Për të tretin vit radhazi muslimanët shqiptarë të Italisë organizuan kuvendin e tyre kombëtar me titull: “Islami dhe Perëndimi në të ardhmen e shqiptarëve”.
Me datë 3-5 prill, në ambientet e fshatit turistik GeTur te Lignano Sabbiadoro (Udine) u zhvillua kuvendi i tretë kombëtar i U.A.M.I-t në praninë e mase 200 pjesëmarrësve të ardhur nga qytete të ndryshme të Italisë.
Unioni i Shqiptarëve Muslimanë të Italisë, është tashmë një nga organizatat islame më aktive në vend e cila lindi si nevojë e kohës për të nxitur dhe kultivuar njohjen, ndihmën reciproke, koordinimin dhe bashkëpunimin midis muslimanëve shqiptarë me banim në Itali. U.A.M.I falë përfaqësuesve në 25 qytete mundëson aktivitete të ndryshme me dobi sociale me qellim ruajtjen e identitetit kulturor dhe fetar, promovimin e integrimit në shoqëri, agregimit dhe bashkëjetesës harmonike. Organizon takime e seminare mbi dialogun ndërkulturor e ndërfetar, mbi edukimin qytetar dhe kulturën e legalitetit; kurse në lëmi të ndryshme; manifestime kulturore, sportive e turistike.
Programi i këtij viti shoqërohej nga një pjesëmarrje e konsiderueshme besimtarësh muslimanë të cilët kishin mbërritur në fshatin turistik që në orët e para të ditës së shtune. Akomodimi i tyre në një prej resurseve më cilësore të bregdetit Italian favorizoi në përjetimin e aktivitetit në mënyrën më të mirë.
Në këtë eveniment ishin të ftuar personalitete të jetës fetare e kulturore nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, por nuk mungoi pjesëmarrja e intelektualeve nga Italia si dhe përfaqësues të shoqatave që operojnë në këtë vend.
Dr. Alfred Aga, kryetari i shoqatës, hapi takimin duke përshëndetur të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre si dhe duke bërë një prezantim të U.A.M.I-t. Në vijim ftoi të nderuarin Hamza Piccardo të mbajë ligjëratën e parë të këtij takimi.
H. Piccardo, përkthyes i Kur’ani-t në gjuhën Italiane si dhe drejtues i websitit islamonline.it erdhi në takim për të shqyrtuar temën mbi komunikimin dhe raportin që muslimanët duhet të kenë me mediat në Itali e më gjerë. Ai vlerësoi gjithashtu dhe përgëzoi komunitetin shqiptar që më së miri është integruar në shoqërinë Italiane e që njëkohësisht me fanatizëm i ruan e i trashëgon vlerat dhe virtytet që e karakterizojnë.
Takimi vazhdoi me ligjëratën e Prof. Dr. Shefqet Krasniqit, Hoxhë i Xhamisë së madhe në Prishtine. Dr. Krasniqi ligjëroi mbi rolin e muslimanëve në historinë e Ballkanit, bëri një analize të situatës aktuale të muslimanëve në këto treva si dhe gjendjen e tyre në shoqërinë perëndimore.
Pas ndërhyrjes së hoxhës së nderuar u prezantuan përfaqësuesit e disa prej shoqatave islame që operojnë në vend. Kështu përfaqësues të Islamic Relief, Giovani Mussulmani d’Italia (GMI), Scout Mussulmani si dhe Govani Europei për la Palestina (GEP) prezantuan punën e tyre të pranishmeve së bashku me një ftesë për bashkëpunim.
Të nesërmen më datë 4 prill ligjëroi pranë të pranishmëve hoxha i nderuar nga Maqedonia Dr. Zekeria Bajrami. Ai u përqendrua në tema teologjike me anë të të cilave synoi të zbatonte atë çka nga hadithet profetike shoqërohet me termin “Përkujtimi i bën mirë besimtarit”.
"Është detyrë e çdonjërit nga ne të jetë thirrës dhe përçues i vlerave të larta të islamit, të kujdesemi për njëri-tjetrin e të kontribuojmë sa më shumë në zhvillimin e shoqërisë ku jetojmë, po edhe të asaj ku lindëm" - nënvizoi ai.
I suksesshëm u paraqit edhe promovimi i librit të Rezart Bekes, studiues Teologjie në Universitetin Gregorian të Romës si dhe themelues i shoqatës “Erazmus” në Tiranë.
Libri me titull “Njeriu si Halifullah” përqendrohet në tema esencialiste të ndikimit të forcës së besimit në jetën e njeriut në mënyrë që ta drejtojë atë në stadin më të lartë, atë pra të “Mëkëmbësit të Zotit në toke”.
Në vijim përshëndeti takimin edhe shkrimtarja e nderuar Vitore Stefa Leka e cila me praninë e saj solli një dëshmi të realitetit dhe të karakterit të shqiptarit i cili ruan bashkëjetesën e shëndoshë fetare kudo që ndodhet. Ajo e paraqiti këtë kuvend si shembullin më të mirë të kësaj natyre dhe një nga ato elemente të shoqërisë shqiptare me të cilën ne mund të krenohemi më shumë.
Ditën e dytë të takimit u prezantuan dhe përshëndetën takimin, shoqata të ndryshme që janë pjesë e U.A.M.I-t, si ASIAM (Milano), Forum Alb-Trentino (Xhamia shqiptare në Pergine), Shoqata e muslimanëve shqiptarë në Grosseto (Toscana) si dhe shoqata “Musulmani di Piacenza”.
Një rëndësi të veçantë pati edhe programi i seksionit të gruas pranë U.A.M.I-t. Si fryt i parë i këtij organizmi u mundësua mbajtja e një konference me temë qendrore “Roli i dijes në jetën e femrës mulslimane”. Në këtë konferencë referuan femra muslimane të diplomuara në universitetet italiane.
Nuk mund të mungonin edhe aktivitete të ndryshme sportive të organizuara në ambientet e qendrës turistike, siç ishte edhe kampionati i minifutbollit tashmë i përvitshëm.
Para mbylljes së programit të pranishmit u ftuan të aderojnë në shoqatën e U.A.M.I -t si dhe të kontribuojnë në mbarëvajtjen e shoqatave muslimane në Itali.
Me dëshirën e mirë që aktivitete të tilla në dobi të shoqërisë dhe fesë sonë të jenë më të shpeshta e frytdhënëse, falënderojmë të gjithë pjesëmarrësit që me prezencën e tyre mundësuan arritjen e qëllimeve të këtij takimi.
U.A.M.I
Unione degli Albanesi Musulmani in Italia