Për një vlerësim më meritor të hulumtimit, tubimit, ruajtjes dhe publikimit të dokumenteve dhe dorëshkrimeve orientale-islame.
Sikundër dihet, ndër shqiptarët kanë ekzistuar një numër i madh i dokumenteve arkivore nga periudha e pranisë mbi 500-vjeçare të Perandorisë Osmane në këto troje, shumë të ndryshme për nga përmbajtja, prejardhja dhe vlera shkencore e artistike.
Mirëpo, në shekujt e kaluar, në rrethanat që kaloi populli shqiptar në përgjithësi dhe për shkak të neglizhencës dhe pakujdesjes sonë, një numër i madh i këtyre dokumenteve të çmueshme u dogjën, u zhdukën apo humbën gjurmët. Prandaj, dokumentet e mbetura nga kjo kohë, si numër, përfaqësojnë një pjesë fare të vogël të asaj pasurie intelektuale, që do të ketë qarkulluar dikur gjithandej në viset tona.
Një fat të ngjashëm patën edhe veprat e dorëshkruara në gjuhët orientale, një pjesë e të cilave vepra origjinale dhe unikale të autorëve shqiptarë.
Ç’është e drejta, jo fort moti, kemi qenë dëshmitarë të nënvleftësimit dhe qëndrimeve jo të drejta dhe joobjektive ndaj dokumenteve dhe dorëshkrimeve orientale, një gjendje që krijoi kushte dhe hapi rrugë për të humbur shumë dokumente dhe dorëshkrime me vlera të mëdha për historinë tonë dhe, së bashku me to, për të mos u njohur kurrë më edhe shumë të dhëna për të kaluarën tonë. Kanë humbur shumë fermane, berate e dekrete; janë zhdukur shumë sixhile, deftere e kronika të qyteteve tona; janë djegur shumë vepra autografe të autorëve tanë; kanë tretur shumë kaside, mevlude, bejte e divane të poetëve tanë, kanë humbur ixhazetname e të dhëna të tjera për imamët, myezinët, myderrizët, kadinjtë, hatibët e hafizët tanë. Kanë humbur të dhëna për medresetë, iptidaijet, idadijet, ruzhdijet, sibjan-mektebet dhe për myderrizët, mualimët e talebet e këtyre institucioneve.
Kanë humbur shumë përshkrime e komente të Kuranit, shumë përmbledhje e shpjegime të haditheve, shumë fetva e vepra të tjera të ulemave tanë... Kanë humbur të dhëna për xhamitë tona, për vakëfet e vakëflënësit tanë, për hajatet e ndryshme që kanë lënë të parët tanë, për sahat-kullat e për hamamet tona. Kanë humbur të dhënat për bibliotekat tona që ishin nga më të vjetrat jo vetëm në rajon po edhe në tërë Evropën, e bashkë me to kanë humbur edhe të dhëna për shumë hafizi-kutubë e kaligrafistë tanë.
Humbi, po ç’nuk humbi?!Vetëm ata që merren sadopak me këto dokumente dhe dorëshkrime, e kanë të qartë se çfarë pasurie e madhe dhe çfarë vlerash të pakontestueshme kanë humbur për të mos u kthyer kurrë më. Ata e kanë të qartë se ç’dëme të mëdha e të papërmirësueshme i janë bërë historisë dhe kulturës sonë.
Vallë, si mund të shkruhet historia dhe si mund të njihet e të ndriçohet e kaluara
jonë pa këto dokumente! Historia e një populli nuk mund të shkruhet duke i kapërcyer 600 vjet. Ata shekuj nuk mund të abortohen, ata nuk mund të zhbëhen, sado që dikujt mund të mos i pëlqejë.
Mos të harrohet trashëgimia 600 vjeçare
Po kush qenë shkaktarët që të humbte kjo pasuri e madhe? Sikurse u tha, luftërat e
ndryshme dhe rrethanat nëpër të cilat kaloi populli ynë, por, mbi të gjitha, neglizhenca dhe moskujdesi ynë ndaj së kaluarës. Ishin intelektualët tanë dhe ishim ne që për pesë dekada i kemi rënë mohu trashëgimisë sonë mbi 600-vjeçare, sa kohë që kjo trashëgimi ishte shkruar tek ne, për ne dhe nga të parët tanë.
Një mendësi e tillë dhe një qëndrim pothuaj armiqësor ndaj së kaluarës dhe trashëgimisë sonë islame shqiptare, në disa dhjetëvjetësha të shkuar mbretëroi tek pjesa dërrmuese e intelektualëve dhe e institucioneve tona. Fatkeqësisht, një mendësi e tillë përbuzëse e nënçmuese ndaj kulturës e trashëgimisë sonë islame shqiptare, mbase jo si dikur, por gjithsesi ekziston edhe sot e kësaj dite. Shqiptarët, si të thuash, nuk po mund të shkurorëzohen assesi nga ato bindje
të këqija, johumane dhe joshkencore që ua la ish-sistemi. Për të qenë objektiv e korrekt, duhet pranuar fakti se edhe institucionet islame shqiptare dhe ulemaja shqiptare nuk treguan ndonjë kujdes të mjaftueshëm për ruajtjen dhe tubimin e dorëshkrimeve dhe dokumenteve të kësaj proveniencieje, e aq më pak të publikimit të vlerave që ruajnë ato dokumente e dorëshkrime.
Fatkeqësisht, edhe në mesin e institucioneve islame shqiptare ka pasur, mbase mund të ketë aty-këtu edhe sot – një qëndrim mospërfillës ndaj këtyre vlerave të paçmueshme, të cilat ndonjë popull tjetër, madje nga ata jomyslimanë, shumë moti do t’i kishte publikuar dhe do t’i kishte ruajtur me fanatizëm të paparë, sikur t’i kishte.
Të theksojmë faktin se në shumë qendra të dijes në Perëndim (Vjenë, Berlin, Londër, Uashington, Paris, Bratisllavë etj.), - atje ku më së paku janë hartuar dhe shkruar dokumente e dorëshkrime orientale-islame, - para shumë dhjetëvjetëshash, nga institucionet më me renome dhe nga dijetarët më të shquar të fushave përkatëse, janë botuar katalogë përfaqësues shumëvëllimësh të dokumenteve e dorëshkrimeve orientale-islame. Kurse vetëm në Arkivin e Stambollit ruhen mbi 150.000.000 dokumente që kanë të bëjnë me Shqipërinë dhe
shqiptarët, e që presin dorën e hulumtuesve dhe studiuesve, në radhë të parë shqiptarë. Prandaj, është koha që të merren masa për ruajtjen, tubimin, regjistrimin, katalogimin dhe botimin eventual të dorëshkrimeve dhe dokumenteve të mbetura, sepse, në të kundërtën, ato do të zhduken dhe, së bashku me to, do të zhduket edhe një pjesë e çmueshme e trashëgimisë sonë kulturore, të cilën me shumë mund e sakrificë e krijuan të parët tanë. Në rast se do të mblidheshin dhe të botoheshin këto dokumente që ruhen edhe sot, qoftë në institucionet tona, qoftë në bibliotekat dhe arkivat privatë, sado të pakta që janë, jemi të bindur thellë, se do të bëheshim zotërues të një potenciali të pasur arkivor, kurse mosshfrytëzimi dhe moskonsultimi i tyre do t’i bënte dëm dhe t’i shkaktonte golle e mungesë historisë sonë.
Me gjithë dëmtimet e mëdha që pësuan kohët e fundit dokumentet osmane, përsëri ka disa arkiva privatë që disponojnë dokumente të tilla. Përsëri ka disa individë, pasardhës të ulemave të vjetër, që ruajnë dokumente e dorëshkrime të paraardhësve të tyre. Edhe sot aty - këtu, ndër shtëpitë shqiptare myslimane, falë kujdesit të individëve me kulturë dhe vetëdije historike për vlerat fetare islame dhe tradicionale, mund të gjenden dokumente dhe dorëshkrime islame.
Do të ishte mirë që, qoftë me anë të një grishjeje, qoftë kundrejt një shpërblimi,
institucionet tona shkencore të përdorin autoritetin e tyre dhe t’i mbledhin këto fonde, në mënyrë që të depozitohen në institucionet përkatëse, ku mundësitë e ruajtjes, të mirëmbajtjes dhe të popullarizimit janë më të mëdha. Edhe një dokument në gjuhën osmane, në shikim të parë i parëndësishëm, mund të na ofrojë një të dhënë shumë të çmueshme dhe të sqarojë e të verifikojë një vit a një emër të një personaliteti me rëndësi. Pikërisht për këtë arsye, me të drejtë, në shkencën e arkivistikës është i njohur parimi se në asnjë mënyrë nuk bën të asgjësohet asnjë dokument prandaj as ato në gjuhën osmane, pavarësisht nga tematika, përmbajtja dhe forma e tij.
Dokumentet dhe dorëshkrimet osmane, kujtojmë, janë me interes dhe mund të shërbejnë si një bazë e mirë për të ndriçuar probleme të ndryshme të kohës.
Le të shërbejë ky shkrim si një ftesë për të gjithë ata që kanë ndonjë dokument a libër dorëshkrim në gjuhët orientale, ose ndonjë material tjetër që ka të bëjë me të kaluarën tonë, që, mundësisht, t’ua ofrojnë njerëzve kompetentë për t’i regjistruar, për të shënuar përmbajtjen e tyre, ose, të paktën, për t’i fotografuar a kseroksuar.
Humbjen e dokumenteve dhe dorëshkrimeve islame-orientale e kanë qarë edhe shumë paraardhës tanë, mbase për shkak të vlerës që ua dinin.
Po përmend apelin dhe dëshpërimin njëkohësisht të eruditit Hafëz Ali Korça, që tingëllon shumë aktual (sikur të jetë thënë sot) e që do të ishte përfundimi më i mirë i tërë sa u tha më sipër:
“Asnjeri nuk çan kokën
Dokumentet për t’i mbledhur
Sikush nga një rrashtë rrokën
Në xhepa ar për të mbledhur”.
Sadik Mehmeti