Rrëfimi i Sami Yusuf – “Intervista”

Këngëtari i njohur i botes islame Sami Yusuf ka sjellë në emisionin “Intervista” të gazetarit Alfred Peza, lidhjet e tij me muzikën dhe fenë.

Me 12 milion albume të shitura, Sami Yusuf, i shpallur nga “Time magazine” si ylli i muzikës islame, ka përcjellë mesazhin e tij për rëndësinë e respektimit të Islamit dhe traditës. Sami Yusuf është sot ndër muzikantët më të famshëm dhe zgjedhja e tij për të përcjellë një muzikë me dimension fetar e ka renditur ndër njerëzit më me ndikim në botën islame.


Përtej këtij prezantimi, kush është Sami Yusuf në të vërtetë. Si i pëlqen atij ta prezantojë veten përpara admiruesve, por edhe atyre që s’e njohin?

Jam 31 vjeç. Kam lindur më 1980. Familja ime është me origjinë nga Azerbajxhani, por kombësia është britanike, e konsideroj veten britanik, por jam shumë krenar për trashëgiminë time. Jam rritur në Londër, në një vend ku shkrihen shumë kultura të ndryshme. E konsideroj bekim faktin që jam rritur në Mbretërinë e Bashkuar. Kjo të dhuron disa gjëra siç është pluralizmi dhe njohja me kultura të ndryshme dhe me grupe të besimeve të ndryshme. Vij nga një familje muzikore, prindërit e mi janë marrë me muzikë. Unë kam studiuar muzikë klasike, jam njohur me stilin oriental dhe atë perëndimor të muzikës, që në moshë fare të re kam qenë i lidhur me fenë. Mbaj mend se, që fëmijë kam pasur dëshirë për ta kërkuar të shenjtën, dhe që ta kem sensin e hyjnores të pranishme rreth jetës time, kjo është shumë e rëndësishme për mua. Ja ku jemi sot këtu në Shqipëri.


A është historia juaj mes orientit dhe oksidentit, ajo që ju ka shënjuar më shumë për të qenë ky që jeni sot?

Po. Do të thosha se njohja me muzikën perëndimore dhe atë arabike e lindore ka luajtur një rol shumë të fortë. Jo vetëm muzika por dhe njohja e kulturave të ndryshme, ndjeshmëritë dhe veçantitë kanë ndikuar në formimin tim dhe në muzikën time duke i dhënë sensin e të njohurës, pasi kur e dëgjon nuk të duket e huaj, ka një lloj aspekti të familjarizuar.


Keni mbaruar një nga shkollat më të famshme në botë për muzikën, Akademinë Mbretërore të Muzikës në Londër, dhe në vitin 2003 ajo që ju bëri të njohur për herë të parë, jo vetëm në Angli por edhe jashtë saj, ishte albumi juaj “Al Mualim”. Mund të na flisni pak për këtë?

Mendoj se albumi im i parë është shumë personal. Është realizuar pas 11 shtatorit 2001 dhe besoj që edhe po të ketë qenë pa ndërgjegje në mënyrë të paqëllimtë ishte e nevojshme që ky album të bëhej. Nuk e kisha idenë që do të bëhesha i famshëm apo i njohur. Nuk jam njeri që më pëlqen fama, jam njeri i turpshëm, madje as foton time nuk e kam vënë në kopertinën e albumit. Në thelb ajo që ndodhi ishte se albumi doli në treg dhe ishte një habi dhe një sukses shumë i madh në të gjithë botën e sidomos në botën myslimane. Para daljes së këtij albumi nuk doja të merresha me muzikë, sepse mjedisi muzikor është bërë sinonim i komercializmit, i parave dhe i shitjeve të grupeve të ndryshme, pra një industri shumë sipërfaqësore, fatkeqësisht. Nuk është se desha që të futesha në këtë lloj industrie, doja të studioja për juridik, por me sa duket fati paska planifikuar gjëra të tjera.


Nga komentet e fansave tuaj, kam lexuar se një pjesë e tyre shprehen se muzika juaj, arti juaj u ka ndryshuar jetën. Çfarë mendoni se ata pëlqejnë tek ju? Cila është ajo gjë që i tërheq në artin, muzikën dhe këngët tuaja?

Mendoj se pikë së pari, suksesi apo sido që ta quani ju, nuk e kemi ne në dorë, pasi janë shumë faktorë që ndikojnë në të. Por kur fillova nuk u mundova të kopjoj apo ndjek ndonjë linjë muzikore. Kur diçka bëhet në mënyrë unike duke përdorur tinguj të ndryshëm, qoftë edhe eksperimentalë del diçka e bukur, le të themi se Zoti është treguar shumë zemërgjerë me ne. Është naivitet po të pretendoja se vetëm pse kam thënë disa fjalë të shenjta rreth Profetit tim apo disa sentenca fetare se suksesi vjen për shkak të këtyre gjërave. Mendoj se njerëzve u pëlqen të shohin diçka ndryshe dhe unike, diçka që nuk është thjesht kopjim. Për këtë ndihem i vlerësuar, krenar dhe i nderuar që kam bërë diçka që ka ndikuar në jetën e njerëzve. Por synimi im që nga fillimi, nuk ka qenë kurrë që t’i bind njerëzit të ndryshojnë fenë, t’u predikoj apo t’i ndryshoj ata. Nuk ka qenë ky qëllimi im, as nuk ka qenë dhe as nuk duhet të jetë edhe pse e kam pasion faktin që t’i bashkoj njerëzit, sidomos për fjalë të vërteta që në fe të ndryshme kanë emërtime të ndryshme, por që si përfundim është një e vërtetë e vetme hyjnore.


Ju jeni një mysliman praktikant?

Po, sigurisht.


Kjo gjë paragjykohet në një vend perëndimor siç është Anglia, Londra?

Britania në këtë kuptim është një vend shumë i respektueshëm dhe tolerant. Kemi një histori të gjerë dhe një trashëgimi që njerëzit të ndjekin besime të ndryshme. Megjithatë, fatkeqësisht, në Evropë në përgjithësi dhe jo vetëm në Britani po humbet trashëgimia fetare, dhe kjo është mëkat.


Ju i kompozoni, i shkruani dhe i këndoni vetë këngët tuaja. Sa bazoheni tek librat e shenjtë apo kjo nuk ka lidhje me mesazhin që jep arti juaj?

Shumë nga muzika ime është personale. Edhe albumi im i parë që flet për Profetin Muhamed (a.s.) është shumë personal. Është dashuria ime për besimin dhe karshi njerëzve. Por pjesa më e madhe e muzikës sime, këngë dhe albume që janë nxjerrë pas të parit, sigurisht që në një lloj niveli lidhen me gjëra më të largëta, qiellore, por më shumë do ta quaja një dimension më të madh shpirtëror, sepse unë nuk këndoj vetëm për myslimanët, ka disa të vërteta të rëndësishme në këtë botë në të cilat besoj. Mendoj dhe besoj se Zoti nuk mund të monopolizohet. Zoti është i gjithëpushtetshmi, i gjithëmëshirshmi, është i mirë, është gjithçka. Me mënyrën time në varësi të këngës, unë mundohem të arrij atë dimension shpirtëror që t’i kujtoj njerëzve gjërat që janë sipër nesh.


Shumë prej atyre që i dëgjojnë këngët tuaja i përkasin botës myslimane. Në fakt a ka të tjerë përtej kësaj bote, që e dëgjojnë dhe shijojnë me po atë kënaqësi?

Që nga viti 2003 ka pasur shumë këngëtarë, të cilët janë munduar të bëjnë muzikë të orientuar drejt besimit. Unë vetë gjithçka e kam bërë në mënyrë spontane, e kam bërë nga zemra, nuk është se e kam menduar. Në gjithçka që kam bërë që nga fillimi s’kam pasur ndonjë kompani të madhe pas vetes. Kam pasur familjen, miqtë e mi, sigurisht edhe bekimet e Zotit dhe të gjithë mbështetjen e fansave. Pra, s’ka qenë diçka e menduar, por diçka që ka buruar nga zemra. Për sa i takon fansave apo dëgjuesit e mi, po, ata janë përtej botës myslimane. Shumë njerëz e shohin Islamin si rrezik, por pak prej tyre e njohin kulturën dhe traditën e tij. Islami ashtu si të gjitha traditat e vjetra në botë, ka një histori të gjerë dhe një art e trashëgimi muzikore shumë të madhe. Shikoni arkitekturën, tapetet persianë, xhamitë këtu në Shqipëri, monumentet, poçarinë, muzikën, poezinë, është fatkeqësi që në kohën tonë shumë njerëz nuk arrijnë ta shikojnë Islamin si një traditë të madhe. Ata shohin vetëm dogmën, vetëm në këndvështrimin se çfarë është e lejuar dhe çfarë jo. Islami ka tradita vërtet të mrekullueshme.


Ju e përmendni shpesh faktin që jeni një njeri tradicional dhe pikërisht ky dimension ju bën të pëlqyeshëm, por nga ana tjetër jeni edhe modern, kur përdorni teknologjinë moderne si interneti apo teknologjitë e tjera. A mund të na thoni se si qëndrojnë bashkë tradita me modernen tek ju?

Është një pyetje interesante dhe përgjigja nuk është e lehtë. Shpirti dhe zemra ime i përkasin traditës, por nëse shohim anën praktike s’ka diskutim që kam iphone, kam blackberry etj. Për mua këto janë mjete të nevojshme e shumë të rëndësishme për kohën. Në përgjithësi ka disa aspekte të botës moderne, p.sh. në kuptimin teknologjik dhe pajisjeve që ajo ofron, janë të dobishme por mund të bëhen edhe të dëmshme. Mund të mësohet shumë nga tradita. Nuk e kam fjalën në kuptimin e traditës si traditë e vjetër p.sh. traditës së krishterimit, ose traditës së hinduve. Në Islam kemi një traditë shumë të gjerë dhe një pjesë shumë e madhe e kësaj tradite është e panjohur për të rinjtë. Ne mund të mësojmë shumë, s’kemi pse kthehemi aq prapa në kohë. Edhe në kohën e të parëve tanë, dallohet që ata kanë qenë më afër etikës morale, dinjitetit dhe në përgjithësi të gjërave që janë më sipër nesh, sesa të rinjtë sot. Prandaj tradita nuk duhet parë me përbuzje. Nuk mund të themi se civilizimi para 7000 vjetësh ka qenë i gabuar apo se shkenca moderne ofron gjithçka. Duhet të jemi pak më të përulur karshi të shkuarës dhe të mësojmë shumë në kuptimin e etikës, moralit dhe kuptimit të botës.


Pikërisht në botën e sotme, në një botë globale, moderne, ku kufijtë nuk është se kanë ndonjë kuptim, tradicionaliteti është ajo çfarë i mban kombet dhe popujt me këmbë në tokë. Por nga ana tjetër shekujt kanë sjellë elementë të cilët duke ruajtur fort traditën vihen në pikëpyetje. Keni diçka për të thënë në këtë drejtim?

Kjo është pyetje me kuptim pak politik. Më duhet të them që unë nuk flas në emër të Islamit apo të ndonjë besimi tjetër. Unë jam vetvetja, jam i përulur dhe besoj në atë që bëj. Në gjykimin tim Islami nuk është vetëm një gjë e vetme, është një traditë, është i gjerë, ka një dimension të jashtëm dhe një dimension të brendshëm. Në të shkuarën, kur përmendej Sheriati, që është ligji i shenjtë, dhe tarikati. Sheriati, që është ligji hyjnor, është dimensioni i jashtëm i besimit, ndërsa dimensioni i brendshëm është po aq i rëndësishëm. Dimensioni i brendshëm i besimit, kuptimet më të thella. Fatkeqësisht ka disa njerëz në hemisferën perëndimore dhe kudo tjetër, që për shkak të krizës së identitetit, kanë rënë prej të tendencave ekstremiste dhe të shpëlarjes së trurit. Por kjo s’do të thotë se problemi wshtw feja, problemi janw vetw njerëzit. Jetojmë në kohëra të vështira, por duhet të kemi besim, të jemi të fortë dhe t’i mbajmë fort vlerat e asaj bërthame. Nuk dua të them që gjithçka është keq, por ama duhet të jemi të vetëdijshëm për realitetin. Dhe realiteti është se bota ku jetojmë sado e mrekullueshme që është, aktualisht po kalon një krizë, dhe rrënjët e kësaj krize shkojnë në humbjen e vlerave të dikurshme, të cilat janë gjatë gjithë kohës në rënie.


Si lindi ideja për të ardhur në Shqipëri?

I jam shumë mirënjohës Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe fondacionit “SEMA”që më ftuan. Kam dashur prej kohësh të vij. Kam kryer shumë vizita, isha në Medresenë e Tiranës, ku jam shprehur se kur të bëhem me fëmijë do t’i sjell aty, duke parë punën e shkëlqyer me fëmijët për t’i rrënjosur atyre vlerat e besimit. Në përgjithësi unë i përzgjedh organizimet dhe grupet me të cilat punoj, vetëm nëse është një promovues profesional koncertesh. Në këtë rast ky ishte një përjashtim për shkak të Komunitetit që është këtu. Jam shumë i lumtur që jam këtu, dhe që pata rastin të njoh shumë miq shqiptarë.


Çfarë ju ka bërë më tepër përshtypje gjatë qëndrimit tuaj në vendin tonë?

Shqiptarët janë njerëz shumë të zgjuar, inteligjentë dhe shumë të bukur, si nga jashtë ashtu edhe nga brenda. Por besimi i tyre, forca për të tejkaluar çdo sfidë, forcë kjo e cila vjen nga Zoti, ka qenë një nga gjërat për të cilat kam biseduar qëkur erdha. Ka një dimension shpirtëror shumë të fortë që unë e ndiej tek shqiptarët. E thashë edhe në konferencën për shtyp, që ky besim i thellë, që as komunizmi nuk e ka shkatërruar dot, ka mbetur dhe ka rezistuar deri në ditët e sotme. Ky është një besim shumë i thellë, një bekim i madh nga Zoti. Ka qenë një përvojë e mrekullueshme. Do të doja të qëndroja më shumë.


Si u ndjetë kur gjithë ai kor ju shoqëronte gjatë performimit tuaj live dhe pothuajse i bashkëkënduat këngët?

Mendoj se nuk më duan në sensin e idhullit të tipit Michael Jackson, jo të një ylli të atyre përmasa, mendoj se kjo tërheqje është me përmasa më shpirtërore. Në koncert kishim katolikë dhe njerëz të ndryshëm. Për mua ka rëndësi që të bashkohen njerëzit, që ne të gjithë të jemi të bashkuar. Ky është një nga qëllimet e mia kryesore. Sepse ne kemi globalizim, kemi shkuar edhe në hënë, por njëri-tjetrin nuk e njohim, jemi shumë larg dhe kjo është një të vërtetat e trishtueshme të kohëve tona. Kemi gjithë mekanizmat për të mundësuar komunikimin, kemi internetin, skype-n, por nuk e njohim njëri-tjetrin. Sa vjen e po largohemi nga njëri-tjetri. Mendoj se muzika është një forcë shumë e fuqishme për t’i bashkuar njerëzit.


Cili është suveniri që e gjetët dhe e morët gjatë qëndrimit në Shqipëri?

Kam marrë një mal të madh me dhurata saqë nuk e di se si do ti marr me vete. Por për mua përtej dhuratave sigurisht, janë kujtimet që do të marr me vete, dhe shpresoj që të kthehem dhe të kaloj më shumë kohë këtu, të mësoj më shumë për kulturën e mrekullueshme shqiptare, për popullin shqiptar dhe që të bashkohem me ta në të ardhmen në çdo lloj forme.


Doja t’ju pyesja lidhur me një dimension tuajin siç është bamirësia dhe puna për Organizatën e Kombeve të Bashkuara në ndihmë të fëmijëve “Save the children”. Si u afruat tek ky dimension dhe cili është kontributi juaj konkret?

Mundohem të mos flas për këto gjëra në intervista përgjithësisht, sepse aktivitete të tilla janë filantropike dhe mendoj që nuk duhen bërë publike. Në 2010 kam punuar për përmbytjet në Pakistan dhe kam bërë një këngë ku të gjitha fondet shkuan në Pakistan, por në fakt kohët e fundit po bëj diçka për Afrikën, jam partner për programin e ushqimit të Kombeve të Bashkuara, kemi realizuar një fushatë të bashkuar që quhet “Ushqimi i jetës”, mund ta gjeni edhe në faqen tonë në internet, mbledhim para për njerëzit në Afrikë. Ka 60 vjet që ekziston kjo organizatë, unë jam president i saj. Dëmet aty janë të pallogaritshme, prandaj filluam këtë fushatë për mbledhje fondesh. Kam nxjerrë një këngë të titulluar “Premtime të harruara” dhe të gjitha donacionet dhe paratë, gjithçka që fitohet shkon për njerëzit atje. Mundohem t’i them kujtdo që sado pak të munden të dhurojnë.


Sa nga kjo që bëni është biznes dhe sa është mision?

Sigurisht që ka një aspekt biznesi, por për mua ky aspekt ka qenë një bonus. Kjo është e vërtetë sepse unë nuk para performoj shumë, nuk para shkoj shumë në koncerte, jam shumë përzgjedhës, nuk nxjerr albume çdo gjashtë muaj apo çdo vit. Kjo mendoj se nuk e ndihmon biznesin. Ata që merren me biznes janë njerëz të shpejtë. Sigurisht unë jam muzikant, por për mua është bonus pjesa e biznesit. Por nuk ndodh që të zgjohem në mëngjes dhe të them që sot dua të shes 1 milion disqe. Ky nuk është qëllimi im.


Sa keni shitur?

Në fakt janë shumë, por besojmë se tani me çka kam dëgjuar mbi 12 milion albume. Është një punë shumë e madhe, por njeriu duhet të tregohet shumë i matur sepse ndonjëherë shifrat mund të mashtrojnë. Nëse do të kisha bërë një album dhe do kisha shitur vetëm 10 mijë disqe s’është se do të më ishte copëtuar zemra, s’do të rrija natën pa gjumë apo të depresionohesha.


Po thoni që paratë nuk janë të rëndësishme për ju?

Paratë janë të rëndësishme sepse nënkuptojnë jetë. Njeriu duhet të jetojë, por ato janë qëllimi im. Ky është ndryshimi. Këndvështrimi për mirëqenien për sa e keni në pëllëmbë të dorës, edhe pse keni të gjithë pasurinë e botës, jeni i sigurt, por në momentin që një dollar i vetëm të futet në zemër, atëherë ky është problem, atëherë vërtet je në telashe.


Këshilla juaj për të gjithë ata që ju ndjekin?

Jam shumë i vogël për t’u kopjuar apo për të dhënë këshilla. Jam fakir, siç thuhet në arabisht, por nëse mund të them diçka është se mos e braktisni traditën. Në thjeshtësinë time, në opinionin tim të përulur, të mos e braktisni këtë kulturë të mrekullueshme dhe traditën e të parëve tuaj. Për mendimin tim tradita e botës, ka qenë e mirë por edhe pak e keqe, bota moderne është përgjithësisht e keqe dhe pak e mirë. Nuk po flas për njerëzit, por po them se nëse nuk tregohemi të kujdesshëm ajo që bota moderne mund të na bëjë ne dhe fëmijëve tanë dhe njerëzimit janë shumë të mëdha, prandaj shtrëngojeni fort traditën, por duke mos harruar edhe modernen, sepse teknologjia e gjëra të tjera janë të rëndësishme, por ekuilibri duhet të jetë i saktë, mos lejoni që njëra të tejkalojë tjetrën. Shpresoj që ekuilibri të jetë harmoni. Kjo është ajo që unë shpresoj. Ky është mendimi im i thjeshtë. /Revista Drita Islame/