Nuk jam teolog, As poet, as prozator...
Ndaj këto që po të citoj Si të duash ti gjykoji...
Vetëm të lutem:
Të paktën lexoji!...
Lexoje pa frikë thirrjen time!
Është thirrje e frymëzuar:
Ç'më ndien zemra
Ju kam shkruar.
E kam shkruar
Për kënaqësinë e Allahut të
Lartëmadhëruar,
Zotit të gjithësisë
Dhe për hir të gjithë mirësisë
Që i dhuron çdo ditë njerëzisë...
Dëgjoje thirrjen time me gjithë zemër!...
Kush ka zemër një ditë do të ndiejë.
Kush ka mendje një ditë do të mendojë,
Dhe rrugën e Zotit do ta gjejë,
Mëshira e tij do ta shpëtojë...
Para se unë të lut njerinë,
I lutem Allahut për ndihmë,
Se njeriu vjen e ikën si era,
Ndërsa Zoti i ndritur,
Ka qenë,
Është
Dhe do të jetë përngahera...
E di se të vjen mendja vërdallë...
Po ti lexo, o njeri,
Sadopak e sado rrallë...!
Lexo Kuranin e Allahut të Madhëruar.
Lexo hadithin e Profetit të nderuar!
Ato kanë për të të lehtësuar,
Ato kanë për të të shëruar
Në këtë kohë të trazuar..
Ende me ndryshk ateizmi
Dhe pluhur laicizmi mbuluar...
Mësoji ligjet hyjnore, o njeri!
Bashkohu sa më parë me besimtarët!
Afroju Zotit, o njeri,
Se me gjithë zemër po të thërras,
Se librat qiellorë janë të parët,
Ndërsa tekstet tokësorë
Vijnë shumë më pas...
A po lexon, o njeri?...
Ti vetë e shkrove shekullin tënd.
Ashtu, duke nxituar...
Po tani ç'po ndodh me ty?!
Vallë, s'po lexon dot?!...
S'po e kupton dot shkrimin tënd?!...
Mos u habit, o njeri,
Se ndodh edhe kështu!...
Sa e sa herë
Ka ndodhur edhe më parë,
Por siç duket
Mësim nuk ke marrë
Veçse ato që i vërtiten këtij shekulli
O njeri,
Janë me shumë zarar!...
Ndaj t'i lutemi Zotit të Lartmadhëruar
T'ua presë rrugën
Që kanë marrë!...
I lutem Allahut të më mëshirojë
Se me këto që po them
Ca veta do të hidhërohen...
Por i lutem Zotit të më udhëzojë
Që shumica të gëzohen...
Për ku nxiton kështu, o njeri?!...
A ke pyetur ndonjëherë:
Kjo rrugë prej nga vjen?!...
Po kjo rrugë ku të çon?!...
Më kot lodhesh, më kot nxiton...
Ndalu!
Dorëzoju Allahut Fuqiplotë
Se nuk është tepër vonë!...
Bindu, o njeri, bindu
Me çka ngjarë
Me brezat e vjetër!...
Shpëtimi i vërtetë
Është vetëm në rrugën e Zotit
Mos u lodh kot
Në ndonjë rrugë tjetër!...
Vallë, a ke lexuar
O njeri,
Për shekujt e shkuar,
Ku Allahu i Lartmadhëruar
Njerëzit zullumqarë
I ka shkatërruar..
Të mirët i ka shpëtuar.
I ka ngritur lart,
Me xhenet i ka nderuar...
Për ku nxiton kështu,
O njeri?...
Vërtet je verbuar?!...
Vërtet je shurdhuar?!...
Të lutem, ndal!
Mos vrapo marrëzisht
Mbi shekullin
Me bomba e raketa rënduar!...
Kërkoji falje Zotit
Për çka keq ke vepruar!
Lutju Allahut të të ndihmojë
Shekullin për ta çminuar!
Ej, njeri!
Mos u bëj mendjelehtë!
Këto nuk janë mina për gurore,
Nuk janë predha konvencionale,
Por janë raketa e bomba
Bërthamore,
Që shkulin llahtarshëm
Fusha, kodra e male
Dhe bëjnë të marrin zjarr e flakë
Lumenj, dete e oqeane...
Dhe kjo ndodh
Kur ti bie pre
E vetëpëlqimit dhe e krenarisë,
Pre e urrejtjes për të tjerët,
Pre e lakmisë dhe e ligësisë,
Pre e plaçkitjes dhe shkatërrimit,
Pre e luftërave grabitqare,
Se i ke kthyer shpinën
Zotit të gjithësisë...
O njeri!
Vallë, kaq shpejt i harrove
Dy luftërat botërore?!...
Vërtet asnjë mësim
Prej tyre nuk more?...
E pra, si guxon ti, atëherë,
Të shpejtosh
Një luftë të tretë botërore?!
Dhe aq më keq:
Një luftë atomike
Një katastrofë bërthamore...
Që nuk lë asnjë bërthamë krijese
Mbi tokën e dërmuar,
Mbi tokën e helmuar..
Dije, pra, se verbërisht
Drejt Kiametit je duke nxituar,
Se llogarinë me Zotin
E ke harruar...
Ndal!
Xhehenemi të ka zënë pritë...
Dorëzoju, lutju e falju Zotit të lartmadhëruar,
Se vetëm mëshira e Tij
Ka për të të shpëtuar!...
Braktise, o njeri, rrugën e ligësisë
Mbaje, o njeri, mbaje
Amanetin e Zotit të gjithësisë!...
Dhe ec deri në fund
Në rrugën e mirësisë!
Murat Kryemadhi