Dr. Mahmud Hamdi Zakzuk
Islami- sikur është e ditur për çdo mysliman- nuk është e mundur të imagjinohet pa Muhamedin dhe Kuranin, sikurse Krishterimi nuk mund të imagjinohet pa Mesihun, po as hebraizmi nuk mund të imagjinohet pa Musain, paqja dhe shpëtimi qofshin për të gjithë.
Në Gjermani jetojnë më shumë se katër milion myslimanë, që janë bërë pjesë e popullit gjerman, merren me veprimtari të ndryshme, duke filluar prej punëve fizike e deri tek biznese firma të mëdha. Disa prej tyre janë pjesëmarrës edhe në politikë dhe janë nën ombrellën e ndonjë partie. (Kështu) një zonjë myslimane me origjinë turke para pak javësh ka arritur postin e Ministres së Punëve Sociale dhe Integrimeve në landin Saksonia e Ulët.
Fëmijët myslimanë i vijojnë mësimet në shkolla të përgjithshme gjermane. Duke marrë parasysh se shumica e myslimanëve në Gjermani janë turq, Turqia dërgon atje imamë të xhamive, që t’u prijnë turqve myslimanë (në ato xhami).
Mandej dërgon edhe profesorë që t’ua mësojnë fenë islame fëmijëve myslimanë në shkollat gjermane. Mirëpo (këtu paraqitet) një problem se shumica e imamëve dhe profesorëve turq, nuk e njohin gjuhen gjermane, po Qeveria gjermane bën përpjekje në integrimin e myslimanëve në shoqërinë gjermane dhe për të arritur këtë orvatet për vite të tëra t’i kalojë vështirësitë në këtë drejtim. Një nga këto vështirësi është pikërisht mësimi i fesë islame për fëmijë në shkolla dhe ligjëratat e xhumasë në xhami në gjuhë jogjermane. Para nja njëzet vjetësh, pati një nismë islame për ta zgjidhur këtë vështirësi për themelimin e një Instituti të Studimeve Islame, i cili të ishte në kuadër të Universitetit të Hamburgut, i mbikëqyrur nga’’Ez’heri’’, po për nga ana shkencore t’i nënshtrohej sistemit mësimor që bëhet (në Universitetin Ez’her apo në Universitetin gjerman do të lëshoheshin diplomat).
Përgatitja e imamëve
Qëllimi i hapjes së këtij Instituti ishte të formonte (të aftësonte) imamë për xhami dhe profesorë të fesë islame për mësimin e nxënësve myslimanë në shkollat gjermane. Ky propozim ka ardhur nga një profesor mysliman, që punonte në Universitet, që ishte prof. Flatori, i cili bëri përgatitjet parimore për projektin dhe ia paraqiti ekselencës ish-Imamit të madh Shejh Xhadil Hak (Rektor i Ez’herit). Rektorit në fjalë i pëlqeu projekti dhe më ngarkoi mua, që atë kohë isha dekan i Fakultetit "Usulud-Din" - që të bisedoja lidhur me këtë temë me Rektorin e Universitetit të Hamburgut. Unë i bëra një vizitë Universitetit në fjalë dhe takova Rektorin e me të biseduam gjerë e gjatë për projektin. Ai e mirëpriti pa rezervë kur dëgjoi për maturinë e “Ez’herit”. Megjithatë, ai shtroi një kusht të vetëm garanci - vazhdimin e Institutit dhe mosndërprerjen e tij në të ardhmen, që d.m.th. një domosdoshmëri e formimit të një vakëfi (pasuri bamirëse) në një shumë pesë milion euro, shpenzime vjetore për Institutin. Rektori i “Ez’herit” ua paraqiti këtë çështje disa organizatave bamirëse në shtetet e Gjirit Persik për të marrë pjesë në ketë shumë dhe për t’u zbatuar projekti.
Pas disa kontakteve dhe konsultimeve, në disa prej të cilave kam qenë pjesëmarrës dhe unë, organizata bamirëse në fjalë kërkoi falje për mospjesëmarrje në këtë projekt, ndonëse ishte një shans i artë që nuk do të përsëritet dot, dhe sidomos jo pas 11 Shtatorit 2001, pas shfaqjes në skenë të hapur të armiqësisë për Islamin dhe myslimanët në Perëndim. Prof. Flatori vdiq para se të shoh projektin që del në dritë. Kështu problemi i integrimit të emigrantëve myslimanë në shoqëritë evropiane mbeti një gjë që i mundon këto shoqëri-vende.
Evropa frikësohet–nëse vazhdon gjendja (e këtillë) nga ardhja e profesorëve dhe imamëve nga jashtë shteteve evropiane, që nuk e dinë gjuhën e këtyre vendeve dhe as situatën e shoqërive evropiane, që të rrisin e t’i edukojnë atje ku jetojnë. Austria ka qenë e para nga shtetet evropiane që e ka zgjidhur këtë problem. Ajo tashmë ka dhënë pëlqimin për themelimin e një Akademie Islame të Edukimit, e cila vepron tash e dhjetë vjet, për të nxjerrë profesorë dhe imamë që flasin gjuhën e vendit dhe që kanë përfituar programe edukimi në Universitet, (duke) i shtuar edhe programin islam në akademi. Unë kam marrë pjesë në këtë Akademi me dr. Mustafa El-Feki-un, kur ai ishte ambasador i Egjiptit në Austri. Nisma të këtilla
në këtë drejtim ka dhe nga Holanda e Belgjika.
Gjatë një udhëtimi në Evropë kam kuptuar që edhe në vende të tjera evropiane ka interesim për mësim të mirëfilltë të myslimanëve që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës- në veçanti në ato që kanë shumë emigrantë myslimanë, si Franca e Gjermania. Nuk ka dyshim se atje ka nevojë për një këmbëngulje për shërimin e këtij problemi në të dyja këto (shtete). Dijetarët e specializuar në Gjermani i janë kushtuar studimit të kësaj teme dhe kanë ardhur në përfundimin për nevojën e zhvillimit të studimeve islame në një numër universitetesh gjermane, që të kishin drejtime të veçanta në këto universitete, nga të cilat do të dilnin profesorë për t’u mësuar Islamin fëmijëve myslimanë në shkollat gjermane; po ashtu edhe nxjerrjen e imamëve për xhami atje. Lidhur me këtë temë, Universiteti ’’Mynstër’’ është i pari që ka themeluar katedrën e Studimeve Islame në vitin 2004, dhe shef katedre caktoi një profesor gjerman-mysliman, i cili u ngarkua për herë të parë me atë punë të rëndësishme-formimin e profesorëve dhe imamëve myslimanë, që të kryejnë detyrat e përmendura më sipër.
Myslimanët në Gjermani përgëzonin njëri-tjetrin me të mira për caktimin e profesorit mysliman për trajnimin e imamëve dhe profesorëve myslimanë që të ushtronin punën e tyre në të ardhmen në meset e myslimanëve kudo në Evropë. Mirëpo ky profesor i ri, pas një kohe të shkurtër, i habiti të gjithë me një debat të rrezikshëm, ku vuri në dyshim ekzistimin e historisë për Pejgamberin Muhamed a. s. Në Shpallje Kuranore. Kjo do të thotë shkatërrim i plotë për Islamin pas boshllëkut, pa asnjë garanci të vërtetë, që do të thotë sikur myslimanët jetuakan që prej më shumë se 14 shekujsh në hije e në një iluzion të madh. Islami- sikur është e ditur për çdo mysliman- nuk është e mundur të imagjinohet pa Muhamedin dhe Kuranin, sikurse Krishterimi nuk mund të imagjinohet pa Mesihun, po as hebraizmi nuk mund të imagjinohet pa Musain, paqja dhe shpëtimi qofshin për të gjithë. Bashkësitë Islame në gjermani ndien peshën e rrezikut që përbëjnë mendimet shkatërruese për Islamin dhe myslimanët, në bazë të asaj (që u pa prej tij), prandaj u tërhoqën nga marrëveshja që kishin me profesorin,vendosën të mos bashkëpunonin me të dhe i penguan nxënësit e studentët që të shkonin për të marrë mësime tek ai, kurse vetë nxënësit e studentët protestuan te Rektori i Universitetit dhe kërkuan largimin e profesorit të përmendur nga puna që ai bënte - (trajnimi) i profesorëve për mësimin e fesë islame, dhe shpallën se i ndërprisnin programet që realizonte ai profesor.
Universiteti, pasi vërtetoi realitetin e ngjarjes, iu përgjigj pozitivisht këtyre thirrjeve, vendosi të pezullonte nga puna e trajnimit të përmendur më parë, profesorin e përfolur, por megjithatë, profesorin e la të merrej edhe më tutje me studime islame, duke u mbështetur mbi parimin e lirisë akademike në universitete gjermane. E pastaj, Universiteti zgjodhi një profesor tjetër mysliman në vend të të shkarkuarit, që të udhëhiqte katedrën e Studimeve Islame, e cila kualifikon kuadro profesionale, qoftë për imamë qoftë për profesorë të ardhshëm myslimanë, që ata të ushtrojnë punën e tyre në Gjermani dhe të kontribuojnë në integrimin e myslimanëve në shoqërinë gjermane.
Përktheu: Prof. Bajrush Ahmeti