Islami karshi dhunës

Dhuna nuk është natyrë e Islamit, ndërkaq të shumtë janë atë që përpiqen t’i paraqesin muslimanët si të dhunshëm. Ky perceptim është padyshim i gabuar dhe i padrejtë. Allahu në Kuran është i cilësuar më shumë me atributet e mëshirës, faljes, butësisë dhe bamirësisë.

Vetëm emrat Rahman (i Gjithëmëshirshmi) dhe Rahim (Mëshirëploti) së bashku janë përmendur 118 herë, e lëre më emrat e tjerë. Në Kuran mëshira paraqitet e përgjithshme, për dallim me dënimin që paraqitet si i kushtëzuar.

Allahu thotë: “Unë godas me dënimin Tim kë të dua, ndërsa mëshira Ime përfshin çdo gjë.” Zoti na e bëri të qartë në shpalljen e Tij të fundit se misioni dhe përmbajtja e mësimeve të Profetit Muhamed është ‘mëshirë për botët’ dhe në këtë kuptim ai proklamoi se: “Ai që nuk mëshiron (të tjerët) nuk mëshirohet (nga Allahu).”

Aktet e dhunshme të kryera nga muslimanët viteve të fundit si: rrëmbimi i avionëve, marrja e pengjeve, vrasja e turistëve, vendosja e bombave në qendra tregtare dhe vende publike duke vrarë civilë, e akte të tjera të ngjashme si këto Islami i dënon pavarësisht përkatësisë së kryerësit. Feja jonë ka qëndrim kategorik ndaj terrorizmit, sepse në asnjë mënyrë nuk lejohet agresioni ndaj njerëzve të pafajshëm. Rregulli parësor që ka vendosur Kurani dhe të gjitha librat e shpallur është: “Se askush nuk do t’i mbartë gjynahet e tjetrit.”

Dhuna nuk është fenomen vetëm te muslimanët, por edhe te të gjitha besimet dhe kombet, prandaj duhet të angazhohen të gjithë pa përjashtim për ta denoncuar atë. Grupimet islame që kanë zgjedhur dhunën si mjet, e kanë bërë këtë në saje të frymës ideologjike që mbartin. Të tillë ishin edhe paraardhësit e tyre havarixhët, të cilët ishin të përkushtuar në kryerjen e disa adhurimeve fizike, mirëpo në anën tjetër lejonin pa të drejtë derdhjen e gjakut të muslimanëve dhe të tjerëve.

Pra, defekti i tyre qëndron te logjika dhe niveli i të kuptuarit të tyre për fenë, njerëzit dhe jetën në përgjithësi. Nga këtu ne konsiderojmë, se ballafaqimi i parë me ta duhet të bëhet në rrafshin ideologjik, pikërisht ashtu si veproi kalifi i drejtë Aliu para 14 shekujve, kur dërgoi Ibën Abasin për të polemizuar me ta dhe pas një debati të nxehtë e të gjatë rezultoi që hoqën dorë nga konceptet e gabuara mijëra prej tyre. Nisur nga ky fakt është detyrim i dijetarëve dhe i hoxhallarëve, që të debatojnë më të gjithë ata që kanë interpretime specifike të fesë dhe që i përdorin citimet në vende të gabuara, në mënyrë që t’ua ndryshojnë ato koncepte dhe t’i orientojnë në kuptimin e drejtë të Islamit.

Ata janë kryesisht njerëz me nivel mesatar, të cilët nuk e kanë kurajën të zhyten në thellësi të objektivave të argumenteve, megjithëse lexojnë Kuranin, por mësimet e tij nuk ua tejkalojnë fytin e tyre për t’u depërtuar në zemër. Faza e parë e ballafaqimit të dijetarëve duhet të jetë në logjikën e veprimeve të tyre. Sa janë me të vërtetë legjitime ato dhe: a kanë bazë në mësimet e fesë?

Cilat janë të arritjet nga veprimet e dhunshme? Çfarë ndryshimi pozitiv kanë arritur të bëjnë? Çfarë përfitimi arriti ummeti islam nga operacione të tilla? Rezultati i këtyre aksioneve është se shumica e viktimave që ata kanë shkaktuar janë muslimanë dhe njerëz të pafajshëm, ndërsa Allahu thotë: “Kush vret ndokënd, që s’ka vrarë njeri, ose që nuk ka bërë çrregullime në Tokë është sikur të ketë vrarë gjithë njerëzimin.”

Kryerësit e tyre, ose janë vrarë, ose dergjen nëpër burgje. Veprime të tilla në masë të madhe kanë ndikuar në ndalimin dhe pengimin e veprimtarisë së thirrjes islame, si në botën arabe edhe më gjerë, mbylljen e shumë shoqatave kulturore dhe humanitare nga të cilat kanë përfituar miliona njerëz dhe më e keqja prej të gjithave, ata kanë njollosur imazhin e Islamit dhe muslimanëve anekënd botës. Ajo çfarë me të vërtetë është për t’u përshëndetur kohët e fundit dhe që përbën edhe një përgëzim dhe shpresë është pendimi i hapur për veprimet e dhunshme, që kanë bërë në të kaluarën i shumë grupimeve dhe protagonistëve. Ata e kanë pranuar fajin dhe i kanë kërkuar falje publikut, dhe të gjithë atyre që u kanë shkaktuar dëm. Pra, dhuna që shkaktojnë pjesëtarët e besimit islam duhet të luftohet me të gjitha format dhe mjetet së pari nga vetë muslimanët



Shkruar nga Agron Terziqi
Editoriali i revistës Albislam nr. 80