Vetëvrasja - plagë e madhe

Vetëvrasja si në të kaluarën ashtu edhe në të tashmen, ka qenë dhe është një plagë e madhe si për familjen ashtu edhe për shoqërinë.

Prej shumë kohësh vetëvrasja ka qenë një problem shumë shqetësues që ka vënë në lëvizje psikolog e sociolog, duke bërë që të ngrihen organizata të ndryshme joqeveritare e shumë institucione shtetërore për zgjidhjen e këtij problemi me përmasa të gjëra.

Vitet e fundit janë shpeshtuar shumë vetëvrasjet . “Me një shtrirje në mbarë botën numri i vetëvrasjeve brenda 24 orëve në botë tejkalon 1000-shin, ndërsa brenda një viti llogariten mbi 370.000 raste, ndërsa tentim për vetëvrasje janë shumë fish më të mëdha. Shifrat e këtij fenomeni marrin më shumë jetë njerëzish se krimi i vrasjes.[1]

Vetëvrasja ka qenë prezent qysh në kohëra të hershme, ajo ka marrë jetëra edhe të personave me ndikim në histori, si mbretëresha e Egjiptit Kleopatra e cila e vrau veten për shkak të humbjes së luftës dhe vetëvrasjes se bashkëshortit të sajë.[2]

Ernest Hemiguei një nga shkrimtarët më me zë amerikan, sociolog i njohur i cili shkroi shumë libra vrau vetën e tij.[3]

Por, ajo që është më shqetësuese është se nuk kanë munguar edhe rastet kolektive, ku të njohura janë aktet e tmerrshme të vetëvrasjes më masive në botë më 1978 në Xhonstaun, Guajane, kur prifti protestant amerikan Xhim Xhons nxiti 914 ithtarë të kultit të tij që të pinë pije me cianid.[4]

Pastaj si shembull i vetëvrasjes kolektive kemi vetëvrasjen e 39 pjesëtarëve të sektit “Porta e qiellit” më 1977 në SHBA, dogma e tyre ishte se qytetërimi njerëzor është në rrugë e sipër të apokalipses, si dhe shpëtuesi do vij me pjatë fluturuese për t’i marrë me vete.[5]


Shkaqet e vetëvrasjes

Ekzistojnë shumë shkaqe që e shtyjnë një person të bej vetëvrasje, nga ato më të shpeshta mundë të konsiderohen:

-Marrëdhëniet e çrregulluara familjare, keqtrajtimet, dhuna, etj;
-Humbja e më të dashurve tonë përmes vdekjes , ndarjes , shkurorëzimit, etj;
-Dështimi në ndonjë punë të rëndësishme;
-Paaftësia e komunikimit me moshataret etj. (“Kur njeriu është krejt i shkëputur nga shoqëria – thotë Durkhemi – ai vetëvritet më lehtësisht (vetëvrasje egoiste) por ai vetëvritet edhe kur është i lidhur tepër ngushtë me shoqërinë (vetëvrasje alturiste). Pra shoqëria për të ka një rol rregullues në ekuilibrin e ndjenjave dhe të veprimtarisë së individit”.)[6]


Shenjat që paralajmërojnë vetëvrasjen

Vetëvrasja nuk ndodh papritur. Shpesh personi jep mesazhe për të dhënë në alarm ambientin ku jeton. Thirrjet për ndihmë që nuk duhen humbur janë:
- shprehjet e drejtpërdrejta (verbale apo të shkruara) që shprehin për të vdekur “Më mirë të vdes...” , “Nuk ia vlen, nuk do të më shihni më...” , “Kam frikë të vetëvritem....”;
- shprehjet indirekte si aluzionet për vetëvrasje, përgatitja për një udhëtim të gjatë, letrat e lamtumirës;
- humbja e oreksit, çrregullimet e gjumit;
- humbja e interesit për gjithçka, vetizolimi, braktisja e miqve, e shokëve, e aktiviteteve që i pëlqenin më parë;
- temperamenti që ndryshon befas, nga agresiviteti i theksuar në një dëshpërim të thellë.
Të gjitha sjelljet e mësipërme shfaqen te pjesa më e madhe e të rinjve. Shpejtësia dhe kohëzgjatja e tyre duhet të zgjojë shqetësimin e prindërve dhe të personave pranë tyre.[7]


Si mund ta ndihmojmë një person me ide vetëvrasëse?

Të thyesh qetësinë dhe izolimin dhe të flasësh për vetëvrasje me të nuk e nxit aspak kalimin në akt, por përkundrazi e ndihmon atë të thyejë ankthin, të shprehë dhimbjen dhe vuajtjen e tij.
Një person me ide vetëvrasëse mund ta ndihmojmë duke e dërguar me seriozitet, duke mos bërë moral apo duke mos e minimizuar problemin që ai ka.
Këtij personi mund t’i vijmë në ndihmë duke e vëzhguar nëse idetë vetëvrasëse i ka të vazhdueshme dhe nëse i ka siguruar mjetet për të kryer aktin e tij, pasi në këtë moment ndërhyrja duhet të jetë urgjente dhe i duhet ofruar ndihma e specialistëve, mos nguroni, flisni![8]



Vetëvrasja në Republikën e Kosovës

Si një dukuri mjaft e dhimbshme dhe shqetësuese e shfaqur së tepërmi në Republikën e Kosovën e pas luftës, është edhe vetëvrasja, e cila çdo ditë e më tepër po merr përmasa më të gjëra.

Sipas statistikave të Shërbimit Policor të Republikës së Kosovës, që nga viti 2000 e deri në vitin 2008 kanë evidentuar gjithsej 472 raste të vetëvrasjeve dhe 746 raste të tentim-vetëvrasjeve.[9]

Lidhur me shkaqet që qojnë në vetëvrasje dhe rreth asaj se çfarë po bënë shoqëria jonë në parandalimin e tyre, sociologu Fadil Maloku shprehet se fenomeni i vetëvrasjeve në Republikën e Kosovës, përveç atyre shkaqeve standarde, që i adresohen kryesisht botës perëndimore, ku janë studiuar si dukuri që i kanë shqetësuar këto shoqëri, adresohen edhe te shkaqet dhe pasojat specifike që mjerisht akoma janë në fazën fillestare.
Kur themi shkaqe specifike gjithnjë i kamë parasysh “faktet” e reja që kanë ndodhur apo aktualisht ndodhin për rreth nesh si shoqëri e re dhe e tranzicionit. Ndër këto “fakte” të reja specifike që i shtyjnë të rinjtë në Republikën e Kosovës që të bëjnë aktin më makabër ndaj vetvetes padyshim që është edhe lufta e ndodhur, traumat, pakënaqësia ndaj vetvetes dhe rrethit, histeria për të poseduar çdo gjë që identifikohet me trendin e zhvillimit ekonomik, pastaj mosprespektiva në jetë, në profesion, në dashuri, etj.
Thënë me troç, ky fenomen me të gjitha specifikat e identifikuara në vija të trasha, në Republikën e Kosovës është si pasojë e shumë faktorëve.[10]




Qëndrimi i islamit ndaj vetëvrasjes


Ende pa filluar nga këndi vështrimor se si është qëndrimi i islamit ndaj vetëvrasjes do te ndalemi ne fjalën e All-llahut xh.sh ku thotë: “…dhe mos e mbytni veten tuaj, vërtet All-llahu është i mëshirshëm për ju”.[11]

Pra shikuar në këtë aspekt vetëvrasja në thelb është e ndaluar nga vetë All-llahu xh.sh nga ajeti i mësipërm.

Ndërsa sa i përket Pejgamberit s.a.v.s ai na ka treguar qartë në shumë hadithe të tij ku tregohet se islami rreptësisht e ndalon vetëvrasjen.

Pejgamberi s.a.v.s vrasësin e konsideron njeri të dal nga korniza e fesë së tij dhe thotë:”Besimtari vazhdon të jetë brenda sferës së fesë së tij përderisa nuk derdh ndonjë gjak të ndaluar”.[12]

Edhe vetëvrasja është e po kësaj kategorie, sepse edhe ajo është privim i jetës, si e tillë ajo është e ndaluar rreptësisht.

“…dhe mos e mbytni vetën tuaj”

Andaj pavarësisht se si bëhet vetëvrasje nga shkaqet dhe motivet e saj islami e ndalon kategorikisht.

Besimtari duhet t’i përballoj me vendosmëri fatkeqësitë të cilat i vijnë pa pritur. Në asnjë mënyrë nuk lejohet që njeriu të bëj vetëvrasje për t’iu shmangur problemeve eventuale ose në gjendje shprese te humbur.

Besimi i sinqertë dhe morali i tij i lartë e obligojnë që vështirësitë t’i sfidoj e jo të ik nga fushëbeteja e jetës.

Nuk duhet harruar se vetëvrasja e largon nga mëshira e All-llahut dhe rrjedhimisht do të dënohet me xhehenem.

Ja një hadith i Pejgamberit s.a.v.s i cili na tregon për një tregim: “ Në të kaluarën një njeri ishte plagosur dhe nga dhembjet e mëdha, kishte marr thikën dhe kishte prerë nyjën e dorës. Nga gjakderdhja e madhe kishte vdekur për këtë Zoti i madhëruar ka thënë: Robi im nuk ka duruar kushtin tim për këtë jetë, prandaj për këtë shkak ia kam ndaluar xhennetin”.[13]

Gjithashtu i Dërguari i All-llahut ka thënë:” Ai që hidhet nga kodra (lartësia) dhe bën vetëvrasje do të hyjë në xhehenem, atje do të mbetet përgjithmonë. Kush pi helm dhe vret veten , ai duke mbajtur helmin në dorë do ta pi në zjarr te xhehenemit përgjithmonë. Kush e vret veten me hekur, duke mbajtur hekurin në dorën e tij do ta godas vetën në xhehenem përgjithmonë”.[14]

Kush mendon thellë nuk do të bënte gjera që në të dy jetërat të pendohej dhe të vuante.
Është normale që njeriu i cili nuk njeh asnjë nga vlerat morale që Zoti ka shpallur, i zhytur në injorancën e pa diturisë dhe mëkateve, të bjerë shpeshherë në depresion edhe atëherë kur ka arritur gjithçka, pasi shpirti nuk mund të qetësohet po nuk e njohu Krijuesin dhe nuk vendosi një ekuilibër psiko-emocional.

Sa më shumë që largohet njeriu nga respekti ndaj Zotit të vet aq më shumë fundoset në dëfrime dhe pason epshin, aq më tepër i merren shkaqet e lumturisë, e kaplon brenga dhe mërzia.

Pra njeriu duhet të pendohet dhe ti kthehet rrugës së All-llahut, rrugës së lumturisë dhe Zoti premton se do tua lehtëson rrugën atyre që janë kthyer nga Ai.

Allahu xh.sh thotë: "O ju që keni besuar, keni frikë All-llahun me një frikë të denjë dhe mos vdisni, pos duke qenë muslimanë!"[15]

Ibën Hazmi thotë: Çdonjëri që urdhërohet të bëj një ndalesë, e ka haram të zbatoj atë, e nëse e bën, ai është mëkatar dhe nuk ka arsye. Edhe ai i cili urdhëron veten në diçka të ndaluar, po ashtu është mëkatar.[16]

“mos mbytni veten tuaj (duke mbytur njëri-tjetrin). Vërtet, All-llahu është i Mëshirshëm për ju.”[17]

Ky ajet është teksti që e prenë këtë çështje sepse përmendet arsyeja për ndalimin e vrasjes, e ajo është mëshira e Allahut ndaj robërve të Tij. Allahu po ashtu thotë: “…mos e mbytni njeriun sepse mbytjen e tij e ndaloi All-llahu, përpos kur është me vend…”[18]

E përfundojmë me fjalën e lartmadhërishme të All-llahut xh.sh. ku thotë: “E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë…”[19]



(Autori është student në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë)



Referencat:

[1] “Argumenti” reviste për te rinj nr. 27
[2] Po aty
[3] Marr nga http:shprehu.info/forum/viewtopik
[4] Fethi Jekin “Sfidat e shekullit XXI” f. 23
[5] Po aty
[6] Revista“Dituria islame” nr. 200 mars 2007
[7]Revista “Argumenti”, numër 50, maj 2006.
[8] Po aty.
[9] “Kosova Sot” gazete e përditshme, 10 prill 2009
[10] Po aty
[11] Kur’an Nisa, IV, 29
[12] Transmeton Muhammed Ibën Ismail Ibën Ibrahim el-Buhari në kapitullin e dënimeve rreth mbytjes së njeriut Nr. 6862
[13] Transmetohet nga Xhundub ibn Abdullahi nga Buhariu Nr. 1364
[14] Transmetohet nga Ebu Hurejra nga Buhariu në kapitullin e mjekësisë Nr. 5442
[15] Kur’an, Ali Imran, III, 102
[16] El-muhal-la 10/471
[17] Kur’an Nisa, IV, 29
[18] Kur’an, En’am, VI, 151
[19] Kur’an. Ta Ha, XX, 124