Rreth 95 japonezë jomyslimanë njihen me Islamin në kuadër të “Ditës së Xhamisë së Hapur” në Tokio

 


Rreth 95 qytetarë japonezë jomyslimanë morën pjesë në aktivitetin "Dita e Xhamisë së Hapur", të organizuar në Xhaminë Qendrore të Tokios, në fund të muajit tetor, me synimin për t'u njohur më nga afër me Islamin dhe për të nxitur dialogun ndërmjet komunitetit mysliman dhe shoqërisë japoneze.
Aktiviteti u organizua në bashkëpunim me Qendrën Islame të Japonisë dhe u konceptua si një mundësi për të afruar qytetarët vendas me besimin islam, përmes informimit të drejtpërdrejtë dhe bashkëbisedimit me përfaqësues të komunitetit mysliman.
Në kuadër të programit, Reem Ahmed, profesoreshë e gjuhës japoneze, mbajti një prezantim mbi Islamin, duke trajtuar aspekte të besimit dhe praktikës islame. Prezantimi u pasua nga një diskutim i hapur, gjatë të cilit pjesëmarrësit patën mundësi të parashtronin pyetje dhe të merrnin përgjigje për çështje të ndryshme që lidhen me fenë islame.
Takimi vijoi me një drekë të përbashkët, e cila shërbeu si një tjetër mundësi për shkëmbim mendimesh dhe komunikim të drejtpërdrejtë ndërmjet vizitorëve dhe pjesëtarëve të komunitetit mysliman.
Përmes kësaj nisme, organizatorët synuan të krijojnë ura komunikimi ndërmjet komuniteteve me prejardhje të ndryshme fetare e kulturore, duke nxitur njohjen e ndërsjellë dhe tejkalimin e paragjykimeve që mund të ekzistojnë rreth Islamit.
Aktivitete të tilla përbëjnë një mundësi të rëndësishme për promovimin e dialogut ndërfetar dhe bashkëjetesës, duke u ofruar qytetarëve hapësirë për të mësuar, diskutuar dhe krijuar marrëdhënie të mbështetura në respektin e ndërsjellë.