Një reflektim mbi dallimin ndërmjet mirëqenies së jashtme dhe qetësisë së zemrës.
"A mendojnë ata që bëjnë vepra të këqija se Ne do t'i trajtojmë njësoj si ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, se jeta dhe vdekja e tyre do të jenë të njëjta? Sa i keq është gjykimi i tyre!" (El-Xhathije, 21)
E studiova këtë ajet gjatë leximit tim të rregullt të Kuranit. Më parë, mendimet e mia ishin përqendruar te dallimi ndërmjet mëkatarëve dhe atyre që i binden Allahut në Ahiret, por sot vura re se ky dallim nis që në këtë botë.
Allahu nuk i trajton njësoj ata që bëjnë mëkate ndaj Tij dhe ata që i binden Atij, as në këtë botë, sado që ata të përpiqen ta paraqesin të kundërtën.
Hasan el-Basriu, Allahu e mëshiroftë, ka thënë për mëkatarët:
"Edhe nëse hipin mbi mushka dhe kuaj të racës më të mirë, që ecin me hijeshi e krenari, poshtërimi i mosbindjes nuk do të largohet kurrë nga zemrat e tyre. Allahu ka caktuar që ai që nuk i bindet Atij, të përjetojë poshtërimin."
Mëkatari nuk gjen qetësi, edhe nëse zotëron tërë dynjanë. Kështu thotë Allahu: "… se jeta dhe vdekja e tyre do të jenë të njëjta?"
Buzëqeshjet e shtirura dhe lumturia e rreme në fytyrat e mëkatarëve nuk janë, veçse një shtresë mbuluese, nën të cilën fshihet hidhërimi. Ata nuk kanë qetësi, edhe nëse grumbullojnë miliona dhe edhe nëse i bartin kuajt e racës më të mirë. Kjo sepse Allahu nuk lejon që në një zemër të bashkohen mosbindja ndaj Tij dhe qetësia e plotë shpirtërore.
Kam parë dhe kam dëgjuar për shumë njerëz të zhytur në mëkate, të cilët, sa herë që shtrihen për të fjetur, kur i godet ndonjë sëmundje apo edhe vetëm kur u shkon ndër mend mundësia e një fatkeqësie, i kaplon frika se mos humbasin kënaqësitë, jetën, famën apo bukurinë e tyre.
Për disa kemi dëgjuar se e kanë mohuar Allahun, sepse mendimi për Ahiretin ua prishte kënaqësitë. E mohuan Atë në përpjekje për t'i shpëtuar asaj që ua hidhëronte jetën. Disa të tjerë, të mbërthyer nga zbrazëtia dhe ankthi i thellë shpirtëror, i kanë dhënë fund jetës së tyre. Nëse dëshironi, pyesni psikiatrit për pacientët e tyre të njohur.
Ndërsa disa të tjerë, në zemrat e të cilëve kishte mbetur ende mirësi, e ndienin aq rëndë barrën e mëkateve të tyre, saqë vetëdija për to ua kishte shuar edhe ëmbëlsinë e gjumit.
Zemra që e zemëron Zotin e saj nuk do të jetë kurrë e lumtur, edhe nëse pronari i saj zotëron tërë botën.
Një herë e pyeta një prezantuese:
"Deri kur do të vazhdosh ta kundërshtosh Allahun, duke shfrytëzuar mirësitë që Ai t'i ka dhuruar?"
Ajo shpërtheu në lot, pastaj i thashë:
"Edhe këta lot janë dëshmi se zemra nuk mund ta gjejë qetësinë e vërtetë pa iu bindur Allahut, sado që njeriu të zotërojë gjithçka që konsiderohet si kusht për një lumturi të dukshme."
Mendoj se pas kësaj ajo e braktisi atë që bënte.
Kur e pyetën Colin Wilson cili është qyteti më i pasur në botë, u përgjigj:
"New Yorku… por ai fsheh brenda vetes edhe sasinë më të madhe të palumturisë!"
Sikur kjo të vërtetonte se ndërtesat madhështore dhe luksi i jashtëm nuk mund ta zhdukin zbrazëtinë shpirtërore që lë pas mëkati, sado e fshehur të mbetet ajo nga sytë e të tjerëve.
Ky ajet i ofron ngushëllim edhe atij që i është bërë padrejtësi. Zullumqari nuk gjen qetësi të vërtetë dhe tirani nuk gjen prehje, sepse drejtësia e Allahut nuk lejon që në zemrën e tij të bashkohen dehja nga fitorja e padrejtë dhe qetësia shpirtërore.
Vëllezërit e mi, në këtë botë ekziston një xhenet që quhet bindje ndaj Allahut. Hyni në të dhe ngrihuni gjithnjë e më lart në shkallët e tij.
Ekziston edhe një zjarr që quhet mëkat. Ruhuni prej tij dhe mos iu afroni. Nëse shpirtrat tuaj dobësohen për një çast, kthjellohuni sa më parë, kërkoni falje dhe kthehuni tek Allahu.
Ngushtimi shpirtëror që njeriu përjeton në këtë botë për shkak të mëkatit i ngjan vuajtjes së mëkatarëve në zjarrin e Ahiretit. Mos ia bashkoni vetes të dyja vuajtjet: zbrazëtinë dhe ankthin e kësaj bote, si dhe dënimin e poshtërimin e Ahiretit.
Kështu më mësoi ky ajet.
Halid Hamdi