Jeta e Ahmet ef.Berishës mbeti e lidhur fort ngushtë jo vetëm me nivele të larta përkushtimi prej besimtari e prijësi fetar, por edhe të një qytetari të respektuar, të një bashkëshorti shembullor dhe të një prindi model
Më 25 tetor të këtij viti, ndërroi jetë, në moshën 74 vjeçare, një nga imamët, nëpunësit, pedagogët e shquar të jetës fetare islame në Fushë Kosovë , Haxhi Ahmet ef.Berisha. Më 25 tetor, ose më mirë me thënë në muajin e shenjtë dhulhixhe (në dhjetë ditët e para të muajit….), natën e Arafatit gjegjësisht natën e Kurban Bajramit, pushon së rrahuri zemra e hoxhës së nderuar të Llapit, të Rrafshit të Dukagjinit, të trevave tjera të Republikës së Kosovës dhe jashtë saj.
Të gjithë e kanë njohur mirë Ahmet ef.Berishën, atë hoxhë të nderuar,të shquar për devotshmërinë e tij të thellë, atë hoxhë që gjithnjë ishte pranë nevojtarit, pranë halleve dhe shqetësimeve të njerëzve. Ka marr pjesë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, në shumë raste në pajtimin e gjaqeve. Me dashamirësinë e me autoritetin e tij ka qetësuar zemrat e plagosura, ka shuar gjakrat e ndezur, ka pajtuar e afruar vëllanë me vëllanë. Ishte fetar e jo fanatik, për të çdo njeri, si katolik, si musliman ishte krijesë e Zotit. Fort i ndershëm, guximtar deri në pikë të fundit, dai, dorëdhënës për gjithkënd, i jepte kujtdo çka kishte. Atdhetar i shquar, bashkëpunëtor i opozitës, antikomunist i vendosur.
Ahmet efendi Berisha lindi më 01.05.1938 në fshatin Majac të Komunës së Podujevës, nga Babai Shaqiri dhe nëna Zahidja. Shkollën fillore e kreu në vendlindje në fshatin Lupq, Brezhnicë dhe Besi. Pas përfundimit të shkollës fillore regjistrohet në Medresenë e ulët “Alaudin” në Prishtinë, të cilën e kryen me sukses. Sipas sistemit të shkollimit të asaj kohe, në Kosovë nuk kishte nivel më të lartë të shkollimit fetar. Ndaj, obligohet që të vazhdoi shkollimin e mesëm në Medresenë e “Husrevbegut” në Sarajevë, institucion i vetme e këtij lloji në ish Jugosllavi. Pas përfundimit të Medresesë së Mesme, shkon për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Pas kthyerjes nga shërbimi ushtarak, inkuadrohet në punët dhe detyrat e imamit, mual-limit dhe hatibit në Zenicë B&H, më vonë në xhaminë e Zagrabet- Kroaci. I etur për dituri, vendos të vazhdoi studimet në Universitetin e “Az-harit” në Kairo të Egjitit.
Pas kthimit nga Egjipti inkuadrohet imam në Deçan. Në vitin 1977, krahas detyrës së imamit në Deçan, caktohet arkëtarë dhe sekretar në KBI-së në Gjakovë. Në vitin 78 transferohet në punët dhe detyrat referentit arsimoro-fetar të KBI-së në Gjakovë, gjer në 88. Për punën dhe kontributin e tij në detyrën e referentit arsimoro-fetar gjatë kësaj periudhe, KBI-së në Gjakovë, shprehë mirënjohjet më të thella. Në këtë periudhë., hoxha i nderuar shpërngulet nga Deçani dhe vendoset në Fushë Kosovë. Prej kësaj kohe transferohet në punët dhe detyrat e imamit, mual-limit dhe hatibit, në fillim në fsh. Gllogovc KK Lipjan, pastaj në fsh. Magure KK Lipjan si dhe në njërën prej xhamive të Lipjanit. Në ndërkohë zgjidhet kryetar i ish Shoqatës së Ulemave dhe nga pozita caktohet anëtarë i ish Kryesisë BI-së. Në vitin 1990 transferohet në punët dhe detyrat e punës së edukatorit të Medresesë së Mesme “A L U D I N” në Prishtinë, gjer në pensionim.
I edukuar nga edukata e lartë familjare, i frymëzuar nga dituria Islame, i ushqyer me dashuri të madhe ndaj fesë, ai nuk shquhej vetëm për dituri, ai gjithashtu shquhej edhe për elan të fortë dhe vullnet të mirëfilltë. Ai deri ne ditën kur vdiq, në natën e shenjtë të Kurban Bajramit, në ditën e Arafatit në ditën e pranimit të lutjeve, vdiq me Kur`an në gojë, sepse ai qetësohej në bisedë me Allahun Fuqiplotë.
Që në moshë të re filloi ose mori detyrën e imamit. Ishte nga ata dijetarë që e pasonte fjalën e Pejgamberit s.a.v.s.: “Kërkoni diturinë nga djepi e gjer në varr.“
Është pensionuar në vitin 2003 në detyrën e edukatorit të Medresesë mesme “Alaudin” në Prishtinë. Pas pensionimit,një periudhë ka punuar si imam-hatib në xhaminë (mektebin) fsh.Llukë të Epër KK Deçan. Ishte njohës i shkëlqyeshëm i gjuhës Arabe.
E kaloi jetën duke e shpërnda fjalën dhe frytin e besimit. Sa kuriozitet, sa mallëngjim, sa bukuri, i lumi ai për veten dhe shpirtin e tij.
Ai ka ndërruar jetë! Njerëz të mëdhenj vdesin në ditë të mëdha. Besimtarë të devotshëm të tillë kurrë nuk vdesin, por ndërrojnë jetë. Jetën dhe veprën e tij ia kushtoi besimit në Allahun dhe duke qenë në shërbim të Tij dhe njerëzimit. Ata kurrë nuk vdesin sepse kanë mbjellë farën e një ardhmërie fatlume të popullatës shqiptare të besimit islam.
Ishte i pakompromis në zbatimin dhe respektimin e urdhrave të Allahut xh.sh. dhe Synnetit të Pejgamberit s.a.v.s. Shquhej për inteligjencën dhe zgjuarsinë e tij. Përgjigjet dhe sqarimet e interpretimet e tija ishin gjithmonë në suaza të kornizës së Kur’anit dhe Synnetit të Pejgamberit s.a.v.s. Ai la pas vete jo vetëm familjarët e mallëngjyer, por edhe miqtë, shokët, dashamirësit e tij dhe mbarë popullatën e Llapit – Rrafshit të Kosovës, Rrafshit të Dukagjinit e më gjerë.
M.Ahmet ef.Berisha, u varros në varrezat e fshatit Majac –(në vendlindjen e tij) të Komunës së Podujevës, me nderime të larta fetare. Atë për në banesën e tij të fundit e përcollën numër i madh besimtarësh nga Majaci, Prishtina, Mitrovica, Vushtria, Peja Gjakova dhe vendbanimet tjera, në të cilat ai ka shërbyer dekada me radhë, duke lënë mbresa të pashlyeshme.
Namazin e xhenazes ia fali Myftiu i Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës Mr.Naim ef.Ternava, ndërsa lutjen e fundit e bëri Mulla Ferat ef.Gërguri.
Ai ka ndërruar jetë! Njerëz të mëdhenj të tillë kurrë nuk vdesin. Besimtarë të devotshëm të tillë kurrë nuk vdesin. Nuk vdesin sepse pas vete lënë gjurmë të pashlyeshme, në rend të parë tek pasardhësit e tij, dhe tek shoqëria në përgjithësi.
“O ti shpirt i bindur plotësisht, kthehu tek Zoti yt i vetëkënaqur e i pranuar, hyrë në turmën e robërve të Mi dhe hyrë në Xhennetin Tim!”
Allahu të gjithëve na takoftë në Xhennet me Hoxhën e nderuar.
Përgatiti: Esat Rexha