Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, priti sot në takim kurtuazie ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, z. Dirk Schuebel, të cilit i dëshiroi mirëseardhje, punë të mbarë dhe suksese në misionin e tij në Kosovë.
Gjatë takimit, Myftiu Tërnava e njohu ambasadorin me punën, veprimtarinë dhe angazhimet e Bashkësisë Islame të Kosovës në kultivimin e bashkëjetesës, tolerancës dhe mirëkuptimit ndërfetar në vend. Ai theksoi rëndësinë e dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve fetare, si dhe rolin e BIK-ut në ruajtjen dhe forcimin e këtyre vlerave, të cilat kontribuojnë në paqen, stabilitetin dhe harmoninë shoqërore.
Nga ana e tij, ambasadori z. Dirk Schuebel e falënderoi Myftiun Tërnava për mikpritjen, duke vlerësuar lart kontributin e Bashkësisë Islame të Kosovës në kultivimin e bashkëjetesës, tolerancës dhe harmonisë ndërfetare, si dhe në promovimin e vlerave të mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë në shoqërinë kosovare.
