Ashtu siç e përshkruan edhe imam El Gazaliu, imani është një vizion i cili vë në një perspektivë të përshtatshme e të domosdoshme të gjitha të dhënat dhe faktet e tjera për t'i kuptuar drejt ato. Imani nuk i mohon, nuk i kundërshton dhe nuk bie ndesh me provat e arsyes, porse i konfirmon ato. "... Kërkoja një shërim për dyshimin tim, mirëpo kjo ishte e pamundshme pa prova racionale.. Megjithëkëtë, asnjë provë nuk mund të qëndrojë pa u mbështetur në shkencën primare (metafizikën). Dhe, meqë bazat e këtyre shkencave nuk ishin të sigurta, po të këtilla ishin edhe përfundimet e tyre bashkë me çdo gjë tjetër që ngrihej mbi to. Njeriu në këtë botë ose do të jetë falënderues i të mirave, ose mohues i tyre pa kryer obligimin që ka ndaj tyre, edhe pse nuk del prej besimi me të ndalurit e tyre. Allahu i Madhërishëm njeriun e përshkruan në këtë mënyrë: Ne e udhëzuam atë në rrugë të drejtë, e ai do të jetë; mirënjohës ose përbuzës. (El Insan,3). Kurse për ata që janë mirënjohës dhe falënderojnë Atë, thotë: E kush falënderon, ai falënderon për të mirën e vet, e kush përbuz, Zoti im (s'ka nevojë) është i panevojë e bujar. (En- Neml, 40) 
Bukuria e imanit qëndron në harmoni të plotë të të gjitha pjesëve të tërësisë së trupit. Ajo përcaktohet si unitet i plotë i llojllojshmërisë. E bukura është një dashuri, se natyra është e bukur vetëm për nga intenca e saj, se e bukura më e lartë qëndron në unitetin që përfshin të gjitha raportet e natyrës. Një nga tiparet esenciale të së bukurës është harmonia. Të gjitha vlerat (liria, dashuria, heroizmi) janë të bukura nëse shpien nga harmonia fatlume në mes Krijuesit dhe njeriut, midis njeriut dhe shoqërisë, mandej midis njeriut dhe njeriut. Imani është i ndërlidhur me një ideal, bindje, botëkuptim.
Allahu xh.sh. i dhuroi njeriut mendjen. Njeriu synon gjithnjë kënaqësinë e Allahut në këtë botë dhe në Botën tjetër. Kjo arrihet me besim të shëndoshë në Allahun Një. Kufri duhet të flaket nga jeta e njeriut. Mohimi (kufri) në kuptimin e parë- gjegjësisht kufri më i madh- është antipod i besimit (imanit). Kështu thuhet: besimtar dhe mosbesimtar (mohues), sikurse e sqaron edhe Kur'ani famëlartë. Dijetari i madh bashkëkohor, Dr.Jusuf Kardavi, thotë se nëntoka e këtyre popujve është Islami. Boshti i pjesëtarëve të saj është imani. Sado që këtij boshti burimor t'i hidhet ndryshku i mospërfilljes apo pluhuri i imitimit, ne kemi mundësi që, përmes fërkimit dhe heqjes së ndryshkut, ta pastrojmë dhe t'ia kthejmë origjinalitetin dhe shkëlqimin mahnitës këtij boshti. S'do mend se kjo kërkon përpjekje dhe mund të madh.
Por suksesi i harmonisë shpirtërore (imanore) brenda individuales varet direkt nga niveli i raportit me Krijuesin, përkatësisht me vahjin e tij. Nëse njeriu ka një nivel aktiv dhe i respekton aksiomat e Shpalljeve Hyjnore, ai në vete ka harmoninë ndërmjet egos dhe ndërgjegjes. Egoja e zbutur në favor të ndërgjegjes e bën më të qetë, më modest, më të kënaqur me veten dhe më falënderues ndaj Zotit. Individi i këtillë ka edhe mirëkuptim më të madh ndaj njerëzve të tjerë dhe prirje që të komunikojë me ta me sa më shumë dashamirësi.
Islami ka luftuar vazhdimisht ekstremizmin dhe asnjëherë nuk ka qenë pjesë e tij. Ekstremizmi është veprimtari a qëndrim i ekstremistëve, i atyre që ia "nxjerrin fundin" ndonjë teorie, pikëpamjeje politike, bindjeje, apo është qëndrim ose pikëpamje që insiston në pasojat e fundit, në maksimumin e asaj që dëshirohet a kërkohet.
Sot vërehet një perversion (çoroditje) a zvetënim ose shtrembërim i mësimeve të drejta të Allahut xh.sh. dhe kjo ndodh shpesh nga ata që nuk e kuptojnë ose e keqkuptojnë të drejtën islame. Ajo që është pozitive, e mirë, e vlefshme, njerëzore, refuzohet ose injorohet, kurse ajo që është negative, e keqe, jonjerëzore - dëshirohet, përkatësisht lavdërohet. Për fund, Allahu ka garantuar se do të jetë mbështetës i muvehidunëve. Ai thotë: Allahu është mbikëqyrës i atyre që besuan, i nxjerr ata prej errësirave në dritë. E kujdestarë të atyre që nuk besuan, janë djajtë që i nxjerrin ata prej drite e i hedhin në errësira. Ata janë banues të zjarrit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë. (El Bekare, 257).


 



Dituria Islame 273