Historia e muslimanes franceze: "E hoqa ferexhenë, por nuk dal, nuk punoj... dhe jam më shumë e varur nga burri"

Në Francë, një vit më parë, hyri në fuqi ndalimi i bartjes së ferexhesë, dhe që atëherë jeta e grave muslimane në këtë vend ka ndryshuar rrënjësisht, shkruan Deutsche Welle.

Mabrouka në shtëpinë e saj në periferi të Parisit, luan me vajzën e saj dy vjeçare. Ato të dyja e kalojnë kohën këtu, dhe rrallë herë largohen nga shtëpia. Mabrouka është njëra prej afro 2000 grave franceze që bartin ferexhe.
Bartja e ferexhesë në Francë është ndaluar një vit më parë. Për këtë arsye, kjo 30 vjeçare nuk del në rrugë, përpos në dyqanet e afërta për të blerë gjëra ushqimore. Për shkak të ferexhesë ajo rrezikon të dënohet, e dënimi është 150 euro. Ajo thotë se ka raste kur policia mbyll sytë pasi që e shohin me vajzën e saj. Megjithatë, në bankë e kanë paralajmëruar se nuk dëshirojnë ta shohin me ferexhe. Prandaj Mabrouka është detyruar që kartelën e saj bankare t’ia jep burrit të saj.
Ndalim i ferexhesë ka hyrë në fuqi me vendimin e presidentit Nikolas Sarkozi dhe qeverisë konservatore të krahut të djathtë, më 11 prill të vitit 2011., me shpresë se do të kenë sukses në krijimin e sigurisë dhe barazisë më të madhe, dhe për të mbrojtur nderin e grave. Por, për ato që insistojnë ta mbajnë ferexhenë, ka ndodhur e kundërta. Mabrouka, e cila nuk dëshiron ta tregon mbiemrin e saj, thotë se përmes kësaj ndalese ajo ka humbur lirinë e saj, dhe tani më shumë se kurrë është e varur nga burri.
"Tani jam shumë e varur. Para martesës, kam punuar. Edhe atëherë kam bartur ferexhenë dhe i kam shfrytëzuar mjetet publike të transportit. Kam shkuar në udhëtime të gjata dhe jam shoqëruar me miq. Sot, duhet të kënaqem duke qëndruar në shtëpi, dhe përveç kësaj nuk kam asgjë tjetër."
Edhe pse ndalimi ka shkaktuar shumë debate dhe diskutime, me të është prekur vetëm një numër i vogël i grave. Sipas të dhënave të Ministrisë franceze të drejtësisë, në gjashtë muajt e parë pasi ndalimi hyri në fuqi, policia ka ndërhyrë vetëm në 100 raste, dhe vetëm dhjetë prej tyre kanë përfunduar në gjykatë.
Për shembull Hind Ahmas dhe Najate Nait Alit janë detyruar t’i paguajnë gjobat prej 120 dhe 80 euro, kur janë ndaluar nga policia në afërsi të komunës Meaux, në lindje të Parisit. Ato ishin duke shkuar tek Jean-Francois Cope, kryetari i komunës, për t’ia dhuruar tortën e ditëlindjes. Cope njihet si arkitekt i ndalimit të ferexhesë. Ahmas dhe Alit thonë se ndalimi shkel të drejtën e lirisë personale dhe të fesë, prandaj ato thonë se çështjen e tyre, nëse është e nevojshme, do ta çojnë në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë.
Shumica e muslimaneve franceze nuk bartin ferexhe, prandaj edhe nuk shqetësohen për ndalimin e saj.

Pa mbështetje politike
Franca, me rreth nëntë për qind, ka përqindjen më të lartë të popullsisë muslimane në të gjithë Evropën Perëndimore. Shumica e muslimanëve vijnë nga Afrika Veriore, ish kolonitë franceze si Algjeria, Maroku dhe Tunizia. Emigrantët shpeshherë kanë vështirësi me sekularizmin francez. Edhe në mesin e kundërshtarëve politike të Sarkozyt ka shumë pak mbështetje për heqjen e ndalimit të ferexhesë.
Noura Jaballah, presidente e Forumit Evropian të grave muslimane, nuk beson se situata do të ndryshojë në qoftë se në zgjedhjet e ardhshme presidenciale do të fitojë kandidati socialist Francois Hollande.
"Franca është shumë e ndjeshme kur është fjala për komunitetin muslimanë", thotë Jaballah.
Në periferi të Parisit Mabrouka ndjehet e margjinalizuar dhe e shtypur nga jeta publike. Ajo nuk i ka takuar kategorisë së femrave të shtypura. Ajo ka lindur në Lion, si vajzë e emigrantëve tunizian, ka punuar si mësuese me kohë të pjesshme. Ajo ende i viziton nxënësit e saj në shtëpi. Posedon diplomën universitare, ka studiuar gjuhën arabe dhe historinë, dhe është kualifikuar si mësuese e kurseve të gjuhës franceze për të huajt.
Shtatë vjet më parë, ajo filloi ta bartë ferexhenë, si shenjë përkushtimi ndaj Zotit. Ai thotë se burri i saj nuk ka lidhje me këtë vendim, sepse ata janë takuar pasi që ajo e kishte vënë ferexhenë. Mabrouka pranon se mund të duket e çuditshme kur një person e kufizon jetën e tij për shkak të një pëlhure, por insiston se lirinë e saj nuk ia mohon religjioni, por shoqëria franceze.