia islame, po edhe nga lëndët e tjera fetare. Në këtë revist një kënd shumë me rëndësi të veçantë iu kushtua edhe aktiviteteve të Medresesë së Mesme "Alaudin".
Një segment shumë i rëndësishëm i "Edukatës..." është se, përmes përkthimeve nga gjuhë të huaja, kjo revistë ka botuar edhe kontribute të penave të shquara të botës islame, sikurse: Sinanudin Sokolloviq, Husein Xhozo, Muhamed Gazali, Muhamed Tantavi, Jusuf Kardavi, Mustafa Mahmud, Hasan Kaleshi, Enes Kariq, Muhamed Sharavi etj. Duhet theksuar këtu edhe faktin se shkrimet e botuara nga fushat e islamologjisë në revistën "Edukata...", përveçse e shënojnë hapin e parë në këtë fushë, sot ato paraqesin edhe vlera të shtruara në literaturën islame në gjuhën shqipe, dhe janë me rëndësi të posaçme për bibliotekën tonë, sidomos për qëllime hulumtuese, studime historike e kritike.(7)


Përfundim


Shtypi islam në gjuhën shqipe ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm gjatë gjithë periudhave në trojet tona, si një thesar i çmuar. Nëse matet përmbajtja dhe tematikat tek "Ilmihali", "Mësimi i shkurtër mbi namazin dhe Jasini sherifi", dhe pastaj te "Buletini Informativ", "Takvimi" dhe "Edukata Islame", mund të themi se lëndët fetare e përbëjnë pjesën më të madhe të materialeve të botuara në këto revista, dhe kjo është e kuptueshme.
Prandaj, mund të theksojmë se literatura islame dhe shtypi islam gjatë asaj kohe e ka arritur efektin shumë pozitiv te besimtarët në trojet shqiptare, sikurse, p.sh.: Në edukim e brezave, arsimim, duke i pajisur me gjërat thelbësore fetare islame etj.
E gjithë kjo u arrit me anë të punës së myderrizëve dhe hoxhallarëve tanë, të cilët dhanë një kontribut për daljen në dritë të literaturës në gjuhën shqipe, e që kështu e hapën edhe rrugën më pas edhe për shumë ndërmarrje e punë të mëdha në këtë drejtim, aq sa në vitin 1985 do ta kemi të përkthyer në gjuhën shqipe, për herë të parë, edhe komplet Kuranin fisnik. Sot literatura islame në gjuhën shqipe që botohet nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës po shtohet çdo ditë e më shumë, si nga cilësia, ashtu dhe nga sasia, po edhe konform kërkesave dhe nevojave të besimtarëve të saj në kohën që po e jetojmë.


___________________________________________________
1.. Hajrullah Hoxha, Shtypi Islam dje, sot dhe nesër, Përmbledhje kumtesash nga konferenca shkencore (Prishtinë, 23-24 maj 2003), Prishtinë,2005, f. 12. 2. Hajrullah Hoxha, Literatura Islame në gjuhën shqipe në Kosovë (1957-2017), Fillet, Tradita, Sfidat dhe Sukseset, Përmbledhje kumtesash nga tryeza shkencore (Prishtinë, 27 dhjetor 2017), Prishtinë, 2019, f. 77-78.
3. Ibid, f.16.
4. Hajrullah Hoxha, Literatura Islame në gjuhën shqipe në kosovë (1957-2017), Fillet, Tradita, Sfidat dhe Sukseset, Përmbledhje kumtesash nga tryeza shkencore (Prishtinë, 27 dhjetor 2017), Prishtinë, 2019, f. 78.
5. Ramadan Shkodra, Bibliografi e revistës "Edukata Islame" (1971-2016), Prishtinë, 2017, f. 8; Akademik Jashar Rexhepagiq, Shtypi Islam dje, sot dhe nesër, Përmbledhje kumtesash nga konferenca shkencore (Prishtinë, 23-24 maj 2003), Prishtinë, 2005, f. 44.
6. Ramadan Shkodra, Bibliografi e revistës "Edukata Islame", po aty.
7. Po aty.


 



Arbin Ahmeti
Dituria Islame 392