Ebu Muadh Muhammed et-Tajië
Falënderimet i takojnë Allahut ndërsa përshëndetjet qofshin për Muhammedin, familjen, shokët dhe te gjithë pasuesit e tij gjer në amshim!
Ka thënë Allahu i Madhëruar: “... prandaj, le të ruhen ata që kundërshtojnë rrugën e Tij (të të dërguarit) se ata do t'i zë ndonjë telashe, ose do t'i godasë dënimi i idhët.” (Kur’ani, en-Nur, 63)
Ka thënë Ibni Abbasi: “...telashe-ja (fitneja) këtu e ka kuptimin e vrasjes – mbytjes; Atau mendon se për qëllim janë tërmetet dhe trishtimet derisa Xha’fer Ibn Muhammedi, mendon se për qëllim është udhëheqësi tiran që shtyp njerëzit. (Tefsir er-Rrazi, f. 3370.)
Të tjerë mendojnë se për qëllim është vulosja e zemrave me fatkeqësinë e kundërshtimit të Pejgamberit, alejhi’s selam. (Fet’hu-l-Kadir, 4/84.)
Që të gjitha këto domethënie mund të jenë pjesë e ajetit ngase vritet ai që vret, sprovohen me tërmete dhe trishtime, e mëkatet dhe kundërshtimi që Allahut të Madhëruar dhe të Dërguarit të Tij, Muhammedit, alejhi’s selam ia bëjnë mund të jenë shkak që për prijës të caktohet ndonjë tiran, i cili iu bën padrejtësi të mëdha dhe i dënon ashpër. Faktet konkrete nuk kanë nevojë për emërtime, shikoje gjendjen aktuale dhe i sheh të gjalla këto gjëra.
Është thënë se ‘vulosja e zemrave’ është më e vështira, ngase i sheh disa njerëz që mendojnë se janë të mirë, se janë në të vërtetën, por nuk e dinë se zemrat e tyre janë të vulosura, se zemrat e tyre janë të transformuara, se kanë shitur fenë pa e kuptuar fare... Dijetarët thonë se transformimi i zemrave është më i rëndë se a i trupit. Ka thënë Ebu Hurejre: “Nuk do të ndodhë kiameti përderisa dy njerëz të mos nisen për të bërë amoralitet ndërsa njëri prej tyre të shndërrohet në majmun ose derr dhe kjo të mos e pengojë tjetrin fare që ta kryejë mëkatin. Po kështu, nuk do të ndodhë kiameti edhe derisa dy njerëz të nisen për amoralitet ndërsa njëri prej tyre të fundoset në tokë e tjetri të mos ndalet pa e bërë amoralitetin.” (Igathetu-l-Lehefan, 1/266)
E kur ta kemi marrë vesh shkakun e këtyre fitneve dhe këtij kundërshtimi ndaj urdhrave të Allahut të Madhëruar dhe të Dërguarit të Tij, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, e krahas kësaj edhe heshtjen e pajustifikuar të njerëzve përballë këtyre dukurive negative, atëherë e kemi të lehtë të kuptojmë se kjo që na ndodhë është vetëm një pjesë e asaj që meritojmë të na ndodhë shkak i mëkateve tona. Allahu i Madhëruar ka thënë:
“Për shkak të veprave (të këqija) të njerëzve, janë shfaqur në tokë e në det të zeza (bela, skamje, katastrofa, humbje e bereqetit etj.), e për ta përjetuar ata një pjesë të asaj të keqeje që e bënë, ashtu që të tërhiqen (nga të këqijat).” (Kur’ani, err-Rrum, 41)
Pra, tërë e keqja që ndodhë është shkak i mëkateve tona.
Nga ajo që kaloi mund të kuptojmë se zgjidhja e problemit është në urdhërimin për të mirë dhe ndalimin nga e keqja, e kur kjo fe të përhapet, atëherë tradita (sunneti) do të dallohet nga risitë, hallalli nga harami, njerëzit do ta kuptojnë vaxhibin dhe sunnetin, mubahin dhe mekruhin, e rrjedhimisht do të kemi gjeneratë të ndërtuar mbi aprimin e mirësisë dhe e cila do të ketë rrugë të ndara me të keqen. Ka thënë Pejgamberi, alejhi’s selam:
“O Muhaxhirë! Kur do të goditeni me pesë gjëra -ndërsa unë kërkoj mbrojtje tek Allahu që të mos i arrini fare ato- ( ngase do të ndodhin gjëra si në vijim): Nuk do të përhapet prostitucioni në ndonjë vend publikisht e të mos i sprovojë Allahu i Madhëruar me murtajë dhe sëmundje që të parët e tyre nuk kanë qenë ë dijeni fare për to; nuk do të bëjnë mashtrime në peshojë dhe kandar e të mos sprovohen me thatësi, furnizim të vështirë dhe agresivitet nga pushtetarët; nuk do të ndalojnë dhënien e Zekatit e të mos sprovohen me thatësi dhe po të mos ishin kafshët as edhe një pikë shiu nuk do të binte nga qielli; nuk ndodhë që ta thyejnë besën e Allahut dhe të Dërguarit të Tije, e të mos i nënshtrojë ata para një armiku të tyre të huaj, që ua marrin disa gjëra që i kanë pasur në dorë, dhe nuk ndodhë që të mos gjykojnë prijësit e tyre me librin e Allahut dhe të përzgjedhin nga ajo që është
shpallur e që armiqësia të mos hidhet ndërmjet tyre!” (Transmeton Ibni Maxheh dhe të tjerë ndërsa Albani në Es-Sahihah, 106, e ka vlerësuar për hasen.)
I mençuri e di se ajo që i ndodhë muslimanëve është shkak i injorancës dhe braktisjes së parimeve fetare, e për çka në radhë të parë duhet të qortohen dijetarët. Shkak i kësaj neglizhence kemi gjenerata që nuk bëjnë mirë dhe nuk ndalojnë të keqe, kemi ekstremitet dhe radikalizëm, kemi kamatë, prostitucion, konsumimi të alkoolit, e shumë gjëra dhe dukuri tjera negative.
Zoti qoftë i kënaqur me ne!
Sedat Islami
Burimi: www.al-islam.com