Roli i ulemasë shqiptare në shkrimin e gjuhës shqipe

Dr. Isa Memishi

Krahasuar me gjuhët tjera kombëtare të Evropës gjuha shqipe është gjuha kombëtare e fundit në Evropë që është dokumentuar. (1)
Fillimi i shekullit pesëmbëdhjetë na vë përpara një tekst që mund të konsiderohet pikënisje për shkrimin e shqipes. (Bellifortis)(2)
Teksti i kuptueshëm më i lashtë në gjuhën shqipe është formula e pagëzimit që mban datën 1462(3), i shkruar shqip, gegërisht, dhe me alfabet latin.(4)
Shqiptarët u kishin dhënë ndihmesën e tyre modeste, me veprat e tyre, letërsisë dhe kulturës perëndimore si dhe asaj të lindjes. Afërsia me Italinë, djepi i qytetërimit evropian, dhe më vonë sundimi i trojeve shqiptare nga Perandoria Osmane, ku një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve u shkolluan nëpër qendrat e kësaj perandorie, dha mundësi që mjaft prej tyre të përfitonin drejt për drejtë nga këto dy kultura, më të njohura të asaj kohe, dhe në të njëjtën kohë me krijimtarinë e tyre të bëhen pjesë e pandashme e këtyre dy kulturave.
Nga shekulli i pesëmbëdhjetë e këndej, Shqipëria u nda në tri sfera kulturore e gjuhësore të dallueshme nga njëra tjetra: sfera e turqve, ajo e grekëve ortodoksë dhe ajo katolikë.(5)
Ndonëse shqiptarët para sundimit të Perandorisë Osmane kishin kulturën e vet popullore dhe një letërsi gojore të pasur, ata nuk kishin alfabet dhe, si pasojë, edhe ato pak shkrime të njohura, gjerë më tani, ishin të shkruara me alfabet latin apo grek.
Kur Perandoria Osmane morri në sundimin vet trojet shqiptare, solli me vete një kulturë të re myslimane që do të mbijetonte sot e kësaj dite.
Gjuhët e kulturës dhe dijes në trojet shqiptare gjatë kësaj periudhe qenë turqishtja, arabishtja dhe persishtja.
Turqishtja ishte gjuhë e administratës, arabishtja gjuhë e literaturës burimore islame dhe persishtja gjuhë e veprave letrare.
Shqiptarët ortodoks, që i kishin mbetur besnik kishës ortodokse dhe traditave të ngurtësuara të Bizantit, nuk ishin të lirë të përdornin gjuhën e vet për qëllime arsimore e kulturore, përderisa gjuhët tradicionale të kishës ortodokse, pra edhe të vetmet gjuhë të mundshme për t`u shkruar, ishin greqishtja në jug të vendit dhe sllavishtja kishtare në veri.
Fuqia e tretë kulturore në këtë vend, ajo e kishës katolike të Romës,
për gjuhë zyrtare njihte vetëm latinishten
dhe italishten.
Të shkruarit në gjuhën shqipe, pa marrë parasysh alfabetin, përfaqësonte një simbol të qëndresës ndaj fuqive të huaja që sundonin me trojet shqiptare ose mbisundonin me kulturat e tyre.
Në shekullin XVI trupat e Perandorisë Osmane ishin përqendruar nëpër kalatë e qyteteve, andaj edhe qytetet e Shqipërisë gradualisht filluan të mbushen me një popullsi të re, e cila filloi të zbresë nga vendet rurale.
Kjo popullsi e re, e ballafaquar me një realitet të ri, fillon një proselitizëm i ri, i cili ndonëse në fillim qe i rrallë dhe i ngadalshëm. Për të ia ndalë hovin këtij proselitizmi, edhe pse Koncili i Trentit e kishte ndaluar përdorimin e gjuhëve kombëtare në liturgji dhe kishte vendosur censurë, Gjon Buzuku mendoi të kthejë meshën në gjuhën shqipe, të krijojë një kishë katolike kombëtare për shqiptarët6 dhe botoi Mesharin (1555), që dihet gjer më sot vepra e parë e botuar shqip.
Ekonomia shqiptare që në shekullin XVII nisi një far rimëkëmbje në përputhje me gjendjen e krijuar në Perandorinë. Përparësi mori zejtaria dhe tregtia ku dallohen Shkodra, Prizreni, Elbasani, Berati, Gjirokastra, Janina etj.
Pasardhësit të shqiptarëve, të shkolluar nëpër qendrat e dijes së Perandorisë Osmane, që u inkuadruan në karrierën politike dhe ushtarake të Perandorisë Osmane, pa mëdyshje, ishin të barabartë në përgatitjen profesionalë, me ulemanë e mbarë Perandorisë Osmane. Nga kjo shtresë e arsimuar e popullit shqiptarë lind gjenerata e parë e ulemasë shqiptare.
Sikundër autorët e parë të krishterë që kishin shkruar latinisht apo greqisht, ashtu edhe shkrimtarët e parë mysliman përdorën mjetet letrare të letërsive orientale si të persishtes, arabishtes dhe turqishtes, bile shumë prej tyre krijuan emër në letërsinë turke.
Autorët shqiptarë që shkruan në gjuhët e orientit janë të shumtë.(7)
Ndër më të njohur me prejardhje shqiptare, janë Suzi Prizrenit, Mesihi i Prishtinës, Jahja Bej Dukagjini (1496-1582), i njohur në letërsinë turke Dukagin Zade Yahya bej ose Tasliceli Yahya; Ahmed bej Dukagjini, i njohur në letërsinë turke Dukagjin Zade Ahmed. Ndër prozarorët turq me prejardhje shqiptare në fillim të shekullit gjashtëmbëdhjetë janë Ajazi, Lutfi Pasha, Koçi Beu.8 Ajazi, Lutfi Pasha etj.
Ata i kanë dhënë poezisë osmane- turke disa poetë, të cilët i dhanë një vulë epokës së vetë, futën një vulë të re në poezinë osmane-turke, treguan një origjinalitet të vetëm dhe hapën rrugë të reja. Historiani i njohur i poezisë osmane-turke Gibb thotë ‘ata futën një origjinalitet në poezinë osmane-turke sepse ishin shqiptar‘.(9)
Në këtë periudhë u duk edhe një lëvizje më e gjerë për shkrimin e gjuhës shqipe në jetën kulturore, arsimore e fetare. (10)
Vërehet një përpjekje për t`u shkëputur nga ndikimi i kulturave të huaja. Shqipja, po në këtë kohë, filloi të shkruhej edhe me alfabete të veçanta. (11)
Në fillim të shekullit XVIII gjithnjë e më shumë po forcohej ndjenja kombëtare e popullit shqiptar për të afirmuar kombësinë e vet edhe në fushën e kulturës. Kjo u pasqyrua edhe ndër ulemanë shqiptare për shkrimin e shqipes me alfabet arab.
Dalëngadalë ata që shkruan divane dhe veprat tjera në gjuhët orientale i hapën rrugën autorëve shqiptarë, që shkolloheshin në qendrat e Perandorisë Osmane që me të njëjtin alfabet, duke i bërë ca përshtatje grafike alfabetit arab për natyrë e gjuhës shqipe. Pra, shkrimi i gjuhës shqipe me alfabet arabe ishte kalim i shkrimit të krijimtarisë së autorëve shqiptarë nga gjuhët orientalë, arabisht, persisht dhe turqisht në shqip.
Shkrimi shqipes me alfabet arabe nga ana e ulemasë shqiptare ishte kalimi nga turqishtja, persishtja dhe arabishtja te shqipja si mjet i shprehjes letrare. Ishin orvatjet e para në fillim të shekullit tetëmbëdhjetë nga ulemaja shqiptare, të formuar nga një kulturë islame, për t`u shprehur jo në një gjuhë të Orientit, por në gjuhën e vetë vendëse. Kalimi nga gjuhët e orientit (turqisht, arabisht dhe persisht) në gjuhën shqipe ishin aq vendimtar ashtu siç kishte qenë edhe kalimi nga latinishtja në shqipe në krijimin e letërsisë së hershme shqiptare (në shekullin e gjashtëmbëdhjetë e të shtatëmbëdhjetë)‘. (12)
Ndër të parët nga autorët shqiptar që shkruan me alfabet arab janë: Muç Gega, Muç Zade, Nezim Frakulla, Sylejman Naibi, Hasan Zyko Kamberi, Zenel Bastari, Muhamet Kyçyku, Muila Dervish Peja, Tahir Efendi Boshnjaku, Dalip Frashri, Shahin Bej Frashri, H. Ali Ulqinaku, Rexhe Voka, Sheh Maliqi e shumë të tjerë.
Kur nisi të përdorej alfabeti arab për shkrimin e gjuhës shqipe? Për këtë problem ka nevojë për kërkime dhe hulumtime në arkiva dhe biblioteka shtetërore dhe private, nga specialistë që i njohin mirë gjuhët orientale.
Përkundër konstatimit të Myderrizit se ‘kjo kulturë (shkrimi shqip me alfabet arabe I.M.) zu rrënjë mirë në Shqipëri vetëm në shekullin XVII; kështu tekste më të vjetra që e kalojnë këtë shekull nuk duhet të presim,(13) mendoj se gjurmët e krijimtarisë shqipe me alfabet arab duhet kërkuar edhe më herët. Me vet faktin se krijimtaria e shkrimtarëve shqiptar që shkruan me alfabet arab, siç u tha më lartë, ishte një kalim nga të shkruarit në gjuhët orientale, s`do mend se gjurmët e shkrimit shqip me alfabet arabe duhet kërkuar para Muçi Zades (i biri i Muçit). (14)
Medoemos shkrimtarët shqiptar, të cilët krijuan në gjuhët orientale, patjetër do të kishin lënë gjurmë në gjuhën e tyre nëpër krijimtaritë e tyre. Një praktikë e tillë ka qenë prezentë tek autorët e huaj që kanë shkruar në gjuhën e vjetër turke, siç është rasti te teksti i parë i shkruar në gjuhën boshnjake me alfabet arab, tekst i rëndësie kulturore-historike për traditën e shkrimit të kësaj gjuhe me alfabet arab.
Sipas hulumtimeve të deritanishme, shënimet e ca fjalëve shqipe me alfabet arab nga udhëpërshkruesi mirënjohur turk Evlija Çelebiu në veprën sijahetname, në vitin 1662, janë gjurmët e para të shkrimit të shqipes me alfabet arab.
Duke marrë parasysh këtë traditë, që në mes të një vepre të shkruar në gjuhën e vjetër turke të shkruhen edhe fjalë apo shprehje të një gjuhe tjetër, s`do mend se do të duhej të ekzistonte diç e këtillë edhe nga autorët shqiptarë, që shkruan në gjuhën e vjetër turke, do të kishin shkruar diçka në gjuhën e tyre, të paktën disa vargje.
Për emërtimin e shkrimeve shqipe me alfabet arabe janë përdorur mjaft terma letrare, varësisht nga studiuesit e historisë së letërsisë shqipe. Po përmendim vetëm disa prej tyre: Shkrimtarë të vjetër Mysliman(15)
Namik Resuli. ‘poetë me ndikim turk‘ Giusepp Schiro Junior
Shkrimtarët mysliman me alfabet arab në atdhe, Arshi Pipa.(16) Alamiad, Hasan Kaleshi (17) Letërsia e shek. 18-19 e shqiptarëve mysliman ose bejtexhinjve, Mahmut Hysa, (18) Alamiada shqiptar, Mahmut Hysa, (19) ‘prodhimi letrar i alhamiados’, Zeqirja Neziri, (20) ‘Alhamiado’, Nehat Krasniqi, (21)
Termi më i popullarizuar gjer më tani është ai ‘letërsia e bejtexhinjve‘.
Ndër studiuesit e historisë së letërsisë shqipe kohëve të fundit dominon termi alamiado gjegjësisht alhamiado, mirëpo bartja mekanike, siç do të thoshte profesor Rexhep Ismajli (22) nuk është term, i cili ngërthen tërë krijimtarinë shqipe të shkruar me alfabet arab. Pos arsyeve të cilat i cekë profesor Ismajli23 për rrezikun që paraqet bartja mekanike e këtij termi, do të shtonim edhe atë se kjo krijimtari për letërsinë shqipe nuk është e huaj. Me vetë faktin se kjo krijimtari është shkruar në gjuhën shqipe, nga autorët shqiptarë dhe për lexuesit shqiptarë, nuk mund të quhet alhamiado (al`axhamija – e huaj). Meqë këtë pjesë të letërsisë shqipe, nga pjesa tjetër e letërsisë e dallon vetëm alfabeti, andaj mendoj se termi më adekuat për këtë pjesë të letërsisë shqipe do të ishte ai me të cilin e quajti studiuesi më i zellshëm e kësaj krijimtarie Osman Myderriz, pra letërsi shqipe me alfabet arab. (24)
Alfabeti i kësaj pjese të letërsisë shqipe nuk është arsye që kjo pjesë e letërsisë të quhet kështu apo ashtu, e aq ma pakë e huaj, duke qenë se profesor Çabeji thoshte alfabetet e ndryshme që kanë qenë përdorur gjatë kohëve te ne, s`janë gjë tjetër veçse shprehje grafike…”. (25)
Kjo traditë e shkrimit në disa mjedise ishte më e përhapur si në Vilajetin e Kosovës dhe të Manastirit, gjurmët e të cilit i ndeshim edhe pas Kongresit të Manastirit. Tradita e shkrimit shqip me alfabet arab vazhdoi sidomos në Kosovë, ku deri në vitin 1947 shkruheshin ende vargje me shkrim arab. (26)
Në këto mjedise shkrimi i shqipes me alfabet arab nga ana e ulemasë shqiptare, për shkak të sundimit të egër serb, ishte edhe më pas e vetmja mundësi për ta shkruar gjuhën amtare. Pra, jo dëshmon për përpjekjet e tyre për shkrimin e shqipes në këto treva.
Shkrimet, gjegjësisht letërsia shqipe me alfabet arab i dha Rilindjes një gjuhë të punuar, i dha Ervehenë, i dha edhe modele për epopenë.
Me letërsinë shqipe të shkruar me alfabet arab fillon letërsia e mirëfilltë,(27) ndërpritet tradita e letërsisë shqipe me motive fetare.(28)
Kjo letërsi, e krahasuar me letërsinë e vjetër me alfabet latin, rezultoi më e pasur dhe më e larme(29) dhe ishte kryesisht letërsi e dijeve dhe e mjeshtërive. (30)
Këto shkrime me alfabet arab me fjalorët dy gjuhësh dhanë një kontribut me rëndësi edhe për leksikografinë, leksikologjinë e gjuhësinë tonë në përgjithësi.
Fjalori turqisht-shqip i Nezim Frakullës, ndonëse i vogël, ka gjithsejtë njëzet vargje, ka rëndësi, se hapë rrugën e leksikografisë me alfabet arab dhe është teksti i parë i leksikografisë në dialektin toskë.
Fjalori i Daut Boriçit është ndër fjalorët e rrallë dhe të veçantë të asaj kohe i shkruar në katër gjuhë shqip, me alfabet arab, turqisht me alfabet arab, persisht dhe arabisht.
Shkrimet shqipe me alfabet arab, përveç vlerës letrare, leksikografike dhe leksikologjike kanë edhe rëndësinë e historikut të zhvillimit të gjuhës së shkruar shqipe si dhe rëndësi të veçantë për dialektologjinë shqipe.
Pjesa dërmuese e këtyre veprave të këtij lloji janë shkrimet e para të shkruara në disa të folme të shqipes, siç janë: poezia e Muçi Zades Im Zot mos më le pa kahve është shkruar toskërisht dhe përbën dokumentin e parë që njohim gjer tashti të shkruar në Shqipëri në këtë dialekt. (31)
Fjalori turqisht-shqip i Nezim Frakulës, i cili përmban të parin tekst leksikografik të shkruar toskërisht,(32) veprat e Muhamet Çamit në Çamëri, Vehbija e Tahir Boshnjakut, dokumenti më i vjetër i shqipes së Kosovës i shkruar me alfabetin arabo-turk(33) edhe pse Muhamet Pirraku thotë se “gjuha shqipe në Kosovë është
shkruar me alfabet arab shumë më herët se paraqitja e Tahir Efendisë. (34)
I këtij mendimi është edhe Nehat Krasniqi sa i përket vjetërsisë, por konteston autorin e kësaj ilahije dhe konstaton se autorë i Ilahisë ah un i mjeri kesh tu fjet është Shejh Sylejman Baba Rahoveci. (35)
Sipas Krasniqit Vasijetnameja e Mulla dervish Pejës është më e moçmja përmbledhje poezish shqipe me shkrim arab krijuar në Kosovë.36 Mevludi i H. Ali Ulqinakut, teksti i parë në të folmen e Ulqinit. (37)
Veprat e Rexhep Vokës janë ndër veprat e para të shkruara në trojet shqiptare të Maqedonisë, gjegjësisht në të folmen e asaj treve.
Për vlerën e shkrimeve shqipe me alfabet arab, për fillim, mjafton të përmendim mendimin e Osman Myderrizit, thotë: “pavarësisht nga shkronjat e nga fjalët e huaja të kulturës tekstet shqipe me alfabetin arab janë tekste të vjetra shqip. Pa njohur e pa studiuar mirë këto tekste as historia e letërsisë shqipe nuk mund të shkruhet, e as historia e zhvillimit të gjuhës së shkruar nuk mund të kuptohet”. (38)
Këtij konstatimi, për vlerën dhe rëndësinë e shkrimeve shqipe me alfabet arab, duhet shtuar edhe konstatimin e profesor Ajetit: “Dikur nga të dhëna asisoj të dala prej librash fetare të shkruara prej hoxhallarësh e myderrizash të pajisur shpeshherë me kulturë të gjerë teologjike dhe me njohje të thellë të gjuhës shqipe, mund të ndriçonin shumë çështje të errëta në historinë e shqipes, sikur edhe mbi bazën e dokumenteve të shkruara në ndonjë prej gjuhëve indoevropiane.” (39)
Për letërsinë shqipe me alfabet arab I. Zamputi thotë: “Mund t`i quajmë bejte dhe bejtexhinj, sipas shijeve tona, duke i vlerësuar ose duke i përçmuar artistikisht, por duhet t`ua njohim qëllimin dhe funksionin fisnik të afirmimit të vetëdijes mbarë shqiptare të komponentës më të madhe të kombit shqiptar”. (40)
___________________

Fusnotat:
1. Robert Elsie, Historia e letërsisë shqiptare, Pejë, 2001. f. 9.
2. Robert Elsie, op. cit. f. 23
3. Robert Elsie, op cit, 24.
4. Tomar Osmani, Udha e shkronjave shqipe, Shkodër, 1999. f. 16.
5. Robert Elsie, op cit. F. 31.
6. Osman Myderrizi, Tekstet e vjetra shqip me alfabet arab, Konferenca e parë e studimeve albanologjike, Tiranë 1965, F. 287.
7. Kr. Nehat Krasniqi, Gjurmë të zanafillës së letërsisë shqipe alamiado, Edukata Islame 17, Prishtinë 2003, F. 75.
8. Hasan Kaleshi, Albanska alamiado knjizevnost, Zbornik Filozofskog Fkulteta IV-2, Beograd 1970; Shefik Osmani, Reflekse etnopedagogjike I, Tiranë 1998; Robert Elsie Op. cit.
9. Gib 1902, vëll. II, f.16 e vazhdim, (cituar sipas Hasan Kaleshit, op. cit.)
10. Historia e letërsisë shqiptare, Tiranë, 1983, F. 48.
11. Kr. Tomar Osmani, op. cit. F.93-97; DH. S. Shuteriqi, Shkrimet shqipe në vitet 1332-1850, Tiranë1976, F. 33-54. I. Zamputi 1949a, 55-57; I. Zamputi, Një dorëshkrim bektashian gjysmës së shekullit XIX (1850-1860), Buletin për shkencat shoqërore nr. 4, Tiranë, F. 64-131.
12. Robert Elsie, op. cit. 71.
13. Osman Myderrizi, Fjalori shqip turqisht i H. Ali Ulqinakut, Studime filologjike 4, Tiranë 1965, F. 291
14. Sipas studiuesit N. Krasniqit poezia e parë shqipe me alfabet arabe është poezia Fetfanë ma dha Myftiu e Muço Gegës. kr. Krasniqi, op. cit. 78.
15. Rexhep Ismajli, Tekste të vjetra, Prishtinë 2000, F.12.
16. Ismajli, op. cit, F. 16.
17. Hasan Kaleshi, op. cit. F. 48-75.
18. Mahmut Hysa, Krestomaci e letërsisë së vjetër shqipe, Prishtinë 1987. Për burime të përgjithshme mbi këtë letërsi, kr: Hasan Kaleshi, Mevludi kod arbanasa, Zbornik filizofskog Fakulteta IV-2; Hasan Kaleshi, Albanska alamida knjizevnost, Prolozo za orientalnu filologoju XVI-XVII, Sarajevë, F. 48-74; Osman Myderrizi, Letërsia shqipe me alfabet arab, Buletini për shkencat shoqërore 2, Tiranë 1955, F.1187-291; Osman Myderrizi, Dorëshkrime të panjohura të gjirokastrës, Buletini për shkencat shoqërore 2, Tiranë 1959; Osman Myderrizi, Tekste të vjetra shqipe me alfabet arab, Konferenca e parë e studimeve albanologjike, Tiranë 1965; Dhimitër S. Shuteriqi, op. cit: Hajdar Salihu, Poezia e Bejtexhinjve, Prishtinë 1987, Muhamet Prirraku, Gjurmë të veprimtarisë letrare shqipe me alfabet arab në Kosovë, Dituria 1-2, Prishtinë 1978, F. 79-124; rober Elsie op. cit. Rexhep Ismajli, op. cit; Nehat Krasniqi op. cit.
19. Hysa 1997, 191.
20. Rexhep Ismaji, op. cit. F. 25. Për termin alamiado më gjerësisht, kr. Hasan Kaleshi, op. cit. F. 48-75 1966-67, Nerkez Smailagiç, Leksikon Islama, Sarajevë 1990, F.34-35; Neht Krasniqi op. cit. F. 74. Mahmut Hysa 1997, Ismajli 2000, Elsie 2001.
21. Krasniqi, op. cit, F. 74.
22. Ismajli, op. cit, F. 27.
23. Ismajli, op. cit, F. 27.
24. Osman Myderrizi, Letërsia shqipe me alfabet arab, Buletini për shkencat shoqërore 2, Tiranë 1955, F. 187-291.
25. Eqrem Çabej,Meshari i Gjon Buzukut I, Prishtinë 1988, F. 45.
26. DH. S. Shuteriqi: op. cit. F. 78.
27. Sabri Hamiti, Letërsia shqipe për klasën e parë të shkollave të mesme, Prishtinë 1995, F. 16.
28. Hasan Kaleshi, op. cit. f. 55.
29. Osman Myderrizi, Fjalori shqip-turqisht i H. Ali Ulqinakut, Studime filologjike 4, Tiranë 1965, F. 289.
30. Elsie op. cit. F. 86.
31. Myderrizi, Letërsia shqipe me alfabet arab, Buletini për shkencat shoqërore 2, Tiranë 1955, F. 151.
32. Myderrizi, fjalori shqip-turqisht i H. Ali Ulqinakut, Buletini i Universitetit Shtetërorë, Tiranë 1961, F. 119.
33. Ajeti, Pamje historike të ligjërimit shqip të Gjakovës në fillim të shekullit XIX, Vepra 2, Prishtinë 1998, F. 12.
34. Muhamet Pirraku, Gjurmë të veprimtarisë letrare shqipe me alfabet arab në Kosovë, Dituria 1-2, Prishtinë 1978, F. 83.
35. Krasniqi, op. cit. F. 84.
36. Krasniqi, op. cit. F. 15.
37. Abdulla Hamiti, Veçoritë gjuhësore të fjalorëve shqip-turqisht e turqisht-shqip të Hafiz Ali Ulqinakut, Disertacioni doktorët, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë 1998, F. 28.
38. kr. Rexhep Ismajli, op. cit, F. 30.
39. Ajeti 1978, 43.
40. I. Zmputi, 1993, 161 (cituar sipas Tomar Osmanit, Udha e shkronjave, Shkodër 1999, F.136.)


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Në Gjakovë u bë përurimi i dorëshkrimit “Sahihu i Buhariut” – kopja e Juninit (Video)