Mbishkrimi i Pllakës së mermertë të gurthemelit të Urës së moçme në Rogovë të Hasit thuhet, sipas përkthimit të lirë: ”I njëjti bujar Hasan Aga, i cili u bë i pranueshëm i Mbretit të mbretërve të botës. Që të bëhet ndërtimi i rrugës te vendkalimi i lumit, ka bërë një urë të përforcuar me shtylla. Valihu për këtë e tha kronostikun: O urë e çuditshme ndërtim i fortë! ” Vlera numerike e kronostikut është 987, që tregon vitin e ndërtimit të Urës sipas kalendarit hixhrijan, dhe i përgjigjet vitit 1579 sipas erës sonë. Leximin, përkthimin dhe deshifrimin e e mbishkrimit e bëri prof. Nehat Krasniqi, Shef i Departamentit të Koleksioneve të veçanta në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës.
Më 9 prill 2006, në fshatin Rogovë të Hasit të Komunës së Gjakovës, në vendin KÂMZA e URËS SË MOÇME, u zbulua Pllaka e mermertë të gurthemelit të Urës së Moçme, 150 m. të gjatë që kishte më shumë se 9 harqe, e ndërtuar në vitin 987 të hixhrit, apo në vitin 1579 të erës sonë. Kjo pllakë e mermertë me mbishkrimin e Urës ka dimensionet: 89 cm e gjatë, 49 cm e gjerë dhe 9 cm e trashë, dhe pesha e kësaj Pllake të mermertë është më se 70 kg. Mermeri është i bardhë dhe në sipërfaqen e kësaj Pllake janë skalitur vetëm shkronjat me alfabet turko-arab, kurse e folmja është Osmanishtja.
Shkronjat dhe kronogrami janë përpiluar me dorën e poetit shqiptar Ahmed Çelebiut-Shkupjanit, i njohur me pseudonimin Valihu, i cili vdiq në vitin 1599 në Shkup që u varros në një tyrbe dhe varri i tij edhe sot vizitohet nga një sekt dervishësh. Ahmed Çelebiu-Shkupjani është autor i shumë shkrimeve dhe kronogrameve të shumë objekteve të rëndësishme fetare, kulturore dhe infrastrukturore në të gjitha anët dhe trojet etnike shqiptare, sidomos kur donatorët dhe ktitorët kanë qenë me origjinë shqiptare, ashtu siç ishte rasti me Hirësinë e Tij HASAN PASHË JEMISHÇIUN (1535-1603) e Rogovës së Hasit, që për tre vjet ishte edhe në postin e Sadriazemit-Vezirit të Madh në Perandorinë Osmane.
Deri më sot, janë zbuluar e dokumentuar dy Pllaka të mermertë, që janë vënë në gurthemelet e dy objekteve të rëndësishme historike në Rogovë të Hasit. Njëra Pllakë e mermertë është e vendosur mbi derën e hyrjes kryesore të Xhamisë së Hasan Agës në vitin 988 të hixhrit (1580 e.s.), dhe Pllaka e dytë e mermertë me mbishkrimin që është vënë në gurthemelin e Urës së moçme në vitin 987 të hixhrit (1579 e.s.), e cila u zbulua këto ditë, ku 427 vjet ishte në themelet e Urës madhështore më se 150 metra e gjatë për strup Drinit të Bardhë në vendbanimin e Rogovës së Hasit, pa u ditur deri më tash se kush dhe kur e ka ndërtuar këtë Urë? Pra, njëra prej enigmave të kahershme u zgjidh: u dëshmua dhe u dokumentua se Hirësia e tij Hasan Aga, alias Hasan Pashë Jemishçiu i Rogovës, është donator e ktitor edhe I objektit madhështor të Urës së moçme, që deri më tash nuk dihej se kush dhe kur e kishte ndërtuar. Besohet se vetë Hirësia e Tij Hasan Pashë Jemishçiu, alias Hasan Aga, e ka vënë me duart e tij Pllakën me mbishkrimin në gurthemelet e Urës së moçme në Rogovë në vitin 1579.
Ura e moçme në Rogovë të Hasit, me shekuj gjendet në gërmadha përstrup Drinit të Bardhë në vendin Hija e Metës, që nuk dihej se prej kur gjendet kështu në gërmadha, por edhe nuk dihej se nga kush dhe kur u ndërtua, por edhe nuk dihej se nga kush dhe kur u shkatërrua? Kështu e kishin vërejtur gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë nga e kaluara e deri këto ditë, pra rrafsh 427 vjet. Përveç gojëdhënës popullore që tregohej e përcillej brez pas brezi, se Rogova në të kaluarën e hershme e kishte një burrështetas të rëndësishëm që kishte post të lartë në Perandorinë Osmane, që njihej me emrin Hasan Pasha, i cili u lind në Rogovë dhe këtu e kaloi fëmijërinë dhe rininë e hershme, këtu i kishte edhe varret e prindërve të tij, që herët mbeti jetim dhe qysh në fëmijëri iu desh që të punojë për të siguruar kafshatën e bukës si rrogëtar i bagëtive. Shumë rrethana e shtyn që të kërkojë kafshatën e gojës edhe gjetiu, dhe kështu për disa kohë u vendos në Prizren te një pasanik shpirtmirë, i cili i ndihmoi që të mësojë shkrim-lexim, por edhe u kujdes që Hasani i ri të shkojë në radhët e ushtrisë turke, dhe atje shkollohet dhe kryen me sukses të lakmueshëm Akademinë Ushtarake në Stamboll. Kështu, sukses pas suksesi ashtu siç e kanë për traditë dhe trashëgim shqiptarët, edhe Hasan Jemishçiu arriti në postet më të larta që asokohe i jepej ndonjë funksionari joturk, pra përveç atij të Sulltanit që ishte i rezervuar vetëm për qytetarët autoktonë turq. Hasan Jemishçiu deri në vitin 1580, e kishte titullin Aga, nga ky vit e tutje e ka titullin Pasha, kurse gjatë viteve 1601, 1602 dhe 1603, ishte në postin e Sadriazemit-Vezirit të Madh në Perandorinë Osmane, dhe papritur, kush e di se për çfarë arsye, në vitin 1603 ekzekutohet nga ana e Sulltan Mehmetit të Tretë.
Kështu shprehet në shkrimin e tij prof. dr. Sabit Uka: “Sadriazemët me origjinë shqiptare në Perandorinë Osmane”, në gazetën “Bujku” nr. 1889 të vitit 1997, ku thotë: ”Hasan Pashë Jemishçiu ishte Sadria zemi XIV me radhë në Perandorinë Osmane, i lindur në fshatin Rogovë të Hasit dhe në postin e Sadriazemit ka qenë në vitet 1601-1603, qe vrarë me urdhrin e Sulltan Mehmetit III”.
Pra, ky ishte personaliteti i Hasan Pashë Jemishçiut, i cili edhe pse arriti në postet më të larta të administratës në Perandorinë Osmane, kurrë nuk e harroi vendlindjen e tij Rogovën e Hasit, dhe u mundua me mish e shpirt që ta ndihmojë në çdo pikëpamje në zhvillimin ekonomik, arsimor, fetar, infrastrukturor, bujqësor, zejtar dhe ndërtimin e objekteve kapitale, që në atë kohë e shndërruan Rogovën në një Kasaba për çdo lakmi, gjë që edhe sot mund të vërehen e dokumentohen sa vijon:
Ura e moçme, e ndërtuar në vitin 1579, Xhamia e ndërtuar në vitin 1580, Mejtepi ngjitas me Xhami, Hamami, sot në gërmadha mendohet të jetë ndërtuar në vitin 1577, Kulla e moçme, mendohet të jetë ndërtuar në vitin 1576 dhe sot ende shërben për banim, Rrugët e shtruara me rrasa guri në afro 3 km, që edhe sot shihen, kurse Karvansarajet, Imareti i Xhamisë, dyqanet tregtare e zejtare, Ujësjellësi me rënie të lirë për Hamamin, kanalizimet për ujërat atmosferike dhe fekale, puset, krojet, të gjitha këto janë në gërmadha dhe përmenden si toponime, bile Hasani planifikoi dhe një pjesë të tij e realizoi, të sistemit të ujitjes së arave, pemishteve, kullosave etj.
Thuhet se Hirësia e Tij Hasan Pashë Jemishçiu e ka pasur për lakmi, hobi dhe zeje pemëtarinë , sa që në bazë të këtij hobi, zeje dhe suksesi në selitjen shembullore të pemëtarisë, e mori edhe mbiemrin JEMISHÇI (turq.) = PEMTAR.
Nuk është për t’u çuditur se Hasan Pashë Jemishçiu, desh që edhe bashkëvendësit e tij në Rogovë, t’i nxitë në rritjen dhe selitjen e pemëve, duke u angazhuar që të hapë një kanal sipërfaqësor afro 10 km të gjatë, duke e ndarë ujin e lumit Drini i Bardhë menjëherë nën Urën e Fshajtë të sotme, dhe kështu duke për- shkuar arat, livadhet e kopshtet e vendbanimeve Rogovë, Fshaj, Ujz, Nak, Shkurtan, Sakranicë, Ramajë e Lukinaj (Naku, Shkurtani e Sakranica sot nuk ekzistojnë), por nuk dihet se cilat ishin shkaqet që ky Projekt i irigacionit, mbeti pa u realizuar? Gojëdhëna thotë se Sulltani ishte i zemëruar shumë në Hasan Pashë Jemishçiun që aq shumë u kujdes për Rogovën e Hasit, duke e shndërruar vendlindjen e tij në një qytezë për çdo lakmi, prandaj edhe e ekzekutoi në vitin 1603?
Zbulimi i para do ditëve i mbishkrimit të gurthemelit të Urës së moçme në Rogovë, qartësoi edhe shumë enigma të tjera, që shikoheshin me dyshim, sidomos Ura e gurit mbi përroskën Bellaja dhe Ura e gurit mbi lumthin Deshtica, që presin hulumtimin e mëtutjeshëm për të dokumentuar kohën, donatorin e ktitorin; tash u bë e qartë se sipas të gjitha gjasave, këto dy Ura që kanë vetëm një hark, e që janë ende në përdorim të komunikacionit, e që të dyja gjenden në afërsi të Rogovës, mendojmë se edhe këto të dyja i ka ndërtuar Hirësia e Tij Hasan Pashë Jemishçiu.
Hasan Pashë Jemishçiu i Rogovës e çoi veten në përjetësi
Hasan Pashë Jemishçiu i Rogovës së Hasit, nuk deshi të mbyllet në lëvozhgën e luksit dhe të jetës pa brenga e shkujdes në Oborret e Pashallarëve dhe të Vezirit të Madh të Perandorisë Osmane, por krejt pasurinë e tij të fituar në postet e larta të qeverisjes së Pashallëkut të tij, e harxhoi edhe në të mirë të bashkëvendësve të tij të varfër të Rogovës së Hasit dhe të rrethinës, duke iu dhuruar objekte kapitale, që për atë kohë, bile edhe më vonë, patën një rëndësi shumë të madhe ekonomike, arsimore, fetare, infrastrukturore dhe të zhvillimit të përgjithshëm, për ta bërë Rogovën një qytezë të zhvilluar për çdo lakmi.
Ky Pasha i dashur dhe i vyer, përveç ndërtimit të objekteve të rëndësishme për përmirësimin e jetës së bashkëvendësve të vet, ka lënë edhe shkrime dokumentare, siç janë Pllakat e mermerta me mbishkrime në çdo objekt të ndërtuar prej tij. Deri më tani janë zbuluar, dokumentuar e vërtetuar dy Pllaka të mermerta me mbishkrime, në të cilat shkruhet qartë emri dhe mbiemri i Hasan Pashës, si edhe koha se kur u ndërtua objekti, me anë të të cilave veten e çoi në përjetësi, që brezat që vijnë ta kujtojnë Hasan Pashë Jemishçiun e Rogovës së Hasit si një burrështetas i zoti i Perandorisë Osmane, i cili nuk e harroi kurrë vendlindjen e tij, as varret e të parëve të tij, që i kishte në Rogovë të Hasit.
Në mbishkrimin mbi hyrjen kryesore të Xhamisë në Rogovë, thuhet: “Pasi që Hazreti Hasan Aga e ndërtoi këtë vend, që i ngjan një parajse, e ngriti këtë objekt me nijet për Zotin xh.sh. Kjo botë transitore e bëri të amshueshëm. Krijuesi le t’i pranojë të gjitha veprat bëmirëse, kurse i mëshirueshëm le të bëhet Pejgamberi i Zotit, Muhamedi a.s. Valihu i shprehu kronostikun: Qabja e Dytë mesxhidi al Aksa”. Vlera numerike e kronostikut është 988, që tregon vitin e ndërtimit të Xhamisë sipas
kalendarit hixhrijan dhe i përgjigjet vitit 1580 të erës së sonë.
Pra, shihet fare mirë edhe nga mbishkrimi se i ndershmi Hasan Aga, alias Hasan Pashë Jemishçiu, Rogovën e ndërtoi në atë mënyrë që i ngjan një parajse!
Është me rëndësi të theksohet se Xhamia e Hasan Agës në Rogovë, është plotësisht e njëjtë për nga stili, forma e dimensionet me Xhaminë e Sinan Pashës së Kaçanikut, e ndërtuar në vitin 1003 të hixhrit, ose 1594 të erës sonë, pra janë të njëjtit mjeshtër që i ndërtuan të dyja Xhamitë, si edhe i njëjti njeri: Valihu që e shkroi Pllakën e mermertë si edhe kronostikun. Këto gjëra të gjitha përputhen plotësisht si në kohë ashtu edhe në dokumente. Pllaka e dytë e mermertë të shkruar në të njëjtin stil e kaligrafi të alfabetit turko-arab, u gjet këto ditë për të cilën folëm më parë në këtë punim.
Edhe çka pritet të zbulohet e të dokumentohet në Rogovë të Hasit e Rrethinë?
Derisa dy objektet, Xhamia dhe Ura, u dokumentuan sheshazi se ndërtuesi i tyre ishte Hirësia e Tij Hasan Pashë Jemishçiu i Rogovës së Hasit, i cili arriti deri në postin e Sadriazemit në Perandorinë Osmane, kanë mbetur të dokumentohen edhe sa vijon:
1. Shkaqet e shkatërrimit të Urës së moçme në Rogovë, mbishkrimi i së cilës u zbulua këto ditë për kohën dhe ndërtuesin e Urës më se 150 metra të gjatë, ende nuk dihen. Askund në gojëdhëna, por as në ndonjë dokument të shkruar nuk kam hasur diçka për shkatërrimin e Urës së moçme në Rogovë të Hasit, pra pritet të dokumentohet se cilët ishin ata faktorë që e bënë të shkatërrohet kjo Urë, kur dhe nga kush? Mund të jetë njëri prej faktorëve ai elementar natyror, pra mund të jenë
valët e tërbuara të Drinit të Bardhë, apo ka ekzistuar ndonjë shkak tjetër i qëllimshëm i faktorit njeri?
Mund të ketë qenë edhe, strategjia luftarake e ndonjë ushtrie për të paralizuar kalimin mbi këtë urë?
2. Objekti i Hamamit në Rogovë të Hasit, i cili sot gjendet në gërmadha, por që dihet mirë se edhe këtë objekt e ka ndërtuar Hirësia e Tij Hasan Pashë Jemishçiu, aty kah viti 1577, që besohet se është ndërtuar para objekteve të tjera kapitale në Rogovë, pasi që punëtorët, administratorët dhe të tjerët që kanë qenë të vendosur në Rogovë, u është dashur pastrimi i përhershëm në Banjë. Deri më tash nuk ka
asgjë të dokumentuar se kush, kur, dhe si u shkatërrua?
Prof. dr. Fejaz Drançolli ka dhënë një studim të vlefshëm rreth analogjisë së tri objekteve të rëndësishme në Rogovë, i cili shkruan:
”Xhamia, Hamami dhe Kulla e gurit, janë tri objekte që në bazë të studimit të strukturës së materialit prej gurëve, llaçit të gëlqeres e të tjegullave të pjekura, dalin analoge në KOHË, në MATERIAL dhe në VEND”.
Meqë objekti i Hamamit sot ndodhet në gërmadha, por i pahulumtuar, mendoj se në themelet e mureve të këtij Hamami, gjendet Mbishkrimi i gurthemelit, që do të tregojë ndërtuesin dhe kohën e saktë se kur u ndërtua Hamami, ashtu siç është gjetur mbishkrimi i Urës së moçme këto ditë. Përveç kësaj, duhen të bëhen hulumtime të mëtutjeshme edhe se kush, kur, dhe si u shkatërrua objekti i Hamamit?
3. Objekti I Kullës së moçme ose Kulla e moçme e gurit të Pogajve, e cila edhe sot qëndron dhe është në gjendje të rregullt dhe në përdorim e shfrytëzim familjar, por që nuk është hulumtuar; besohet se është ndër objektet e para të banimit që ndërtoi Hirësia e Tij Hasan Pashë Jemishçiu i Rogovës aty kah viti 1576. Kulla e ka formën katrore, krejtësisht e ndërtuar prej gurëve dhe llaçit të gëlqeres, me mure të trasha, dritare të vogla në formë harku, pullazin e ka prej qemerit të gurëve të butë e të latuar, pra nuk ka askund dru, pullazin e ka të mbuluar me rrasa guri, kurse në mes Kullës në katin përdhes e ka pusin që dikur kishte ujë të pijshëm e që më vonë është mbyllur qëllimisht nga pronari i banesës, dhe në bazë të këtyre të dhënave, shihet se kjo Kullë të gjitha herët ka shërbyer si objekt strategjik mbrojtjeje.
Mendoj dhe kam bindje të fortë se diku në këtë Kullë të gurit, që është ndër kullat më të moçme në Rrafshin e Dukagjinit, është e vendosur Pllaka e mermertë me mbishkrim me të gjitha të dhënat historike, për ndërtuesin dhe kohën.
4. Ura e gurit mbi përroskën Bellaja, gjendet përballë me Rogovën, përtej Drinit në anën lindore dhe me një largësi prej më se 900 metrash; është Urë e moçme me 1 hark, me konstruksion prej gurëve e llaçit të gëlqeres, ashtu siç janë ndërtuar të gjitha objektet e moçme në Rogovë e rrethinë. Kjo Urë e gurit edhe sot është në gjendje të mirë dhe në përdorim të komunikacionit për vegla e automjete të bujqësisë dhe lidh arat e punueshme dhe pjellore të Rrafshit të Anadrinisë mes tyre, duke e kaluar përroskën e Bellajës, që vazhdimisht ka, ujë dhe bëhet pengesë për të kaluar bujqit në arat e tyre. Përveç kësaj, kjo Urë dikur moti, ka lidhur vendbanimin e Dyliçinës me Rogovën me rrethinë.
Vendbanimi i Dyliçinës sot nuk ekziston, përveç toponimit dhe të gërmadhave të gurthemeleve të moçme. Pra, siç po shihet, rëndësia komunikatave e Urës së Gurit,
ka qenë të gjitha herët e nevojshme dhe e domosdoshme, prandaj Hirësia e Tij Hasan Pashë Jemishçiu, duke e parë këtë nevojë të bashkëvendësve të tij, mendojmë dhe jemi të bindur se e ka ndërtuar edhe këtë Urë, që për tè ka qenë një cikërrimë, duke marrë për bazë ndërtimin e shumë objekteve të tjera kapitale në Rogovë e Rrethinë.
Ura e Gurit nuk është hulumtuar dhe jemi të bindur thellë, se diku në themelet e kësaj Ure, gjendet Mbishkrimi i Pllakës së mermertë, që nëse zbulohet, do të tregojë saktësisht se kush dhe kur është ndërtuar kjo Urë e moçme e gurit?
5. Ura e gurit afër Ramajës është e ndërtuar mbi lumthin Deshtica, në afërsi të vendbanimit të Ramajës, në një largësi prej më se 5 km. në pjesën jugore të Rogovës. Ura edhe sot është në gjendje të rregullt për komunikacion të të gjitha llojeve dhe ka vetëm një hark. Stili dhe konstruksioni i Urës është asisoj sikurse i të gjitha objekteve kapitale, që i ndërtoi Hirësia e Tij Hasan Pashë Jemishçiu i Rogovës, jo vetëm në Rogovë, por edhe në gjithë rrethinën e saj. Urës i është shtuar mbi tè një shtresë e fortë betonarme, duke e zgjeruar anash, në mënyrë që Ura të bëhet e kalueshme për të gjitha llojet e automjeteve.
Zbulim i rëndësishëm historik në Rogovë të Hasit
Ura e gurit të Ramajës nuk është hulumtuar ende, dhe mendojmë dhe jemi të bindur se diku në themelet e kësaj Ure, gjendet Mbishkri mi i gurthemelit me Pllakën e mermertë të shkruar me të gjitha të dhënat për këtë Urë, se kush dhe kur e ndërtoi këtë Urë? Meqë Hirë sia e Tij Hasan Pashë Jemishçiu i Rogovës, kishte një konsideratë të madhe edhe për të gjitha vendbanimet tjera të anës së Hasit, jemi të bindur se edhe këtë Urë ta këtë ndërtuar Hasan Pashë Jemishçiu, në mënyrë që të gjitha vendbanimet e rrethinës të kenë lidhje të mira komunikative mes tyre.
Pse u neglizhuan vërejtjet dhe sugjerimet e prof. Shaqir Shalës për objektet historike në Rogovë të Hasit?
Kanë kaluar më shumë se 50 vjet që prof. Shaqir Shala nga Rogova e Hasit, që merret në mënyrë sistematike me studimin dhe mbledhjen e fakteve dhe të dokumenteve për objektet e moçme dhe historike
që ekzistojnë në Rogovë të Hasit, që nga gjysma e shek. XVI dhe
fillimi i shek. XVII. Duke i parë çdo ditë këto objekte të moçme, secilit vizitor që kishte rastin t’i shohë, por edhe secilit banor të Rogovës dhe të rrethinës, i imponohej pyetja dhe kureshtja që të mësojë diçka konkrete se cili ishte ai njeri aq bamirës që bëri të mundshme ndërtimin e kaq shumë objekteve kapitale në Rogovë të Hasit dhe në rrethinë?
Përpjekjen për t’iu përgjigjur një numri bukur të madh pyetjesh dhe kureshtjesh për të mësuar më shumë rreth personalitetit të Hasan Pashës së Rogovës, si edhe rolin e tij si donator dhe ktitor të ndërtimit të të gjitha objekteve kapitale në Rogovë e rrethinë, e bëri prof. Shaqir Shala me botimin e librit të tij vitin e kaluar me shpenzime të veta, me titull: ”Kronika e Rogovës së Hasit”, që ka 235 faqe dhe në format 24x17 cm, në të cilin paraqitën dokumente dhe të dhëna të pamohueshme për shumë çështje historike nga e kaluara e deri në ditët e sotme të vendbanimit të Rogovës së Hasit dhe të rrethinës.
Si duket libri nuk u bëri përshtypje atyre personave që merren me këto studime, sepse Rogova e Hasit nuk ishte aktualizuar askund në literaturën e deritashme të arkeologjisë dhe të historisë, se nga viti 1575 e deri në vitin 1603 ishte një Kasaba me plot kuptimin e fjalës, dhe kjo gjë dokumentohet në Mbishkrimin e Pllakës së mermertë, që edhe sot qëndron mbi derën e hyrjes kryesore të Xhamisë në Rogovë, ku po citojmë vetëm një fjali, në të cilën poeti shqiptar Ahmed Çelebiu-Shkupjani,
shkroi sa vijon: ”Pasi që Hazreti Hasan Aga e ndërtoi këtë vend që i ngjan një parajse, e ngriti këtë Objekt me nijet për Zotin xh.sh. ......”.
Ky Mbishkrim dokumenton më se miri se si ishte qyteza e Rogovës dikur.
Mandej edhe personaliteti i Hasan Agës alias Hasan Pashë Jemishçiut të Rogovës, nuk u bënte përshtypje të madhe se ky personalitet dikur ka qenë një pushtetar i dalluar i Perandorisë Osmane, duke arritur deri në postin e Sadriazemit-Vezirit të Madh në Perandorinë Osmane.
Ndoshta dikush ka menduar se Sadriazemët me origjinë shqiptare në Perandorinë Osmane, kanë shkuar vetëm nga radhët e hierarkisë qytetare të familjeve aristokrate të njohura në atë kohë, e jo një shqiptar dhe bonjak fshatari i një vendbanimi të vogël dhe të panjohur të Rogovës së Hasit, të jetë një pushtetar të një posti të Sadriazemit në Perandorinë Osmane. Mandej mbretëronte bindja e gabuar se Ura të tilla mund të ndërtonte vetëm Perandoria Romake, e jo një shqiptar Sadriazem në Perandorinë Osmane.
Meqë prof. Shaqir Shala kishte njohuri të hollësishme për të gjitha objektet e moçme që u ndërtuan nga Rogovasi Hasan Pashë Jemishçiu, disa herë kontaktoi me zyrtarët e enteve për mbrojtjen e monumenteve historike në Prizren e Gjakovë, duke i bërë me dije për rrezikun e zhdukjes totale edhe të atyre pak gjurmëve, gërmadhave dhe objekteve historike që i kishin shpëtuar asgjësimit dhe ende ekzistonin pa u fshirë nga faqja e dheut!
Por, reagimet e zyrtarëve ishin mjaft të ftohta dhe indiferente për të dalë në terren e për të vërtetuar ato për çka u tërhiqej vëmendja. Pra, nuk dolën nga zyrat e të shohin me sy se si ekskavatorët e fuqishëm kanë bërë kërdi në shtratin e lumit të Drinit të Bardhë, duke nxjerrë rërë e zhavorr në thellësitë deri në 7 metra mu rreth gurthemeleve të KÂMZAVE TË URËS SË MOÇME, me të cilin rast nxorën në sipërfaqe THEMELET e URËS 150 metra të gjatë e që kishte më shumë se 9 harqe.
Kështu, në mes të ekskavatorëve përbindësh, valëve të Drinit të Bardhë dhe të KÂMZAVE të Urës së moçme në gërmadha, zhvillohej një dramë e vërtetë, rreth dy
fenomeneve:
1. Fenomeni i parë kishte të bënte me zhdukjen e përgjithmonshme, të çdo gjurme, dokumenti e shkrimi historik, ku do të heshtej përgjithmonë vepra bamirëse e atyre donatorëve e ktitorëve që e bënë. Rogovën një qytezë për çdo lakmi kah fundi i shek XVI.
2. Fenomeni i dytë kishte të bënte me zbulimin e Mbishkrimit të Pllakës së mermertë
në themelet e gërmadhave të Urës së moçme, Mbishkrim që ishte vënë në gurthemel, në vitin 1579, me vetë dorën e Hirësisë së Tij Hasan Pashë Jemishçiut të Rogovës, për të dokumentuar historikisht dhe për të zhdukur të gjitha iluzionet, se Urën mund ta këtë ndërtuar dikush tjetër, e më shumë i përshkruhej Perandorisë Romake! Por, fati dhe e drejta e Zotit, bëri që të mos ndodhë fenomeni i parë, por ndodhi fenomeni i dytë që të zbardhet e vërteta historike e një personi shumë bamirës, që ndihmoi dhe e ndërtoi vendlindjen e tij Rogovën me rrethinë në çdo pikëpamje.
Si u zbulua Mbishkrimi i gurthemelit të Urës së moçme në Rogovë të Hasit
E thashë më parë se ekskavatorët gjigantë bënë kërdi të tmerrshme, duke nxjerrë rërën nga shtrati i lumit të Drinit të Bardhë, bile edhe mu në themelet e Kâmzave të Urës së moçme, e mandej valët e rrëmbyera të Drinit të Bardhë e gërryen atë sasi rëre që kishte mbetur nën themelet e Kâmzave të Urës, dhe kështu masivi i dhjetëra tone latave të gurëve dhe llaçit të gëlqeres anoi kah lindja dhe u përmbys, duke krijuar hapësirë në fund të masivit që faktikisht ishte pjesa fundore e gurthemelit të Kâmzave të Urës, aty ku ishte vendosur Pllaka e mbishkrimit të mermertë me dorën e Hirësisë së Tij Hasan Pashë Jemishxhiut me rastin e vënies së gurthemelit të kësaj Ure madhështore dhe të çuditshme, siç thuhet në kronogramin e Mbishkrimit të Urës. Mandej valët e Drinit të Bardhë e bënë të veten, duke e gërryer çdo gjë që ishte në fundin e masivit të gurëve dhe llaçit të gëlqeres dhe shkëputën Pllakën e mermertë nga vendi ku ishte vendosur qysh në vitin 1579 dhe pasi që Pllaka e mermertë ishte e rëndë më shumë se 70 kg, kjo mbetet aty afër themeleve të masivit dhe mbulohet me rërë.
Kështu, herë duke u mbuluar e herë duke u shpluar, Pllaka e mermerit kush e di sa kohë ka mbetur në atë vend.
Banori i Rogovës, Avni Muhamet Kryeziu, i lindur në vitin 1965, më 9 prill 2006, duke kaluar atypari, vërejti cepin e Pllakës së mermertë të zhytur në rërë dhe u mundua që ta shplojë e ta lëkundë, por ishte e pamundur për shkak të peshës dhe të zhytjes së Pllakës në rërë, prandaj, pasi që e kishte aty afër ekskavatorin e tij, shkon me të dhe e nxjerr Pllakën e mermertë dhe e qet në sipërfaqe. Pasi pastrohet, shi het se Pllaka me dimensione 89x49x9 cm, ishte e shkruar me alfabet turko-arab. Avniu menjëherë e lajmëron prof. Shaqir Shalën për Plla kën e mermertë, pasi e dinte se prof. Shaqir Shala vazhdimisht hulu mtonte objekte historike e arkeologjike në Rogovë e rrethinën e saj.
Kështu, prof. Shaqir Shala, menjëherë e mori Pllakën e mermertë, e pastroi, e fotografoi dhe këto fotografi ia dërgoi prof. Nehat Krasniqit, shef i Departamentit të Koleksioneve të Veçanta në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare në Prishtinë, i cili me dëshirë dhe përkushtim pranoi bashkëpunimin me mua, dhe brenda disa ditësh, e bëri leximin, përkthimin dhe deshifrimin e vlerave numerike të kronostikut, duke nxjerrë të vërtetën dokumentare e historike SE URA ËSHTË NDËRTUAR NGA HASAN AGA I ROGOVËS NË VITIN 987 të hixhrit, që i përgjigjet VITIT 1579 të erës sonë. Unë, e falënderoj përzemërsisht prof. Nehat Krasniqin për ndihmën profesionale që më dha!
Tani, Pllaka e mermertë gjendet në vend të sigurt dhe do të ruhet e do të vendoset në objektin e Xhamisë së Hasan Agës në Rogovë, pranë Mbishkrimit të Pllakës tjetër të mermertë të Xhamisë, që gjendet edhe sot e vendosur mbi derën e hyrjes kryesore në Xhami. Ky është vendi më i sigurt dhe më meritor që të dy Mbishkrimet, njëra e Urës së moçme e vitit 1579, dhe tjetra e Xhamisë e vitit 1580, të jenë afër njëra-tjetrës dhe aty të prehen në qetësi e përjetësi, sepse që të dyja Mbishkrimet i përkasin Hirësisë së Tij Hasan Pashë Jemishçiut të Rogovës, i cili arriti edhe në postin e Sadriazemit-Vezirit të Madh në Perandorinë Osmane, por edhe nga ajo se që të dyja Mbishkrimet në Pllakat e mermertë, janë skalitur nga dora e poetit shqiptar Ahmed Çelebiut-Shkupjanit, i njohur në kronogramet e tij me pseudonimin Valihu.
Supozimet e prof. Shaqir Shalës u bënë realitet, Para se të zbulohet këto ditë Mbishkrimi i Pllakës së mermertë të gurthemelit të Urës së moçme, janë dhënë shumë supozime rreth asaj se kush, kur dhe si e ndërtoi këtë Objekt madhështor mbi lumin Drini i Bardhë në një gjatësi prej më shumë se 150 metrash, që ishte ndërtuar para 427 vjetëve? Gërmadhat e Kâmzave të Urës se moçme i kanë vizituar disa arkitektë, arkeologë dhe inxhinierë të ndërtimtarisë, por askush deri më tani nuk ka dhënë ndonjë studim që të sqaronte misterin e kësaj Ure të moçme në Rogovë. Prandaj edhe prof. Shaqir Shala në librin e tij “Kronika e Rogovës së Hasit”, faqe 56, i ka dhënë supozimet e tij duke shkruar sa vijon:”A thua kur të gjitha objektet fetare, arsimore dhe të infrastrukturës që i ndërtoi në Rogovë Ha san Pashë Jemishçiu, si u bë që ky donator zulmëmadh, të mos ketë ndërtuar edhe Urën e moçme?! Unë nuk jam ekspert i arkeologjisë krahasimtare, e as nuk jam arkitekt, por supozoj se edhe Urën e moç me do ta ketë ndërtuar i ndershmi Hasan Pashë Jemishçiu, që e kishte vendlindje fshatin Rogovë. Këtë supozim e mbështes në këto fakte ekzistuese:
1. I nderuari Hasan Pashë Jemishçiu u lind në fshatin Rogovë dhe këtu jetoi dhe e kaloi një pjesë të jetës në rininë e hershme; mandej këtu i kishte edhe eshtrat e prindërve të tij. Më vonë u largua nga ve ndlindja dhe shkoi në Prizren e më vonë u shkollua në Stamboll dhe atje arriti titullin Aga, Pasha dhe Sadriazem-Vezir i Madh në Perando rinë Osmane, kështu që pati mundësi që Rogovën ta ndërtojë në një Qytezë për çdo lakmi, prandaj kishte kushte e mundësi që ta ndërtojë edhe Urën.
2. Prej grykës epigjenike të Gardhishtit (Gradishit) e deri te gryka tjetër e Gjonajve, rrjedha e lumit Drini i Bardhë, në një gjatësi prej afro 20 km, në vendin ku është ndërtuar Ura e moçme, nuk e ka ndry shuar shtratin kurrë, kurse në vendet tjera po, duke lëvizur djathtas majtas. Ky fenomen është marrë parasysh, dhe se vendi ku sot janë gërmadhat e Urës së moçme, të jetë vendi më i përshtatshëm për ndërtimin e Urës.
3. Edhe trualli ku është ndërtuar Ura e moçme, përbëhet prej shtresave të trasha melle, që konsiderohet si truall më rezistues ndaj tërmeteve dhe lëvizjeve të tjera tektonike të korës së tokës, në mënyrë që Ura të qëndrojë e padëmtuar.
4. Nga ana e djathtë e lumit Dri, ku ka qenë e ndërtuar Ura, atëherë por edhe sot është stomi natyral në lartësinë e Urës, ku më së miri I është përshtatur kushteve dhe vendit të ndërtimit të Urës, duke qenë të sigurt se në anën e djathtë, Urës nuk i kanoset kurrfarë rreziku.
5. Pse Ura e moçme nuk u ndërtua diku mes fshatit Rogovë afër Xhamisë dhe Hamamit, sikurse që është ndërtuar Ura e re më 1985, kjo gjë lidhet me vendin e përshtatshëm, mandej Hasan Pashë Jemishçiu kishte konsideratë të madhe edhe për vendbanimet tjera të anës së Hasit për t’i lidhur edhe ato vendbanime me Rrafshin e Anadrinisë”.
Këto supozime dhe fakte ekzistuese që i paraqiti në librin e tij prof. Shaqir Shala, këto ditë u bënë realitet, me ç'rast u dëshmua dhe u dokumentua se Hirësia e Tij Hasan Pashë Jemishçiu i Rogovës, me të vërtetë kishte mundësi, dëshirë e vullnet që ta ndërtojë edhe Urën e gurit të moçme, që u zbulua këto ditë, ku me të drejtë Valihu që i shprehu kronistin e Mbishkrimit, thotë: “ O Urë e çuditshme ndërtim i fortë!”
Të punësuarit në Rogovë në kohën kur Hasan Pashë Jemishçiu qeveriste si Sadriazem në Perandorinë Osmane
Është fakt i pamohueshëm se Hasan Pashë Jemishçiu, që në vitet 1601, 1602 dhe 1603, ishte në postin e Sadriazemit-Vezirit të Madh në Perandorinë Osmane, vendlindjen e tij Rogovën e Hasit, kurrë nuk e harroi, përkundrazi u mundua me mish e shpirt që Rogova ta marrë pamjen e një qyteze me plot kuptimin e fjalës. Se me të vërtetë Rogova kishte të gjitha tiparet e një qyteze, dëshmojnë konturat dhe gër madhat e shumë objekteve të infrastrukturës, që edhe sot hetohen në Rogovë, që në atë kohë i kishin vetëm disa qytete të zhvilluara, siç ishin Prizreni, Prishtina, Peja, Gjakova, Mitrovica, Kaçaniku, etj. Kë shtu, edhe Rogova në atë kohë kishte
Xhaminë impozante, Mejtepin, Karvansarajet, Imaretin, rrugët e shtruara me rrasa guri, Hamamin, Ujësjellësin me rënie të lirë, kanalizimet, dyqanet zejtare, banesat për zyrtarët dhe administratorët, krojet, puset, Urën e moçme më se 150 metra të gjatë mbi Drinin e Bardhë, 3 Urat tjera të gurit me një hark në rrethinën e Rogovës, rrjetin rrugor, irigacionin, etj.
Për të gjitha këto objekte e institucione, lypsej edhe punësimi i një numri bukur të madh punëtorësh, të cilët janë përkujdesur që çdo gjë e nevojshme për banorët e Rogovës dhe të administratës së kohës, të funksionojë më së miri. Kështu, dihet fare mirë se Hasan Pashë Jemishçiu, u kujdes që së pari të sigurojë Myderrizë, Imamë, Hoxhë e Myezinë të dalluar në Xhaminë e Mejtepin e Rogovës. Për këtë dësh mon regjistrimi i banorëve të Rogovës i vitit 1571, ku patronimia e banorëve shqiptarë të Rogovës ishte 99% e konfesionit islam, përveç
dy familjeve shqiptare katolike. Mandej Hasan Pashë Jemishçiu kishte siguruar një kontingjent ushtarakësh, në mënyrë që siguria, lëvizja dhe qetësia e banorëve të Rogovës dhe të rrethinës të jetë në nivel të lartë. Kishte të punësuar edhe mjaft llogaritarë dhe administrator për të grumbulluar tatimet e ziameteve dhe të timarëve perandorake dhe lokale. Kishte njerëz të punësuar edhe për të treguar kohën e saktë për lutje dhe namaz të besimtarëve. Besohet se rrugët kryesore të qytezës së Rogovës, e kanë pasur të rregulluar edhe ndriçimin publik me anë të fenerëve e llambave vajgurore, sidomos të objekteve rreth Xhamisë, Imaretit, Hamamit, Karvansarajit etj. Edhe për ndezjen, shuarjen dhe mirëmbajtjen e ndriçimit publik, ishin të siguruar njerëz të caktuar me pagesë. Qyteza e Rogovës ka pasur edhe një numër të konsideruar pastruesish të rrugëve, objekteve dhe institucioneve më të rëndësishme në rrethinën e Xhamisë. Imareti i ka pasur furnizuesit e vet me të gjithë artikujt ushqimorë, shërbëtorët, pastruesit dhe llogaritarët për të gjitha nevojat në sigurimin e ushqimit falas për skamnorët, udhëtarët, ushtarakët, pushtetarët, administratorët etj. Në Qytezën e Rogovës punonin edhe një numër qilerxhinjsh, rojtarësh, bukëpjekësish, korrierësh, portierësh, kasapësh, druvarësh, këpucarësh, mjeshtër të kanalizimeve dhe të ujësjellësit, kujdestarësh të Hamamit, muratorësh, zdrukthëtarësh, gdhendës të gurëve, hanxhinj, kujdestarë të bagëtive, kopshtarë, rrobaqepës, berberë, qerrepunues, mullisë, dhe shumë punëtorë të tjerë të nevojave të ndryshme.
Hasan Pashë Jemishçiu i Rogovës bëhet dhëndër i Sulltanit
Meqë Hirësia e Tij Hasan Pashë Jemishçiu i Rogovës së Hasit, pati një karrierë brilante, si në formacionet ushtarake të Jeniçerëve të Perandorisë Osmane, ashtu edhe si ekspert për ekonomi dhe financa, e fitoi besimin e madh të Sulltanit dhe avancohet, së pari në postin e Pashait, e më vonë edhe në postin e lartë të Sadriazemit-Vezirit të Madh në Perandorinë Osmane. Përveç këtyre posteve, Hasan Pashë Jemishçiu, për një kohë të gjatë ishte edhe Komandant i Përgjithshëm i Formacioneve Jeniçere të Perandorisë Osmane. Në çdo detyrë e post që merrte nga ana e Sulltanit, Hasan Pashë Jemishçiu shquhej si dorë e fortë
në zgjidhjen e të gjitha problemeve të Qeverisjes Perandorake kudo që ato paraqiteshin. Guximi, trimëria, këmbëngulësia në vënien e rregullit në Qeverisjen e Perandorisë Osmane, në këtë mënyrë, bën që autoriteti dhe simpatia ndaj Hasan Pashë Jemishxhiut të rritet, dhe me këtë rast edhe bëhet dhëndër i Sulltanit, ku Hasan Pashë Jemi shçiu martohet me motrën e Sulltanit-Ajshën.
Kjo krushqi mes Ha san Pashë Jemishxhiut të Rogovës dhe të Sulltanit, forcoi edhe më tepër besimin dhe autoritetin për Hasan Pashë Jemishçiun, i cili cak tohet në postin e Sadriazemit-Vezirit të Madh në vitet 1601,1602 dhe 1603.
Mirëpo, dihet mirëfilli dhe dokumentohet, se Sulltan Mehmeti i Tretë, në vitin 1603, papritmas e ekzekutoi Hasan Pashë Jemishçiun e Rogovës së Hasit,
që në këtë kohë ishte në postin e Sadriazemit-Vezirit të Madh në Perandorinë Osmane.
Cilat janë shkaqet e ekzekutimit të Hasan Pashë Jemishçiut nga ana e Sulltanit?
Në librin e tij, “Kronika e Rogovës së Hasit”, që e shkroi dhe e botoi vitin e kaluar
prof. Shaqir Shala, në faqen 45 të librit, janë dhënë disa shkaqe të supozuara të ekzekutimit të Hirësisë së Tij Hasan Pashë Jemishçiut të Rogovës së Hasit nga ana e Sulltan Mehmetit të Tretë në vitin 1603 në Stamboll, kur Hasan Pashë Jemishçiu ishte në
postin e Sadriazemit-Vezirit të Madh në Perandorinë Osmane.
Në këto shkaqe të supozuara, që sipas gojëdhënave që sot thuhen në Rogovë, janë:
* Hasan Pashë Jemishçiu e ndihmoi vendlindjen e tij Rogovën e Hasit, që të zhvillohet dhe të bëhet një Qytezë për çdo lakmi, prandaj akuzohet nga smira dhe xhelozia te Sulltani për shpifje.
* Ndërtoi në Rogovë objekte shumë të rëndësishme, siç janë: Kulla e Gurit, Hamami, Xhamia, Mejtepi, Ura e moçme e gurit me 12 harqe, ndërtimi edhe i tri urave të tjera të gurit me nga një hark në afërsi të Rogovës, Imareti i xhamisë, Karvansarajet, bujtinat, ndërtesën e Vakëfit, banesat për Myderrizin, Imamin e Myezinët e xhamisë, administratorët dhe mirëmbajtësit e objekteve të infrastrukturës, shtroi më shumë se 3 km rrugë me rrasa guri brenda fshatit Rogovë, ndërtoi 2 mullinj me ujë, një Prizren e një në fshatin Ramajë, ndërtoi shumë dyqane zejtare për nevojat e banorëve të Rogovës dhe të rrethinës, bëri projektin e irigacionit-ujitjes së arave, bashtinave, livadheve e kullosave të Rogovës dhe të rrethinës në 10 km gjatësi, ku afro 2 km u realizuan, kurse projekti tjetër mbeti pa u realizuar, pasi që Hasan Pashë Jemishçiu u ekzekutua nga ana e Sulltanit etj.
Një shkak tjetër që ma tha prof. Nehat Krasniqi, ligjërues i Orientalistikës në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës, është ky:
* ”Në bazë të literaturës së shkrimeve me alfabet turko-arab, e sidomos të Osmanishtes, lidhur me ekzekutimin e Hasan Pashë Jemishçiut të Rogovës së Hasit, e që ishte edhe në postin e Sadriazemit-Vezirit të Madh në Perandorinë Osmane për tre vjet me radhë, kam fituar përshtypjen se shkaku kryesor që u ekzekutua Hasan Pashë Jemishçiu i Rogovës nga ana Sulltan Mehmetit III në vitin 1603 në Stamboll, ishte se Sadriazemi Hasan Pashë Jemishçiu, ishte edhe Komandant i Përgjithshëm i të gjitha Formacioneve Jeniçere në Perandorinë Osmane.
Këto formacione jeniçere u çuan në kryengritje kundër Sulltanit dhe treguan padëgjueshmëri ndaj tij, pasi që jeniçerët nuk i kishin marrë pagat e tyre për disa muaj me radhë.
Sulltan Mehmeti III, u hidhërua dhe u tërbua së tepërmi kur dëgjoi se Formacionet Elite të Jeniçerëve ishin ngritur kundër tij, prandaj edhe urdhëron ekzekutimin e Hasanit, edhe pse e kishte dhëndër, edhe se ishte Sadriazem i Perandorisë Osmane.
Thuhet se gruan e Hasan Pashë Jemishçiut-Ajshën, që ishte motra e Sulltanit, e mori për grua Rrustem Pasha-boshnjak.
Asgjë nuk dihet se kush mbeti tjetër nga familja e ngushtë e Hasan Pashë Jemishxhiut të Rogovës”.
Edhe çka dihet e dokumentohet për Hasan Pashë Jemishçiun e Rogovës
Përveç gojëdhënave e tregimeve popullore që janë bartur gojë pas goje shekuj me radhë nga ana e gjyshërve dhe stërgjyshërve tanë në Rogovë e rrethinë, personalitetin e Hasan Pashë Jemishçiut nga Rogova e Hasit, e dokumentojnë edhe studimet e prof. dr. Sabit Ukës, në shkrimin: ”Sadriazemët me origjinë shqiptare në Perandorinë Osmane”, të botuar në gazetën “Bujku” nr. 1889, të datës 17 nëntor 1997, faqe 12, ku renditën sipas kronologjisë emrat e më se 41 Sadriazemëve me origjinë shqiptare në Perandorinë Osmane, ku Hasan Pashë Jemishçiu i Rogovës së Hasit, renditët si i XIV Sadriazem në hierarkinë administrative të Perandorisë Osmane, që ishte në Postin e Sadriazemit në vitet 1601, 1602 dhe 1603, ku edhe u ekzekutua në vitin 1603 nga ana e Sulltan Mehmetit III në Stamboll, kur Hasan Pashë Jemishçiu ishte duke e kryer detyrën e Sadriazemit. Një gjë të tillë e dokumenton edhe prof. Nehat Krasniqi, në “Edukata Islame”, nr.79/2006, faqe 116.
Janë gjetur edhe disa dokumente të tjera, të cilat vërtetojnë ekzistencën, postin dhe personalitetin shumë të rëndësishëm të asaj kohe në Perandorinë Osmane të Hasan Pashë Jemishçiut të Rogovës. Kështu, është dokument i saktë libri tjetër i shkruar nga ana e poetit shqiptar Tahir Efendiu nga Prizreni, i cili në librin e tij në vargje “Menakib”(Kronika e Prizrenit), i shkruar me alfabet turko-arab dhe në osmanishte, flet për shumë ngjarje të asaj kohe në Prizren e rrethinën e tij.
Këtë libër e ka përkthyer prof. Nehat Krasniqi dhe e ka botuar në revistën shkencore, kulturore islame “Edukata Islame”, nr. 57/1995, prej faqes 59-113, me titull: ”Kronika (Menakib) e Tahir Efendiut – burim i rëndësishëm për historinë e kulturës në Prizren dhe Rrethinë, gjatë periudhës turko-osmane”.
Ne shkurtimisht do të tregojmë përmbajtjen e disa ngjarjeve që kanë të bëjnë vetëm me personalitetin e Rogovasit Hasan Pashë Jemishçiut dhe të disa personaliteteve të tjera, që ishin në kontakt të drejtpërdrejtë me të. Kështu, poeti shqiptar,Tahir Efendiu i Prizrenit, në
përmbledhjen e poezive të tij për Prizrenin me rrethinë, tregon se:
”Një mbrëmje erdhi në Prizren një kalorës që ishte i ânës sonë nga Rogova e Hasit (Rogovali), hipur mbi një kali të bukur që kushdo e shihte, i mbeteshin sytë në të. Atë natë Hasan Jemishçiu bujti në Prizren, që të nesërmen të udhëtojë deri në Rogovë, që ishte vendlindja e tij. Lajmi për ardhjen e një kalorësi mbi një kali të bukur, menjëherë u përhap sa ora; dhe për këtë gjë mori vesh edhe Mustafa Pasha që ishte Vali i Prizrenit në atë kohë. Në mëngjes, Hasan Jemishçiu u ngrit herët që të shkojë në Rogovë me kalin e tij të bukur; por Valiu-Mustafa Pasha i Prizrenit, kishte urdhëruar që Hasan Jemishçiun me kalin e tij të bukur, t’ia sjellin para Sarajit të tij. Në ato momente doli edhe Valiu, i cili urdhëroi që këtë kali të bukur t’ia shesë me çdo kusht Valiut të Prizrenit- Mustafa Pashës! Tash, Hasan Jemishçiu i Rogovës u ngushtua së tepërmi, por edhe ky ia ktheu prerazi: Nuk e shes kalin tim të bukur, sepse e kam për qejfin dhe shpirtin tim!
Mustafa Pasha i Prizrenit, që ishte në postin e Valiut, u hidhërua së tepërmi me përgjigjën e prerë të Hasan Jemishçiut, prandaj organizoi dhe urdhëroi sejmenët e tij që t’i dalin diku jashtë Prizrenit në pritë Hasan Jemishçiut dhe ta rrahin, aq sa të mos mund të qëndrojë në këmbët e veta!
Pas kësaj ngjarjeje të shëmtuar, Hasan Jemishçiu i Rogovës, për disa kohë mbeti i shtrirë skaj rrugës kryesore Prizren-Gjakovë. Dikur e mori veten pak, i lau sytë, duart, këmbët dhe trupin e tij të mavijosur nga të rrahurat, që i kishin kurdisur sejmenët e Valiut të Prizrenit Mustafa Pasha, dhe tash i hipi përsëri kalit të tij të bukur dhe u nis në drejtim të vendlindjes së tij në Rogovë.
Kur arriti në Rogovë, disa ditë pushoi dhe organizoi punëtorët, mjeshtrit dhe zanatlinjtë e ndryshëm që punonin pareshtur në ndërtimin e objekteve të rëndësishme kapitale, siç ishin: Xhamia impozante, Mejtepi, Hamami, Ura e Moçme, dhe tri Urat tjera me një hark në Rrethinën e Rogovës, Imareti, Karvansarajet, Kalldrëmi 3 km nëpër rrugët e Rogovës, Dyqanet, Banesat, Kanalizimet, Ujësjellësi, dhe pasi që i pagoi të gjitha obligimet, harxhimet, mjeshtrinë dhe pagat e të gjithë punëmarrësve dhe të argatëve, përsëri u kthye në detyrat shtetërore në Stamboll, ku ishte selia e tij dhe ku e kishte familjen e tij.
Hasan Pashë Jemishçiu i Rogovës së Hasit, kurrë nuk e harroi rrahjen brutale që ia kurdisi Mustafa Pasha, në afërsi të Prizrenit, prandaj bëri çmos që t’i hakmerrej disi me çdo kusht dhe në momente të përshtatshme t’ia kthejë atë rrahje, prandaj iu desh që të punojë shumë në shërbesat ndaj Sulltanit, në mënyrë që të fitojë besimin e tij dhe të emërohet në poste përgjegjëse në administratën e Perandorisë Osmane. Kështu, së pari u shqua si komandant dhe udhë heqës brilant në luftërat e ndryshme që asokohe Turqia zhvillonte me shtete të ndryshme që e rrethonin. Fitoi shumë mirënjohje e dekorata dhe poste të tjera me përgjegjësi shtetërore. Në këtë kohë martohet me motrën e Sulltanit. Më pas emërohet Komandant i Përgjithshëm I Formacioneve elite Jeniçere, dhe në fund arriti edhe në postin e Sadri- azemit –Vezirit të Madh, në Perandorinë Osmane, në vitet 1601, 1602 dhe 1603. Tash ekzistonte shansi real që t’i hakmerret Valiut të Prizr enit- Mustafa Pashës, për atë rrahjen brutale që ia kishte kurdisur me sejmenët e tij në dalje të Prizrenit, për shkak se Hasan Pashë Jemish çiu, nuk iu bind që t’ia shesë kalin e tij të bukur.
Pas do kohe, u organizua një tubim me të gjithë Pashallarët e Perandorisë Osmane në Sofje të Bullgarisë, ku merrte pjesë edhe Mustafa Pasha i Prizrenit. Hasan Jemishçiu, tash veç ishte në poste më të larta se Pashallarët tjerë, pra edhe më lartë se që ishte Mustafa Pasha, prandaj e shfrytëzoi rastin fort bukur, dhe pasi që përfundoi punimet tubimi, edhe Hasan Pashë Jemishçiu i Rogovës, organizoi dhe i urdhëroi sejmenët e tij që t’i dalin diku në pritë në të dalë të Sofjes dhe ta rrahin Mustafa Pashën e Prizrenit, aq sa të mos mu nd të rrijë në këmbët e veta. Ashtu edhe u bë dhe Mustafa Pasha i Prizrenit e lau hakun e tij në Sofje të Bullgarisë.
Kjo ngjarje interesante e ka nxitur poetin shqiptar Tahir Efendiu të Prizrenit, që të thurë vargje poetike, duke e lartësuar figurën e burrë shtetasit shqiptar Hasan Pashë Jemishçiut, që
ishte i anës së tij, nga Rogova e Hasit, aty diku 20 km largësi nga Prizreni.
Hasan Pashë Jemishçiu i Rogovës duhet ta ketë vendin e vet në historinë e Kosovës
Pasi që deri tash, pak është ditur e më pak edhe është shkruar, për Hasan Pashë Jemishçiun e Rogovës së Hasit, besojmë se lexuesve të nderuar, u kemi sjellë argumente të reja dhe dokumente bindëse për figurën dhe personalitetin kompleks të një shqiptari e bonjaku të varfër, i cili arriti deri në postin e Sadriazemit-Vezirit të Madh në Perandorinë Osmane; arriti që të martohet me motrën e Sulltanit; arriti qe të jetë për shumë vite Komandant i Përgjithshëm i Formacioneve Elite Jeniçere të Perandorisë dhe arriti që emri i tij të jetë i skalitur në shumë Mbishkrime të Pllakave të mermerit që u vunë në gurthemelet e shumë objekteve kapitale në Rogovë të Hasit, që edhe sot ekzistojnë. Figura komplekse e Hasan Pashë Jemishçiut, duhet të ketë vend, jo vetëm në historikun e Rogovës së Hasit si vendlindje e tij, por duhet të ketë vend edhe në historikun e Komunës së Gjakovës dhe të Prizrenit, për këto arsye:
E ngriti objektin madhështor të Xhamisë dhe të Mejtepit në vitin 1580, për të arsimuar mbarë popullin e Hasit në pikëpamje fetare, arsimore, kulturore dhe atdhetare.
- Si humanist organizoi dhe ndërtoi Imaretin e Xhamisë, ku varfanjakët e të tjerët nevojtarë ushqeheshin rregullisht falas dhe të gjitha shpenzimet i hiqte Hasan Pashë Jemishçiu.
- Ishte donator zulmëmadh i shumë objekteve kapitale në Rogovë dhe rrethinë.
- Ka lënë një trashëgimi të pasur historike, ekonomike dhe materiale në emër të Xhamisë.
- Ka punësuar numër të konsiderueshëm punëtorësh në mirëmbajtjen e objekteve në Rogovë e rrethinë, të cilët paguheshin rregullisht nga Hasan Pashë Jemishçiu.
- Ishte vizionar, kur i pari në Kosovë projektoi, dhe një pjesë edhe e realizoi, të hapjes së kanalit sipërfaqësor për ujitjen e tokave irigacionin e bashtinave, livadheve dhe kullosave të fshatrave: Rogovë, Fshaj, Ujz, Shkurtan, Nak, Sakranicë, Ramajë e Lukinaj. Xhamisë së Rogovës i ka lënë në pronësi disa hektarë tokë pune, mulli, troje e male.
- Ishte drejtues shumë i zoti i ekonomisë dhe i financave në Perandorinë Osmane dhe organizator i aftë i Administratës së Përgjithshme në Perandori.
- Pasurinë e vet e shpenzoi për të mirën e bashkëvendësve në Rogovë e rrethinë.
Për të gjitha këto të mira që i dhuroi vendlindjes së tij dhe rrethinës, meriton t’i përmendet emri!
Prof. Shaqir Shala
Edukata Islame nr. 80