Mbahet mbledhja e arsimtarëve të edukatës islame në shkollat publike të Austrisë

Në foto: Arsimtarët shqiptarë së bashku me përgjegjësin e Bashkësisë Islame për edukatën islame në Austri Mr. Zekirija Sejdini (poashtu shqiptar i treti nga e djathta) njëherit edhe Kryetarë i Kuvendit të Bashkësisë Islame të Austrisë si dhe zëdhënës i saj.



U mbajt mbledhja e arsimtarëve të edukatës islame në Austri në mesin e tyre edhe dhjetëra arsimtarë shqiptarë

Derisa në Kosovë ashpër po debatohet kundër futjes së edukatës fetare në shkollat publike, në Austri si çdo vit tjetër edhe këtë vit të shtunën me 10.09.2011 u mbajt mbledhja e arsimtarëve të edukatës islame në shkollat publike të Austrisë me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor.
Që nga viti shkollor 1982/83 në Austri mësohet edhe lënda e edukatës islame në shkollat publike të Austrisë. Organizimin e edukatës islame në shkollat publike e udhëheqë Bashkësia Islame e Austrisë në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, kurse financimin për të gjitha shpenzimet që kanë të bëjnë me edukatë islame i mbulon Ministria e Arsimit. Deri në vitin shkollor 2010/11 nxënësit duhej të paguanin vetëm 10% nga kostoja e teksteve shkollore e cila kosto nxënësve ju kushtonte 0.70 € për klasat e ulëta të shkollës fillore kurse 1.13 € për klasat e larta. Që nga ky vit shkollor Ministria e Arsimit e Austrisë ka liruar nxënësit muslimanë edhe nga ky 10% dhe ata këtë vit do t‘i marrin tekstet shkollore të edukatës islame falas. Numri i nxënësve të cilët ndjekin edukatën islame arrin deri në 60.000 nga të gjitha nacionalitetet, kurse mësimi zhvillohet në gjuhën gjermane. Rreth 500 arsimtarë mbajnë mësimin e edukatës islame në këto shkollat, ndërsa dhjetëra prej tyre janë shqiptarë nga Maqedonia dhe Kosova.
Bashkësia Islame e Austrisë përbëhet nga tetë regjione (Lande) dhe në tetë këto regjione ka edhe Këshillat e vetë. Çdo regjion ka më së paku një inspektor të edukatës islame i cili përcjell zhvillimin e mësimit të edukatës islame në shkollat publike. Emërimi i inspektorëve dhe arsimtarëve të edukatës islame bëhet nga Bashkësia Islame kurse pagesa e tyre nga Ministria e Arsimit e Austrisë.
Edukata Islame është lëndë vullnetare, por pas vendosjes së prindërve për pjesëmarrjen e fëmijëve të tyre në lëndën e edukatës fetare, atëherë ajo kalon në lëndë obligative ku nxënësit do të notohen dhe ju nënshtrohen të gjitha dispozitave të lëndëve obligative. Afati i prindërve për të vendosur nëse fëmija i tyre do të marrë pjesë në lëndën e edukatës islame është deri të premten e javës së parë të fillimit të vitit shkollor. Ç’lajmërimi nga pjesëmarrja në edukatën islame duhet të bëhet me shkrim dhe nëse deri të premten e javës së parë kjo nuk bëhet atëherë nxënësit myslimanë janë të obliguar që të marrin pjesë në lëndën e edukatës islame. Të hënën e javës së dytë të fillimit të vitit shkollorë çdo drejtorë duhet të ketë listën e gatshme të nxënësve myslimanë që do të marrin pjesë në lëndën e edukatës islame dhe do t’ia dorëzoj arsimtarit të edukatës islame dhe pastaj bashkërisht do ta përpilojnë edhe orarin. Nëse në një klasë është numri i mjaftueshëm i nxënësve myslimanë me të cilët mund të formohet një grup atëherë mësimi do të mbahet paralel me edukatën krishtere. Grupi në të cilin do të ketë më shumë nxënës të krishterë apo myslimanë do të mbajnë mësimin në klasën e vetë kurse grupi në i vogël do të shkoj në një klasë tjetër e cila është e lirë. Nëse numri i nxënësve myslimanë që do të marrin pjesë në lëndën e edukatës fetare është i vogël sa që nuk mund të formohet një grup atëherë ata do t’ju bashkëngjitën klasave tjera. Numri minimal për të formuar një grup është 3 nxënës.
Në fundjavën e fundit të pushimeve verore dhe para fillimit të vitit shkollor çdo vit Bashkësia Islame e Austrisë mbanë mbledhje me të gjithë arsimtarët e edukatës islame në Austri ku atyre do t’u drejtohet Kryetari i Bashkësisë Islame i cili do t’i informoj për të rejat dhe ndryshimet eventuale që kanë të bëjnë me Bashkësinë Islame dhe çështjet shkollore, e më pastaj arsimtarëve do t’ju drejtohen inspektorët e edukatës islame nga të gjitha regjionet të cilët informojnë arsimtarët për ndryshimet, sukseset apo edhe vështirësitë me të cilat janë ballafaquar ata në regjionin e tyre. Më pastaj secili inspektor do të merr arsimtarët e regjionit të tij dhe do t’ua shpërndaj vendimet, kontratat, listat e shkollave ku do të mbaj mësim si dhe informacionet tjera që kanë të bëjnë me regjionin e tij. Arsimtarët e edukatës islame janë të obliguar që të marrin pjesë në mbledhjen e parë dhe të fundit të Këshillit të Arsimtarëve në shkollën ku ai punon. Në një afat prej dy deri në tri javë arsimtari i edukatës islame është i obliguar që të gjitha statistikat e nxënësve dhe grupeve të tij si dhe orarin e edukatës islame t’ia dërgoi inspektorit të regjionit të tij. Në fund të gjysmëvjetorit të parë dhe të dytë arsimtari është i obliguar që listën e notave të nxënësve t’ia dorëzoi mësuesit apo mësueses së klasës dhe inspektorit të edukatës islame, të cilat nota do të bartën në dëftesën e nxënësit dhe atë në rubrikën e parë të dëftesës.



Përgatiti: Vahidin Beluli