Në kuadër të shtojcës speciale nga ‘mojUSK.ba’ në 20 vjetorin e formimit të Armatës së BeH-së, ju sjellim historinë e Xhevat Salesheviçit, njeriut i cili në qershor të vitit 2009 hapi zyrtarisht xhaminë e restauruar në xhematin Jezero afër Bihaçit.
Gjatë agresionit ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës, qindra xhami dhe ndërtesa fetare islame u shkatërruan nga ushtria serbe. Në zonën Bosanska Krajina, një numër i madh i xhamive u shkatërrua deri në themel. Fatin e njëjtë, por jo të zakonshëm e përjetoi edhe xhamia në xhematin Jezero në rrafshnaltën Grmushko-srbljanska pranë Bihaçit. Kjo xhami u shkatërrua në verë të vitit 1992, kur në këtë rrafshnaltë u zhvilluan beteja të ashpra në mbrojtje të këtij territori, ku mori pjesë dhe Xhevat Salesheviç, atëkohë pjesëtarë i njësisë ‘Kljuçko-sanska’, e cila ia doli të arrijë në territorin e lirë.
"Në Bihaç arrita më 4 Qershor, disa ditë pasi kemi arritur të depërtojmë nga territoret e pushtuara të Grabezhit pranë Bihaçit. Kur arritëm në Bihaç, menjëherë u përfshimë në luftë. Beteja jonë e parë ishte në fshatrat Spahiç, Srbljani dhe Jezero", thotë Xhevati.
Gjatë kohës së luftimeve, në fillim të korrikut të vitit 1992, ushtarët serbë hynë në xhaminë e fshatit Jezero, dhe nga minarja e xhamisë sulmonin pjesëtarët e ushtrisë së BeH-së. Duke marrë parasysh se zjarri nga minarja pengonte progresin, u vendos që ushtarët serbë të ndalen, me çdo kusht. Detyra më e vështirë për shkatërrimin e xhamisë i takoi Xhevatit.
"Snajperi i tyre gjuante nga minarja, sepse çetnikët mendonin se ne nuk do ta gjuanim xhaminë dhe nuk do ta shkatërronim atë. Në ato momente nuk dinim se çfarë të bënim, kështu që unë mora një bazukë dhe e gjuajta xhaminë. Ishte momenti më i vështirë i jetës time, por isha i detyruar ta bëja. Kjo ishte e vetmja mundësi që ta ndalojmë sulmin dhe unë e kolegët e mi të mos e pësonim. Ky ishte momenti kyç në mbrojtjen e territorit", tregon Xhevati, i cili në Jezero erdhi bashkë me gruan e tij Nihaden, djalin Ahmetin dhe vajzën Zijaden.
Në kujtim të të rënëve të kësaj zone, fshatarët e xhematit Jezero, duke iu falënderuar donacioneve të shumta restauruan xhaminë dhe e kthyen atë në përkujtimore të shehidëve, ku janë gdhendur emrat e 370 ushtarëve të rënë. Nderi për të hapur derën e xhamisë i është dhënë Xhevatit, i cili tha se gjithmonë do ta kujton 14 qershorin e vitit 1992. dhe 2009.