Jetëpërshkrim për Jakup Asipin

Thirrej ndryshe mulla Jakupi.

Jakup Asipi lindi në fshatin Sllupçan të Kumanovës më 2 Shkurt 1951 nga një familje me taban fetar dhe patriotik të njohur në krahinën e tij. Që në moshë të vogël ai shprehte inteligjencë të rrallë mes moshatarëve, por hallet e një familjeje mesatare të fshatit bënë që ai pas arsimit tetëvjeçar të vazhdonte punën në ndihmë të familjes. Megjithatë dëshira për mësim dhe sidomos fetar bëri që ai të mos i dorëzohej rutinës së përditshme.

Edhe pse në moshë më të madhe se moshatarët e tij mulla Jakupi mbaroi me sukses shkollën e mesme El Furkan në Damask nga ku më pas u regjistrua në fakultetin e Usuli Dinit (bazat e fesë islame) në universitetin e njohur të Al Ez`herit, të cilin e mbaroi me sukses në vitin 1985. Me rastin e 1000 vjetorit të themelimit të universitetit të Al Ez`herit fjala e rastit nga studentët e huaj iu besua studentit Jakup Asipi, i cili me elokuencën e tij që të bënte për vete, bëri një prezantim të përgjithshëm të Islamit dhe të ardhmes së tij. Aty ai arriti të bie menjëherë në sy nga profesorët e tij.

Vlerësimet e larta për të shumë shpejt do të vinin nga të gjithë ata profesorë që e kishin njohur por edhe ata që e dëgjuan në këtë ligjëratë të tij. Ata shikonin tek ai, atë që më vonë do të tregonte me veprën e tij, shikonin reformatorin e ardhshëm në trojet e Ballkanit nga ai vinte.

Fillimisht aktivitetin e tij si hoxhë me një mesazh për të përcjellë, mulla Jakupi e nisi nga Leverkuseni i Gjermanisë, në vitin 1985. Modest në kërkesat e tij materiale, por energjik dhe me shpirt në misionin e tij, mulla Jakupi shumë shpejt e transformoi një faltore të vogël në Leverkusen në një qendër të madhe islame nga ku mblidheshin të gjithë emigrantët shqiptarë për të dëgjuar mësimet e tij. Mulla Jakupi ishte një njeri që mbjelli fidanë të rinj me një punë të madhe, ashtu siç bëri me qendrën islame në Leverkusen. Tashmë kishte ardhur radha që një fidan të tillë të bekuar, mulla Jakupi ta mbjellë atje në vendin e vet, në Sllupçan të Kumanovës.

Kështu në vitin 1990 mulla Jakupi kthehet në vendlindje, ku ndryshe nga njerëzit e tjerë ai ecte kundër rrjedhës. Ishin vitet kur kombi shqiptar po rridhte nga trungu i vet, për të shkuar qyteteve të Evropës. Atëherë mulla Jakupi tregon se kjo ishte rrjedha jo e duhur për bijtë e kombit të tij dhe këtë e bëri me shembullin e vet duke u kthyer për të dhënë kontributin e tij në atdhe, atje në fshatin e tij.

Sead Ramadani një ish-nxënës dhe bashkëpunëtor i tij, tregon se menjëherë sapo erdhi në fshat mulla Jakupi, nisi një varg ligjëratash për diturinë. Ai kishte kuptuar se dobia më e madhe që mund t’i bëhej rinisë dhe të gjithë popullit ishte shkollimi i tij. Madje ky ishte edhe mesazhi i parë i zbritur nga Zoti ku thuhet qartazi: “Lexo në emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (çdo gjë)”. (Kur’an, kaptina nr.96, ajeti nr.1).

Në fillimin e viteve 1994 u hap radioja e parë në Kumanovë e quajtur Radio Zëri i Kumanovës. Po nga ky vend filloi edhe jehona e hoxhës. Mulla Jakupi shumë shpejt arriti të mblidhte rreth vetes së tij rinin e fshatit bile të të gjithë zonës së tij. Për herë të parë ai krijoi një model për të gjithë hoxhallarët, të ligjëratave (tribunave) nëpër auditore të universiteteve apo qendrave të ndryshme.

Ai fshiu pluhurin e mbetur në opinion se Islami ishte thjesht një besim me ritualet e tij fetare. Ai arriti të prezantojë shembuj të Islamit në çdo fushë të jetës, në xhami, në familje, në sport, në kulturë. Për një fshat më parë nuk konceptohej dot që të kishte aty një bibliotekë, por për Sllupçanin mulla Jakupi themeloi bibliotekën dhe qendrën kulturore të tij. Gjithashtu me nisma të mulla Jakupit u themelua edhe ekipi sportiv Besa, jo vetëm në futboll por edhe në sporte të tjera.

Mulla Jakupi ndryshoi shumë koncepte të gabuara që ishin në opinion për Islamin. Mulla Jakupi ua vërtetonte me fakte qëndrimin fisnik dhe aspak fanatik të Islamit për femrën. Sipas tij, Islami nuk mund të pranonte që femra muslimane të ishte e pashkolluar, nuk mund të pranohej që shumë pozicione që kanë lidhje direkt me gruan të mos ishin në drejtimin e vetë asaj dhe kjo arrihej vetëm me shkollim hap pas hapi dhe shumë mirë të kujdesshëm për moralin dhe nderin e femrës.

Mulla Jakupi tregoi me veprën e tij se misioni i hoxhës nuk është si ai i çdo profesionisti tjetër, i cili me mbarimin e detyrës së tij përkatëse e linte rrobën e punës dhe vishte rrobën e civilit. Mulla Jakupi tregoi se hoxha është edukator për popullin e tij dhe misioni i tij nuk kishte orar ditor apo të natës. Ai ishte përherë aty në hallet dhe problemet e popullit të tij. Ai ishte në gëzimet e tyre por edhe në vuajtjet që kalonin, sepse mulla Jakupi ishte biri i tyre.

Kohë pas kohe në qiellin e shqiptarisë janë paraqitur agresione të cilat janë munduar ta shkatërrojnë identitetin e kombit shqiptar. Sigurisht që ky agresion i armiqve historikë të kombit shqiptar do të përballej shumë herë me demaskimin e mulla Jakupit nëpër ligjëratat e tij.

Duke qenë një popull nën sundimin e maqedonasve, trojet shqiptare të Iliridës (Shqipërisë lindore) vuanin nga mohimi i shumë të drejtave njerëzore siç ishin ajo e gjuhës amtare, identitetit kombëtar dhe e pabarazisë ndër-etnike që aplikoheshin nga qeveria maqedonase. Ngritja e zërit në mbrojtje të tyre do të thoshte shkelje e ligjit nga pushteti.

Por kjo nuk do ta pengonte mulla Jakupin që ta thoshte të vërtetën e realitetit të popullit të tij. Ai nuk do të kishte frikë të zgjonte popullin shqiptar në mbrojtje të këtyre të drejtave themelore. Sigurisht ato për hoxhën nuk ishin pa çmim. Shtëpia e tij bastisej shumë herë dhe ai vetë merrej në pyetje në polici ku i bëhej presion për qëndrimet e tij.

Por mulla Jakupi në të vërtetë kishte kuptuar se zgjidhja e vetme që pushteti maqedonas i kishte lënë popullit të tij ishte lufta. Kështu ai përgatitet vetë dhe pastaj përgatit edhe popullin e tij për një përballje frontale me armikun maqedonas. Sllupçani u bë qendra e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) të shqiptarëve në Maqedoni. Të gjithë do të habiteshin kur mulla Jakupi në të premten e radhës para se të jepte kushtrimin do të dilte në minber jo si zakonisht me petkun e hoxhës. Ai kësaj radhe ishte i veshur si ushtarak për t’i dhënë të gjithëve të kuptojnë se kishte ardhur koha e luftës. Edhe ligjëratat e tij të atyre ditëve kishin në plan të parë pikërisht rezistencën dhe mbrojtjen e të drejtave. Në dëshminë e djalit të tij Sadudinit, në kohën kur vetë ai ishte plagosur, babai i tij i jep kurajë duke i thënë se nuk je veç ti i plagosur kështu, ka edhe të tjerë, duke mos e ndarë aspak birin e tij nga luftëtarët e tjerë që luftonin në hendekët e rezistencës.

Mulla Jakupi bashkë me UÇK arritën ta impononin qeverinë maqedonase që të ulen në bisedime me përfaqësuesit e popullit shqiptar për të pranuar kështu të drejtat e shqiptarëve në marrëveshjen e Ohrit. Sigurisht që kjo nuk u arrit pa një çmim të cilin e paguante populli shqiptar, e paguante Sllupçani të cilët dhanë dëshmorë shumë bij të tyre në mbrojtje të kësaj kauze. Gjatë luftës në Kosovë ai me bashkëfshatarët e tij dhe me kryetarin e atëhershëm të komunës së Likovës priti mbi 40.000 refugjatë. Bashkërisht kanë organizuar pritjen dhe vendosjen e tyre.

Në trevat e Kumanovës qysh në shtator të vitit 2000 filloi që të flitet se po formohet Armata Kombëtare Shqiptare. Me sulmin e parë të 22 Janarit 2001 në Tearcë të Tetovës doli në shesh Armata Kombëtare Shqiptare. Filluan përgatitjet edhe në komunën e Likovës nën udhëheqje të mulla Jakupit. Pastaj u transformua AKSH-ja në UÇK dhe në shtëpinë e tij u formua shtabi i parë i UÇK-së për komunën e Likovës. Ku dhe mori pjesë në luftën e UÇK-së si në aspektin frontal ashtu edhe në atë të logjistikës. Pas mbarimit të luftës u zgjedhë edhe myfti i qytetit të Kumanovës.

Me gjithë pasojat e mëdha që la lufta në fshatin e tij, mulla Jakupi arriti ta riorganizonte jetën shoqërore në vend. Sllupçani tashmë ishte bërë pikë reference për të gjithë muslimanët. Tashmë nga një fshat si gjithë të tjerët Sllupçani ishte bërë i dëgjuar anembanë shqiptarisë bile edhe në diasporë dhe kjo sepse aty ligjëronte mulla Jakupi.

Por çdo gjë në këtë botë e ka fundin e vet, ashtu sikur e keqja e luftës përfundoi, edhe ëndrrës së bukur që po jetonte Sllupçani po i vinte fundi. Mulla Jakupi fliste shumë dhe nuk lodhej, nuk e humbte kohën pa bërë diçka të dobishme për popullin e tij, për misionin e tij Islam. Sikur ta dinte që jeta e tij ishte në fundin e saj.

Më datën 7 Janar të vitit 2006 mulla Jakup Asipi pësoi një aksident automobilistik në autostradën Shkup-Kumanovë kur ishte në kthim me vajzën e tij. Duke ditur që të gjithë komandantët e UÇK-së pas lufte kanë pasur një eliminim gjithmonë në rrethana të dyshimta, dosja e këtij aksidenti nuk u lejua kurrë të hetohet gjë që edhe më tepër na bënë të besojmë se ai nuk ishte thjesht një aksident…

Për Sllupcanin por edhe për shqiptarinë mbarë, dita e varrimit të mulla Jakupit do të ishte një ditë e rëndë dhe sytë nuk mund t’i mbanin lotët. Në ceremoninë e varrimit të mulla Jakup Asipit nga fshati Sllupçan i Kumanovës morën pjesë diku mbi 20.000 vetë. Sllupçani po përcillte birin e tij që i dha jetë nga jeta e tij. Po përcillte atë që ringjalli Islamin në këto troje.

Rinia po përcillte hoxhën e dashur që kishte qenë për ta gjeneratori i energjive pozitive. Hoxhallarët e tjerë me humbjen e tij filluan të kuptojnë peshën e gjurmëve që ai kishte lënë. Të gjithë po kuptonin boshllëkun që ky reformator musliman i shqiptarisë kishte lënë me ikjen e tij.

Lusim Allahun që shumë fal dhe mëshiron që ta merr atë në prehrin e mirësive të Tij të pafund



Eduart Thartori