Komentimi i sures “Jusuf” nga Hafëz Ali Korça

 


Nga ëndrra e Jusufit, a.s., deri te ribashkimi me familjen në Egjipt, poema "Jusufi me Zelihanë" e Hafëz Ali Korçës e ritregon rrëfimin kuranor me pasuri poetike dhe hollësi artistike. Ky shkrim krahason ngjashmëritë dhe dallimet ndërmjet dy varianteve, duke nxjerrë në pah origjinalitetin e poetit shqiptar.


Kurani ndikoi drejtpërdrejt dhe tërthorazi në krijuesit shqiptarë. Për këtë flasin një numër i madh i poezive (kasidet, ilahitë) dhe i përmbledhjeve poetike (mevludet, epopetë fetare). Me rëndësi është të theksojmë se të gjithë këta krijues e kanë njohur Kuranin burimisht e jo të përkthyer, pasi ata kishin mbaruar shkolla në qendrat e mëdha islame, në Stamboll dhe Kajro.
Vëllimi "Jusufi me Zelihanë" është vepër origjinale artistike, e cila Hafëz Ali Korçës i siguroi vend të merituar në historinë e letërsisë shqiptare. Krijimi i kësaj poeme dëshmon pjekurinë e vërtetë të poetit dhe aftësinë e tij për të trajtuar po ato tema që trajtuan klasikët e njohur persianë, arabë dhe turq.


Ëndrra në kuran dhe në veprën "Jusufi me Zelihanë" të hafëz Ali Korçës


Ëndrra si fenomen psikologjik na paraqitet në të dy variantet tek i njëjti person, te Jusufi. Bota e ëndrrës në të dy variantet ka një dallim, sepse në Kuran nuk përmendet vendi dhe nuk bëhet përshkrimi i ambientit, kurse në veprën "Jusufi me Zelihanë" ëndrra vendoset në majë të një mali të pasur me drurë dhe burime të kulluara. Në të dy variantet Jusufi sheh 11 yje dhe së bashku me këto yje sheh Diellin dhe Hënën. Rrëfimi i ëndrrës, sipas dy varianteve, bëhet njëlloj: Jusufi së pari ia rrëfen ëndrrën të atit, i cili e këshillon që të mos ia tregonte ëndrrën askujt. Mirëpo, sipas Kuranit i ati parasheh që ndërmjet tyre do të ndërhynte djalli dhe do të krijonte armiqësi, kurse sipas Ali Korçës Jusufi ia rrëfen ëndrrën njërit vëlla dhe ajo, kështu përhapet te të gjithë: "Bir njeriu të mos i-a thuash! Ëndërën, po të mos duash, t'yt vëllezër po t'a dinë, do të pësosh prej syresh tinë. Sado q'e mësoj i ati, tjatër lloj e mësoj fati. I tha njërit u gënjye, de u-bë pastaj dëllye."¹


Komploti i vëllezërve kundër Jusufit, a.s.


Komploti i vëllezërve të Jusufit konsiderohet fillimi i realizimit të ëndrrës. Kjo tani fillon të jetësohet praktikisht dhe kështu doli nga bota e ëndrrave në të dy variantet. Shprehja e dyshimit të babait ndaj bijve të tij është mjaft e shprehur në të dy vendet.
Pakënaqësia e vëllezërve të Jusufit, a.s. ndaj babait është shumë e shprehur në veprën "Jusufi me Zelihanë", kurse në Kuran ajo përfundon vetëm me këtë ajet: "Jusufi dhe vëllai i tij janë më të dashur për babanë tonë, se ne, e ne jemi grup i tërë. Babai ynë me të vërtetë është në humbje të qartë." (Jusuf, 8).
Jusufi, a.s. ndëshkohet sipas marrëveshjes në të dy variante me hedhje në pus, si masa më e lehtë ndëshkuese. Në Kuran, koha sa ka qëndruar Jusufi, a.s. në pus, nuk përmendet fare, kurse në veprën "Jusufi me Zelihanë" theksohet se ai kishte qëndruar vetëm tri ditë.² Po ashtu në Kuran nuk përmendet emri i njeriut i cili e kishte nxjerrë Jusufin, a.s. nga pusi, kurse në poemë përmendet me emër si Maliq.³ Po ashtu, nga fjalët e Hafëz Ali Korçës në këtë poemë, kuptojmë se Jakubi, a.s. e kishte kuptuar menjëherë dredhin e tyre dhe se ata vetë ia kanë bërë keq Jusufit. Siç kuptohet edhe nga tregimi kuranor, ata e kishin prerë një dre dhe me gjakun e saj e kishin lyer këmishën e Jusufit, dhe ashtu të përgjakur ia kishin sjellë këmishën Jakubit, a.s.


Jusufi, a.s. në Misir sipas kuranit dhe veprës "Jusufi me Zelihanë"


Jusufi, a.s. doli i gjallë nga pusi sipas të dy varianteve, mirëpo mënyra e daljes sipas Kuranit nuk është trajtuar hollësisht, përveçse përmendet kova si mjet që përdoret nga njerëzit e karvanit për të nxjerrë ujë për të pirë dhe me këtë rast edhe Jusufi, a.s. doli nga pusi.
Sipas veprës "Jusufi me Zelihanë" mënyra e daljes së Jusufit nga pusi trajtohet ndryshe. Ai sipas veprës del nën mbrojtjen dhe përcjelljen e melaqes Xhibril, prandaj karvani kalimtar e kishte nxjerrë Jusufin nga pusi pas mësimeve të Xhibrilit.
Sipas të dy varianteve, Jusufi, a.s. vendoset në Misir (Egjipt), por sipas Kuranit kjo vendosje bëhet me urdhrin e Zotit. Sipas konceptit kuranor, asgjë nuk realizohet pa dijeninë e Zotit, andaj edhe vendosja në Misir është bërë me urdhrin e Tij.
Qëndrimi i Jusufit, a.s. në pallat të ministrit është i njëjtë sipas të dy varianteve. Në vija të përbashkëta është edhe mënyra e nxitjes së Jusufit, a.s., për të bërë vepër amorale nga ana e bashkëshortes së Azizit.⁴
Në të dy variantet vërehet bindja e Zelihasë apo gruas se brengosja e Jusufit, a.s. është mënyra e vetme që ai më në fund të bindej se duhej të pranonte dashurinë e Zelihasë. Viktimë e dinakërisë së një femre të pasur, e cila ishte e bindur se kishte në dorë fatin e njeriut, do të binte patjetër Jusufi. Megjithatë, Jusufi, a.s. kishte bindjen se ishte akuzuar e dënuar pa faj, prandaj gjatë tërë kohës në burg, në të dy variantet, ai na paraqitet si njeri që pajtohet të vuajë, por assesi të mos i përgjigjet ftesës së Zelihasë dhe shoqeve përreth.⁵
Në këtë poemë, Hafëz Aliu përmend se Zelihaja kishte një kopsht shumë të bukur, përmes të cilit kalonte një lumë. Një ditë e solli Jusufin në atë kopsht dhe i tha se këtë kopsht ia dhuron atij, se është i ri e të kënaqet në të dhe me bukuritë e tij. Por, Zelihaja kishte sjellë me vete edhe disa gra të bukura, me qëllim që t'ia marrin mendjen Jusufit e të lëshohen në shfrenim të epshit, mirëpo, ai iu drejtua, ndër tjerash, me fjalët: "...Vini gishtin pak menjtohi, vallë përse s' turpërohi!"⁶
Pasi nuk i shkoi kjo dredhi për dore Zelihasë, ajo urdhëroi që të ndërtohet një shtëpi e pa parë, e thirri një merimar (inxhinier) fort të ditur, i cili për kohë të shkurtë e ndërtoi shtëpinë ashtu siç dëshiroi Zelihaja. Kishte oda e pallate të gjata, shtresa prej mëndafshi shtruar, mijëra kandila të radhitur, derë nëpër derë shtatë, kurse dera e shtatë fort e zbukuruar e kafshë e me zogj të mbishkruar.⁷ Siç jepet të kuptohet, pikërisht kjo shtëpi e këto shtatë dyer ishin sprovë për moralin e Jusufit, a.s., por, Allahu i Lartësuar ia dërgoi "burhanin" (shenjën) që e kishte parë Jusufi dhe kështu shpëtoi nga intrigat e Zelihasë dhe e ruajti moralin dhe nderin pejgamberik.
Në ajetin e 26-të të sures Jusuf, Allahu, xh.sh. përmend dëshminë e një dëshmitari nga familja e Zelihasë, e që rreth kësaj dalin edhe disa mendime se kush ka qenë ky dëshmitar në fakt, e që kjo kuptohet edhe në bazë të vetë përkthimit të këtij ajeti kuranor, që është njëherë edhe komentim i të njëjtit ajet. Prandaj, do të përmendim disa përkthime të Kuranit në gjuhën shqipe, boshnjake dhe angleze, dhe në fund do të përmendim edhe mendimin dhe komentimin e vetë Hafëz Ali Korçës.
Në gjuhën shqipe, këtë ajet të Kuranit, përkthyesit e përkthejnë kështu: Sherif Ahmeti: "...një dëshmitar nga familja e saj..."⁸; Hasan Nahi: "...një i afërt i saj..."⁹; Salih Ferhat Hoxha: "...një dëshmitar ndër shërbyesit..."¹⁰
Në gjuhën boshnjake, këtë ajet të Kuranit, përkthyesit e përkthejnë kështu: Muhamed Pandža dhe Džemaludin Čaušević: "...A neko iz porodice njezine, brijući da svjedoči reče..."¹¹; Mićo Ljubibratić: "...jedan ženin rodak..."¹²; Besim Korkut: "...primijeti jedan rođak njezin..."¹³; Enes Karić: "...i poče svjedočiti i porodice njezine jedan svjedok..."¹⁴; Muhammed Asad: "Jedan od prisutnih iz njezine porodice..."¹⁵.
Në gjuhën angleze, këtë ajet të Kuranit, përkthyesit e përkthejnë kështu: Muhammad Marmaduke Pickthall: "...and a witness of her own folk testified..."¹⁶; J.M. Rodwell: "...and a witness out of her own family¹⁷ witnessed..."
Në komentimin e Kuranit nga Ibën Xhuzej el Kilbi el Endelusi, përmendet se ekzistojnë mendimet se ky dëshmitar ka qenë djali i axhës së saj; po ashtu thuhet se ka qenë fëmija në djep i cili kishte folur. Por, me vetë faktin se ka qenë nga familja e saj, kjo nënkupton si dëshmi kundër saj dhe dëshmi e pafajësisë së Jusufit, a.s. Ky fëmijë asnjëherë më herët nuk kishte folur, e që kësaj here kishte folur nga respekti ndaj Jusufit, a.s.¹⁸
Ibën Kethiri, në komentimin e tij të Kuranit, thotë: "Sa i përket njeriut i cili kishte dëshmuar, rreth tij ka mospajtime. El Avfi transmeton nga Ibën Abbasi, r.a., i cili rreth këtij ajeti thotë se ka qenë fëmija. Njëjtë transmetohet nga Ebu Hurejre, Hisal ibën Jusufi, Hasani, Seid ibën Xhubejri dhe Ed Dahhak ibën Mudhahimi, r.a., se ka qenë fëmija nga ajo shtëpi. Duke pranuar këtë mendim, Ibën Xheriri rreth kësaj përmend hadith merfu' nga Ibën Abbasi, r.a., në të cilin i Dërguari i Allahut, a.s. ka thënë: "Kanë folur katër fëmijë...", në mesin e të cilëve e kishte përmendur edhe dëshmitarin e Jusufit, a.s.¹⁹
Në komentimin e Kuranit nga Ibën Abbasi, r.a. përmendet se ky dëshmitar ka qenë vëllai i Zulejhasë, por thuhet se ka qenë edhe axha i saj.²⁰


Kontaktet e para të Jusufit, a.s. me vëllezërit dhe takimi me të atin e tij


Vizita e vëllezërve të Jusufit, a.s. në Egjipt, sipas të dy varianteve, bëhet për të njëjtin qëllim. Në koordinata të përbashkëta është edhe ngulmimi dhe kushtëzimi i Jusufit që, herë të tjera kur të vinin për të marrë drithë në Misir, të merrnin me vete edhe vëllain e tyre. Këtu ka një dallim rreth emërtimit të personazheve. Sipas Kuranit theksohet vëllain tuaj prej babe, kurse në poemë na del me emër të plotë, Benjamin. Në bazë të rrjedhës së ngjarjes, në të dy variantet del se këtë Jusufi e kishte vëlla të vërtetë. Emri i plotë i vëllait të Jusufit përmendet në dy poemat e poetëve më të mëdhenj persianë, Firdeusit dhe Abdurrahman el Xhamit. Kështu qëndron puna edhe me Zelihanë. Sipas Kuranit ajo është bashkëshortja e Azizit, dhe aty përmendet si grua, kurse sipas poemës së Hafëz Aliut, ajo është Zelihaja.
Takimi i Jusufit, a.s. me të atin, Jakubin, a.s., sipas të dy varianteve realizohet në një vend, në Misir, por takimi i parë me Jakubin nuk krijon ndonjë habi të jashtëzakonshme, sipas Kuranit. Në vija të përbashkëta është edhe takimi kolektiv, familjar. Në Misir, me ftesën e Jusufit, a.s. tani arrijnë vëllezërit e tij. Me atë rast të njëmbëdhjetët së bashku me prindërit i falen Jusufit, a.s. Ngjarja përfundon, sipas të dy varianteve, pikërisht kur Jusufi, a.s. i drejtohet të atit dhe i thotë: "Sot u realizua ëndrra që pashë sikur 11 yje dhe Dielli e Hëna më bënë sexhde."²¹


_____________________________
1. Ismail Ahmedi. Hafiz Ali Korça - Jeta dhe vepra, Logos-A. (Shkup: 1999). 238.
2. Hafëz Ali Korça. Jusufi me Zelihanë (Më e bukura e ngjarjeve). Vepra 3. Logos-A. (Shkup: 2006). 21.
3. Po aty. 24.
4. Në Kuran nuk përmendet emri i Azizit (ministrit), po as edhe në poemën e Hafëz Ali Korça, por, në disa përkthime me komente të Kuranit, siç është rasti i përkthimit dhe komentimit të shkurtër të Kuranit nga Muhamed Pandža dhe Džemaludin Čaušević, ku thuhet se e ka pasur emrin "Putifar", e që përmendet në Dhiatën e Vjetër. Shih: Muhamed Pandža i Džemaludin Čaušević, Kur'an Časni (Prijevod i tumač), Libris. (Sarajevë: 2014). 326.
5. Ismail Ahmedi. Hafiz Ali Korça - Jeta dhe vepra, op. cit., 242.
6. Hafëz Ali Korça. Jusufi me Zelihanë, op. cit., 47-52.
7. Po aty. 52-56.
8. Sherif Ahmeti. Kur'an-i përkthim me komentim në gjuhën shqipe. (Arabia Saudite: 1993). 277.
9. Hasan Nahi. Kurani i Madhërishëm. I.S.H.M.Q.I. botimi i dymbëdhjetë. (Tiranë: 2014). 170.
10. Salih Ferhat Hoxha. Kurani me përkthim në gjuhën shqipe. Logos-A. (Shkup: 2016). 238.
11. Muhamed Pandža i Džemaludin Čaušević, Kur'an Časni (Prijevod i tumač), Libris. (Sarajevë: 2014). 326.
12. Mićo Ljubibratić (Hercegovac), Koran, El-Kalem-Muftijstvo Banjalučko. (Sarajevë-Banja Llukë: 2016), 168.
13. Besim Korkut. Kur'an s prevodom. (Arabia Saudite: 1998). 238.
14. Enes Karić, Prijevod Kur'ana, FF Bihać. (Bihaq: 2006), 238.
15. Muhammed Asad. Poruka Kur'ana, nga anglishtja: Hilmo Ćerimović, El-Kalem. (Sarajevë: 2004), 331.
16. Muhammad Marmaduke Pickthall. The meaning of the Glorious Qur'an. U.K. (Londër: 1999). 207.
17. "An infant in the cradle" - "fëmija në djep". Shih në: J.M. Rodwell. The Koran. (Londër: 1994). 151.
18. Ibën Xhuzej el Kilbi el Endelusi. Olakšani komentar Kur'ana, Libri 3. Libris. (Sarajevë: 2014). 203.
19. Ibën Kethir. Tefsiri i Ibn Kethirit (Verzioni i shkurtuar), përzgjodhi: Muhammed er Rifa'i. (Sarajevë: 2012). 644.
20. Ibën Abbas. Tefsir, Vëllimi 3. Libris. (Sarajevë: 2016). 78.
21. Ismail Ahmedi. Hafiz Ali Korça - Jeta dhe vepra, op. cit., 244-247.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

“Origjina e numrave” – arti, matematika dhe shpirtërorja në një ekspozitë